28 gusht

[no_toc]

28 gusht

«Të jeni të sigurt që mëkati juaj do t’ju gjejë» (Num. 32:23).

Perëndia ka caktuar disa parime të pandryshueshme në botën që jetojmë dhe asnjë zgjuarsi e njeriut nuk mund t’i shpëtojë fortifikimit të këtyre parimeve. Një nga këto parime është që nuk mund të mëkatosh dhe të dalësh pa u lagur.

Disa prej nesh e kanë mësuar këtë herët në jetë kur kemi fshirë marmelatë apo ndonjë ushqim tjetër, por që kanë lënë gjurmë që na kanë tradhtuar të cilat mamaja i ka zbuluar kollaj. Por kjo e vërtetë zbatohet për tërë jetën dhe dëshmohet nga çdo gazetë.

Poema «Ëndrra e Juxhin Aramit» është një ilustrim i goditur për këtë pikë. Duke menduar se mund të kryente një «krim të përsosur», Arami vrau një burrë dhe e hodhi trupin në lumë – «me ujë të amullt, të zi si boja, thellësia ishte kaq e madhe». Mëngjesin tjetër ai shkoi te shtrati i lumit ku kishte kryer krimin

Dhe kërkova pellgun e zi të mallkuar,
me sy dyshues e të egërsuar
dhe ai pa të vdekurin në shtratin e lumit
sepse rrëkeja e pabesë ishte shuar.

Ai u përpoq të mbulonte trupin me një pirg të madh gjethesh, por atë natë fryu një erë e fortë në atë zonë, duke e lënë kufomën të dukej sheshit.

Pastaj fytyra ime u trishtua,
dhe të qaj për herë të parë fillova,
sepse sekretin që kisha dhe që
toka refuzoi ta pranonte, e kuptova,
në tokë a në det, edhe sikur të jetë
dhjetë mijë pashë i thellë.

Përfundimisht ai e varrosi viktimën e tij në një shpellë të largët, por vite më vonë skeleti u gjet; ai u gjykua për krimin dhe u ekzekutua. Mëkati i tij e gjeti atë.

Por është edhe një mënyrë tjetër se si mëkati do të na gjejë. E. Stenli Xhounsi na kujton që «mëkati regjistrohet vetiu në keqësimin e brendshëm, në ferrin e brendshëm të të mos qenit në gjendje për të respektuar vetveten, duke të të detyruar që të jetosh nëntokë në labirinte pa dalje».

Por edhe sikur mëkati i dikujt të mund të ngelet në njëfarë mënyre i pazbuluar në këtë jetë, me siguri ai do ta zërë në atë tjetrën. Nëse ai mëkat nuk është pastruar përmes gjakut të Jezusit, ai do të dalë në dritë në Ditën e Gjykimit. Qoftë ndonjë veprim, mendim, motiv a qëllim, ai do të sillet si akuzë kundër tij dhe dënimi do të shpallet. Dhe dënimi sigurisht është vdekja e përjetshme.