28 qershor

[no_toc]

28 qershor | çdo ditë me radhë

«Ai që beson dhe është pagëzuar, do të jetë i shpëtuar; por ai që nuk ka besuar, do të jetë i dënuar» (Mr. 16:16).

Nëse ky do të ishte i vetmi varg në Bibël mbi këtë temë, ne mund të përfundonim me të drejtë se shpëtimi është me anë të besimit plus pagëzim. Por kur ka 150 vargje në Dhiatën e Re që e kushtëzojnë shpëtimin vetëm nëpërmjet besimit, ne duhet të përfundojmë se ato 150 vargje nuk mund të kundërshtohen nga një ose dy vargje si ky.

Megjithëkëtë, edhe pse pagëzimi nuk është esencial [i domosdoshëm] për shpëtimin, ai është esencial për bindjen. Vullneti i Perëndisë është se të gjithë ata që e kanë vendosur besimin në Birin e Tij si Zot e Shpëtimtar duhet ta identifikojnë veten publikisht me Atë në ujërat e pagëzimit të besimtarit.

Dhiata e Re nuk e sjell ndër mend një anomali të tillë si një besimtar të papagëzuar. Ajo supozon se kur një person shpëtohet, ai do të pagëzohet. Në librin e Veprave, dishepujt praktikuan atë që ne mund ta quajmë «pagëzim të çastit». Ata nuk pritën për një shërbesë formale në ambientin e një kishe, por i pagëzuan menjëherë mbi bazën e rrëfimit të besimit nga personi.

Rendi i besimit dhe i pagëzimit është kaq afër, që Bibla flet për to në të njëjtën frymëmarrje – «Ai që beson dhe është pagëzuar…».

Me dëshirën tonë për të shmangur mësimin jobiblik të rigjenerimit pagëzor [rilindjes përmes pagëzimit], ne lejojmë shpesh që lavjerrësi të luhatet shumë më larg në drejtimin e kundërt. Njerëzit priren që të mbeten me idenë e gabuar se nuk ka vërtet rëndësi nëse janë apo jo të pagëzuar. Por kjo ka rëndësi.

Ne dëgjojmë disa duke thënë me tepër lehtësi: «Unë mund të shkoj në qiell pa qenë i pagëzuar». Unë u përgjigjem gjithmonë: «Po, kjo është e vërtetë. Ju mund të shkoni në qiell pa qenë i pagëzuar, por nëse ndodh kështu, ju do të jeni i papagëzuar për tërë përjetësinë». Nuk do të ketë asnjë mundësi për pagëzim në qiell. Ai është një nga ato akte që ne mund t’i bindemi Zoti tani ose kurrë.

Të gjithë ata që i kanë besuar Jezus Krishtit si Zot e Shpëtimtar nuk kanë çfarë të presin që të pagëzohen. Në këtë mënyrë ata e identifikojnë publikisht veten me Atë në vdekjen dhe ringjalljen e Tij dhe e përkushtojnë publikisht veten për të ecur me Të në risinë e jetës.