29 prill

[no_toc]

29 prill | çdo ditë me radhë

«Dhe besimi është siguria e gjërave që shpresohen, tregim i gjërave që nuk shihen» (Heb. 11:1).

Besimi është shpresë e patundur në Fjalën e Perëndisë. Ai është siguri në besueshmërinë e Perëndisë. Ai është bindja se ajo që thotë Perëndia është e vërtetë dhe se ajo që premton Ai do të ndodhë. Ai ka të bëjë kryesisht me sferën e së ardhmes «e gjërave që shpresohen» dhe me sferën e së padukshmes («i gjërave që nuk shihen»).

Uitieri (Wittier) tha se «hapat e besimit bien mbi boshllëkun në dukje dhe gjejnë poshtë shkëmbin». Por nuk është kështu! Besimi nuk është një hap në errësirë. Ai kërkon evidencën më të sigurt dhe këtë evidencë e gjen në Fjalën e Perëndisë.

Disa njerëz kanë idenë e gabuar se nëse thjesht e beson një gjë mjaft fort, ajo do të ndodhë. Por kjo është naivitet, jo besim. Besimi duhet të ketë një zbulim nga Perëndia ku të mbështetesh, një premtim nga Perëndia ku të kapesh. Nëse Perëndia premton diçka, atëherë është po aq e sigurt, sikur kjo tashmë të kishte ndodhur. Nëse Ai parathotë të ardhmen, atëherë është e sigurt që kjo do të përmbushet. Me fjalë të tjera, besimi e sjell të ardhmen brenda të tashmes dhe e bën të dukshme atë që është e padukshme.

Nuk ka asnjë rrezik kur i besojmë Perëndisë. Ai nuk mund të gënjejë, Ai nuk mashtron dhe Ai nuk mund të mashtrohet. T’i besosh Perëndisë është gjëja më e arsyeshme, më e shëndoshë, më logjike që një njeri mund të bëjë. Çfarë është më e arsyeshme se një krijesë që i beson Krijuesit?

Besimi nuk kufizohet nga pamundësitë, por pushton sferën e së pamundurës. Dikush ka thënë: «Besimi fillon atje ku mbarojnë mundësitë. Nëse është e mundshme, atëherë në këtë gjë nuk ka lavdi për Perëndinë. Nëse është e pamundshme, kjo mund të bëhet».

Besimi, besimi i fuqishëm sheh premtimin
dhe e hedh vështrimin vetëm te Perëndia;
qesh me pamundësitë
dhe thërret: «Kjo do të bëhet».

Pa dyshim ka vështirësi dhe probleme në jetën e besimit. Perëndia e vë në provë besimin tonë në kaldajën e sprovës dhe të vuajtjeve për të parë nëse është i vërtetë (1 Pjetrit 1:7). Shpesh ne duhet të presim për vite të gjata për të parë përmbushjen e premtimit të Tij dhe ndonjëherë do të na duhet të presim derisa të arrijmë në anën tjetër. Por «vështirësitë janë ushqim me të cilat ushqehet besimi» (George Muller).

«Pa besim është e pamundur t’i pëlqesh atij» (Heb. 11:6). Kur refuzojmë që t’i besojmë Atij, ne po themi se Ai është një gënjeshtar (1 Gjonit 5:10) dhe si mund të kënaqet Perëndia nga ata njerëz që e quajnë Atë një gënjeshtar?