3 shkurt

[no_toc]

3 shkurt | çdo ditë me radhë

«Pastaj erdhi një engjëll tjetër që kishte një temjanicë ari dhe ndaloi pranë altarit; dhe iu dha shumë erë e këndshme që t’ua shtonte lutjeve të të gjithë shenjtorëve mbi altarin prej ari që ishte përpara fronit» (Zbulesa 8:3).

Ne besojmë se engjëlli në këtë pjesë nuk është tjetërkush veç vetë Zotit Jezus. Dhe shërbesa e Tij këtu është e mbushur me ngushëllim dhe inkurajim për ne.

Çfarë është Ai duke bërë? Ai i merr lutjet e të gjithë shenjtorëve, u shton temjanin e Tij të çmuar dhe i paraqet përpara Perëndisë Atë.

Ne e dimë shumë mirë që lutjet dhe lavdërimet tona janë shumë të papërsosura. Ne nuk dimë si të lutemi siç duhet. Gjithçka që ne bëjmë është e njollosur me mëkat, me motive të rreme, me egoizëm.

«Orët më të shenjta që i kalojmë në gjunjë duke u lutur,
kohët kur mendojmë se këngët dhe lavdërimi ynë do të të pëlqejnë,
o Hetues i të gjithë zemrave, derdh falje mbi këto».

Por përpara se adhurimi dhe ndërmjetësimi ynë të shkojnë te Perëndia Atë, ato kalojnë përmes Zotit Jezus. Ai heq çdo gjurmë papërsosurie që kur ato të shkojnë përfundimisht tek Ati të jenë të patëmetë. Dhe ndodh diçka tjetër që është shumë e mrekullueshme. Ai e ofron temjanin me lutjet e shenjtorëve. Temjani flet për përsosurinë erëmirë të personit dhe veprës së Tij. Është kjo ajo që i bën të efektshme lutjet tona.

Çfarë inkurajimi duhet të jetë kjo për ne. Ne të gjithë e dimë se sa lëmsh i bëjmë lutjet. U bëjmë masakër rregullave të gramatikës, e shprehim veten pa elegancë dhe themi gjëra që janë absurditete doktrinore. Por kjo nuk duhet të na bëjë që të heqim dorë nga lutja. Ne kemi një Kryeprift të Madh që redakton dhe pastron çdo komunikim tonin me Atin.

Meri Bouli (Mary Bowley) e shprehu këtë të vërtetë në formë poetike kur ajo shkroi:

Shumë temjan po ngrihet
para fronit të përjetshëm;
Perëndia përkulet me mirësjellje
të dëgjojë çdo psherëtimë të mekur;
të gjitha lutjeve dhe lavdërimeve tona
Krishti u shton parfumin e Tij të këndshëm,
dhe dashuria ngre temjanicën
këto aroma të konsumojnë.