30 dhjetor

[no_toc]

30 dhjetor

«Davidi tha: “A ka mbetur ndonjë nga shtëpia e Saulit, ndaj të cilit mund të sillem mirë për hir të Jonathanit?”» (2 i Samuelit 9:1).

Mefiboshethi ishte një nip i mbretit Saul, i cili ishte përpjekur në mënyrë të përsëritur për t’ia marrë jetën Davidin. Prandaj ai rridhte nga një familje rebele që mund të priste të shuhej kur Davidi të hipte në fron. Përveç kësaj, Mefiboshethi ishte një sakat i paaftë, që i kishte rënë tajës së tij kur ishte i ri. Fakti që ai jetonte në shtëpinë e dikujt tjetër në Lodebar, që do të thotë «pa kullotë», sugjeron që ai ishte i varfëruar. Lodebari ishte në anën lindore të Jordanit dhe, prandaj, «larg» Jerusalemit, vendbanimit të Perëndisë. Nuk kishte asnjë meritë te Mefiboshethi për sa i përket favorit të Davidit.

Pavarësisht nga e gjithë kjo, Davidi pyeti për të, dërgoi lajmëtarë tek ai, e solli në pallatin mbretëror, e siguroi se nuk kishte asgjë për t’u patur frikë, e pasuroi me tërë tokën e Saulit, i siguroi një shpurë shërbëtorësh për t’i shërbyer dhe e nderoi me një vend të përhershëm në tryezën e mbretit si një nga bijtë e mbretit.

Përse shfaqi Davidi këtë mëshirë, hir dhe dhembshuri për dikë që ishte kaq shumë i padenjë? Përgjigjja është «për hir të Jonathanit». Davidi kishte lidhur një besëlidhje me Jonathanin, të atin e Mefiboshethit, që ai nuk do të pushonte së shfaquri mirësi familjes së Jonathanit. Kjo ishte një besëlidhje e hirit pa kushte (1 i Samuelit 20:14-17).

Mefiboshethi e kuptoi këtë, sepse kur u çua për herë të parë në praninë e mbretit, ai ra përmbys dhe tha se një «qen i ngordhur» nuk e meritonte një mirësi si kjo.

Nuk duhet të jetë e vështirë për ne që ta gjejmë veten në këtë përshkrim. Ne kemi lindur nga një racë rebele, mëkatare nën dënimin e vdekjes. Ne ishim moralisht të gjymtuar dhe të paralizuar nga mëkati. Edh ne banonim në një vend «pa kullotë», frymërisht të uritur. Ne jo vetëm që ishim të dënuar, të paaftë dhe të varfëruar, por ishim «larg» nga Perëndia, pa Krishtin dhe pa shpresë. Nuk kishte asgjë në ne që të tërhiqte dashurinë dhe mirësinë e Perëndisë.

Megjithëkëtë, Perëndia na kërkoi, na gjeti, na çliroi nga frika e vdekjes, na bekoi me çdo bekim frymëror në vendet qiellore, na solli në tryezën e banketit të Tij dhe ngriti mbi ne banderolën e dashurisë së Tij.

Përse e bëri Ai këtë? Ishte për hir të Jezusit. Dhe ishte për shkak të besëlidhjes së Tij të hirit sipas së cilës na zgjodhi në Krishtin para themelimit të botës.

Përgjigjja e përshtatshme për ne është të biem përmbys në praninë e Tij dhe të themi: «Ç’është shërbëtori yt, që ti të përfillësh një qen të ngordhur si unë?»

[previous][next]