31 maj

[no_toc]

31 maj | çdo ditë me radhë

«Dhe njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht» (1 e Korintasve 2:14).

Njeriu natyror është ai që nuk ka lindur sërish kurrë. Ai nuk e ka Frymën e Perëndisë. Ai nuk është i prirur që të pranojë të vërtetat frymërore, pasi ato i duken atij si gjepura. Por jo vetëm kaq! Ai nuk mund t’i kuptojë të vërtetat frymërore, pasi ato mund të kuptohen vetëm përmes ndriçimit të Frymës së Shenjtë.

Kjo duhet të theksohet. Nuk është vetëm që njeriu i pashpëtuar nuk dëshiron t’i kuptojë gjërat e Perëndisë. Ai nuk mund t’i kuptojë ato. Ai ka një paaftësi të lindur për të vepruar kështu.

Kjo më ndihmon për të vlerësuar siç duhet shkencëtarët, filozofët si edhe njerëzit e tjerë profesionalë të botës. Për sa kohë që ata flasin për çështje të zakonshme, unë i respektoj ata si ekspertë. Por, sapo ata ndërhyjnë në fushën frymërore, unë u heq vizë atyre si të kualifikuar për të folur me autoritet.

Nuk tregohem tepër i çuditur nëse ndonjë profesor universiteti ose edhe ndonjë klerik liberal pushton titujt e parë të gazetave me dyshime ose mohime për sa i përket Biblës. Kam mësuar që të pres diçka të tillë dhe që ta shpërfill këtë gjë. Unë kuptoj se njerëzit që nuk kanë lindur sërish shkojnë përtej thellësisë së tyre kur flasin për gjëra të Frymës së Perëndisë.

F. W. Borehami i krahasoi njerëzit e mëdhenj të shkencës dhe të filozofisë me pasagjerë të klasës së dytë në një anije ndëroqeanike, të ndarë nga kuverta e klasës së parë. «Shkencëtarët dhe filozofët – si të tillë – janë, e thënë ndryshe, «pasagjerë të klasës së dytë» dhe ata duhet të qëndrojnë në anën e tyre të gardhit. Ata nuk janë autoritet mbi besimin e krishterë…. Fakti është që ne kemi një besim që nuk mund të tronditet nga përbuzja e pasagjerëve të klasës së dytë dhe që nuk përfton asnjë mbështetje reale nga vërtetimi dhe mbrojtja e tyre».

Sigurisht, kemi edhe shkencëtarin ose filozofin e rastësishëm që është një shenjtor. Në një rast të tillë, Borehami tha: «Unë zbuloj gjithnjë një «biletë të klasës së parë» që ka dalë paksa nga xhepi i tij; dhe ndërsa shëtit mbi kuvertë në shoqërinë e tij të hirshme, unë nuk e konsideroj më atë si një shkencëtar, sikurse nuk e konsideroj Bunjanin si një kallajxhi. Ne jemi bashkudhëtarë – të klasës së parë».

Robert G. Li (Robert G. Lee) tha: «Njerëzit mund të jenë kritikë dhe shkollarë dhe shkencorë, që të njohin çdo gjë për gurët dhe molekulat dhe gazet dhe, prapëseprapë, të jenë krejt të paaftë për të gjykuar krishterimin dhe Biblën».