31 tetor

[no_toc]

31 tetor

«Një fëmijë i urtë e gëzon të atin, por një fëmijë budalla i shkakton vuajtje nënës së vet» (Fjalet e Urta 10:1).

Cili është çelësi që përcakton nëse një fëmijë bëhet i urtë ose budalla në jetë? Cilët janë faktorët që përcaktojnë nëse ai bëhet një Gjon ose një Judë?

Sigurisht që trajnimi prindëror është një faktor i rëndësishëm. Kjo përfshin të kesh një themel të plotë në Shkrimet e shenjta. Ndikimi shenjtërues i Fjalës së Perëndisë nuk mund të theksohet më shumë se ç’duhet.

Kjo përfshin të kesh një shtëpi që është e fortifikuar me lutje. Nëna e një predikuesi të famshëm ungjillor tha se ruajtja e djalit të saj nga e keqja morale dhe doktrinore erdhi nga fakti që ajo «u lodh duke ndenjur në gjunjë duke u lutur për të».

Kjo do të thotë përdorimi i disiplinës së vendosur me qëllim që fëmija të mësojë të bindet dhe t’i nënshtrohet autoritetit. Sot dëgjojmë protesta të zhurmshme kundër disiplinës së fortë, por numri i jetëve që janë shkatërruar nga plotësimi i dëshirave të tepruara është më i madh se i atyre ku është përdorur thupra (Fjalet e Urta 13:24; 23:13, 14).

Kjo do të thotë t’i bësh të njohur fëmijës sigurinë që ne si prindër e duam. Disiplina duhet të jepet si një akt dashurie dhe jo zemërimi.

Kjo do të thotë që prindërit duhet të jenë një shembull i gjallë i asaj se çfarë pretendojnë. Hipokrizia në fe ka qenë një pengesë për shumë fëmijë me prindër të krishterë.

Por, gjithashtu, përfshihet edhe vullneti i fëmijës. Kur të largohet nga shtëpia, ai është i lirë t’i marrë vetë vendimet e tij. Shpesh ata fëmijë që janë rritur në të njëjtën shtëpi me të njëjtat kushte përfundojnë ndryshe.

Dy fakte të jetës duhen përballur. Njëri është se shumë njerëz duhet të kenë një shijim të botës për veten e tyre. Tjetri është se shumë njerëz parapëlqejnë të mësojmë përmes turpit dhe çnderimit dhe jo përmes këshillës së urtë.

Prindërit e urtë nuk ushtrojnë presion mbi fëmijët e tyre që këta të fundit të bëjnë një rrëfim të besimit. Nëse fëmijët duan të vijnë te Zoti, ata duhet të inkurajohen. Por nëse ata detyrohen për të bërë një rrëfim të rremë dhe më pas e braktisin atë rrëfim pas disa vitesh, është më e vështirë që ata të fitohen për Krishtin.

Nëse prindërit e krishterë kanë bërë ç’të mundnin për të edukuar fëmijën e tyre në disiplinë dhe në këshillë të Zotit, por që më vonë jeta e fëmijës është shkatërruar, atëherë çfarë? Ata duhet të mbajnë mend një gjë, që kapitulli i fundit nuk është shkruar akoma. Asnjë rast nuk është tepër i vështirë për Zotin. Duke vazhduar seriozisht me lutje dhe duke e mbajtur hapur komunikimin midis tyre, shumë prindër kanë arritur të shohin që fëmija i tyre plëngprishës të kthehet. Në raste të tjera, lutjet e prindërve kanë marrë përgjigje pasi ata vetë kanë shkuar të jenë bashkë me Zotin në shtëpinë qiellore.

[previous][next]