4 korrik

[no_toc]

4 korrik

«A nuk do të na japësh përsëri jetën [ripërtërish, rizgjosh], me qëllim që populli yt të mund të gëzohet te ti?» (Psa. 85:6).

Një gjendje e larguar [e rënë] është shpesh si një kancer; ne nuk e dimë që e kemi atë. Ne mund të ftohemi frymërisht aq gradualisht, që nuk e kuptojmë se sa të mishit jemi bërë faktikisht. Ndonjëherë duhet të ndodh një tragjedi, një krizë ose një zë i një profeti të Perëndisë që të na zgjojë drejt nevojës së dëshpëruar. Vetëm atëherë mund ta përvetësojmë premtimin e Perëndisë: «Unë do të derdh ujë mbi atë që ka etje dhe rrëke mbi tokën e thatë» (Isa. 44:3).

Unë kam nevojë për rizgjim kur e kam humbur vrullin entuziast për Fjalën e Perëndisë, kur jeta ime e lutjes është kthyer në një rutinë të mërzitshme (ose ka mbaruar fare), kur unë e kam lënë dashurinë time të parë. Unë kam nevojë për një prekje të freskët nga Perëndia kur jam më shumë i interesuar për programet televizive se për takimet e përbashkësisë lokale, kur jam i përpiktë për në punë, por me vonesë për në takimet [e asamblesë], kur jam i rregullt në punë, por me hope në asamble. Unë kam nevojë për rizgjim kur jam i gatshëm që të bëj për lekun atë për të cilën nuk jam i gatshëm që të bëj për Shpëtimtarin; kur unë shpenzoj më tepër para për të kënaqur veten, sesa shpenzoj në veprën e Zotit.

Ne kemi nevojë për rizgjim kur mbajmë mëri, fyerje, ndjenja të hidhura. Kur ne jemi fajtorë për përgojime dhe thashetheme. Kur nuk jemi të gatshëm për t’i rrëfyer fajet që kemi bërë ose për të mos i falur të tjerët kur ata na i rrëfejnë fajet e tyre. Ne kemi nevojë për rizgjim kur grindemi si mace në shtëpi, pastaj shfaqemi në asamble sikur gjithçka të jetë ngrohtësi. Ne kemi nevojë për rizgjim kur jemi konformuar [përshtatur] me këtë botë në bisedat, në ecjen, në tërë stilin e jetës sonë. Sa e madhe është nevoja tonë kur jemi fajtorë për mëkatet e Sodomës – kryelartësi, bollëku i bukës dhe plogështi e theksuar (Ezekieli 16:49)!

Sapo të kuptojmë ftohtësinë dhe shterpësinë tonë, ne mund të përvetësojmë premtimin e 2 i Kronikave 7:14: «Në qoftë se populli im, i cili thirret me emrin tim, përulet, lutet, kërkon fytyrën time dhe kthehet prapa nga rrugët e këqija, unë do ta dëgjoj nga qielli, do t’i fal mëkatin e tij dhe do ta shëroj vendin e tij» (2 i Kronikave 7:17).

Rrëfimi është rruga drejt rizgjimit!

O Frymë e Shenjtë, rizgjimi vjen nga Ty;
dërgo një rizgjim – fillo punën në mua.
Fjala jote shpall që Ti do të furnizosh nevojën time.
Për bekime tani, o Zot, unë lutem përulësisht.

~ J. Edwin Orr