6 dhjetor

[no_toc]

6 dhjetor

«Kur Efraimi fliste, njerëzit dridheshin; ai ishte i lartësuar në Izrael. Por ai u bë fajtor për adhurimin e Baalit dhe vdiq» (Osea 13:1, NIV).

Ka një forcë dhe autoritet të madh në fjalët e një njeriu të drejtë. Kur ai flet, ai i ndikon jetët e të tjerëve. Fjalët e tij kanë peshë. Njerëzit e konsiderojnë atë si dikush që meriton respekt dhe bindje.

Por nëse i njëjti njeri bie në mëkat, ai e humbet të gjithë këtë ndikim pozitiv te të tjerët. Toni me autoritet [i besueshëm] me të cilin fliste, tani zhduket. Njerëzit nuk shkojnë më tek ai për këshillim. Nëse ai përpiqet t’ua japë, ata priren ta shohin atë me një shikim të zbehtë dhe të thonë: «Doktor, shëro veten» ose «Hiqe më parë traun nga syri yt; pastaj do të jesh në gjendje të heqësh lëmishten nga syri im». Buzët e tij janë të vulosura.

Kjo thekson rëndësinë e mbajtjes së një dëshmie të qëndrueshme deri në fund. Është e rëndësishme të fillojmë mirë, por kjo nuk mjafton. Nëse e lëshojmë veten në tendosjen e fundit, lavdia e ditëve të hershme do të zhduket në mjegullën e çnderimit.

«Kur Efraimi fliste njerëzit dridheshin». Uilliamsi komenton: «Kur Efraimi eci me Perëndinë, si në ditët e Jozueut, ai foli me autoritet dhe njerëzit dridheshin dhe kështu ai kishte një pozitë dinjiteti dhe fuqie. Por ai iu kthye idhujtarisë dhe vdiq frymërisht…. I krishteri ka dinjitet dhe fuqi morale për aq kohë që zemra e tij udhëhiqet tërësisht nga Krishti dhe është i lirë nga idhujtaria».

Gedeoni është një rast tjetër në fjalë. Zoti ishte me këtë burrë të fortë e të guximshëm. Me një ushtri prej 300 burrash ai i mundi madianitët, 135.000 burra të fortë. Kur njerëzit e Izraelit donin ta bënin atë mbret, ai me mençuri refuzoi, pasi kuptoi se Jehovai ishte Mbreti i ligjshëm.

Por pas fitoresh të famshme dhe pasi u kishte rezistuar me sukses tundimeve të mëdha, ai u lëshua në atë që mund ta mendojmë si një çështje të parëndësishme. Ai u kërkoi ushtarëve t’i jepnin vathët e arta që kishin marrë si plaçkë nga ismaelitët. Me këto vathë ai bëri një efod, që u kthye në një idhull për popullin e Izraelit dhe një kurth për Gedeonin dhe familjen e tij.

Sigurisht, ne e dimë se kur dështojmë mund të shkojmë te Perëndia me rrëfim dhe të gjejmë falje. Ne e dimë se madje Ai mund të kthejë vitet që karkalecat kanë ngrënë, domethënë, Ai mund të na aftësojë të kompensojmë kohën e harxhuar kot. Por askush nuk do të mohojë se është më mirë që të shmangim fare një rënie, sesa të rimarrim veten prej saj, më mirë që të mos copëtojmë dëshminë tonë, sesa të përpiqemi t’i ngjitim përsëri copat. Babai i Endrju Sonarit (Andrew Sonar) i thoshte atij shpesh: «Endrju, lutu që të dy të mbahemi mirë në fund!» Pra, le të lutemi që ta mbarojmë garën tonë me gëzim!

[previous][next]