6 gusht

[no_toc]

6 gusht

«Asgjë e tillë mos t’ju ndodhë, o ju që kaloni afër. Soditni dhe shikoni, në se ka një dhimbje të ngjashme me dhembjen time, ajo që më brengos dhe që Zoti më ka dhënë ditën e zemërimit të tij të zjarrtë» (Vajtimet 1:12).

Ndonjëherë ulem në Darkën e Zotit dhe e pyes veten: «Si është puna me mua? Si mund të ulem këtu, të sodit pasionin e Shpëtimtarit dhe të mos tretem nga lotët?»

Një poet i panjohur u përball me të njëjtën pyetje: «A jam një gur dhe jo një njeri, që mund të rri,/ o Krisht, poshtë kryqit tënd,/ të numëroj pikë pas pike,/ humbjen e ngadaltë të gjakut tënd,/ dhe prapë të mos qaj?/ Jo kështu dielli dhe hëna,/ që e fshehin fytyrën në qiellin e mesnatës,/ ndërsa toka dridhet dhe rënkon – por vetëm unë / mund të shoh, i paprekur, i patrazuar/. Perëndi i Madh, unë nuk duhet të jem,/ ose duhet të njoh zemërimin që mori Ai./ O Zot, të lutem Ty, kthehu dhe shiko edhe një herë,/ dhe copëtoje këtë gur, zemrën time».

Një tjetër shkroi në të njëjtën frymë: «Oh, i habitur jam në vetvete,/ Ti Qengj i dashur, i gjakosur, që po vdes,/ që unë mund të këqyr këtë mister,/ dhe të mos prekem për të të dashur më shumë».

I admiroj ata shpirtra të ndjeshëm që preken kaq shumë nga vuajtjet e Shpengimtarit që po vdes, që ata thyhen dhe qajnë. Unë mendoj për berberin tim të krishterë, Ralf Ruoko (Ralph Ruocco). Shpesh kur ai rrinte mbi mua, ai do të fliste për agonitë që duroi Shpëtimtari. Më pas me lotët që binin mbi mbulesën, ai do të thoshte: «Nuk e di përse Ai ishte i gatshëm që të vdiste për mua. Unë jam një i paudhë aq fajtor. Mirëpo Ai mori dënimin e mëkateve të mia në trupin e Tij mbi kryqin».

Unë mendoj për gruan mëkatare që ia lau këmbët Shpëtimtarit me lotët e saj dhe ia fshiu me flokët e saj dhe ia puthi këmbët dhe ia vajosi me vaj (Lu. 7:38). Edhe pse jetoi në anën tjetër të kryqit, ajo ishte më e harmonizuar nga ana emocionale se unë me tërë privilegjin dhe njohurinë më të lartë.

Pse jam një copë akulli e tillë? A ndodh kështu sepse jam rritur në një kulturë që konsiderohet jo burrërore të qash? Nëse po, atëherë dëshiroj që të mos e kisha njohur kurrë këtë kulturë. Nuk është turp të qash në hijen e Kalvarit; turpi gjendet kur nuk qajmë.

Duke i marrë fjalët e Jeremias, unë duhet të lutem paskëtaj: «Oh, sikur koka ime të ishte një burim uji dhe sytë e mi një burim lotësh, në mënyrë që të mund të qaja ditë e natë» (Jer. 9:1); të qaj, pra, mbi vuajtjet dhe vdekjen që sollën mëkatet e mia mbi Shpëtimtarin e pamëkatë. Dhe unë i marr si të miat fjalët e pavdekshme të Isak Uatsit: «Pra, mund ta fsheh fytyrën e skuqur, teksa shfaqet kryqi i Tij i dashur; zemra ime shpërthen me falënderim, dhe unë përlotem për të dashurin tim».

Zot, më çliro nga mallkimi i një krishterimi pa lot!