6 tetor
«Ai është tërheqës në çdo pikëpamje. Ky është i dashuri im, ky është miku im, o bija të Jerusalemit» (Kënga e Këngëve 5:16).
Dashuria e përkushtuar, besnike dhe e patundur e vashës shulamite për të dashurin e saj përfytyron llojin e dashurisë që ne duhet të kemi për të Dashurin e përjetshëm të shpirtrave tanë. Vini re shembujt e mëposhtëm.
Së pari, asaj i pëlqente çdo gjë rreth tij. Ajo mburr bukurinë e çehres së tij, të kokës, të flokëve, të syve, të faqeve, të buzëve, të duarve, të trupit, të këmbëve, si dhe pamjen dhe gojën e tij (5:10-16). Sigurisht që ne nuk mendojmë për tiparet fizike të Zotit Jezus, por duhet të shprehemi po kështu duke mburrur cilësitë e shkëlqyera morale që ka Ai.
Ajo mendonte ditë e natë për të. Qoftë nëse ishte duke punuar në vresht, qoftë duke u çlodhur gjatë natës, madje edhe në ëndërr, ai ishte personi që mbushte ëndrrat e saj dhe zinte mendjen e saj. Do të jetë mirë për ne nëse dashuria jonë për Zotin Jezus është aq e madhe, sa Ai të mbushë zemrat tona nga mëngjesi deri në mbrëmje.
Ajo i kishte sytë vetëm për të. Të tjerët mund të përpiqeshin t’i vinin rrotull për ta fituar me fjalë të admirueshme e të gjalla, por ajo do e ndryshonte drejtimin e lavdërimit sikur të kishin ardhur nga i dashuri i saj. Po kështu, kur zëri i botës kërkon të na joshë, ne duhet të themi: «O madhështi, o lavdi e kësaj bote, joshjet e tua s’janë gjë tjetër, veçse kote./ Një histori më të ëmbël kam dëgjuar, një fitim më real kam kërkuar./ Ku Krishti një vend po përgatit, atje është vendi im i dashur,/ atje do të sodit Jezusin, atje do të banoj përditë».
Ajo mund të fliste për të me shumë dëshirë. Goja i fliste nga bollëku i zemrës. Buzët e saj ishin pena e një shkruesi të shkathët. Teorikisht ne duhet të jemi në gjendje të flasim për Zotin tonë më me dëshirë e rrjedhshmëri sesa çdo temë tjetër. Fatkeqësisht, nuk është gjithmonë kështu.
Ajo e ndjeu fare mirë padenjësinë e saj. Ajo kërkoi ndjesë për pamjen e shkujdesur dhe të rëndomtë si dhe për indiferencën e saj. Kur mendojmë për gjendjen tonë mëkatare, për prirjen për t’u larguar dhe për mosbindjen tonë, ne kemi një shkak më shumë për t’u mrekulluar për faktin se si është e mundur që Krishti të interesohet për ne.
Një nga dëshirat e mëdha që ajo kishte ishte të rrinte më të. Ajo priste me zjarr kohën kur ai do të vinte për ta kërkuar që të bëhej nusja e tij. Sa e madhe duhet të jetë pritja dhe dëshira tonë për ardhjen e Dhëndrit Qiellor, që të mund të jemi me Të për tërë përjetësinë.
Ndërkohë, ajo ndjehej në zemër të saj si një e burgosur që nuk kishte çfarë të bënte dhe rrëfeu që ishte e sëmurë nga dashuria. Ajo nuk mendonte se zemra e saj nuk mund të nxinte më tepër dashuri. Le të aspirojmë të kemi zemra që magjepsen me Jezusin dhe zemra të mbushura, madje që derdhen, nga dashuria për Të!