7 gusht

[no_toc]

7 gusht

«…për t’u dhënë atyre një diademë në vend të hirit, vajin e gëzimit në vend të zisë, mantelin e lavdërimit në vend të një fryme të ligështuar» (Isa. 61:3).

Në këtë pjesë madhështore, Mesia përshkruan disa nga këmbimet e mrekullueshme që Ai u jep atyre që e pranojnë Atë. Ai jep bukuri [diademë] për hirin, gëzim për vajtimin [zinë], lavdërim për ligështimin.

Ne i japim Atij hirin e një jete të djegur nga dëfrimi, hirin e një trupi të shkatërruar nga alkooli ose drogat. Ne i japim Atij hirin e viteve të harxhuara në shkretëtirë ose hirin e shpresave të dështura dhe ëndrrave të shkatërruara. Dhe çfarë marrim? Ai na jep bukuri, bukurinë e diademës të shndritshme nusërore. Çfarë këmbimi! «Hamalli i vobektë dhe i lodhur i mëkatit nderohet duke u bërë partneri i Perëndisë së shenjtë! (J. H. Jowett). Maria Magdalena, e kontrolluar nga shtatë demonë, jo vetëm që çlirohet, por bëhet një bijë e Mbretit. Korintasit shkojnë tek Ai me tërë degradimin e tyre dhe u lanë, u shenjtëruan dhe u shfajësuan.

Ne i japim Atij lotët e vajtimit. Këta janë lot si rezultat i mëkatit, i disfatës dhe i dështimit. Lot të shkaktuar nga tragjedia dhe humbja. Lot si rezultat i martesave të shkatërruara dhe fëmijëve të pabindur. A mundet Ai të bëjë ndonjë gjë me këta lot të hidhur e të nxehtë? Po, Ai mund t’i fshijë ata dhe të na japë vajin e gëzimit në vend të tyre. Ai na jep gëzimin e faljes, gëzimin e pranimit, gëzimin e familjes së Tij, gëzimin e gjetjes së arsyes së ekzistencës sonë. Me pak fjala, Ai na jep «gëzimin e festës nusërore [martesore] në vend të mjerimit të rëndë».

Së fundi, Ai heq prej nesh frymën e ligështimit. Ne të gjithë e dimë se si është kjo frymë – barra e fajit, e brejtjes së ndërgjegjes, e turpit dhe e poshtërimit. Fryma e vetmisë, e refuzimit, e tradhtisë. Fryma e frikës dhe e merakut. Ai i merr të gjitha këto dhe na jep mantelin e lavdërimit. Ai vendos në gojën tonë një kantik të ri për të lavdëruar Perëndinë tonë (Psa. 30:3). Gërnjari mbushet me falënderim, blasfemuesi me adhurim.

Diçka e bukur, diçka e mirë,
tërë pështjellimin tim Ai e kupton.
Gjithçka që kisha për t’i ofruar ishte thyerje dhe grindje
dhe Ai bëri diçka të bukur me jetën time.

(Gaither)