8 janar

[no_toc]

8 janar | çdo ditë me radhë

«I mallkuar qoftë ai që e bën punën e Jehovait shkel e shko» (Jer. 48:10, ASV).

Puna e Zotit është aq e rëndësishme, e ngutshme, sublime dhe mbresëlënëse, sa qëndron një mallkim mbi këdo që e bën atë shkel e shko. Perëndia që dëshiron dhe meriton më të mirën nuk mund të pranojë metodat e plogëta, me gjysmë zemre ose të shkujdesura. Kur mendojmë për çështjet e pamasa që përfshihen, ne nuk çuditemi.

Gjatë pjesës së dytë të vitit 1968 një i krishterë i ri në Pragë, Çekosllovaki, i dëshmoi një të riu tjetër çek të quajtur Jan Palach. Dukej se kishte një interesim të vërtetë nga Jani dhe kështu i krishteri i premtoi t’i dorëzonte atij një Dhiatë të Re. Ai ishte plot qëllime të mira, por i la javët të kalonin, madje edhe para se të siguronte një Dhiatë të Re. Më pas ai vazhdoi të vononte dorëzimin aktual të saj.

Në 16 janar, 1969, Jan Palach qëndroi në Sheshin Shën Vencelas, derdhi benzinë mbi trupin e tij dhe i vuri flakën vetes. Ai nuk jetoi kurrë për të parë Dhiatën e Re që i ishte premtuar.

Qëllimet e mira nuk mjaftojnë. Është thënë se rrugët e ferrit janë të shtruara me qëllime të mira. Por ato nuk e përfundojnë punën. Ato duhet të shndërrohen në veprime. Dhe ja disa mënyra për të bërë këtë.

Së pari, mos refuzo kurrë kur Zoti të drejton të bësh ndonjë akt shërbimi për Të. Nëse Ai është Zot, atëherë është përgjegjësia tonë t’i bindemi pa bërë pyetje.

Së dyti, mos i zvarrit punët. Vonesat janë fatale. Ato u heqin të tjerëve ndihmën dhe bekimet e nevojshme dhe na mbushin me faj dhe keqardhje.

Së treti, bëje punën me zell. «Tërë ato që dora jote gjen për të bërë, bëji me gjithë forcën tënde» (Predikuesi 9:10). Nëse ia vlen ta bësh, ia vlen ta bësh mirë.

Së fundi, bëje atë për lavdinë e Perëndisë. «Pra, nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t’i bëni për lavdinë e Perëndisë» (1 e Korintasve 10:31).

Ne të gjithë duhet të kemi frymën e Ami Karmikaelit, e cila shkroi: «Zotimet e Perëndisë janë mbi mua. Unë nuk mund të rri e të luaj me hije apo të shkul lule të kësaj toke, derisa të kem kryer punën dhe të kem dhënë një llogari».

[previous][next]