9 korrik

[no_toc]

9 korrik

«Kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet» (Rom. 10:13).

Askush nuk mund ta thërrasë vërtet Emrin e Zotit dhe të mos shpëtohet. Kjo thirrje e sinqeritetit të dëshpëruar nuk ngelet kurrë pa përgjigje. Kur arrijmë në fund të burimeve [rezervave] tona, kur i braktisim të gjitha shpresat për të shpëtuar veten, kur nuk kemi ku të drejtohemi tjetër veç lart, nëse në atë moment i dërgojmë një thirrje rreziku [ankthi] Zotit, Ai do të na dëgjojë dhe do t’i përgjigjet.

Një i ri sik i quajtur Sadhu Sundar Singh vendosi se nëse nuk do të gjente paqe, ai do të vriste veten. Ai u lut: «O Perëndi, nëse ka një Perëndi, zbuloje Veten tënde tek unë sonte». Nëse nuk do të merrte një përgjigje brenda shtatë orëve, ai do ta vendoste kokën mbi shina ndërsa treni i radhës për në Lahore do të vinte.

Në orët e para të mëngjesit, ai pati një vegim të Jezusit që erdhi në dhomën e tij, duke i thënë në gjuhën hindustane: «Ju po luteshit për të njohur rrugën e vërtetë. Përse nuk e pranon? Unë jam udha».

Ai shkoi me nxitim në dhomën e të atit dhe tha: «Unë jam një i krishterë. Unë nuk do t’i shërbej askujt tjetër, veçse Jezusit. Deri sa të vdes, jeta ime është e Tij».

Unë nuk kam dëgjuar për askënd që t’i ketë thirrur Emrit të Zotit me një sinqeritet të fortë pa u dëgjuar. Sigurisht, ka nga ata që i luten Zotit kur janë në pikë të vështirë, që premtojnë se do të jetojnë për Të nëse Ai i çliron dhe që më pas harrojnë shpejt kur shtrëngimi ka kaluar. Por Perëndia i njeh zemrat e tyre; Ai e di që ata ishin thjesht oportunistë bunkeri që nuk bënë kurrë një përkushtim të vërtetë nga zemra për Atë.

Qëndron fakti se Perëndia do t’ia zbulojë gjithnjë Veten atij që është i dëshpëruar për ta gjetur Atë. Në ato vende ku Bibla nuk është e disponueshme pa vështirësi, Ai mund ta bëjë këtë me një vegim. Tjetërkund Ai mund ta bëjë këtë përmes një pjese nga Shkrimit, përmes dëshmisë personale, përmes literaturës së krishterë ose përmes konvergjencës [përputhjes] të mrekullueshme të rrethanave. Pra, në një kuptim real është e vërtetë se «ai që e kërkon Perëndinë, tashmë e ka gjetur Atë». Është kaq e sigurt!

[previous][next]