9 maj

[no_toc]

9 maj | çdo ditë me radhë

«…vajza nga vendi i Izraelit» (2 i Mbreterve 5:4).

Një njeri nuk ka pse të njihet me emër për të kryer akte heroike për Perëndinë. Në fakt, disa nga njerëzit në Bibël që fituan famë të pavdekshme nuk janë identifikuar me emër.

Ishin tre burra që i prunë ujë Davidit nga pusi i Betlehemit (2 Sam. 23:13-17). Davidi e konsideroi aq të shquar këtë akt përkushtimi, që nuk pranoi ta pinte ujin, por e derdhi si një ofertë të shenjtë. Por emrat e këtyre burrave nuk na janë dhënë.

Ne nuk e dimë emrin e gruas fisnike të Shunemit (2 i Mbreterve 4:8-17), por ajo do të kujtohet gjithnjë për ndërtimin e një dhome për profetin Elise.

Ishte një shërbëtore anonime nga Judea, këshilla e së cilës e dërgoi Naamanin te Eliseu që të shërohej nga lebra (2 i Mbreterve 5:3-14). Perëndia e di emrin e saj dhe kjo është ajo që ka rëndësi.

Kush ishte gruaja që ia vajosi kokën Jezusit (Mt. 26:6-13)? Mateu nuk ia jep emrin, por fama e saj është shpallur nga fjalët e Zotit tonë: «Në të vërtetë unë po ju them se kudo që do të predikohet ky ungjill, në gjithë botën, do të tregohet edhe çfarë bëri kjo grua, në përkujtim të saj (v. 13).

E veja e varfër që hodhi dy pare të vogla në arkën e thesarit është një tjetër nga «të panjohurit e Perëndisë» (Luka 21:2). Ajo ilustron të vërtetën se është e mrekullueshme sa shumë ju mund të bëni për Perëndinë nëse nuk e vrisni mendjen se kush e merr lavdërimin.

Më pas, sigurisht, kemi djaloshin që i dha Zotit pesë bukët dhe dy peshqit e vet dhe pa se si ato u shumëfishuan, aq sa hëngrën 5.000 burra plus gratë dhe fëmijët (Gjoni 6:9). Ne nuk ia dimë emrin, por ajo që bëri ai nuk do të harrohet kurrë.

Një ilustrim i fundit! Pali dërgoi dy vëllezër në Korint me Titin në lidhje me paratë e mbledhura për shenjtorët e varfër në Jerusalem. Ai nuk i përmend emrat e tyre, por i lavdëron ata si apostuj [lajmëtarë] të kishave dhe lavdi e Krishtit (2 e Korintasve 8:23).

Ndërsa Grej vështroi gurin e varrit të njerëzve të panjohur në varrezën e kishës së një fshati, ai shkroi:

Shumë lule çelin dhe kuqëlojnë pa u vënë re,
dhe e humbin ëmbëlsinë në ajrin e shkretë.

Por me Perëndinë asgjë nuk shkon kot. Ai i di emrat e të gjithë atyre që i shërbejnë Atij pa u përmendur dhe Ai do t’i shpërblejë sipas mënyrës që është e denjë për Të.