9 shtator
«Njeriu i mirë i lë një trashëgim bijve të bijve të tij» (Fjalet e Urta 13:22).
Kur lexojmë këtë varg, nuk duhet të nxitojmë dhe të arrijmë në përfundimin që nënkuptimi këtu është një trashëgimi financiare. Ka më shumë gjasa që Fryma e Perëndisë i referohet një trashëgimie frymërore. Një njeri mund të jetë rritur nga prindër të varfër, por të perëndishëm; dhe prapë ky njeri mund të jetë përjetësisht mirënjohës për kujtimet e një nëne dhe një babai që lexonin çdo ditë Biblën, që luteshin bashkërisht si një familje dhe që e kanë edukuar atë në disiplinë dhe në këshillë të Zotit – edhe pse ata nuk i lanë asnjë qindarkë kur vdiqën. Një trashëgimi frymërore është lloji më i mirë i trashëgimisë.
Në fakt një bir a një bijë mund të shkatërrohen frymërisht nga trashëgimi i një shume të madhe parash. Pasuria e menjëhershme shpesh rezulton në trullosje. Të paktë janë ata që mund ta administrojnë me urtësi. Janë të paktë ata që trashëgojnë pasuri dhe që vazhdojnë mirë me Zotin.
Një konsideratë tjetër është se familjet shkatërrohen nga xhelozia dhe grindjet kur një pronë ndahet. Dhe është e vërtetë që «atje ku ka një testament, gjenden shumë të afërm». Anëtarë familjesh të cilët kanë jetuar në paqe për vite me radhë tani papritmas bëhen armiq për disa grimca prej argjendi apo enë porcelani apo orendi.
Në shumë raste prindërit e krishterë ia lenë pasurinë fëmijëve të pashpëtuar ose të afërmve që bëjnë pjesë në një fe të rremë ose fëmijëve mosmirënjohës, kur ato lekë mund të ishin përdorur më mirë për përhapjen e Ungjillit.
Ndonjëherë kjo puna e lënies së parave te fëmijët është një formë e mbuluar egoizmi. Prindërit, në fakt, duan që t’i mbajnë ato para për vete sa më gjatë që të jetë e mundur. Ata e dinë që një ditë vdekja do t’ua marrë nga kontrolli i tyre, kështu që ata ndjekin traditën që iu lihet si trashëgimi fëmijëve.
Por asnjë testament nuk është sajuar ende që s’mund të shkelet a të shkatërrohet nëpërmjet një pagese ligjore. Një prind nuk mund të jetë i sigurt që dëshirat e tij do të kryen pasi ai të ketë ikur.
Prandaj politika më e mirë është që dikush të japë bujarisht për veprën e Zotit ndërsa është ende gjallë. Ashtu siç thotë edhe një thënie: «Jep ndihmesë sa ke shpresë; kështu mund ta dish se ku do të shkojë ndihma jote».
Dhe mënyra më e mirë për të lënë një testament është të thuash: «Duke patur mendje të shëndoshë i vendosa paratë e mia në punë për Perëndinë ndërsa isha gjallë. U lë fëmijëve të mi trashëgiminë e një formimi kulturor të krishterë, e një shtëpie ku Krishti nderohej dhe ku Fjala e Perëndisë respektohej. I lë ata te Perëndia dhe te fjala e hirit të Tij, që është në gjendje t’i ndërtojë dhe t’ju japë një trashëgimi në mes të të gjithë të shenjtëruarve».