Çfarë dashurie transformuese!!!

«Perëndia është dashuri» (1 Gjonit 4:8).

Ardhja e Krishtit solli një fjalë të re për dashurinë në gjuhën greke – agape. Tashmë kishte një fjalë për dashuri miqësore (philia) dhe një për dashuri të pasionuar (eros), por nuk kishte asnjë fjalë për të shprehur atë lloj dashurie që Perëndia e tregoi duke dhënë Birin e Tij të vetëmlindur dhe që u bën thirrje njerëzve të Tij për ta shfaqur ndaj njëri-tjetrit.

Kjo është një dashuri tjetër për njerëzit e kësaj bote, një dashuri me përmasa të reja. Dashuria e Perëndisë nuk kishte asnjë fillim dhe nuk mund të ketë asnjë mbarim. Ajo është një dashuri që nuk ka kufi, që nuk mund të matet kurrë. Ajo është absolutisht e pastër, pa asnjë njollë lakmie. Ajo është sakrifikuese, që nuk e merr kurrë parasysh çmimin. Dashuria e shfaq veten në të dhënët, sepse lexojmë: «Perëndia e deshi aq botë, sa dha…» dhe «Edhe Krishti na deshi dhe e dha veten e tij për ne…». Dashuria kërkon pareshtur të mirën e të tjerëve. Ajo shtrihet si tek antipatiku, ashtu edhe tek i këndshmi. Ajo shtrihet si tek armiqtë e saj, ashtu edhe te miqtë. Ajo nuk tërhiqet nga ndonjë denjësi apo virtyt që mund të ketë objekti i saj, por vetëm nga mirësia e dhuruesit. Ajo është plotësisht bujare, duke mos kërkuar kurrë asgjë si shpërblim dhe nuk i shfrytëzon kurrë të tjerët për avantazhe personale. Ajo nuk mban një listë të gabimeve, por hedh një vello të dashur mbi një shumicë mospërfilljesh dhe fyerjesh. Dashuria e shpërblen çdo harbutëri me mirësi dhe lutet për ata që duan të jenë vrasësit e saj. Dashuria mendon gjithnjë për të tjerët, duke i vlerësuar ata më mirë se veten.

Por dashuria mund të jetë e fortë. Perëndia i ndreq ata të cilët i do. Dashuria nuk mund ta tolerojë mëkatin, pasi mëkati është i dëmshëm dhe shkatërrues dhe dashuria dëshiron që të mbrojë objektin e saj nga e keqja dhe shkatërrimi.

Shfaqja më e madhe e dashurisë së Perëndisë ishte dhënia e Birit të Tij të dashur për të vdekur për ne në kryqin e Kalvarit.

Kush mund ta mat, o Zot, dashurinë tënde,
atë dashuri që shtypi për ne Thesarin e saj,
Atë në të cilin ishte gjithë kënaqësia jote,
Krishtin, Birin tënd të dashurisë?
(Allaben)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *