«Duke e shfrytëzuar kohën…» (Efesianeve 5:16).
Në një kohë kur njerëzit e kësaj bote po bëhen gjithnjë e më shumë alergjik ndaj punës, të krishterët duhet të shfrytëzojnë sa më shumë çdo çast që kalon. Është mëkat ta harxhosh kot kohën. Zëra nga çdo epokë dëshmojnë për rëndësinë e punës së zellshme. Vetë Shpëtimtari tha: «Unë duhet t’i kryej veprat e atij që më ka dërguar sa është ditë; vjen nata kur askush nuk mund të veprojë» (Gjoni 9:4). Tomas a Kempis shkroi: «Mos rri kurrë kot dhe i pazënë me punë; ji gjithnjë duke lexuar ose duke shkruar ose duke u lutur ose duke përsiatur ose duke bërë bërë një punë të dobishme për të mirën e përbashkët». Kur u pyet për sekretin e suksesit të tij si një interpretues i Fjalës, G. Kembëll Morgani (G. Campbell Morgan) tha: «Punë – shumë punë – dhe prapë, punë!» Ne nuk duhet të harrojmë kurrë se kur Zoti Jezus hyri në botë, Ai shërbeu si një karpentier. Pjesa më e madhe e jetës së Tij u shpenzua në punishten në Nazaret. Pali bënte çadra (tenda). Ai e konsideroi atë një pjesë të rëndësishme të shërbesës së tij. Është gabim të mendosh që puna është rezultat i hyrjes së mëkatit. Përpara se të hynte mëkati, Adami u vendos në kopsht që ta punonte dhe ta ruante (Zanafilla 2:15). Mallkimi përfshiu mundin dhe djersitjen që e shoqërojnë punën (Zanafilla 3:19). Madje edhe në qiell do të ketë punë, pasi «shërbëtorët e tij do t’i shërbejnë» (Zbulesa 22:3). Puna është një bekim. Përmes saj ne gjejmë plotësimin e nevojës sonë për krijimtari. Mendja dhe trupi funksionojnë më së miri kur ne punojmë me zell. Kur jemi të zënë në mënyrë të dobishme, ne gëzojmë një mbrojtje më të madhe nga mëkati, pasi «Satani vazhdon ende të gjejë ndonjë ligësi për duart dembele» (I. Watts). Tomas Uatsoni (Thomas Watson) tha: «Përtacia e tundon djallin që të tundojë». Puna e ndershme, e zellshme dhe besnike është një pjesë thelbësore e dëshmisë sonë të krishterë. Dhe rezultatet e punës sonë mund të jetojnë më gjatë se ne. Siç ka thënë dikush: «Çdokush i detyrohet vetes që t’i sigurojë vetes ndonjë punë të dobishme kur trupi i tij të jetë i shtrirë në varr». Dhe Uilliam Xhejmsi (William James) tha: «Shfrytëzimi i madh i një jete është që ta shpenzojmë për diçka që do ta lë pas atë».