Apostazia në kishë (1 Timoteut 4:1-16)

A. Paralajmërime kundër apostazisë kanosëse (4:1-5)

4:1 Ka dy mënyra sipas të cilave Fryma mund të mendohet të flasë shkoqur. Së pari, ajo që Pali po thoshte i ishte dhënë atij nga një zbulim hyjnor. Por mund të nënkuptojë gjithashtu se përmes Shkrimit dhe sidomos në DhR, mësohet shkoqur se kohët e fundit do të karakterizohen nga një mohim i besimit.

Kohët e fundit do të thotë periudhat e kohës pas asaj kohe kur po shkruante apostulli [këto periudha i përfshijnë edhe ditët e sotme].

Disa do ta mohojnë besimin. Fjala disa është karakteristike te 1 Timoteut. Ajo që është pakicë te 1 Timoteut bëhet shumicë te 2 Timoteut. Fakti se këta njerëz mohojnë apo largohen nga besimi nuk do të thotë se ata kanë qenë të shpëtuar, por thjesht se ata vetëm kanë rrëfyer se kanë qenë të krishterë. Ata kanë ditur gjëra rreth Zotit Jezus Krisht dhe kanë thënë se Ai ishte Shpëtimtari i vetëm. Ata kanë rrëfyer për një kohë se e kanë ndjekur Atë, por më pas kanë mohuar besimin.

Dikush mund ta lexojë kalimthi këtë pjesë pa menduar për shfaqjen e sekteve në ditët tona. Mënyra se si janë përhapur sistemet e rreme përshkruhet me përpikmëri këtu. Një pjesë e mirë e pjesëmarrjes së tyre përbëhet nga njerëz që ishin lidhur më parë me kisha të ashtuquajtura të krishtera. Mbase dikur këto kisha kanë qenë të shëndosha në besim, por pastaj janë larguar drejt ungjillit shoqëror. Mësuesit e kulteve janë shfaqur duke ofruar një mesazh më “pozitiv” dhe këta të ashtuquajtur të krishterë u futën në grackë.

Ata me dashje u vënë veshin frymëve gënjeshtare dhe doktrinave të demonëve. Frymëve gënjeshtare është përdorur këtu në një kuptim të figurshëm për të përshkruar mësuesit e rremë, të pushtuar nga frymërat e liga, që mashtrojnë të pavëmendshmit. Doktrinave të demonëve nuk do të thotë mësimet rreth demonëve, por më tepër doktrinave që janë të frymëzuara nga demonët apo e kanë burimin e tyre në botën e demonëve.

4:2 Fjala hipokrizi hedh idenë e një “maskimi”. Sa tipike është kjo për sektarët e rremë! Ata përpiqen të fshehin identitetin e tyre të vërtetë. Ata nuk duan që njerëzit të dinë për sistemin me të cilin janë njëjtësuar. Ata maskohen duke përdorur termat biblikë dhe duke kënduar himne të krishtera. Ata jo vetëm janë hipokritë, por janë edhe gënjeshtarë në njëjtën kohë. Mësimi i tyre nuk është sipas të vërtetës së fjalës së Perëndisë; ata e dinë këtë dhe me qëllim mashtrojnë njerëzit.

Të damkosur në ndërgjegjen e tyre. Mbase më parë në jetët e tyre ndërgjegjja e tyre kishte qenë e butë, por ata e ngarkonin atë shumë dhe mëkatonin kundër dritës aq shumë saqë tani ndërgjegjet e tyre janë bërë të pandjeshme dhe të ngurta. Ata nuk shqetësohen nëse po e kundërshtojnë apo jo fjalën e Perëndisë dhe mësojnë gjëra që e dinë se nuk janë të vërteta.

4:3 Tani pohohen dy nga doktrinat e demonëve. E para është mësimi se është e gabuar të martohesh. Kjo është drejtpërdrejt në kundërshtim me fjalën e Perëndisë. Vetë Perëndia e caktoi martesën dhe Ai e bëri këtë para se të hynte mëkati në botë. Nuk ka asgjë jo të shenjtë rreth martesës dhe kur mësuesit e rremë ndalojnë martesën, ata po sulmojnë atë që ka urdhëruar Perëndia.

Një ilustrim i këtij mësimi është ligji që ndalon martesën e disa priftërinjve dhe murgjëve. Megjithatë, edhe më drejtpërdrejt, ky varg i referohet mësimit të spiritistëve, i quajtur “marrëdhënia frymërore” [d.m.th. që një marrëdhënie seksuale është e rregullt sepse “jemi vëllezër dhe motra në besim”] që me anë të së cilës, sipas A. J. Pollock-ut, “lidhja martesore është tallur dhe në veprimin e saj praktik, burrat dhe gratë joshen nga partnerët e tyre të ligjshëm për të formuar lidhje jo të shenjta dhe të paligjshme me të ashtuquajturat marrëdhënie të tyre frymërore”. Ne gjithashtu mund të përmendim qëndrimin e Shkencës së Krishterë ndaj martesës. Themeluesja e saj, znj. Eddy, e martuar tri herë, ka shkruar:

Derisa të mësohet se Perëndia është Ati i të gjithëve, martesa do të vazhdojë… Martesa, e cila një herë e një kohë ka qenë një fakt i caktuar midis nesh, duhet të humbasë aderimin e saj të tashëm [d.m.th. duhet të mos praktikohet] [13].

Mësimi i dytë i demonëve është të mosngrënit e disa ushqimeve. Një mësim i tillë gjendet midis spiritistëve, që thonë se të ngrënit e mishit të kafshëve pengon dikë për t’u lidhur me frymërat. Gjithashtu, midis teozofistëve dhe hinduve, është tmerr flijimi i çdo lloj qenieje të gjallë, sepse ata besojnë se shpirti i një njeriu mund të kthehet përsëri për të jetuar në një kafshë apo krijesë tjetër.

Lidhëza mund t’i referohet martesës dhe ushqimeve. Që të dyja Perëndia i krijoi dhe duhet të merren me falënderim. Ai nuk pati si qëllim që të vlenin vetëm për të parëlindurit, por për ata që besojnë dhe e njohin të vërtetën.

4:4 Çdo krijesë (apo krijim) e Perëndisë është e mirë. Si ushqimet ashtu edhe martesa janë krijime të Perëndisë dhe asgjë s’është për t’u hedhur, nëse merret me falënderim. Ai caktoi martesën për vazhdimin e jetës njerëzore (shikoni Zanafilla 1:28) dhe ushqimin për mbështetjen e jetës (Zanafilla 9:3).

4:5 Fjala e Perëndisë shenjtëron si ushqimet ashtu edhe martesën për përdorimin nga ana e njeriut. Ushqimi, pra, është shenjtëruar te Zanafilla 9:3; Marku 7:19; Veprat e Apostujve 10:14,15 dhe 1 e Korintasve 10:25,26. Martesa është shenjtëruar te 1 e Korintasve 7 dhe Heb. 13:4.

Ato gjithashtu janë shenjtëruar… nga lutja. Para se të marrim një ushqim, ne duhet të ulim kokat tona dhe të falënderojmë për atë ushqim (shikoni Mt. 14:19; Veprat e Apostujve 27:35). Me anë të këtij veprimi ne po i kërkojmë Zotit të shenjtërojë ushqimin për të forcuar trupat tanë që ne mund t’i shërbejmë Atij sa më mirë. Para se të hyjmë në martesë duhet të lutemi që Perëndia të bekojë bashkimin për lavdinë e Tij, për bekimin e të tjerëve dhe për të mirën e nuses dhe dhëndrit.

Është një dëshmi e mirë për të krishterët të falënderojmë për ushqimet kur janë në prani të njerëzve të pashpëtuar. Bekimi nuk duhet të jetë për t’u dukur apo i gjatë, por as nuk duhet të fshehë faktin që ne po falënderojmë Perëndinë për ushqimin tonë.

B. Udhëzime të duhura në prag të apostazisë kanosëse (4:6-16)

4:6 Duke ushtruar mësimin (këto gjëra) ndaj vëllezërve përmendur në vargjet 1-5, Timoteu do të jetë një shërbyes i mirë i Jezus Krishtit. Ashtu siç u përmend më parë, fjala shërbyes do të thotë “shërbëtor”. Ai do të jetë një shërbëtor, i ushqyer me fjalët e besimit dhe të mësimit të mirë, që ai i kishte kuptuar plotësisht deri në atë kohë.

4:7 Në këtë pjesë Pali po mendon për shërbimin e krishterë si një formë e garës atletike. Në vargun 6 ai foli për dietën e përshtatshme për dikë që i shërben Krishtit – ai duhet të ushqehet me fjalët e besimit dhe me mësimin e mirë. Në vargun 7 ai flet për ushtrimin që ka si qëllim perëndishmërinë.

Apostulli këshillon Timoteun të shmangej, pra, nga përrallat profane dhe të të vjetërve. Ai nuk duhet t’i luftojë ato apo të kalojë shumë kohë me to. Por më tepër, ai duhet t’i refuzojë, t’i shohë me përbuzje. Përrallat e të vjetërve na bëjnë të mendojmë për Shkencën e Krishterë, që u themelua nga një grua. Duket që Shkenca e Krishterë tërheq shumë plaka të cilat mësojnë përralla në vend të së vërtetës.

Në vend që të harxhonte kohën me mite dhe përralla, ai duhet të ushtrohej në perëndishmëri. Një ushtrim i tillë përfshin leximin dhe studimin e Biblës, lutjes, përsiatjes dhe dëshmimit ndaj të tjerëve. Stock-u thotë: “Nuk ka një gjë të tillë si ‘rastësisht bëhem i perëndishëm’ sepse ‘rryma e prirjes’ është kundër nesh”. Duhet të ketë ushtrim dhe përpjekje.

4:8 Këtu vihen përballë njëra-tjetrës dy lloj ushtrimesh. Ushtrimi i trupit ka disa vlera për trupin, por këto vlera janë të kufizuara dhe kanë një shtrirje të shkurtër. Perëndishmëria nga ana tjetër, është e mirë për frymën, shpirtin dhe trupin e njeriut dhe nuk është vetëm për një kohë, por edhe për përjetësinë. Për sa i përket jetës perëndishmëria prodhon një gëzim të madh, dhe për sa i përket asaj që do të vijë, ruan premtimin e shpërblimit të ndritur dhe të aftësisë për të gëzuar lavditë e asaj skene.

4:9 Zakonisht është pranuar se ky varg ka të bëjë me thënien rreth perëndishmërisë. Fakti se perëndishmëria ka një vlerë të gjerë dhe të përjetshme është kjo fjalë e cila është e sigurt dhe e denjë për t’u pranuar në çdo mënyrë. Kjo është hera e tretë që përmendet shprehja kjo fjalë është e sigurt në këtë letër.

4:10 Për këtë, në fakt, ne po mundohemi dhe na shajnë [14]. “Për këtë” e përmendur këtu i referohet jetës së perëndishme. Pali pohon se ky është qëllimi i madh për të cilin ai bën përpjekjet e tij të fundit. E gjithë kjo nuk mund të duket një qëllim i vlefshëm në jetën e një jobesimtari. Por i krishteri sheh përtej gjërave të botës që kalojnë dhe vendos shpresën e tij në Perëndinë e gjallë. Kjo shpresë nuk mund të zhgënjehet kurrë, për arsyen se Ai është Perëndia i gjallë, që është Shpëtimtari i gjithë njerëzve dhe sidomos i besimtarëve. Perëndia është Shpëtimtari i gjithë njerëzve në kuptimin se Ai kujdeset për ata si krijesat e Tij. Por Ai është gjithashtu Shpëtimtari i gjithë njerëzve në kuptimin e treguar më parë – se Ai ka siguruar rrugën e shpëtimit (nëpërmjet vdekjes dhe ringjalljes së Tij) dhe, si rrjedhojë, të gjithë njerëzit kanë një mundësi të shpëtohen [nëse një njeri beson në Krishtin]. Ai është Shpëtimtari i besimtarëve në mënyrë të veçantë, sepse ata shfrytëzuan atë që Ai siguroi. Ne mund të themi se Ai është Shpëtimtari i mundshëm i të gjithë njerëzve, por Shpëtimtari real i atyre që besojnë.

4:11 Këto gjëra mbase i referohen atyre gjërave që Pali ka thënë në vargjet 6-10. Timoteu duhej të urdhëronte dhe mësonte parime të tilla, duke ua çuar vazhdimisht para njerëzve të Perëndisë.

4:12 Në kohën e kësaj letre, Timoteu mund të ishte midis të tridhjetave dhe të tridhjetë e pesave. Në dallim me disa nga pleqtë në asamblenë e Efesit, ai mund të ishte më i ri se ata. Prandaj Pali thotë këtu: “Askush të mos e shpërfillë moshën tënde të re”. Kjo nuk do të thotë se Timoteu duhet ta ngrejë veten dhe ta quajë veten të mbrojtur nga kritikat. Por më tepër, do të thotë se nuk duhet t’i japë askujt shkas për ta dënuar. Duke qenë një shembull për besimtarët, ai do të shmangë mundësinë e kritikave që mund të përligjen.

Në fjalë i referohet bashkëbisedimit të Timoteut. E folura e tij duhet të jetë gjithmonë ajo që karakterizon një bir të Perëndisë. Ai jo vetëm duhet të shmangë një të folur që është e ndaluar plotësisht, por nuk duhet të flasë në atë mënyrë që të pengojë dëgjuesit e tij të rriten.

Në sjellje i referohet tërë sjelljes së dikujt. Asgjë nga sjellja e tij nuk duhet të shkaktojë qortim në emrin e Krishtit.

Në dashuri hedh idenë se dashuria duhet të jetë shtysa e sjelljes, si në frymën me anë të së cilës shfaqet, po ashtu edhe në qëllimin drejt të cilit përpiqet.

Në Frymë mungon në shumë versione dhe komentarë modernë që rrjedhin nga teksti kritik (NU). Megjithatë, fjalët shfaqen në tekstet TR dhe M. Guy King shpall faktin se entuziazmi, sipas kuptimit të tij, është një:

… cilësi që mungon së tepërmi në përbërjen e shumë të krishterëve. Shumë entuziazëm për ndeshjet e futbollit, apo për një fushatë zgjedhjesh, por shumë pak për shërbimin e PERËNDISË. Sa duhet të na turpërojë entuziazmi i Shkencëtarëve të Krishterë, Dëshmitarëve të Jehovait dhe komunistëve. Oh, çfarë zelli të zjarrtë ka pasur një herë e një kohë kisha. Kjo frymë do ta ndihmojë së tepërmi Timoteun ndërsa ai flet për të forcuar [kishën] dhe për ta përparuar më tej [15].

Në besim mbase do të thotë “në besnikëri” dhe përcjell idenë e varësisë dhe qëndrueshmërisë.

Dëlirësia jo vetëm duhet të karakterizojë veprimet e tij, por edhe shtysat e tij gjithashtu.

4:13 Ky varg mbase i referohet së pari kishës vendore, sesa jetës vetjake të Timoteut. Ai duhet t’i kushtohej leximit publik të Shkrimit, këshillimit dhe mësimit apo doktrinës. Ka një rend të përcaktuar këtu. Së pari, Pali thekson leximin në publik të fjalës së Perëndisë. Kjo ishte tepër e domosdoshme në atë kohë, meqë përhapja e Shkrimit ishte tepër e kufizuar. Vetëm disa njerëz kishin një kopje të Shkrimit. Pas leximit të Shkrimit, Timoteu duhej të nxiste besimtarët në bazë të asaj që ishte lexuar dhe pastaj ai duhej të mësonte të vërtetat e mëdha të fjalës së Perëndisë. Ky varg na kujton për Nehemian 8 dhe sidomos vargun 8: “Ata lexonin në librin e ligjit të Perëndisë në mënyrë të qartë, duke shpjeguar domethënien e tij, me qëllim që të kuptonin atë që lexohej”.

Megjithatë, ne nuk duhet të lëmë mënjanë mendimin e përkushtimit vetjak nga ky varg. Para se Timoteu të nxiste dhe të mësonte fjalën e Perëndisë të tjerëve, ai së pari duhet ta vinte në praktikë në jetën e tij.

4:14 Ne nuk na thuhet saktësisht se cila dhunti i ishte dhënë Timoteut – ajo e ungjilltarit, bariut apo mësuesit. Filli i përgjithshëm i mendimit na çon të mendojmë se ai ishte një bari. Megjithatë, ne e dimë se i ishte dhënë me anë profecie, me vënien e duarve nga ana e pleqësisë. Së pari, i ishte dhënë përmes apo me anë profecie. Kjo do të thotë thjesht se një profet në një kishë vendore në atë kohë çohej dhe shpallte se Fryma e Perëndisë i kishte dhënë një dhunti të veçantë Timoteut. Profeti nuk e jepte dhuntinë, por e shpallte atë. Kjo shoqërohej me vënien e duarve nga ana e pleqësisë. Përsëri duhet të theksojmë se peshkopët, apo pleqtë nuk e kishin fuqinë të pajisnin Timoteun me atë dhunti. Por më tepër, duke vënë duart e tyre mbi të, kjo nënkuptonte njohje publike të asaj që Fryma e Shenjtë kishte bërë tashmë.

Ky proces shihet te Veprat e Apostujve 13. Në vargun 2, Fryma e Shenjtë caktoi Barnabën dhe Saulin për një vepër të veçantë. Mbase kjo fjalë u përcoll me anë të një profeti. Pastaj vëllezërit e asamblesë lokale (vendore) agjëruan dhe u lutën e vunë duart e tyre mbi Barnabën dhe Saulin dhe i dërguan (v. 3).

E njëjta rrugë ndiqet nga shumë bashkësi të krishtera sot. Kur kuptohet qartë nga pleqtë se dikujt i është dhënë ndonjë dhunti nga Fryma e Shenjtë, ata ia caktojnë atij njeriu veprën e Zotit, duke treguar besimin e tyre në të dhe njohjen e tyre të veprës së Frymës në jetën e tij. Caktimi i tyre nuk pajis atë me një dhunti, por thjesht njeh se kjo është bërë tashmë nga Fryma e Perëndisë.

Ka një ndryshim midis asaj që ndodhi kur pleqtë vunë duart mbi Timoteun, siç përmendet këtu dhe kur Pali vuri duart e tij mbi Timoteun, siç përshkruhet te 2 Tim 1:6. Në rastin e parë, veprimi nuk ishte zyrtar, as nuk ishte përgjegjës për dhuntinë e Timoteut. Ai vetëm shprehu përbashkësi më të në veprën e tij. Në rastin e dytë, Pali ishte mjeti apostullor me anë të të cilit u përcoll dhuntia.

4:15 Fjalët kujdesu për këto gjëra mund të përkthehen “kultivo” ose “kujdesu së tepërmi për këto gjëra”. Ky mund të jetë kuptimi këtu, meqë fjalët që vijojnë janë: kushtoju atyre tërësisht. Pali po i jep zemër Timoteut që t’i kushtohet plotësisht, pandashëm dhe pa iu tërhequr vëmendja nga vepra e Zotit. Ai duhet të jetë krejtësisht i përkushtuar në përpjekjet e tij. Në këtë mënyrë, përparimi i tij do të jetë i dukshëm për të gjithë. Pali nuk donte që Timoteu të arrinte një kulm në shërbimin e tij të krishterë dhe pastaj të zinte një vend të rehatshëm. Por më tepër, ai donte që ai gjithmonë të përparonte në gjërat e Zotit.

4:16 Vini re rendin këtu. Së pari Timoteu duhej të ruante veten dhe pastaj të ruante mësimin. Kjo thekson rëndësinë e jetës vetjake të çdo shërbëtori të Krishtit. Ai mund të jetë shumë i rregullt në doktrinën e tij, por nëse jeta e tij është e gabuar, gjithçka është e kotë. A.W. Pink-u ka thënë me të drejtë: “Shërbimi bëhet një kurth dhe i keq nëse pengon adhurimin e Perëndisë dhe kultivimin e jetës frymërore”.

Duke vazhduar në këto gjëra që Pali ka shkruar, pra, rreth leximit, nxitjes dhe mësimit, Timoteu do të shpëtojë veten dhe ata që e dëgjojnë. Fjala “shpëtojë” nuk ka të bëjë fare me shpëtimin e shpirtit. Kapitulli nisi me një përshkrim të mësuesve të rremë që po shkaktonin një dëm të madh midis popullit të Perëndisë. Pali po i thotë Timoteut se duke qëndruar besnikërisht sipas një jete të perëndishme dhe sipas fjalës së Perëndisë, ai do të shpëtojë veten nga këto mësime të rreme dhe gjithashtu do të shpëtonte edhe dëgjuesit e tij.