Detyra e Timoteut (1 Timoteut 1:3-20)

A. Detyra për t’u mbyllur gojën mësuesve të rremë (1:3-11)

1:3 Duket se pas burgosjes së parë të Palit në Romë, ai e ka vizituar Efesin me Timoteun. Kur Pali shkoi për në Maqedoni, ai e udhëzoi Timoteun të qëndronte në Efes për pak kohë për të mësuar fjalën e Perëndisë dhe të paralajmëronte besimtarët kundër mësuesve të rremë. Nga Maqedonia, Pali duket se ka udhëtuar në jug, në Korint, dhe mbase nga ai qytet ka shkruar Letrën e tij të parë drejtuar Timoteut. Në vargun 3, në fakt, apostulli po thotë: “Ashtu si të nxita kur u nisa për në Maqedoni, qëndro në Efes, po kështu po përsëris ato udhëzime tani”. Nga kjo nuk duhet të kuptojmë se Timoteu u caktua pastori i kishës së Efesit (në kuptimin ‘modern’). Nuk mësohet kjo gjë në këtë pjesë. Por më tepër, ai ishte atje për një mision të përkohshëm, për të mësuar disa në asamble që të mos mësojnë doktrina që bien në kundërshtim me besimin e krishterë apo shtesa të tjera. Doktrinat e rreme kryesore, për të cilat po flasim, ishin legalizmi dhe gnosticizmi. Ideja e vargut është që në rast se Timoteu u tundua të largohej nga këto probleme, Pali po i thotë atij të qëndronte atje që të kryente detyrat e tij.

1:4 Timoteu po nxitej gjithashtu t’i mësonte ata njerëz që të mos u kushtonin rëndësi përrallave dhe gjenealogjive që s’kanë të sosur. Është e pamundur që ne të dimë saktësisht se çfarë ishin këto përralla dhe gjenealogji. Disa i lidhin këto me legjendat që kishin dalë midis disa mësuesve judenj. Të tjerë mendojnë se u referohen miteve dhe brezave të gnostikëve. Është interesante të vëmë re se kultet e rreme sot karakterizohen nga të njëjtat gjëra. Shumë histori trilluese kanë dalë nga themeluesit e feve të rreme dhe gjenealogjitë zënë një vend të rëndësishëm në mormonizëm.

Tema të tilla të pavlera shërbejnë vetëm për të krijuar pyetje dhe dyshime në mendjet e njerëzve. Ato nuk shërbejnë për veprën e Perëndisë, që mbështetet në besim. I tërë plani i shpengimit është paracaktuar nga Perëndia, dhe jo për të krijuar dyshime dhe përçarje, por për më tepër, të prodhojë besimin në zemrat e njerëzve. Këta njerëz në asamblenë e Efesit nuk duhet që t’i kushtonin vëmendje temave të tilla të pavlera siç ishin përrallat dhe gjenealogjitë, por më tepër duhet t’ia përkushtonin veten e tyre të vërtetave të mëdha të besimit të krishterë, që do të jenë një bekim për njerëzit dhe do të nxisin besimin më tepër sesa dyshim.

1:5 Mbase gjëja më e rëndësishme për t’u kuptuar në këtë varg është se urdhërimi nuk i referohet Ligjit të Moisiut apo Dhjetë Urdhërimeve, por detyrën e vargjeve 3 e 4. Kjo shprehet qartë në versionin NKJV: Qëllimi i këtij urdhërimi është dashuria… Pali po thotë se qëllimi apo synimi i kësaj detyre që iu dha Timoteut është të prodhojë jo vetëm doktrinë të rregullt por edhe dashurinë, prej një zemre të pastër, prej një ndërgjegjeje të pastër dhe prej një besimi jo të shtirur. Këto gjëra gjithmonë rrjedhin kur predikohet ungjilli i hirit të Perëndisë.

Dashuria pa dyshim përfshin dashurinë ndaj Perëndisë, ndaj besimtarëve të tjerë dhe njerëzve në përgjithësi. Ajo duhet të dalë prej një zemre të pastër. Nëse jeta e brendshme e dikujt është e papastër, atëherë dashuria e vërtetë e krishterë mund të rrjedhë e pafrytshme prej tij. Kjo dashuri duhet të jetë gjithashtu nënprodukti prej një ndërgjegjeje të pastër, që do të thotë, prej një ndërgjegjeje pa fyerje ndaj Perëndisë dhe njeriut. Së fundi, kjo dashuri duhet të jetë rrjedhoja e një besimi jo të shtirur (fjalë për fjalë johipokrit), që do të thotë, prej një besimi që nuk vë maskë.

Mësimet e rreme nuk mund të prodhojnë kurrë këto gjëra që rendit Pali dhe me siguri këto nuk janë kurrë rrjedhoja e përrallave dhe gjenealogjive të pafund! Është mësimi i hirit të Perëndisë që prodhon një zemër të pastër, një ndërgjegje të pastër dhe një besim jo të shtirur dhe kjo rrjedhon dashurinë.

Vargu 5 a na jep provën e tërë mësimit të vërtetë, pra, a sjell këto fryte?

1:6 Kishte disa që u shmangën nga këto gjëra, që do të thotë, nga një zemër e vërtetë, një ndërgjegje e mirë dhe një besimi jo i shtirur. Shprehja u kthyen mund të nënkuptojë si veprimin e tyre të papërshtatshëm ashtu dhe daljen huq [të shkuarit më kot]). Ajo që nënkuptohet këtu është pa dyshim e para. Nuk është se këta njerëz u përpoqën të arrinin këto gjëra; ata as nuk e kishin si synim këtë gjë. Si rrjedhojë, ata u kthyen në biseda të kota. Predikimi i tyre qe i kotë; ai nuk të çonte gjëkundi; ai dështoi në qëllimin e tij për t’i bërë njerëzit të shenjtë.

Pali përdor zakonisht fjalët disa në këtë letër. Në kohën kur ai shkroi 1 Timoteut, këta mësues të rremë përfaqësonin një pakicë në kishë. Kur do të lexojmë 2 Timoteut, do të shohim se kjo fjalë, ‘disa’, nuk është mbizotëruese. Baraspeshimi i fuqisë ka ndryshuar. Largimi ishte bërë shumë i zakonshëm. Pakica në pamje të parë ishte bërë shumicë.

1:7 Mësuesit e rremë për të cilët bëhet fjalë në vargun e mëparshëm ishin përkrahës të judaizmit, që kërkonin ta përzienin judaizmin me krishterimin, ligjin me hirin. Ata mbështesnin idenë se besimi në Krishtin nuk ishte i mjaftueshëm për shpëtimin. Ata ngulnin këmbë se një njeri duhej të rrethpritej apo në pika të tjera të zbatonte Ligjin e Moisiut. Ata mësonin se ligji ishte rregulli i jetës për besimtarin.

Mësimet e rreme kanë qenë të pranishme në çdo shekull të historisë së kishës dhe janë plagët që kanë çuar së tepërmi në prishjen e krishterimit sot. Në formën e tij moderne, ai pohon se përveç besimit në Krishtin që është i domosdoshëm për shpëtim, një njeri duhet gjithashtu të pagëzohet, apo të shkojë në kishë, apo të zbatojë ligjin, apo të vuajë për shkak të një mëkati, të paguajë të dhjetën, apo të kryejë ndonjë formë tjetër “veprash të mira”. Ata që mësojnë këtë legalizëm të ditëve të sotme nuk kuptojnë dot se shpëtimi është me anë të besimit në Krishtin pa veprat e ligjit. Ata nuk e kuptojnë se veprat e mira janë fryti i shpëtimit dhe jo shkaku. Një njeri nuk bëhet i krishterë duke bërë këto vepra të mira, por më fort ai i bën këto vepra të mira sepse është i krishterë. Ata nuk e kuptojnë se Krishti dhe jo ligji, është rregulli i jetës për besimtarin. Ata nuk e kuptojnë dot se një njeri nuk mund të jetë nën ligj pa qenë nën mallkim. Ligji dënon për vdekje të gjithë ata që dështojnë në zbatimin e parimeve të tij. Meqë asnjë njeri nuk është në gjendje t’i bindet ligjit në çdo pikë, atëherë të tërë janë të dënuar me vdekje. Por Krishti i ka shpenguar besimtarët nga mallkimi i ligjit sepse Ai u bë mallkim për ne.

Apostulli thotë për këta të ashtuquajtur mësues të ligjit se ata nuk kuptojnë as ato që po thoshin për të cilat po bënin pohime të besueshme. Ata nuk mund të flisnin me zgjuarsi rreth ligjit sepse ata nuk kuptonin qëllimin për të cilin u dha ligji apo lidhjen e besimtarin me ligjin.

1:8 Pali e bën plotësisht të qartë faktin se nuk qëndron problemi te ligji. “Kështu ligji është i shenjtë, dhe urdhërimi i shenjtë, i drejtë dhe i mirë” (Rom. 7:12). Por ligji duhet të përdoret si duhet. Ai nuk u dha kurrë si mjet shpëtimi (Veprat e Apostujve 13:39; Rom. 3:20; Gal. 2:16,21; 3:11). Përdorimi si duhet i ligjit është për predikimin dhe mësimin, për të nxitur një bindje për mëkat. Ai nuk duhet të paraqitet si mjet shpëtimi apo si rregull jete.

Guy King ka treguar se tre mësimet që parashtron ligji janë: “”Ne duhet. Ne nuk kemi. Ne nuk mundemi”. Kur ligji ka bërë punën e tij në jetën e një mëkatari, atëherë ai njeri është gati t’i thërrasë Perëndisë: “Zot, më shpëto me anë të hirit tënd!”” [2]. Ata që mësojnë se ligji është thelbësor për shpëtimin apo shenjtërimin nuk flasin me baza. Ata thonë se nëse një i krishterë shkel një ligj, atëherë ai nuk duhet të vritet. Kjo nuk çon në vend pushtetin e ligjit. Ligji pa ndëshkimin nuk është gjë tjetër veçse një këshillë e mirë.

1:9 Ligji nuk është vënë për të drejtin. Nëse një njeri është i drejtë, ai nuk ka nevojë për ligj. Kjo është e vërtetë për të krishterin. Kur ai shpëtohet me anë të hirit të Perëndisë, ai nuk duhet të vihet nën Dhjetë Urdhërimet që të bëjë një jetë të shenjtë. I krishteri nuk ka frikë nga ndëshkimi për t’u detyruar që të jetojë në mënyrë të perëndishme, por më tepër ka dashuri për Shpëtimtarin që vdiq në Kalvar.

Apostulli vazhdon duke përshkruar tipin e njerëzve për të cilët u dha ligji. Shumë komentues biblikë kanë treguar se ka një lidhje të ngushtë midis këtij përshkrimi dhe Dhjetë Urdhërimeve. Dhjetë Urdhërimet ndahen në dy pjesë: katër të parat kanë të bëjnë me detyrën e njeriut ndaj Perëndisë (perëndishmërinë), ndërsa gjashtë të tjerat kanë të bëjnë me detyrën e tij ndaj të afërmit të tij (drejtësia). Fjalët që vijojnë duket se i përgjigjen pjesës së parë të Dhjetë Urdhërimeve: Për të pabesët dhe rebelët, për të ligët dhe mëkatarët, për të pamëshirshmit dhe të ndyrët… Shprehja për ata që vrasin lidhet me urdhërimin e gjashtë: Nuk do të vrasësh. Kjo shprehje i referohet vrasësve dhe jo njeriut që vret një tjetër aksidentalisht.

1:10 Fjalët për kurvarët, për homoseksualët përshkruajnë heteroseksualët dhe homoseksualët imoralë. Këtu ata lidhen me urdhërimin e shtatë: “Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore”. Fjala grabitësit i referohet urdhërimit të tetë “Nuk do të vjedhësh”. Për rremët, për ata që shkelin betimin (apo betuesit e rremë), lidhet me urdhërimin e nëntë: “Nuk do të bësh dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd”.

Fjalët e fundit për çdo gjë tjetër që bie në kundërshtim me doktrinën e shëndoshë nuk lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me urdhërimin e dhjetë, por më fort duket se kthehen te tërë urdhërimet dhe i përmbledhin ato të gjitha.

1:11 Është e vështirë të vendosim se si lidhet ky varg me atë që ka ndodhur më parë. Mund të nënkuptojë se doktrina e shëndoshë përmendur në vargun 10 është sipas ungjillit. Ose mund të nënkuptojë se gjithçka që ka thënë Pali rreth ligjit në vargjet 8-10 është në përputhje të plotë me ungjillin që ai ka predikuar. Ose përsëri, mund të nënkuptojë se gjithçka që ka thënë Pali rreth mësuesve të rremë në vargjet 3-10 është në përputhje me lajmin e ungjillit. Ndërsa është e vërtetë se ungjilli është i lavdishëm, theksi këtu mund të vihet mbi faktin se ungjilli flet për lavdinë (përkthimi i përpiktë i fjalës të lavdisë) e Perëndisë në një mënyrë të mrekullueshme. Ai na thotë se i njëjti Perëndi është i shenjtë, i drejtë dhe në të njëjtën kohë është Perëndia i hirit, mëshirës dhe dashurisë. Dashuria e tij siguroi atë që kërkonte shenjtëria e Tij. Tani ata që pranojnë Zotin Jezus u jepet jeta e përjetshme.

Ky është ungjilli që i ishte besuar apostullit. Ai merret me Zotin e përlëvduar Jezu Krisht dhe u flet njerëzve se Ai nuk është vetëm Shpëtimtar, por edhe Zot në të njëjtën kohë.

B. Falënderime për hirin e vërtetë të Perëndisë (1:12-17)

1:12 Në pjesën e mëparshme, Pali ka përshkruar mësuesit e rremë që përpiqeshin t’ua mësonin ligjin besimtarëve në Efes. Tani ai kujton kthimin e tij në besim. Ai nuk erdhi si rrjedhojë e zbatimit të ligjit, por me anë të hirit të Perëndisë. Apostulli nuk kishte qenë një njeri i drejtë, por më i madhi ndër mëkatarët. Vargjet 12-17 duket se ilustrojnë përdorimin e duhur të ligjit nga vetë përvoja e Palit. Ligji nuk ishte për të një udhë shpëtimi, por më tepër një mjet bindjeje për mëkat.

Së pari, ai shpërthen në falënderime ndaj Krishtit për hirin e Tij. Theksi nuk vihet në atë që bëri Sauli nga Tarsi për Zotin, por ajo që bëri Zoti për të. Apostulli nuk mund të harronte kurrë mrekullinë e Zotit Jezus, jo vetëm që Ai e shpëtoi atë, por e çmoi të denjë për t’u besuar, duke e vënë në shërbimin e Tij. Ligji nuk mund të kishte treguar kurrë një hir të tillë. Por më fort, rreptësia e ligjit do ta dënonte Saulin mëkatar me vdekje.

1:13 Që Pali kishte shkelur Dhjetë Urdhërimet para kthimit të tij del shumë qartë nga ky varg. Ai flet për veten si blasfemues, përndjekës dhe i dhunshëm. Si blasfemues, ai kishte folur keq për të krishterët dhe Udhëheqësin e tyre, Krishtin. Si përndjekës, ai ishte përpjekur të vriste të krishterët sepse ndiente se ky sekt i ri përbënte një kërcënim për judaizmin. Duke kryer planin e tij të lig, ai kënaqej kur ishte i dhunshëm, mizor dhe i egër. Ka një shkallë ligësie në zhvillim në këto fjalë: blasfemues, përndjekës dhe i dhunshëm. Mëkati i parë është vetëm një çështje fjalësh. I dyti përshkruan vuajtjen shkaktuar të tjerëve për besimin e tyre. I treti përfshin idenë e mizorisë dhe dhunimit.

Por Palit iu dha mëshira. Ai nuk mori ndëshkimin që meritonte sepse i bëri këto gjëra nga padija, në mosbesimin e tij. Duke përndjekur të krishterët, ai mendonte se po bënte një shërbim ndaj Perëndisë. Meqë feja e prindërve të tij mësonte adhurimin e Perëndisë së vërtetë, ai mund të dilte në përfundimin se besimi i krishterë ishte në kundërshtim me Jehovain e DhV. Me tërë zellin dhe energjinë që zotëronte ai u përpoq të mbronte nderin e Perëndisë duke vrarë të krishterët.

Shumë ngulin këmbë që zelli, vullneti dhe sinqeriteti janë gjëra të rëndësishme para Perëndisë. Por shembulli i Palit tregon se zelli nuk mjafton. Në fakt, nëse një njeri është në gabim, zelli i tij e bën të keqen më të madhe. Sa më tepër zell të ketë, aq më tepër dëm shkakton!

1:14 Pali jo vetëm që shpëtoi nga ndëshkimi që meritonte (mëshira), por ai gjithashtu mori mirësi pa masë që nuk e meritonte (hiri). Atje ku tepron mëkati i tij, atje tepron hiri i Perëndisë (Rom. 5:20).

Fakti që hiri i Zotit nuk u derdh më kot në Palin tregohet nga fjalët: “me besimin dhe dashurinë, që është në Jezu Krishtin”. Hiri që erdhi te Pali u shoqërua nga besimi dhe dashuria, që është në Jezu Krishtin. Kjo mund të nënkuptojë, natyrisht, se ashtu si hiri erdhi nga Zoti, po kështu edhe besimi dhe dashuria e gjejnë fillesën e tyre në Të. Por domethënia duket se bëhet më e qartë nëse kuptojmë se hiri i Perëndisë nuk u refuzua nga Pali, por se ai iu përgjigj duke besuar në Zotin Jezus dhe duke dashur Të Bekuarin që më parë e kishte urryer.

1:15 Kjo është hera e parë (nga pesë raste) ku shprehja “kjo fjalë është e sigurt” është përdorur në Letrat Baritore. Kjo fjalë është e sigurt sepse është fjala e Perëndisë, i cili as nuk mund të gënjejë as nuk mund të gabojë. Njerëzit mund ta besojnë këtë shprehje me plot siguri. Në të vërtetë, të mos e besosh atë është e paarsyeshme dhe një gjë jo e zgjuar. Ajo është e denjë për t’u pranuar plotësisht sepse i përket të gjithëve, thotë se çfarë ka bërë Perëndia për të gjithë, dhe shtrin dhuratën e shpëtimit ndaj të gjithëve.

Krishti Jezus thekson hyjninë e Zotit tonë. Ai që zbriti nga qielli për në tokë ishte para së gjithash Perëndi (Krisht) dhe pastaj Njeri (Jezus). Paraekzistenca e Shpëtimtarit sugjerohet në fjalët Ai erdhi në botë. Betlehemi nuk ishte fillesa e ekzistencës së Tij. Ai kishte banuar me Perëndinë Atë nga përjetësia, por Ai erdhi në botë si një Njeri me një porosi të veçantë. Kalendari dëshmon për faktin se Ai ka ardhur. Ne themi viti 2003, d.m.th. viti i 2003-të i Zotit tonë, ose 2003 vjet pas ardhjes së Tij. Pse erdhi Ai? Për të shpëtuar mëkatarët. Nuk erdhi për të shpëtuar njerëzit e mirë (nuk kishte asnjë të tillë!). As të shpëtonte ata që zbatonin ligjin në çdo pikë (askush nuk e kishte zbatuar edhe këtë).

Këtu vijmë në kulmin e ndryshimit midis krishterimit të vërtetë dhe tërë mësimeve të tjera. Fetë e rreme i thonë njeriut se ai duhet të bëjë diçka apo të përpiqet të gjejë hir para Perëndisë. Ungjilli i thotë njeriut se ai është një mëkatar, që është i humbur, se nuk mund ta shpëtojë dot veten dhe se mënyra e vetme për të shkuar në qiell është me anë të veprës zëvendësuese të Zotit Jezus në kryq. Lloji i mësimeve të ligjit që Pali përshkroi më parë në këtë kapitull i lë vend mishit. Ai i thotë njeriut atë që dëshiron të dëgjojë, saktësisht, që ai mund të “ndihmojë” Perëndinë për shpëtimin e tij. Por ungjilli ngul këmbë se e tërë lavdia e veprës së shpëtimit duhet t’i jepet vetëm Krishtit, se njeriu nuk bën gjë tjetër veç mëkatit dhe se Zoti Jezus është i vetmi Person që është i aftë të “të shpëtojë ty.”

Fryma e Perëndisë bëri që Pali të kuptonte se ishte i pari i mëkatarëve, apo ashtu siç e ka përkthyer dikush “i pari midis mëkatarëve”. Nëse ai nuk ishte i pari i mëkatarëve, atëherë ai ishte në fillim të renditjes. Vini re se titulli “i pari i mëkatarëve” nuk i jepet një njeriu të zhytur në idhujtari apo imoralitet, por më fort i jepet një njeriu fetar, dikujt që ishte rritur në një shtëpi judease të perëndishme! Mëkati i tij ishte doktrinor; ai nuk e kishte pranuar fjalën e Perëndisë rreth Personit dhe veprës së Zotit Jezu Krisht. Mospranimi i Birit të Perëndisë është mëkati më i madh.

Gjithashtu duhet vënë re se ai thotë ndër të cilët unë jam i pari – jo “isha”, por jam. Shenjtorët më të perëndishëm janë zakonisht më të vetëdijshëm për gjendjen e tyre mëkatare.

Te 1 Korintasve 15:9 (shkruar rreth vitit 57 pas K.), Pali e quan veten “më i vogli i apostujve”. Pastaj te Efesianëve 3:8 (shkruar rreth vitit 60 pas K.) ai e quan veten “më të voglit nga të gjithë shenjtorët”. Tani te 1 Timoteut 1:15, shkruar disa vite më vonë, ai e quan veten të parin e mëkatarëve. Këtu kemi skicën e rritjes së Palit në përulësinë e krishterë.

Shprehja ndër të cilët unë jam i pari (shih edhe përkthimin JND) mund të ketë edhe idenë që Pali ishte i pari në lidhje me kombin e Izraelit, jo vetëm që ai ishte mëkatari më i keq që ka jetuar ndonjëherë. Me fjalë të tjera, kthimi i tij ishte një shenjë paralajmëruese e kthimit të ardhshëm të kombit të Izraelit. Ai ishte “një që u lind përpara kohës normale” (1 e Korintasve 15:8) në kuptimin se ai u lind sërish para rilindjes së popullit të Izraelit. Ashtu siç u shpëtua nga një zbulim i drejtpërdrejtë nga qielli dhe pa ndonjë mjet njerëzor, kështu mbase në të njëjtën mënyrë pjesa e mbetur e judenjve do të shpëtohet gjatë periudhës që do të vijë të Mundimit të Madh. Ky interpretim duket se tregohet nga fjalët “më përpara” dhe “shembull” në vargun 16.

1:16 Kjo shpjegon se pse Pali mori mëshirë. Ndodhi që ai të ishte një shembull i zemërgjerësisë Jezu Krishtit. Ashtu siç kishte qenë i pari ndër mëkatarët, po kështu tani do të jetë shfaqja e parë [kryesore] e hirit të palodhur të Zotit. Ai mund të jetë “Shembulli A”, një shembull i gjallë, ashtu siç ka thënë William Kelly kur foli rreth “dashurisë hyjnore që ngrihet lart mbi armiqësinë më të madhe, dhe zemërgjerësisë hyjnore që mund antagonizmin më të madh dhe më këmbëngulës” [3].

Rasti i Palit është një shembull. Në profesionin e botimit të librave “shembull” do të thotë provë ose përpjekje e parë. Ai nënkupton një model. Kthimi i Palit ishte një shembull i asaj që do të bëjë Perëndia me kombin e Izraelit kur Çlirimtari do të vijë nga Sioni (Rom. 11:26).

Në kuptimin e përgjithshëm vargu do të thotë se asnjë nuk duhet të dëshpërohet, pavarësisht se sa i keq mund të jetë. Ata mund të ngushëllojnë veten me faktin që meqë Zoti ka shpëtuar të parin e mëkatarëve, edhe ata mund të gjejnë hir dhe mëshirë duke shkuar tek Ai në pendim. Duke besuar në Të, ata gjithashtu mund të marrin jetë të përjetshme.

1:17 Ndërsa Pali po flet për marrëveshjet e Perëndisë me të në hir, ai shpërthen në këtë lavdërim të dashur. Është e vështirë të dimë nëse i drejtohet Perëndisë Atë apo Zotit Jezus. Fjalët Mbretit të amshuar duket se i referohen Zotit Jezus sepse Ai quhet “Mbret i mbretërve dhe Zot i zotërve” (Zbulesa 19:16). Megjithatë, fjala të padukshmit duket se i referohet Atit, meqë Zoti Jezus qe i dukshëm për sytë fizikë. Fakti se ne nuk jemi të aftë të ndajmë se kujt personi të Trinisë i drejtohet mund të shërbejë si tregues i barazisë së Tyre absolute.

Mbreti i amshuar quhet, para së gjithash, i pavdekshëm. Kjo do të thotë i paprishshëm. Perëndia në thelbin e Tij është gjithashtu i padukshëm. Njerëzit kanë parë të dukurit e Perëndisë në DhV dhe Zotin Jezus të zbuluar plotësisht si Perëndi ndaj nesh në formë të dukshme, por mbetet fakti se Vetë Perëndia është i padukshëm për sytë njerëzorë. Pastaj Ai paraqitet si i vetmi Perëndi i ditur. Në analizën përfundimtare e tërë zgjuarsia vjen nga Perëndia (Jak. 1:5).

C. Rikonfirmimi i detyrës së Timoteut (1:18-20)

1:18 Detyra e përmendur këtu është pa dyshim detyra që Pali i kishte dhënë Timoteut në vargjet 3 e 5 për të qortuar mësuesit e rremë. Për t’i dhënë zemër birit të tij Timote që të çonte para detyrën e tij të rëndësishme, apostulli i kujton atij për rrethanat që e çuan atë në thirrjen e tij në shërbimin e krishterë.

Sipas profecive që u bënë më parë për ty duket se nënkupton se para se Pali ta takonte Timoteun, një profet kishte dalë në kishë dhe kishte shpallur se Timoteu do të përdorej nga Zoti në shërbimin e Tij. Një profet ishte një zëdhënës i Perëndisë që merrte miratimin e vullnetit të Perëndisë në lidhje me disa drejtime të veçanta veprimi dhe ua komunikonte këto zbulime kishës. Timoteu i ri u caktua nga vendimi profetik dhe roli i tij i ardhshëm si një shërbëtor i Jezu Krishtit u bë i njohur. Nëse ai ndonjëherë do të tundohej për t’u ligështuar në zemër apo të shkurajohej në veprën e Zotit, ai duhej të kujtonte këto profeci dhe mund të ishte i frymëzuar dhe i nxitur bënte luftimin e mirë.

1:19 Në këtë luftim, ai duhej të kishte një besim dhe ndërgjegje të mirë. Nuk është e mjaftueshme të jesh i përpiktë nga ana doktrinore për sa i përket besimit të krishterë. Dikush mund të jetë në rregull sipas besimit të krishterë dhe në të njëjtën kohë të mos ketë një ndërgjegje të mirë.

Hamilton Smith-i shkruan:

Ata që kanë dhunti dhe bëjnë shumë gjëra nën vështrimin e publikut, duhet të kenë kujdes; edhe pse janë në mes të përfshirjeve të tyre të vazhdueshme, predikimeve të vazhdueshme dhe veprave të tyre publike para njerëzve, ata lënë pas dore jetën e fshehtë të perëndishmërisë para Perëndisë. A nuk na paralajmëron Shkrimi se është e mundur të predikosh me tërë rrjedhshmërinë e njerëzve dhe engjëjve dhe megjithatë të mos jesh asgjë? Ajo që sjell fryt para Perëndisë dhe që do të ketë shpërblimin e Tij të ndritur në ditën që do të vijë, është jeta e perëndishmërisë nga e cila duhet të rrjedhë shërbimi i vërtetë [4].

Disa nga ata që jetonin në kohën e Palit kishin prishur ndërgjegjen e mirë dhe për këtë kishin bërë lundërthyerje në besim. Ata i ngjajnë marinarit të marrë që e hedh busullën e tij jashtë bordit.

Ata që kishin bërë lundërthyerje në besim ishin besimtarë të vërtetë, por ata thjesht nuk kishin ruajtur ndërgjegjen e mirë. Jeta e tyre e krishterë kishte filluar si një anije të lëkundej në det, por në vend që të kthehej në port me flamujt që valëviteshin dhe me ngarkesë të plotë, ata kishin ngecur në shkëmbinj dhe kishin sjellë turp, qoftë mbi veten e tyre qoftë për dëshminë e tyre.

1:20 Ne nuk e dimë nëse Imeneu dhe Aleksandri janë ata që përmenden te 2 Timoteut 2:17 dhe 4:14. As nuk e dimë natyrën e blasfemisë së tyre. Ajo që na thuhet është se ata braktisën ndërgjegjen e mirë dhe blasfemuan. Në DhR, blasfemi [5] nuk do të thotë gjithmonë të flasësh keq për Perëndinë. Ajo mund të përdoret për të përshkruar të folurën e keqe apo të ligë kundër njerëzve të tjerë. Ajo mund të përdoret për të përshkruar jetët e atyre njerëzve po ashtu edhe fjalët e buzëve të tyre. Duke bërë lundërthyerje në besim, ata pa dyshim do të kenë bërë që të tjerët të flasin keq për të vërtetën dhe për këtë po jetonin në blasfemi.

Vepra e tyre ishte tragjedia e të krishterëve të ndriçuar dhe të frytshëm një herë e një kohë, por të zhytur në gabim me anë të prishjes së ndërgjegjes së tyre.

Apostulli thotë se i dorëzoi ata njerëz në duart e Satanit. Disa studiues i shikojnë këto fjalë si një referencë të thjeshtë të veprimit të nxjerrjes jashtë bashkësisë. Ata i interpretojnë ato se Pali i kishte nxjerrë ata të dy jashtë kishës lokale dhe se ky veprim u bë për t’i çuar ata në pendim dhe në ripërtëritjen e miqësisë me Zotin dhe popullin e Tij. Vështirësia në këtë pikëpamje është se nxjerrja jashtë bashkësisë ishte një detyrë e kishës lokale dhe jo e një apostulli. Te 1 Korintasve 5 Pali nuk e nxori jashtë bashkësisë atë që kishte bërë incest, por i këshilloi korintasit që edhe ata të mos e nxirrnin jashtë bashkësisë.

Interpretimi tjetër më i shpeshtë i kësaj pjese është se lënia në duart e Satanit ishte një fuqi e dhënë apostullit që sot nuk ekziston, sepse nuk ka apostuj. Sipas kësaj pikëpamjeje, apostujt kishin autoritet të kthenin një njeri mëkatar në duart e Satanit për ndëshkim me anë të vuajtjeve fizike ose, edhe në rastet më të skajshme, me vdekje, ashtu si në rastin e Ananias dhe Safirës (Veprat e Apostujve 5:1-11). Disiplina këtu kishte si qëllim ndreqjen – që të mësojnë të mos blasfemojnë. Nuk ishte një çështje dënimi, por ndëshkimi.