Falënderime dhe lutje (2 Thesalonikasve 2:13-17)

A. Falënderimi i Palit që shenjtorët do të shpëtojnë nga gjykimi (2:13,14)

2:13 Në dymbëdhjetë vargjet e para Pali përshkroi shkatërrimin e Antikrishtit dhe të ndjekësve të tij. Tani ai kthehet te të krishterët thesalonikas dhe falënderon për thirrjen dhe fatin e tyre në dallim me atë të Antikrishtit dhe ndjekësve të tij. Ndërsa bën një gjë të tillë, ai shpreh falënderime ndaj Perëndisë për ata vëllezër të dashur nga Zoti dhe vazhdon t’u japë një përmbledhje të shpëtimit të tyre – të shkuar, të tashëm dhe të ardhshëm.

Perëndia ju zgjodhi. Bibla mëson qartë se Perëndia i zgjedh njerëzit për shpëtim, por nuk mëson kurrë se Ai zgjedh disa për t’i dënuar. Njerëzit janë të humbur prej zgjedhjes së tyre të paramenduar. Nëse Perëndia nuk do të ndërhynte të gjithë do të humbisnin. A ka të drejtë Perëndia të zgjedhë disa për t’i shpëtuar? Në thelb, dëshira e Tij është që të gjithë të shpëtohen (1 Tim. 2:4; 2 Pje. 3:9). Megjithatë, Bibla nuk mëson “universalizmin”, teorinë se të gjithë do të shpëtohen një ditë.

Që në fillim: Kjo pjesë lexohet në dy mënyra. Së pari, mund të nënkuptojë se zgjedhja e Perëndisë u bë para themelimit të botës (Ef. 1:4). Së dyti, shprehja mund të lexohet gjithashtu “si fryte të para”, duke treguar se thesalonikasit, të shpëtuar kaq herët në epokën e krishterë, u zgjodhën nga Perëndia për të qenë midis të parëve të së korrës së madhe të shpirtrave të shpenguar.

Për t’ju shpëtuar: Kjo duhet të vihet në përqasje me vargun e mëparshëm. Jobesimtarët janë caktuar prej mosbesimit të tyre për në shkatërrim të përjetshëm, ndërsa besimtarët janë zgjedhur për t’u shpëtuar.

Me anë të shenjtërimit të Frymës: Këtu ne kemi veprën që bëhet para kthimit nga ana e Frymës së Shenjtë. Ai i ndan individët për Perëndinë nga bota, i bind ata për mëkat dhe i çon ata drejt Krishtit. Dikush ka thënë me të drejtë: “Nëse nuk do të ishte prej Krishtit, nuk do të kishte festë; nëse nuk do të ishte nga Fryma e Shenjtë nuk do të kishte mysafirë!”

Dhe të besimit në të vërtetën: Së pari kemi pjesën e Perëndisë në shpëtim; tani kemi pjesën e njeriut. Që të dyja janë të domosdoshme. Disa njerëz mund të shohin vetëm zgjedhjen e Perëndisë dhe nënkuptojnë se njerëzit nuk mund të bëjnë asnjë gjë. Të tjerë theksojnë pjesën e njeriut dhe lënë pas dore zgjedhjen sovrane të Perëndisë. E vërteta qëndron në të dyja skajet. Zgjedhja dhe përgjegjësia njerëzore janë të dyja doktrina të Biblës dhe është mirë që t’i besojmë dhe mësojmë të dyja, edhe nëse nuk mund të kuptojmë se si mund të jenë të dyja të vërteta.

2:14 Tek e cila ju thirri me anë të ungjillit tonë. Perëndia na zgjodhi për shpëtim në “përjetësi”. Ai na thirri për të në “kohën e duhur”. Thirrja i referohet çastit kur një njeri i beson të vërtetës. Ungjillit tonë nuk do të thotë se ka ungjij të tjerë të vërtetë. Ka vetëm një ungjill, por ka shumë predikues të tij dhe shumë dëgjues të ndryshëm. Pali po i referohet ungjillit të Perëndisë që është predikuar nga vetë ai.

Që të arrini të merrni lavdinë e Zotit tonë Jezu Krisht. Këtu apostulli shikon në të ardhmen dhe shikon rrjedhojën përfundimtare të shpëtimit – për të qenë me Krishtin dhe për të qenë si Ai përgjithmonë. J. N. Darby e rrok këtë mendim në himnin e tij të mrekullueshëm:

Dhe është kështu – a do të jem si Biri Yt?

A është ky hiri që Ai ka fituar për mua?

Atë i lavdisë, mendim përtej çdo mendimi!

Në lavdi, sipas ngjashmërisë së Tij të bekuar më ke bërë!

Prandaj në vargjet 13 e 14 kemi “një sistem teologjie në miniaturë”, një përmbledhje të mrekullueshme të fushës së veprimit të qëllimeve të Perëndisë me popullin e Tij besues. Ai na ka treguar se shpëtimi “lindi nga zgjedhja hyjnore, u krye nga fuqia hyjnore, u bë i përsosur me anë të lajmit hyjnor dhe do të jetë i përsosur në lavdinë hyjnore”.

B. Lutja e Palit që shenjtorët do të ngushëllohen dhe themelohen (2:15-17)

2:15 Duke pasur parasysh thirrjen e tyre të lartë, shenjtorët nxiten të qëndrojnë dhe mbajnë porositë që mësuan, qoftë nga fjalët e apostujve apo nga letrat e tyre. Gjëja e rëndësishme për t’u vënë re këtu është se porositë e vetme që janë të besueshme dhe autoritare janë fjalët e frymëzuara të apostujve. Jezusi fajësoi skribët dhe farisenjtë se kishin shfuqizuar urdhërimet e Perëndisë me anë të traditave të tyre (Mt. 15:6). Dhe Pali paralajmëroi kolosianët kundër traditave të njerëzve (Kolosianeve 2:8). Porositë që duhet të mbajmë janë të vërtetat e mëdha që na janë vënë përpara në Shkrimet e Shenjta.

Ky varg përdoret ndonjëherë për të përligjur traditat e kishave apo udhëheqësve fetarë. Por çdo traditë që është në kundërshtim me fjalën e Perëndisë është e kotë dhe e rrezikshme. Nëse traditat e thjeshta njerëzore pranohen si të barabarta me Biblën, kush duhet të vendosë se cila është e drejtë apo e gabuar?

2:16 Duke ua thënë këtë mesazh shenjtorëve, apostulli tani lutet për të. Ai zakonisht e shoqëron mësimin e tij me lutje (1 Thes. 5:23,24; 2 Thes. 3:16). Lutja i drejtohet Zotit tonë Jezu Krisht dhe Perëndisë Atit tonë. Ne jemi mësuar tashmë me përdorimin prej Palit të Personave hyjnorë në të njëjtin vend, por është e pazakontë për të të përmendë në fillim Birin. Sigurisht, ai po thekson unitetin e tyre thelbësor dhe barazinë e vërtetë. Në greqisht, fjalët (Krisht dhe Perëndi) janë përdorur në rasën emërore [në shumës] dhe janë lidhur me katër forma foljore në njëjës (deshi, dha, ngushëlloftë, forcoftë). A nuk është kjo veçse një tregues tjetër i mëtejshëm i unitetit të natyrës së Birit dhe Atit në Personin e Perëndisë?

Parashikimi i mëparshëm i Perëndisë paraqitet si një nxitje për t’i besuar Atij për një guxim dhe forcë të mëtejshme. Ai na deshi dhe na dha. . . një ngushëllim të përjetshëm dhe një shpresë të mirë. Pa dyshim kjo na kujton për shfaqjen e madhe të dashurisë së Perëndisë – dhurata e Birit të Tij për ne. Ngaqë ne e dimë se Ai zgjidhi çështjen e mëkatit në Kalvar, kemi ngushëllim të përjetshëm tani dhe shpresën e të ardhmes së lavdishme – dhe e tërë kjo përmes hirit të Tij të mrekullueshëm.

2:17 Vetë lutja është që Perëndia ngushëlloftë zemrat e tyre dhe i forcoftë në çdo fjalë e punë të mirë. Jo vetëm nxitje në mes të problemeve, por forcë për të ecur para në betejë. Fjala “tërheqje” nuk ndodhej në fjalorin e apostullit dhe nuk duhet të jetë edhe në tonin.

Mos e harroni shprehjen në çdo fjalë e punë të mirë. E vërteta në buzët tona nuk mjafton; ajo duhet të vihet në zbatim në jetët tona. Kështu në jetët tona duhet të ketë rregull në të mësuar dhe vepruar, doktrinë dhe detyrë, predikim dhe praktikë.