Falënderimi dhe lutja e Palit për Filemonin (Filemonit 1:4-7)

V. 4 Sa herë që Pali lutej për Filemonin, ai falënderonte Perëndinë për vëllanë e tij të fisshëm. Ne kemi të gjitha arsyet të besojmë se ai ishte një trofe e zgjedhur e hirit të Perëndisë – atë lloj njeriu do të donit ta kishit si mik dhe vëlla. Disa komentues sugjerojnë se Pali po përdor diplomaci në këto vargje hyrëse, sepse qëllimi i tij ishte “të zbuste” zemrën e Filemonit për ta pranuar përsëri Onesimin. Kjo është një arsye e pavlerë e apostullit dhe hedh një hije mbi tekstin e frymëzuar. Pali nuk do të kishte thënë kurrë diçka nëse nuk e ndiente me sinqeritet.

V. 5 Kishte dy cilësi në karakterin e Filemonit që i jepte gëzim të madh Palit: dashuria e tij dhe besimi që kishte ndaj Zotit Jezu Krisht dhe ndaj gjithë shenjtorëve. Besimi i tij në Krishtin tregonte se ai kishte rrënjët e jetës hyjnore dhe dashuria e tij ndaj gjithë shenjtorëve tregonte se ai kishte frytin e saj gjithashtu. Besimi i tij ishte frytdhënës.

Tek Efesianëve 1:15,16 dhe Kolosianëve 1:3,4 Pali shpreh një falënderim të ngjashëm për shenjtorët, të cilëve u ishin drejtuar ato letra. Megjithatë, në ato raste ai vendosi besimin para dashurisë. Këtu ai vendos dashurinë para besimit. Pse është ky ndryshim? Maclaren-i përgjigjet: “Rendi këtu është rendi i analizës, duke gërmuar nga shfaqja te shkaku. Rendi në pjesët paralele është rendi i prodhimit duke u ngjitur nga rrënjët te lulja”.

Ka edhe një element tjetër interesant të rendit që përdor Pali këtu. Ai ndan shprehjen “Dashurinë tënde ndaj gjithë shenjtorëve” duke futur besimin . . . ndaj Zotit Jezu Krisht pas dashurisë. Ne mund ta vendosim si vijon: “dashurinë (dhe besimin . . . ndaj Zotit Jezu Krisht) ndaj gjithë shenjtorëve”. Objekti i besimit është Zoti Jezu Krisht. Objekti i dashurisë janë shenjtorët. Por Pali e ndan fjalinë e besimit me atë të dashurisë, ashtu sikur Filemoni i paralajmëruar të ketë një mundësi të veçantë për të treguar realitetin e besimit të tij duke shfaqur dashuri ndaj skllavit Onesim. Prandaj kemi një theksim të veçantë në fjalën gjithëgjithë shenjtorët.

V. 6 Dy vargjet e mëparshme shprehnin falënderimin e Palit ndaj Filemonit. Ky varg paraqet natyrën e lutjes së apostullit për të. Bashkësia e besimit tënd do të thotë mirësia praktike të cilën Filemoni e tregonte ndaj të tjerëve. Ne mund të ndajmë besimin tonë jo vetëm duke predikuar Krishtin, por gjithashtu duke ushqyer të uriturit, duke ngushëlluar nevojtarët, duke lehtësuar të shqetësuarit – po, madje edhe duke falur një skllav të arratisur. Pali u lut, pra, që jeta e dashamirësisë së Filemonit të çonte shumë vetë në njohjen se tërë veprat e tij të mira vinin nga Jezu Krishti. Ka një fuqi dhe ndikim të jashtëzakonshëm në një jetë kur shfaqet dashuria e Krishtit. Tjetër gjë është të lexosh për dashurinë në një libër, por sa mbresëlënëse është të shohësh Fjalën të bërë mish në një jetë njerëzore!

V. 7 Lajmi për bujarinë e tejbollshme dhe dashurinë vetëflijuese të Filemonit udhëtonte nga Kolosi për në Romë, duke i sjellë gëzim të madh [3] (apo falënderim, shënime anësore të NKJV) dhe ngushëllim për të burgosurin e Krishtit. Kishte qenë një privilegj i madh për Palin që e kishte çuar atë te Zoti, por tani sa shpërblyese ishte të dëgjonte se biri i tij në besim po ecte mirë në Zotin. Sa siguruese ishte që të dinte se zemrat e shenjtorëve ishin përtërirë tej mase nga vëllai i tij i dashur dhe sidomos nga dashuria e tij. Askush nuk jeton për veten e vet dhe askush nuk vdes për veten e vet. Veprimet tona ndikojnë te të tjerët. Ne nuk mund të masim rrezen e ndikimin tonë. Ne kemi aftësi të pakufizuara për të mirën apo për të keqen.