Fjalët që nëna e Lemuelit i mësoi atij (Fjalët e Urta 31:1-9)
31:1 Ne nuk kemi ndonjë të dhënë se kush ishte mbreti Lemuel. Emri i tij do të thotë “i përkushtuar Perëndisë” apo “që i takon Perëndisë”. Gjëja e rëndësishme është se ai ka ruajtur për ne këshillën e mençur që i ka dhënë e ëma.
31:2 Këtë mendim mund ta paraqesim në këtë mënyrë: “Çfarë do të të them dhe çfarë margaritarësh diturie do të të përcjell, ty, biri im, që ia kam përkushtuar Zotit?”.
31:3 Ky varg është një paralajmërim për të shmangur një jetë në shthurje dhe epshe mishore. The Speaker’s Commentary tregon se “tundimet e haremit ishin në atë kohë, po ashtu edhe tani, mallkimi i tërë mbretërive lindore”.
31:4-8 Kjo është lutje për t’u përmbajtur nga përdorimi i tepërt i verës dhe i pijeve të forta. Rreziku për mbretërit është që aftësia e tyre për të gjykuar dhe për të marrë vendime të duhura mund të dëmtohet nga të pirit. Ata mund të harrojnë standardet e drejtësisë të kërkuara nga ligji dhe dështojnë së mbajturi të drejtat e atyre që merren nëpër këmbë. Përdorimi mjekësor i verës është caktuar si një nxitës për ata që vdesin dhe kundër depresionit për të dëshpëruarit. Për njerëz të tillë është mirë të pijnë dhe të harrojnë nevojat dhe hallet e tyre.
31:9 Mbreti duhet të jetë një ndërmjetës i përgjegjshëm për tërë ata që nuk mund të mbrohen dhe të mbrojë çështjen e atyre që lihen mënjanë. Ai duhet të flasë në interes të të mjerit dhe të nevojtarit.