Epilog: Biri i Ringjallur me të tijtë (Gjoni 21)

A. Krishti u shfaqet dishepujve të Tij në Galile (21:1-14)

21:1 Tani skena lëviz në Detin e Tiberiadës (Galile). Dishepujt kishin udhëtuar në veri për në shtëpitë e tyre në Galile. Zoti Jezus i takoi ata atje. Fraza iu shfaq në këtë mënyrë nënkupton faktin që Gjoni tani do të përshkruajë mënyrën në të cilën Krishti iu shfaq atyre.

21:2 Shtatë dishepuj ishin së bashku në atë kohë – Pjetri, Thomai, Natanaeli, Jakobi dhe Gjoni (bijtë e Zebedeut) dhe dy të tjerë emrat e të cilëve ne nuk i dimë.

21:3 Simon Pjetri vendosi të shkonte për të peshkuar në liqen, dhe të tjerët ishin dakord të shkonin me të. Ky dukej një vendim mëse normal, ndonëse shumë studentë të Biblës mendojnë që ky udhëtim nuk ishte sipas vullnetit të Perëndisë dhe që ata shkuan pa u lutur për një gjë të tillë. Atë natë nuk zunë asgjë. Ata nuk ishin peshkatarët e parë që kalonin një natë pa peshkuar asgjë! Ata janë një ilustrim i padobishmërisë së përpjekjeve njerëzore pa ndihmën hyjnore, veçanërisht në çështjen e peshkimit të shpirtrave.

21:4 Jezusi ishte duke pritur për ta ndërkohë që ata ishin duke vozitur drejt bregutmëngjes, megjithëse ata nuk e njohën Atë. Ndoshta ishte ende errësirë ose ndoshta atyre u ishte ndaluar nga fuqia e Perëndisë mundësia për ta njohur Atë.

21:5 Është njësoj sikur Zoti t’u kishte bërë këtë pyetje, “Djema, a keni ndonjë gjë për të ngrënë?” Të zhgënjyer, ata iu përgjigjën “Jo.”

21:6 Me sa dinin ata, Ai ishte thjesht një i huaj që ecte përgjatë bregut. E përsëri, duke iu përgjigjur këshillës së Tij, i hodhën rrjetat në anën e djathtë të varkës dhe ja! Një sasi e madhe peshku. Aq shumë saqë ata nuk po mundnin të mbanin rrjetën! Kjo tregon që Zoti Jezus kishte njohuri të përsosur për sa i përket vendodhjes së peshqve në liqen. Nga kjo ne mësojmë gjithashtu që kur Zoti drejton shërbesën tonë, nuk ka më rrjeta bosh. Ai e di se ku janë shpirtrat gati për t’u shpëtuar, dhe Ai dëshiron të na drejtojë tek ata – nëse ne do ta lejojmë Atë.

21:7 Gjoni ishte i pari që e njohu Zotin dhe i tha menjëherë Pjetrit. Ky i fundit u mbështoll me rrobë dhe shkoi në breg. Nuk na është thënë nëse ai notoi apo eci mbi ujë (si disa sugjerojnë).

21:8 Dishepujt e tjerë kaluan nga varka e madhe e peshkimit në një varkë më të vogël vozitëse dhe tërhoqën rrjetën përgjatë dyqind kubitë largësi drejt tokës.

21:9 Shpëtimtari e kishte përgatitur tashmë mëngjesin e tyre – peshk të zjerë dhe bukë. Ne nuk e dimë nëse Zoti i kapi këta peshq, apo i siguroi me anë të një mrekullie. Por mësojmë që Ai nuk varet në përpjekjet tona të dobëta. Padyshim që në qiell ne do të mësojmë që ndërkohë që shumë njerëz u shpëtuan me anë të predikimit dhe dëshmive personale, shumë të tjerë u shpëtuan nga vetë Zoti pa ndihmën njerëzore.

21:10 Tani Ai i udhëzoi që ta tërhiqnin rrjetën me peshq – jo për t’i gatuar, por për t’i numëruar. Duke bërë këtë ata do të mbanin mend që “sekreti i suksesit qëndron në të punuarit sipas urdhërit të Tij dhe në të bindurit ndaj Fjalës së Tij.”

21:11 Bibla jep numrin e saktë të peshqve në rrjetë – njëqind e pesëdhjetë e tre. Shumë shpjegime interesante janë ofruar për sa i përket domethënies të këtij numri: (1) Numri i gjuhëve që ekzistonin në botë në atë kohë. (2) Numri i racave apo i fiseve në botë, tek të cilët do të përhapej ungjilli. (3) Numri i llojeve të ndryshme të peshqve në detin e Galilesë apo në botë. Nuk ka dyshim që ky numër flet për larminë e atyre që do të shpëtoheshin me anë të predikimit të ungjillit – disa nga çdo fis dhe komb. Peshkatarët e dinin që ishte diçka e pazakontë që rrjeta nuk ishte shqyer. Kjo është një provë e mëtejshme që tregon se “veprës së Perëndisë, e cila kryhet sipas mënyrës së Tij, nuk do t’i mungojnë kurrë burimet e Perëndisë.” Ai do të kujdeset që rrjeta të mos shqyhet.

21:12 Ftesa për mëngjes dëgjohet dhe dishepujt mblidhen rreth zjarrit për të marrë pjesë në të mirat që Zoti kishte siguruar. Pjetri duhet të ketë pasur mendimet e tij gjatë kohës që shikonte zjarrin e ndezur. Ndoshta i kujtohej zjarri pranë të cilit po ngrohej në kohën kur mohoi Zotin? Dishepujt patën një ndjenjë të çuditshme drithërime dhe serioziteti në praninë e Zotit. Aty qëndronte Ai në një trup të ringjallur. Ata kishin shumë pyetje që do të donin t’i bënin Atij. Por nuk guxuan. Ata e dinin që ishte Zoti – megjithëse patën një ndjenjë misteri mbështjellë rreth Personit të Tij.

21:13 Jezusi tani u shërbeu mëngjesin. Dhe atyre ndoshta iu kujtua një rast i ngjashëm me këtë, si për shembull, kur Ai ushqeu pesë mijë njerëz me pak bukë dhe peshq.

21:14 Kjo është e hera e tretë që Gjoni përmend shfaqjen e Jezusit ndaj dishepujve të Tij. Fakti që kishte edhe herë të tjera është i qartë nga ungjijtë e tjerë. Në këtë Ungjill, Ai u shfaqet dishepujve në mbrëmjen e ditës në të cilën u ringjall, më pas një javë më vonë, dhe tani në breg të Liqenit blu të Galilesë.

B. Restaurimi i Pjetrit (21:15-17)

21:15 Zoti së pari u kujdes për nevojat fizike të tyre. Më pas kur ishin ngrohur dhe kur kishin ngrënë, Ai u kthye nga Pjetri dhe u mor me gjërat frymërore. Pjetri e kishte mohuar publikisht Zotin tre herë. Që nga ajo kohë, ai ishte penduar dhe kishte rregulluar marrëdhënien e tij me Zotin. Në këto vargje shpallet publikisht restaurimi i Pjetrit. Dhe kjo shpallje është nga vetë Zoti.

Shpesh është thënë që në këto vargje janë përdorur dy fjalë të ndryshme për foljen dua, agapao (që është dashuria më e madhe, dhe phileo që është dashuria vëllazërore). Ne mund ta parafrazojmë vargun 15 si më poshtë: “Simon, bir i Jonas {{54}}, a më do (agapao) ti mua më shumë se sa më duan këta dishepujt e tjerë? Ai i tha, “Po Zot, Ti e di se unë të dua (phileo) me dashurinë vëllazërore.” Pjetri nuk do të mburrej më me fjalët që nuk do ta braktiste kurrë Zotin, edhe nëse gjithë të tjerët do ta bënin një gjë të tillë. Ai e kishte mësuar këtë gjë.

“Kulloti qengjat e mi,” i tha Jezusi. Një mënyrë praktike e të shprehurit të dashurisë ndaj Krishtit, është duke ushqyer ata që janë më të vegjël në tufën e Tij. Është interesante të vësh re se si biseda ka kaluar nga peshkimi në të qenurit bari. E para flet për punën e ungjillëzimit; ndërsa e dyta sugjeron mësimin dhe kujdesin baritor.

21:16 Për herë të dytë, Zoti i kërkoi Pjetrit nëse e donte. Pjetri iu përgjigj herës së dytë me një mosbesim ndaj vetes, “Ti e di që unë të dua (phileo).” Kësaj here Ai i tha, “Ki kujdes për delet e mia.” Ka dele dhe qengja në tufën e Krishtit që kanë nevojë për kujdesin e dikujt që e do Bariun.

21:17 Ashtu si Pjetri e pati mohuar Zotin tre herë, kështu atij iu dhanë tre mundësi për ta rrëfyer Atë.

Kësaj here, Pjetri iu drejtua faktit që Jezusi ishte Perëndi dhe si rrjedhim i kësaj Ai dinte gjithçka. Ai i tha për herë të tretë: Ti e di se unë të dua (phileo).” Dhe herën e fundit iu tha që ai duhet ta tregonte këtë duke ushqyer delet e Krishtit. Në këtë pjesë mësimi që duhet nënvizuar është që dashuria për Krishtin është motivi i vetëm i pranueshëm për t’i shërbyer Atij.

C. Jezusi profetizon vdekjen e Pjetrit (21:18-23)

21:18 Kur Pjetri ishte më i ri, ai kishte liri të madhe veprimi. Ai shkonte atje ku donte. Por Zoti këtu i tha atij që në fund të jetës së tij, ai do të arrestohej, lidhej dhe do të çohej drejt ekzekutimit.

21:19 Kjo shpjegon vargun 18. Pjetri do ta përlëvdonte Perëndinë duke vdekur si një dëshmor. Atij që kishte mohuar Zotin, do t’i jepej kurajo që ta jepte jetën për Të. Vargu na kujton që ne mund ta përlëvdojmë Perëndinë si në jetë ashtu edhe me vdekjen tonë. Më pas Jezusi tha, “Ndiqmë!” Ndërkohë që ka thënë këtë gjë, Ai duhet të ketë filluar të largohet.

21:20 Duket që Pjetri filloi të ndiqte Zotin dhe më pas u kthye dhe pa që edhe Gjoni po e ndiqte Atë. Këtu Gjoni ndalon për të identifikuar veten si ai që ishte mbështetur mbi kraharorin e Jezusit gjatë darkës së Pashkës dhe i kishte kërkuar emrin e tradhëtarit.

21:21 Ndërkohë që Pjetri pa Gjonin, një mendim duhet të ketë përshkuar mendjen e tij, “Po Gjoni? A do të vdesë edhe ai si një dëshmor? Ose do të jetë akoma i gjallë kur Zoti të vijë përsëri?” Ai e pyeti Zotin në lidhje me të ardhmen e Gjonit.

21:22 Përgjigjja e Zotit ishte që Pjetri nuk duhet të shqetësohej në lidhje me ditët e fundit të Gjonit. Edhe sikur ai të mbijetonte deri në Ardhjen e Dytë të Krishtit, kjo gjë nuk duhet ta shqetësonte Pjetrin. Shumë prej dështimeve në shërbesën e krishtere vijnë nga fakti se dishepujt janë më tepër të zënë me njëri tjetrin sesa me vetë Zotin.

21:23 Fjalët e Zotit u keqcituan. Ai nuk tha që Gjoni do të ishte ende i gjallë kur Ai të kthehej. Ai tha vetëm që edhe sikur të ishte kështu, përse Pjetri duhej të shqetësohej? Shumë shohin në këtë gjë domethënien e faktit që Jezusi këtu e lidhi Gjonin me Ardhjen e Tij të Dytë, dhe që Gjoni ishte ai që pati privilegjin të shkruante Zbulesën e Jezus Krishtit, duke shpjeguar kohët e fundit në detaje të mëdha.

D. Dëshmia mbyllëse e Gjonit për Jezusin (21:24-25)

21:24 Gjoni shtoi një fjalë të dëshmisë personale në lidhje me përpikmërinë e gjërave që ai pati shkruar. Të tjerët e marrin këtë si një vërtetim të pleqve të kishës në Efes për ungjillin e Gjonit.

21:25 Ne nuk kemi frikë ta marrim vargun 25 në kuptimin e tij fjalë për fjalë! Jezusi është Perëndi dhe si i tillë Ai është i pafund. Nuk ka një kufi për sa i përket domethënies së fjalëve të Tij apo për sa i përket numrit të veprave të Tij. Ndërkohë që Ai ishte këtu në tokë, Ai ende ishte Mbajtësi i të gjitha gjërave – diellit, hënës dhe yjeve. Kush mund të shpjegojë gjithçka që përfshihet në të mbajturit e universit në lëvizje? Madje edhe për mrekullitë që Ai bëri këtu në tokë ne kemi përshkrimet më të thjeshta. Në një veprim të thjeshtë shërimi, mendoni për nervat, muskujt, enët e gjakut dhe gjymtyrët e tjera që Ai kontrolloi. Mendoni për drejtimin e mikrobeve, peshqve, dhe jetës së kafshëve. Mendoni për drejtimin e Tij në çështjet e njerëzve. Mendoni për kontrollin e Tij mbi strukturat atomike të çdo materiali që gjendet në univers. A mundej vetë bota të nxinte gjithë librat për të përshkruar detaje të tilla të pafundme? Përgjigjja është një “Jo” e theksuar.

Dhe kështu ne vijmë në fund të komentarit tonë mbi ungjillin e Gjonit. Ndoshta ne kuptojmë pak më shumë përse ky ungjill është një nga pjesët më të dashura të Biblës. Zor se ka njeri që kur e lexon këtë ungjill duke menduar dhe duke u lutur, të mos bjerë përsëri në dashuri me Personin e bekuar që është paraqitur këtu.

[[54]] (21:15) Teksti kritik (NU) e quan të atin e Pjetrit Gjon në vend të Jona (gjithashtu v 16, 17).[[54]]

BIBLIOGRAFI

Godet, F. L. Commentary on the Gospel of John. Grand Rapids: Zondervan Publishing House, 1969 (Reprint of 1893, ed. , 2 vols. in one).

Hole, F. B. The Gospel of John Briefly Expounded. London: The Central Bible Truth Depot, n.d.

Ironside, H. A. Addresses on the Gospel of John. New York: Loizeaux Bros., 1956.

Jones, J. Cynddylan. Studies in the Gospel according to St. John. Toronto: William Briggs, 1885.

Kelly, William. An Exposition of the Gospel of John. London: C. A. Hammond Trust Bible Depot, 1942.

Macaulay, J. C. Obedience Unto Death: Devotional Studies in John Gospel. Grand Rapids: WM. B. Erdmans Publishing Co. 1942.

Pink, Arthur W. Exposition of the Gospel of John. Vol. III. Swengel, Pennsylvania: Bible Truth Depot, 1945.

Rainsford, Marcus. Our Lord Prays for His Own. Chicago: Moody Press, 1955.

Ryle, J. C. Expository Thoughts on the Gospels: St. John. London: James Clarke and Co. Ltd. 1957.

Tasker, R. V. G. The Gospel According to St. John. Grand Rapids: Wm. B. Erdmans Publishing Company, 1968.

Tenney, Merrill C. JOHN: The Gospel of Belief. Grand Rapids: Wm. B. Erdmans Publishing Company, 1948.

Thomas, W. H. Griffith. The Apostle John: Studies in His Life and Writings. Grand Rapids: Wm. B. Erdmans Publishing Company, 1968.

Van Ryn, A. , Meditations in John. Chicago: Moody Press, 1949.

Vine, W. E. John, His Records of Christ. London: Oliphants, 1957.

Westcott, B. F. The Gospel According to St. John. Grand Rapids: Wm. B. Erdmans Publishing Co. , 1954.


[previous][next]