Psalmi 49

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Pasuritë nuk mund të të shpëtojnë

49:1 Dëgjoni gjithë popujt, vini veshin, o banorë të botës,

49:2 qofshin njerëz të popullit dhe fisnikë, të pasur dhe të varfër tok.

49:3 Nga goja ime do të dalin fjalë diturie dhe kredhja në mendime e zemrës sime do të sjellë mirëkuptim.

49:4 Unë do ta ndjek një proverb, do ta paraqes enigmën time me harpë.

49:5 Pse duhet të kem frikë nga ditët e fatkeqësisë, kur më rrethon ligësia e kundërshtarëve të mi,

49:6 ata që kanë besim në pasuritë e tyre dhe mburren me bollëkun e pasurisë së tyre?

49:7 Asnjeri nuk mund të shpengojë kurrsesi vëllanë e tij, as t`i japë Perëndisë çmimin e shpengimit të tij,

49:8 sepse shpengimi i shpirtit të tij është shumë i shtrenjtë, dhe çmimi i saj nuk do të mjaftonte kurrë,

49:9 për të bërë që ai të jetojë përjetë dhe të mos shohë gropën.

49:10 Në fakt të gjithë shohin që njerëzit e urtë vdesin dhe që po në atë mënyrë vdesin njerëzit e pamend a mendjeshkurtër, duke ua lënë të tjerëve pasuritë e tyre.

49:11 Me mendjen e tyre ata pandehin se shtëpitë e tyre do të qëndrojnë për gjithnjë, që banesat e tyre janë të përjetshme; dhe kështu u vënë tokave emrin e tyre.

49:12 Megjithatë edhe njeriu që jeton në mes të pasurive nuk e ka të gjatë; ai është njëlloj si kafshët që mbarojnë.

49:13 Kjo është sjellja e njerëzve pa mend dhe e atyre që u shkojnë dhe miratojnë fjalimet e tyre. (Sela)

49:14 Shtyhen si dele në drejtim të Sheolit; vdekja do t`i përpijë dhe në mëngjes njerëzit e drejtë do të sundojnë mbi ta. Luksi i tyre do të marrë fund në Sheol, larg banesës së tyre.

49:15 Por Perëndia im do ta shpengojë shpirtin tim nga pushteti i Sheolit, sepse ai do të më pranojë. (Sela)

49:16 Mos kij frikë kur dikush pasurohet, kur lavdia e shtëpisë së tij rritet,

49:17 sepse kur do të vdesë, nuk do të marrë asgjë me vete; lavdia e tij nuk do të zbresë pas tij.

49:18 Edhe në se në jetë e ndjente veten të lumtur (në fakt njerëzia të lavdëron kur pasurohesh),

49:19 ai do të arrijë brezin e etërve të tij, që nuk do ta shohin kurrë më dritën.

49:20 Njeriu që jeton në mes të pasurive pa pasur gjykim është njëlloj si kafshët që zhduken.

[previous][next]