Ungjilli sipas Markut

Ekziston një freski dhe një forcë rreth Markut që e mbërthen lexuesin e krishterë dhe e bën atë dëshirues që të shërbejë disi sipas shembullit të Zotit të Tij të bekuar.August Van Ryn

I. Vend i pashembullt në Kanun

Meqenëse Marku është Ungjilli më i shkurtër dhe rreth nëntëdhjetë përqind e materialit të tij gjendet edhe te Mateu, Luka ose te të dy, çfarë kontributi jep ai që ne të mos mund të bëjmë pa të?

Para së gjithash, karakteri i shkurtër dhe thjeshtësia gazetareske e Markut e bëjnë Ungjillin e tij një hyrje ideale për te besimi i krishterë. Në fusha të reja misionare, shpesh Marku është i libri i parë që përkthehet në një gjuhë të re.

Nuk është thjesht stili i drejtpërdrejtë dhe veprues, i përshtatshëm sidomos për romakët dhe homologët e tyre të kohës së sotme, por është edhe përmbajtja ajo që e bën të veçantë Ungjillin e Markut.

Ndërsa Marku trajton kryesisht të njëjtat ngjarje si Mateu dhe Luka, me përjashtim të disa ngjarjeve të vetme, ai ka detaje të larmishme që të tjerët s’i kanë. Për shembull, ai përmend mënyrën se si Jezusi i vështroi dishepujt, rastet kur Ai u zemërua, dhe se si Ai eci drejt rrugës për në Jeruzalem. Pa dyshim që këto hollësi Marku i mori nga Pjetri, me të cilin ai u shoqërua në fund të jetës së Pjetrit. Tradita, ndoshta me të drejtë, thotë se Ungjilli i Markut kryesisht është i përbërë nga kujtimet e Pjetrit, të cilat do të shpjegonin detajet vetjake, veprimin dhe efektin sypamës të librit.

Ekziston një mendim i përgjithshëm se Marku është i riu që ia mbathi lakuriq (Mr. 14:51) dhe se kjo është firma e tij modeste në libër (në fillim, titujt e Ungjijve nuk ishin pjesë e vetë librave). Meqenëse Gjon Marku jetoi në Jeruzalem dhe nuk ka asnjë arsye për ta treguar këtë histori të vogël nëse i riu nuk është i lidhur me Ungjillin në ndonjë farë mënyre, tradita ka të ngjarë të ketë të drejtë.

II. Autorësia

Shumica e autorëve pranojnë opinionin e hershëm dhe të njëzëshëm të Kishës se Ungjilli i Dytë ishte shkruar nga Gjon Marku. Ai qe biri i Marisë nga Jeruzalemi, që kishte një shtëpi atje, të cilën të krishterët e përdorën si vend takimesh.

Dëshmia e jashtme për këtë është e hershme, e fuqishme dhe nga pjesë të ndryshme të perandorisë. Papias (rreth vitit 110 pK) citon Gjonin, Plakun (ndoshta Apostulli Gjon, megjithëse besohet të ketë qenë një tjetër dishepull i hershëm) duke thënë se Marku, shoqëruesi i Pjetrit, e shkroi atë. Justin Martiri, Ireneu, Tertuliani, Klementi i Aleksandrisë, Origeni dhe Prologu Anti-Marcione janë të gjithë të një mendjeje për Markun.

Dëshmia e brendshme për autorësinë e Markut, ndërsa nuk ka përmasa të gjera, përputhet me këtë traditë universale të krishterimit të hershëm

Shkrimtari sigurisht që e njihte mirë Palestinën e sidomos Jeruzalemin. Përshkrimi në lidhje me dhomën e sipërme është më i hollësishëm se sa në Ungjijtë e tjerë. Nuk është për t’u çuditur nëse ajo ishte në shtëpinë e djalërisë së tij! Ungjilli tregon një farë sfondi aramaik (gjuha e Palestinës), zakonet judaike janë të kuptueshme dhe gjallëria e tregimit të sugjeron lidhje të ngushta me një sypamës. Skema e përmbajtjes së librit shkon parallel me predikimin e Pjetrit te Veprat 10.

Tradita se Marku shkroi në Romë është e ilustruar nga numri më i madh i fjalëve latine tek Ungjilli i tij se sa te të tjerët (p.sh. centurion, census, denarius, legion dhe praetorium).

Në DhR, autori ynë përmendet dhjetë herë me emrin e tij pagan (latin) Mark dhe tri herë me emrin e tij të kombinuar judeas dhe pagan Gjon Mark. Marku, “shërbëtori” ose shoqëruesi i Palit në fillim, më pas i Barnabës, kushëririt të tij dhe, sipas traditës së besueshme, i Pjetrit para vdekjes së tij, ishte një person ideal për të shkruar Ungjillin e Shërbëtorit të Përsosur.

III. Data

Data e Markut është debatuar edhe nga studiuesit konservatorë që besojnë në Biblën. Ndërsa nuk mund të caktohet asnjë datë me siguri, është sugjeruar një datë përpara shkatërrimit të Jeruzalemit.

Tradita është e ndarë mbi faktin nëse Marku e shkroi predikimin e Pjetrit mbi jetën e Zotit tonë para vdekjes së apostullit (para viteve 64-68) apo mbas kalimit të tij.

Sidomos nëse Marku është Ungjilli i Parë i shkruar, sikurse shumica mësojnë tani, një datë e hershme është e nevojshme në mënyrë që Luka të kishte përdorur materialin e Markut. Disa studiues e datojnë Markun në vitet 50, por një datë nga vitet 57-60 duket mjaft e mundshme.

IV. Sfondi dhe tema

Në këtë Ungjill ne kemi historinë e mrekullueshme të Shërbëtorit të Përsosur të Perëndisë, të Zotit tonë Jezus Krisht. Ajo është historia e Njërit që vuri mënjanë paraqitjen e jashtme të lavdisë së Tij në qiell dhe mori trajtën e një Shërbëtori mbi tokë (Filipianeve 2:7). Ajo është historia e pamasë e Njërit që “nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e Tij si çmim për shpengimin e shumë vetave” (Mr. 10:45).

Në qoftë se ne kemi parasysh se ky Shërbëtor i Përsosur s’ishte kush tjetër veçse Perëndia Bir dhe se me dëshirë Ai u vesh me përparësen e një skllavi duke u bërë një Shërbëtor i njerëzve, Ungjilli do të shkëlqejë me një vezullim të vazhdueshëm. Këtu ne shohim Birin e mishëruar të Perëndisë duke jetuar në varësi si një Njeri mbi tokë. Çdo gjë që Ai bëri ishte në bindje të përsosur ndaj vullnetit të Atit të Tij. Të gjitha veprat e fuqishme të Tij u kryen në fuqinë e Frymës së Shenjtë.

Autori, Gjon Marku, ishte një shërbëtor i Zotit që filloi mirë, pati një rënie për një farë kohe (Veprat e Apostujve 15.38) e në fund u përtëri për të qenë i dobishëm (2 Tim. 4:11).

Stili i Markut është i shpejtë, energjik dhe i përmbledhur. Ai thekson veprat e Zotit më shumë sesa fjalët e Tij, dëshmuar nga fakti se ai regjistron nëntëmbëdhjetë mrekulli dhe vetëm katër shëmbëlltyra.

Ndërsa studiojmë Ungjillin, ne do të përpiqemi të zbulojmë tri gjëra: (1) Çfarë thotë?; (2) Çfarë do të thotë?; (3) Çfarë mësimi ka në të për mua? Për të gjithë ata që dëshirojnë të jenë shërbëtorë të vërtetë dhe besnikë të Zotit, ky Ungjill do të jetë një udhëzues i vlefshëm shërbimi.

PËRMBLEDHJE

I. PËRGATITJA E SHËRBËTORIT (1:1-13)
II. SHËRBESA E HERSHME GALILEASE E SHËRBËTORIT (1:14-3:12)
III. THIRRJA E SHËRBËTORIT DHE STËRVITJA E DISHEPUJVE (3:13-8:38)
IV. UDHËTIMI I SHËRBËTORIT PËR NË JERUZALEM (Kapitujt 9, 10)
V. SHËRBESA E SHËRBËTORIT NË JERUZALEM (Kapitujt 11, 12)
VI. FJALIMI I SHËRBËTORIT NË MALIN E ULLINJVE (Kapitulli 13)
VII. MUNDIMET DHE VDEKJA E SHËRBËTORIT (Kapitujt 14, 15)
VIII. NGADHËNJIMI I SHËRBËTORIT (Kapitulli 16)

[previous][next]