A është rezervuar arsyetimi biblik për një elitë?


ÇFARË DASHURIE ËSHTË KJO?

KALVINISTËT THEKSOJNË se teologjia e tyre mbështetet në interpretime të forta biblike, duke qenë «e mbështetur fort […] në Fjalën e Perëndisë»{{1}}. Disa kanë shkuar deri në atë pikë, saqë pohojnë se «ky mësim mbahej si i vërtetë nga apostujt»{{2}} dhe madje se «Krishti i mësoi ato doktrina që sot njihen si pesë pikat e kalvinizmit»{{3}}.

Megjithatë sipas vetë Biblës askush nuk duhet të pranojë pohime të tilla pa i verifikuar ato në Shkrimet e Shenjta. Çdo doktrinë që pretendon se mbështetet në Bibël duhet të shqyrtohet me kujdes në dritën e Biblës: një zgjedhje kjo e hapur për këdo që njeh Fjalën e Perëndisë. Të mbështetesh në një ekspert që supozohet biblik për një vlerësim të mendësive të një tjetri do të thotë të rrotullohesh në vend. Pavarësisht se mendësia e kujt pranohet, rezultati përfundimtar do të jetë i njëjtë: mbetemi akoma peng i mendësisë njerëzore. Cilido njeri duhet të kontrollojë personalisht çdo mendësi drejtpërdrejt nga Bibla. Megjithatë, më kanë këshilluar të rri në heshtje mbi bazën se vetëm ata që kanë kualifikim të veçantë janë kompetentë të shqyrtojnë kalvinizmin në dritën e Biblës, një ide që në vetvete bie ndesh me Shkrimet.

Banorët e qytetit të Bereas, edhe pse jobesimtarë kur Pali u predikoi për herë të parë ungjillin, rrinin «duke i shqyrtuar çdo ditë Shkrimet për të parë nëse këto gjëra [që Pali predikoi] ishin ashtu» (Veprat e Apostujve 17:11) dhe ata u lavdëruan si «fisnikë» për këtë. Megjithatë krerët kalvinistë ngulin këmbë se duhet përgatitje e veçantë (dhe në dukje e gjatë) për këdo që të bëhet i kualifikuar të shqyrtojë këtë doktrinë të çuditshme nën dritën e Biblës. Pse?

Në fund të fundit, vetë Bibla pohon se një «i ri» mund të kuptojë mësimet e saj dhe kështu «të bëjë rrugën e tij të pastër» (Psalmi 119:9). Madje edhe një fëmijë mund të njohë Shkrimet e Shenjta përmes mësimit nga një nënë e një gjyshe (2 Timoteut 1:5; 3:15). Me siguri që Timoteu nuk ishte një teolog i përgatitur në një seminar, megjithatë Pali e konsideroi kompetent të studionte dhe «të ndante drejt» Fjalën e Perëndisë. Nëse do të duhej njohuri e veçantë për të ekzaminuar kalvinizmin në dritën e Shkrimeve, kjo është një provë e mjaftueshme që kjo doktrinë e çuditshme nuk vjen nga një interpretim i vlefshëm biblik. Asgjë aq enigmatike, nga vetë përkufizimi, nuk mund të dalë nga Bibla, e cila vetë pohon se është shkruar për të thjeshtët:

Shikoni në fakt thirrjen tuaj, vëllezër, sepse ndër ju ka jo shumë të ditur sipas mishit, jo shumë të fuqishëm, jo shumë fisnikë, por Perëndia ka zgjedhur gjërat e marra të botës për të turpëruar të urtët; dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat e dobëta të botës për të turpëruar të fortët; dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat jo fisnike të botës dhe gjërat e përçmuara, edhe gjërat që nuk janë, për të asgjësuar ato që janë, që asnjë mish të mos mburret përpara tij (1 e Korintasve 1:26-29).

A është kalvinizmi kaq i vështirë për t’u kuptuar?
Shumë miq, sinqeriteti i dukshëm i të cilëve është vlerësuar shumë, po më thoshin se pavarësisht nga citimet e mia të drejtpërdrejta që iu bëja shkrimeve të Xhon Kalvinit, si edhe citimeve të krerëve kalvinistë sot, do e shtrembëroja gjithsesi kalvinizmin, sepse nuk e kuptoja. Edhe pas një diskutimi të hollësishëm për tri orë me miq kalvinistë, përsëri ata më thanë: «Ti nuk e kupton kalvinizmin». Atëherë ç’mund të themi për pohimin se kalvinizmi është ungjilli dhe krishterimi i vërtetë? A mund ta kenë keqkuptuar disi ungjillin dhe krishterimin mori ungjillorësh të pjekur e të frytshëm?

A duhet të mbetet kalvinizmi një mister për të krishterin e thjeshtë? Ky fakt, nëse është i vërtetë, do të ishte një provë tjetër që kalvinizmi nuk ka dalë nga Shkrimet. Si mund të dalë diçka kaq e ndërlikuar nga ajo që çdo person është i aftë të meditojë ditë e natë (Psalmi 1:1, 2)? Nëse ushqimi themelor që siguron Fjala e Perëndisë duhet të jetë mbështetja e përditshme e njeriut për jetën frymërore (Ligji i Përtërirë 8:3), a mund të jetë me të vërtetë kalvinizmi ungjilli dhe krishterimi biblik dhe në të njëjtën kohë të jetë kaq i vështirë për të kuptuarit e të krishterit të thjeshtë?

Pse duhet të jetë kalvinizmi një lëndë kaq e ndërlikuar dhe e fshehtë në dukje e cila do të kërkonte vite për ta kuptuar? Një qëndrim i tillë mund të bëjë që shumë të tërhiqen për të pranuar një besim të tillë vetëm sepse ai pranohet nga një grup i gjerë teologësh shumë të respektuar dhe udhëheqësish ungjillorë. Me siguri pjesa më e madhe e kalvinistëve janë të krishterë të zakonshëm. Mbi ç’bazë, atëherë, pa ekspertizë dhe pa studim të thellë, që nga ç’thonë më mungonte, janë ata të aftë ta kuptojnë dhe ta pranojnë?

Për sa i përket familjarizimit me kalvinizmin, ka me siguri burime më tepër se të mjaftueshme në dispozicion të kujtdo që është me të vërtetë i interesuar për t’i konsideruar. Libra të shumtë mbi këtë temë janë të mundshme për t’u lexuar, si pro ashtu edhe kundër. «Pesë pikat e kalvinizmit» nga Edvin H. Palmeri (Edwin H. Palmer), si edhe ato nga R. C. Sprouli, Xhon Pajpëri, Xhon MekArturi (John MacArthur), A. W. Pinku (A. W. Pink), C. H. Spërxhëni dhe të tjerë, rekomandohen së tepërmi nga krerët kalvinistë. Vepra «Parimet e fesë së krishterë» e Kalvinit, bashkë me shkrimet e tjera të tij dhe ato të Agustinit e Xhon Noksit, si dhe klasikë të tjerë, janë gjithashtu në dispozicion të lexuesit. Nga ana tjetër, librat nga Samuel Fisku (Samuel Fisk) janë informues. Vepra «Faqja tjetër e kalvinizmit» e Laurens M. Vansit (Laurence M. Vance) është një trajtim i stërholluar me më shumë se 700 faqe, me qindra shënime fundore që dokumentojnë citimet e tij.

Siguria e përpikërisë dhe paanësisë

Për t’u siguruar që në këtë libër të mos gjendej asnjë interpretim i gabuar i doktrinave në shqyrtim, u është paraqitur një dorëshkrim paraprak një sërë miqve dhe të njohurve kalvinistë për kritikat e tyre. Duke lexuar dhe diskutuar me ta komentet e tyre të vlefshme, për të cilat jam thellësisht mirënjohës, ka qenë një edukim në vetvete. Në këtë proces, doli më e qartë se edhe kalvinistët nuk pajtohen në çdo gjë midis tyre.

Një sërë kritikësh më kanë fajësuar për mospranimin e «korrigjimeve» të ofruara nga kalvinistët, të cilat ata, sigurisht, i konsiderojnë medoemos të vërteta. Përkundrazi, e kam konsideruar me kujdes (edhe pse s’kam pranuar) çdo këshillë, edhe pse kalvinistët kundërshtojnë shpesh njëri-tjetrin (dhe madje vetë Kalvini) dhe disa akuzojnë të tjerët si «hiperkalvinistë». Secili prej nesh duhet të arrijë vetë në një përfundim dhe ky libër flet për ndryshimet serioze që shumë prej nesh kanë me kalvinistët rreth interpretimit të pjesëve kyç të Shkrimit.

Shumë kalvinistë (por jo të gjithë) janë të një mendje për pesë pikat kryesore. Disa ngulin këmbë se ka dhjetë ose më tepër pika të rëndësishme. Palmeri (Palmer) sugjeron: «Kalvinizmi nuk kufizohet në pesë pika: ai ka mijëra pika»{{4}}. Nuk është e mundur që ne t’i shqyrtojmë të gjitha këto pika në këto faqe! Vetë Palmeri trajton vetëm pesë.

Ka një sërë mospërputhjesh midis kalvinistëve «pesë-pikësh» e «katër-pikësh». Për shembull, Levis Speri Shafer (Lewis Sperry Chafer), themelues i Seminarit Teologjik të Dallasit e quan veten kalvinist «katër-pikësh», sepse refuzon shlyerjen e kufizuar{{5}}. Vansi tregon se «shumë baptistë në Shoqërinë e Përgjithshme të Kishave Sistematike Baptiste janë kalvinistë katër-pikësh»{{6}}. Megjithatë, mohimi i një pike ndërsa pranohen katër të tjerat është quajtur nga kalvinistët pesë-pikësh «mospërputhje e bekuar». Ata janë të saktë. Do të shohim se secila pikë është një pasojë e logjikshme e atyre që e paraprijnë. Nuk është e mundur të jesh kalvinist dhe të përkrahësh logjikisht e sistematikisht më pak se të pesë pikët.

Prandaj ne pajtohemi me pohimin e shpallur gjerësisht se një person «duhet të mbajë të pesë pikat e kalvinizmit»{{7}}, sepse «pesë pikat e kalvinizmit lidhen së bashku. Ai që pranon njërën prej pikave do të pranojë pikat e tjera»{{8}}. Megjithatë, edhe ata që janë në një mendje për të pesta kanë mënyra të ndryshme të kuptimit dhe mbrojtjes së tyre.

Sigurisht, nuk mund të trajtojmë çdo larmi mendësie në këtë libër, por do t’i qepemi asaj që pranon pjesa më e madhe për sa i përket paraqitjes së besimeve të tyre. Disa kalvinistë padisin të tjerët se janë hiperkalvinistë, një etiketim që është i vështirë për t’u përkufizuar. Ne do të përpiqemi të tregojmë pjesën më të madhe të besimeve kalviniste sa më qartë të të jetë e mundshme.

Për sa i përket përpikërisë do të citojmë jo vetëm Kalvinin, por edhe nga shkrimet e shumë kalvinistëve që konsiderohen së tepërmi nga kolegët e tyre. Një libër që e citojmë shpesh është «Liria e poçarit» nga apologjeti Xhejms R. Uajt (James R. White), i cili është nënshkruar nga një sërë udhëheqësish ungjillorë të ditëve tona. Ai është një burim mjaft i vlefshëm, sepse është shkruar në mënyrë të veçantë për t’iu përgjigjur kundërshtimeve të Norman Gajslerit (Norman Geisler) ndaj disa pikave të kalvinizmit trajtuar në librin e tij më të fundit «Të zgjedhur, por të lirë». Duhet të ketë së tepërmi citime nga burime autoritare për lexuesin që dëshiron të kontrollojë këto referime për t’u siguruar plotësisht se kalvinizmi po paraqitet pa anësi.

Një thirrje për diskutim të hapur

Paranjohja e Perëndisë, paracaktimi/zgjedhja, zgjedhje njerëzore, sovraniteti i Perëndisë dhe përgjegjësia e njeriut supozohen gjerësisht si mistere përtej aftësisë sonë për t’i harmonizuar. Prandaj, disa ngulin këmbë se këto koncepte duhet të pranohen pa asnjë përpjekje për të kuptuar apo pajtuar konflikte në dukje të tilla. Ilustrimi që përdoret shpesh është që kur ne i afrohemi portës së qiellit, shohim të shkruar në të: «Kushdo le të vijë», por pasi kemi hyrë, shohim nga brenda fjalët: «Zgjedhur në Të përpara se të themelohej bota». Ne i respektojmë drejtuesit e shumë të kishave që vazhdojnë të ofrojnë një shpjegim të tillë sikur ky të jetë i mjaftueshëm. Megjithatë, ka disa arsye detyruese për të mos pranuar këtë pozicion popullor.

Para së gjithash, qëllimi i Perëndisë për ne është që ne të kuptojmë Fjalën e Tij dhe jo të mbjellë «mister» në pjesë jetësore të saj. Ai e ka dhënë atë që ne të mësojmë. Për Fjalën e Perëndisë psalmisti thotë: «Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim» (Psalmi 119:105) dhe këtë qëllim e ka edhe për ne sot. Pjetri pranoi se ka disa «gjëra të vështira për t’u kuptuar, të cilat të paditurit dhe të paqëndrueshmit i shtrembërojnë, sikurse bëjnë me Shkrimet e tjera, për përhumbjen e tyre» (2 Pjetrit 3:16). Megjithatë, Perëndia nuk propozon kurrë që një pjesë të Fjalës së Tij ne nuk duhet të përpiqemi ta kuptojmë plotësisht. Duke qenë se shumë pjesë në Shkrimet i kushtohen temave të vështira që do të shikojmë, ne mund të presim me besim që Bibla vetë do të qartësojë këtë çështje.

Së dyti, historia e kishës nga fillimet e saj më të hershme është përfshirë në ndryshime të thella mendësish në shumë tema jetësore, përfshi vetë ungjillin. Janë zhvilluar herezi të shumta shkatërruese dhe janë kundërshtuar me guxim. As Krishti as apostujt e Tij nuk i konsideronin pikëpamjet e kundërta në gjërat thelbësore të ungjillit si normale apo të pranueshme, por i urdhëronin besimtarët: «Të luftoni[n] [me zell] për besimin, që u qe transmetuar shenjtorëve një herë e përgjithmonë» (Juda 1:3). Ky urdhërim vlen edhe për ne sot.

Së treti, vështirë se Zoti ynë do të na e ndalojë që ne ta konsiderojmë dhe kuptojmë seriozisht paranjohjen dhe zgjedhjen/paracaktimin, po ashtu edhe përgjegjësinë e njeriut dhe se si përputhen të gjitha këto në hirin sovran të Perëndisë. Edhe pse mund të mos e shohim kurrë tërë trupin e Krishtit në përputhje të plotë, secili prej nesh është përgjegjës të kuptojë këto çështje sa më qartë që të jetë e mundur, përmes studimit të zellshëm dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin në këtë proces.

Së fundi, Perëndia na bën thirrje ta ndjekim Atë që të mund ta njohim, edhe pse udhët dhe mendimet e Tij janë shumë më të larta se tonat «ashtu si qiejtë janë më të lartë se toka» (Isaia 55:8, 9). Me siguri, ndërsa njohim më tepër Perëndinë, do të kuptojmë Fjalën dhe vullnetin e Tij më tepër. Perëndia është Shpëtimtari ynë; ta njohësh Atë është jeta e përjetshme (Gjoni 17:3). Të njohësh Perëndinë duhet të përfshijë një kuptim të thellë të gjithçkaje që Ai na ka zbuluar për në në Fjalën e Tij.

Ne duhet të jetojmë, ashtu siç ka thënë Krishti (duke cituar deklaratën e Tij dhënë Izraelit si UNË JAM-i përmes Moisiut te Ligji i Përtërirë 8:3), jo «vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë» (Mateu 4:4). Salomoni ka thënë: «Çdo fjalë e Perëndisë është rafinuar me zjarr» (Fjalet e Urta 30:5; theksimi i shtuar).

Atëherë duhet të konsiderojmë dhe të kërkojmë me kujdes të kuptojmë çdo fjalë.

Arsyeja më bindëse

Është një supozim i përgjithshëm se, pavarësisht nga mospajtimet e tjera që mund të kemi, kur kemi të bëjmë me ungjillin e shpëtimit tonë si të kalvinistëve dhe jokalvinistëve, jemi në pajtim të plotë. Disa kalvinistë, megjithatë, nuk pajtohen me këtë, duke pohuar (ashtu siç tashmë kemi parë) se ungjilli biblik është kalvinizmi. Për shembull: «Plani i Perëndisë për shpëtimin i zbuluar në Shkrimet ka të bëjë me atë që njihet gjerësisht si pesë pikat e kalvinizmit»{{9}}. Lorein Boetneri (Loraine Boettner) pohon: «Përparësia e madhe e besimit të reformuar është se në skeletin e pesë pikave të kalvinizmit shpaloset qartësisht ajo që Bibla mëson rreth udhës së shpëtimit»{{10}}. Të tjerë ngulin këmbë se «nëse nuk njeh pesë pikat e kalvinizmit, nuk njeh ungjillin, por një shtrembërim të tij…»{{11}}. B. B. Uorfildi (B. B. Warfield) pohon: «Kalvinizmi është ungjillëzim në shprehjen e tij më të pastër dhe të vetme të qëndrueshme»{{12}}.

Pohime të tilla se pesë pikat e kalvinizmit formojnë ungjillin i ngrenë shqetësimet rreth kalvinizmit në një nivel të ri! Nëse nevojitet një studim i veçantë për të kuptuar kalvinizmin dhe nëse vite të tëra studimi të Biblës do e lënë dikë të paditur mbi këtë temë, dhe nëse kalvinizmi është ungjilli i shpëtimit tonë, atëherë ku i çon turmat që mendojnë se janë të shpëtuar, por janë të paditur për kalvinizmin? Kjo pyetje mund të duket përçarëse, por nuk mund të lihet pas dore.

Një çështje tjetër e rëndë ngrihet rreth shpalljes së ungjillit në tërë botën ashtu si ka urdhëruar Krishti. Kalvinistët ngulin këmbë se doktrina e tyre nuk e zvogëlon zellin me të cilën duhet të predikohet ungjilli. Për të mbështetur këtë pohim, ata përmendin disa nga predikuesit dhe misionarët e mëdhenj të cilët kanë qenë kalvinistë të patundur, si Xhorxh Uajtfildin (George Whitefield), Adinoram Xhudsonin (Adoniram Judson), Uilliam Kerin (William Carey) e të tjerë. Dhe është e vërtetë se, edhe pse ata e dinë se shumë prej atyre të cilëve u predikojnë nuk janë midis të zgjedhurve, megjithëkëtë disa kalvinistë predikojnë me zell në mënyrë që të zgjedhurit të dëgjojnë e të besojnë.

Megjithatë, me siguri zelli i këtyre burrave dhe grave në shpalljen e ungjillit rreth botës nuk mund të jetë për shkak të kalvinizmit të tyre, por vetëm pavarësisht nga ai. Të besosh se ata që do të shpëtohen kanë qenë të paracaktuar për shpëtim nga dekreti i Perëndisë, dhe se askush tjetër nuk mund të shpëtohet, dhe se të zgjedhurit duhet të rilindin me anë të veprës sovrane të Perëndisë pa ungjillin apo ndonjë bindje nga ndonjë predikues tjetër, apo nëpërmjet besimit në Perëndinë nga ana e tyre, zor se gjen shtysa për predikim të zellshëm të ungjillit. Sado që ndonjë kalvinist mund të përpiqet të argumentojë të kundërtën, një besim i tillë vetëm sa e zbut zellin që një person i arsyeshëm mund të ketë, për të fituar të humburit me ungjillin e hirit të Perëndisë në Krishtin.

Përballja me një dilemë të vërtetë

Ungjilli që Pjetri, Pali dhe apostujt e tjerë predikuan ishte për këdo nga njerëzit që takuan, kudo ku shkuan. Ai nuk ishte një mesazh që vetëm të zgjedhurit mund të besonin. Pjetri i tha Kornelit, familjes dhe miqve të tij: «Tani ai [Krishti] na urdhëroi t’i predikojmë popullit [jo një grupi të zgjedhur] […] që kushdo [midis njerëzve të cilëve u predikoi] që beson në të merr faljen e mëkateve me anë të emrit të tij» (Veprat e Apostujve 10:42, 43).

Përkundrazi, ungjilli i Kalvinit thotë se Krishti vdiq dhe gjaku i tij shlyen vetëm mëkatet e të zgjedhurve. A mund të jetë ky i njëjti ungjill me atë që predikoi Krishti? Pali u shpalli dëgjuesve të tij: «Dhe ne po ju shpallim [të gjithëve] lajmin e mirë…» (Veprat e Apostujve 13:32). «Lajmin e mirë» të ungjillit që Pali predikoi jehoi atë që engjëlli i Zotit u kishte thënë barinjve në kohën e lindjes së Krishtit: «Unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin…» (Luka 2:10). Ky lajm gëzimi i madh kishte të bënte me faktin se «Shpëtimtari i botës» (Luka 2:11; Gjoni 4:42) kishte lindur.

Megjithatë ungjilli i Kalvinit thotë se Krishti nuk është Shpëtimtari i botës, por vetëm i të zgjedhurve. Si mund të jetë ky mesazh «lajm i një gëzimi të madh» për ata të cilët Shpëtimtari nuk erdhi për t’i shpëtuar dhe për mëkatet e të cilëve refuzoi të vdiste?

Pali mund t’i fliste dhe i foli me ndershmëri çdokujt që takoi: «Krishti vdiq për ty». Krejt ndryshe nga kjo, një libër rreth këshillimit biblik që ua kemi rekomanduar për një kohë të gjatë lexuesve pohon: «Si i krishterë i reformuar, shkrimtari [autori] beson se këshilltarët nuk duhet t’i thonë çdo të interesuari të pashpëtuar se Krishti vdiq për të, sepse ata nuk mund ta thonë këtë. Askush nuk e di përveç Krishtit vetë se kush janë të zgjedhurit e Tij për të cilët Ai vdiq» (theksimi i shtuar){{13}}.

Autori e quan vetën «i krishterë i reformuar». Çfarë mund të thotë kjo? Sigurisht, mesazhi i Kalvinit për shpëtimin e një grupi të zgjedhur nuk i sjell «gëzim të madh» «tërë njerëzve».

Palmeri shkruan: «Por lavdi Perëndisë që vdekja e Krishtit ishte një garanci absolute që secili prej të zgjedhurve të mund të shpëtohet»{{14}}. Pra, gëzimi i madh është vetëm për të zgjedhurit! Për sa u përket të tjerëve, doktrina e Kalvinit se Perëndia ka paracaktuar dënimin e tyre zor se është «lajm i një gëzimi të madh»! Ja se si shkruan Kalvini:

Për shumë kjo duket një temë turbulluese, sepse e mendojnë të papajtueshme se pjesa më e madhe e njerëzimit të mund të paracaktohej për shpëtim dhe të tjerët për shkatërrim…. Nga kjo ne dalim në përfundimin, se të gjithë ata që nuk dinë se janë njerëzit e veçantë të Perëndisë, duhet të çlirohen nga drithërima e vazhdueshëm…{{15}}.

Çfarë ungjilli është ky që është shkak gëzimi vetëm për disa? Ky nuk mund të jetë ungjilli biblik që shpallën engjëjt! Për shkak të rëndësisë së përjetshme të kësaj pyetjeje për tërë botën për të cilën Krishti na urdhëroi t’ia çojnë ungjillin, detyrohemi të shqyrtojmë nga afër kalvinizmin nën dritën e Shkrimeve. A mund të jetë e vërtetë, ashtu siç ngul këmbë Artur C. Kustansi (Arthur C. Custance), se «kalvinizmi është ungjilli dhe të mësosh kalvinizmin do të thotë në fakt të predikosh Ungjillin»{{16}}?

A mbështetet kalvinizmi nga teksti i qartë i Shkrimeve? Apo mos duhet që edhe fjalë dhe shprehje të thjeshta, si: të gjithë, tërë njerëzit, botën, kushdo që ka etje, çdo njeri dhe kushdo që të dojë, t’i interpretojmë si «të zgjedhurit»? A duhet një interpretim i veçantë i Shkrimeve për të mbështetur këtë doktrinë?

Shqetësimi ynë është për mbrojtjen e karakterit të Perëndisë së vërtetë, Perëndisë së mëshirës e të dashurisë, i cili është «plot dhembshuri për të gjitha veprat e tij» (Psalmi 145:9). Bibla pohon se Ai «nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim» (2 Pjetrit 3:9); «i cili dëshiron që gjithë njerëzit të shpëtohen dhe t’ia arrijnë njohjes të së vërtetës» (1 Timoteut 2:4). I tillë është Perëndia i Biblës, nga Zanafilla deri te Zbulesa.

Shqyrtimi dhe diskutimi i hapur i çështjeve të rëndësishme – sidomos i ungjillit dhe natyrës dhe karakterit të Perëndisë – mund të jenë të shëndetshme për trupin e Krishtit. Lutja ime është që shqyrtimi ynë i kalvinizmit dhe krahasimi i tij me Fjalën e Shenjtë të Perëndisë, ashtu siç shprehet në faqet që vijojnë, të sjellë qartësim të dobishëm e të nevojshëm.

[[1]]W. J. Seaton, The Five Points of Calvinism (Carlisle, PA: The Banner of Truth Trust, 1970), 8.[[1]][[2]]Jimmie B. Davis, The Berea Baptist Banner, 5 shkurt 1995, 30.[[2]][[3]]Mark Duncan, The Five Points of Christian Reconstruction from the Lips of Our Lord (Edmonton, AB: Still Waters Revival Books, 1990), 10.[[3]][[4]]Edwin H. Palmer, parathënie e pesë pikave të kalvinizmit (Grand Rapids, MI: Baker Books, botim i zgjeruar, 20th prtg. 1999), I.[[4]][[5]]Lewis Sperry Chafer, Systematic Theology (Dallas, TX: Dallas Seminary Press, 1948), 3:184.[[5]][[6]]Laurence M. Vance, The Other Side of Calvinism (Pensacola, FL: Vance Publications, botim i përmirësuar 1999), 147.[[6]][[7]]Charles W. Bronson, The Extent of the Atonement (Pasadena, TX: Pilgrim Publications, 1992), 19.[[7]][[8]]Palmer, five points, 27.[[8]][[9]]Leonard J. Coppes, Are Five Points Enough? The Ten Points of Calvinism (Denver, CO: Botim i autorit, 1980), 55.[[9]][[10]]Loraine Boettner, The Reformed Faith (Phillipsburg, NJ: Presbyterian and Reformed Publishing Co., 1983), 24.[[10]][[11]]Fred Phelps, “The Five Points of Calvinism” (The Berea Baptist Banner, 5 shkurt 1990), 21.[[11]][[12]]Benjamin B. Warfield, Calvin and Augustine, botim i. Samuel G. Craig (Phillipsburg, NJ: Presbyterian and Reformed Publishing Co., 1956), 497.[[12]][[13]]Jay E. Adams, Competent to Counsel (Grand Rapids, MI: Baker Book House, 1970), 70.[[13]][[14]]Palmer, five points, 92.[[14]][[15]]John Calvin, Institutes of the Christian Religion, përkthim Henry Beveridge (Grand Rapids, MI: Wm. Eerdmans Publishing Company, botim i 1998), III: xxi, 1.[[15]][[16]]Arthur C. Custance, The Sovereignty of Grace (Phillipsburg, NJ: Presbyterian and Reformed Publishing Co., 1979), 302.[[16]]
[previous][next]