ÇFARË DASHURIE ËSHTË KJO?
KALVINIZMI PARAQET JO VETËM një kërkesë dhe përpjekje të shtirë nga Perëndia për pendim nga ata të cilët Ai tashmë i ka dënuar. Përveç kësaj, [kalvinizmi] na ballafaqon me “misterin” e pretenduar të një Perëndie të mëshirës dhe dashurisë së pafundme, i cili, megjithëkëtë, nuk tregon dashuri ndaj kujtdo dhe, për këtë arsye, lë turma njerëzish të humbasin, [turma] të cilat mund t’i shpëtonte. Në fakt, vetë Kalvini pohoi se është për lavdinë e Perëndinë që Ai e mbush ferrin me ata të cilët mund t’i kishte çuar në qiell. Kjo doktrinë e pështirë, sikurse pohon Kalvini, vjen nga Agustini:
Nuk ka asgjë të papajtueshme me këtë kur themi se Perëndia, sipas pëlqimit të mirë të vullnetit të Tij […] zgjedh ata që ai i ka përzgjedhur si bij, ndërsa i refuzon dhe i përçmon të tjerët. Për kënaqësi të mëtejshme […] shiko Letrat e Agustinit 115 dhe Bonif., Lib.. II, kap. 7…. Prandaj Zoti mund t’i tregojë favor atij që pëlqen, sepse është i mëshirshëm; nuk e tregon ndaj të gjithëve, sepse është një gjykatës i drejtë{{1}}.
Përkundrazi, të mos tregojë mëshirë fare mund të shkojë me drejtësinë; por duke mos treguar mëshirë ndaj të gjithëve, kur të gjithë janë njëlloj fajtorë, është një shthurje e drejtësisë. Mëshira mund t’i tregohet vetëm fajtorit në një bazë të drejtë; dhe nëse jo, atëherë drejtësia është korruptuar. Ky fakt ngre një problem serioz për kalvinizmin, të cilin Xhon Pajpëri, në përpjekjen e tij të madhe për të justifikuar Perëndinë e kalvinizmit, nuk arrin ta bëjë këtë në tërë veprën e tij prej 220 faqesh{{2}}. Duke i treguar lavdinë e Tij Moisiut si “i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri”, Perëndia shpall se Ai “nuk e lë të pandëshkuar fajtorin” (Eksodi 34:6, 7).
Kur fjala “të gjithë” nuk i përfshin “të gjithë”?
Meqë Perëndia është si i drejtë ashtu edhe i mëshirshëm, asnjë prej këtyre cilësive nuk mund të triumfojë mbi tjetrën. Perëndia mund të jetë i mëshirshëm vetëm drejtësisht, dhe jo në kundërshtim me drejtësinë e Tij. Kështu Perëndia i fal mëkatarët vetëm se ndëshkimi për mëkatin është paguar plotësisht (Romakëve 3:19-31). Dhe ai ndëshkim u pagua për të gjithë, duke bërë të mundur që Perëndia të falte në mënyrë të drejtë dhe të mëshirshme të gjithë, dhe jo vetëm një klasë të zgjedhurish, siç shpallet në mënyrë të përsëritur në Shkrime – siç na e miraton edhe ndërgjegjja që Perëndia na ka dhënë. Me siguri të gjithë duhet të pajtohemi me pohimin e Spërxhënit që tashmë kemi cituar: “Ashtu siç është dëshira ime […] [dhe] dëshira juaj […] po kështu është edhe dëshira e Perëndisë që të gjithë njerëzit të shpëtohen […] Ai nuk është më pak dashamirës se ne”{{3}}.
A do të minojë Perëndia dëshirën e Tij të sinqertë që të gjithë të shpëtohen duke paracaktuar turma njerëzish për mundim të përjetshëm dhe t’u ndalojë atyre hirin e papërballueshëm dhe rilindjen pa të cilin dëshira e Tij nuk mund të realizohet? Sigurisht që jo! Mund të dalim në përfundimin e qartë se Perëndia nuk e parandalon dëshirën e Tij që të realizohet. Dëshira e Tij shprehet në ungjillin, të cilin njeriu mund ta besojë ose jo, ta pranojë ose ta refuzojë.
Gjuha e qartë e Biblës e shtrëngon lexuesin të dalë në përfundimin se Perëndia i do të gjithë, se dëshiron shpëtimin e të gjithëve dhe përpiqet me të vërtetë të bindë njerëzit e ligj që të pendohen dhe që të pranojnë ofertën e Tij për shpëtim. Atëherë pse nuk janë të gjithë të shpëtuar? Njerëzit, në mënyrë të qartë, kanë aftësinë të përgjigjen të shtyrë nga Fryma e Shenjtë dhe të binden për fajin dhe nevojën e tyre, por edhe pse të gjithë shtyhen, disa pendohen me dashje dhe besojnë ndërsa të tjerët refuzojnë.
Bibla paraqet në mënyrë të përsëritur një Perëndi që aq shumë e ka dashur botën sa dërgoi Birin e tij që “bota përmes Tij të shpëtohet” (Gjoni 3:16; 1 Gjonit 4:14), i cili “dëshiron që gjithë njerëzit të shpëtohen” (1 Timoteut 2:4) dhe i cili “nuk do që ndokush të humbasë” (2 Pjetrit 3:9). Bibla e paraqet në mënyrë të përsëritur Krishtin si Atë që “dha veten si çmim për të gjithë” (2 Timoteut 2:6), i cili “është Shpëtimtari i gjithë njerëzve dhe sidomos i besimtarëve” dhe vdekja e të cilit siguroi shlyerjen “për mëkate […] e të gjithë botës” (1 Gjonit 2:2). Krishti u bën thirrje të gjithë atyre që janë të etur, të uritur dhe të lodhur frymërisht për shkak të ngarkesës së rëndë të mëkatit të tyre: “Ejani tek unë […] dhe unë do t’ju jap çlodhje”, ujë të gjallë, bukën e jetës, jetë të përjetshme. Kjo ftesë ka prekur zemrat e të eturve, të uriturve, të lodhurve dhe të ngarkuarve rëndë për dy mijë vjet me radhë. Megjithatë kalvinizmi përpiqet t’ua përshtatë këto premtime vetëm të zgjedhurve të paracaktuar.
Dy pikëpamje kontradiktore
Kalvinizmi na paraqet “misterin” e çuditshëm se pse Perëndia që është dashuri dhe që është pafundësisht i mëshirshëm ndaj të gjithëve, lë miliarda njerëz të shkojnë në ferr të cilët mund t’i shpëtonte. Bibla, nga ana tjetër, na vë përballë me një mister tjetër: pse njerëzit të cilëve u është ofruar shpëtimi si dhuratë falas prej hirit të Perëndisë zgjedhin ta refuzojë.
Përgjigjja ndaj misterit të parë thuhet se duhet të bazohemi në sekretin e vullnetit të Perëndisë. Përgjigjja e të dytit fshihet në zemrat e atyre që e refuzojnë Perëndinë dhe shpëtimin të dhënë prej Tij. Pse njerëzit e refuzojnë Krishtin dhe në këtë mënyrë e lënë veten në mundim të përjetshëm? Pyeti ata. Arsyeja fshihet në vullnetin e tyre, jo në atë të Perëndisë. Pjuzi (Pusey) shkruan:
Të bën përshtypje shumë të madhe respekti i treguar nga Krijuesi për lirinë e zgjedhjes që i është lënë racës njerëzore. Në skemën e krishterë të shpëtimit Perëndia bëhet kërkuesi që përpiqet me mjete të jashtëzakonshme për të fituar dashurinë e njerëzve. Krishti qëndron në derë dhe troket…. Ai respekton lirinë morale të njeriut dhe nuk zgjat dorën e Tij të shkatërrojë këtë privilegj të lartë{{4}}.
Nëse shihet nga perspektiva biblike, askush që do të kalojë përjetësinë në liqenin e zjarrit nuk mund të ankohet se ndodhet atje sepse Perëndia nuk donte që ai të ndodhej në qiell. Të gjithë të mallkuarit do të vuajnë duke ditur se ndodhen atje jo për shkak të paracaktimit të Perëndisë, por për shkak të refuzimit të tyre të paarsyeshëm dhe kokëfortë për të pranuar shpëtimin që Perëndia u kishte siguruar dhe ofruar falas. Dhe Perëndia do të lavdërohet nga ndëshkimi i tyre i përjetshëm, sepse Ai nuk e shtrembëroi drejtësinë e Tij duke falur padrejtësisht ata që refuzuan shpëtimin mbi bazat e Tij të drejta.
Bibla paraqet një Perëndi drejtësia e të cilit, dhe jo mungesa e dashurisë, mbush ferrin me ata për të cilët Ai parashikoi shpëtimin, por të cilët refuzuan ta pranonin atë. Për të riun e pasur (Marku 10:17-22) na thuhet qartë se Krishti “ndjeu dashuri për të”, megjithatë ky, edhe pse ndaj tij u tregua dashuri, “u largua me keqardhje”, pa mundur që të hiqte dorë nga pasuritë e tij për të ndjekur Krishtin. Nga kryqi Krishti ndërhyri rreth atyre që e kishin kryqëzuar dhe refuzuar: “O Atë, fali…” (Lluka 23:34).
Në kontrast të plotë me këtë, kalvinizmi paraqet një Perëndi që mbush ferrin me ata të cilët mund t’i shpëtonte, por që i dënon, ngaqë nuk i do.
Këto dy pikëpamje të ndryshme të Perëndisë janë pika kryesore e ndarjes midis kalvinistëve dhe jokalvinistëve biblikë.
Kjo është çështja e vërtetë që duhet të ballafaqohet me TULIP-in: A është apo nuk është kalvinizmi një shtrembërim i Perëndisë së Biblës, i cili është dashuri? H. A. Ajrënsaidi argumenton:
Kthehuni te Bibla dhe lexoni vetë në dy kapitujt e vetëm në të cilët haset fjala “paracaktoj” apo “paracaktuar”. E para haset te Romakëve 8:29, 30. Tjetra tek Efesianëve 1:5, 11. Do të vini re se në këto katër vargje nuk i referohet as parajsës as ferrit, por ngjashmërisë përfundimtare me Krishtin. Nuk gjejmë në asnjë vend të Shkrimit se Perëndia paracaktoi një njeri që të shpëtohej dhe një tjetër që të humbasë. Njerëzit do të shpëtohen apo humbasin përjetësisht për shkak të qëndrimit të tyre ndaj Zotit Jezu Krisht{{5}}.
Kur shthurja nuk është totale?
Për të ruajtur doktrinën e dytë të shthurjes totale, kalvinistët duhet ta pajtojnë me faktin e qartë se njerëzit më të paperëndishëm janë të aftë për disa mendime dhe vepra moralisht të mira. Ky fakt nuk mund të kalohet anash duke thënë se veprat e mira njerëzve të paperëndishëm bëhen për arsye egoiste. Disa ushtarë të pashpëtuar kanë hedhur me altruizëm mbi veten e tyre granata dore për të shpëtuar jetët e shokëve të tyre – një vepër heroike e dhembshurie para së cilës shumë të krishterë do të prapsen.
Është e padyshimtë, pra, se tërë qeniet njerëzore janë të afta të kryejnë një altruizëm prej kësaj bote që mund të admirohet gjerësisht. Duke pranuar këtë mirësi natyrore, një autor kalvinist shkruan: “Shthurja totale […] nuk do të thotë se njeriu është aq i keq sa mund të jetë”{{6}}. Sidoqoftë, sa më tepër i lig mund të jetë dikush kur çdo mendim i zemrës së tij s’është gjë tjetër veçse e keqja në çdo kohë? Dhe si mund të ketë mendime të mira dhe të bëjë vepra të mira e ashtuquajtura shthurje totale? Kalvinistët kundërshtojnë njëri-tjetrin vazhdimisht në këtë pikë. Për shembull, pak para se të pohonte se “është e pamundur që [jo i krishteri] të bëjë të mirën […] ai nuk është as në gjendje të kuptojë të mirën”{{7}}, Palmeri ka pranuar atë që mund të duket e kundërta:
Albert Shvajcëri (Albert Schweitzer) është një shembull i atyre që mohuan krishterimin biblik dhe që në të njëjtën kohë turpëroi shumë të krishterë me anë të dashurisë dhe mirësisë së tij. Për shembujt e tjerë të së mirës relative, konsidero […] jobesimtarin i cili rrezikon jetën e tij duke u hedhur para një kamioni për të shpëtuar një fëmijë […] një pagan blasfemues që ndihmon një lypsar […] judeun që dhuron pasurinë e tij të madhe për zbavitje publike….{{8}}
Një shkrimtar tjetër kalvinist pranon se edhe personat më të pabesë “janë të aftë të duan fëmijët e tyre […] të sakrifikojnë jetët e tyre për hir të familjes […] ndonjëherë edhe për të huajt […] janë të ndershëm […] njerëz të mirë që bëjnë vepra të mira”{{9}}. Madje edhe disa roje naziste, që e kanë kaluar ditën duke torturuar dhe vrarë, do të kthehen në shtëpi dhe të tregojnë dashuri dhe mirësi ndaj grave dhe fëmijëve të tyre. Turmat e njerëzve të paperëndishëm ndonjëherë shfaqin shumë butësi dhe ndershmëri. Për shumë tregtarë të pashpëtuar mund të thuhet: “Ai e mban fjalën”, edhe “sikur të jetë betuar në dëm të tij, ai nuk tërhiqet” (Psalmi 15:4).
Bibla mëson qartë se njeriu natyror, i parilindur mund të bëjë të mirën dhe jep shumë shembuj. Tashmë kemi cituar nga Romakëve 2 se si paganët e pashpëtuar pranojnë ligjet morale të Perëndisë në ndërgjegjen e tyre, përpiqen t’u binden, kanë faj kur nuk u binden dhe madje gjykojnë njëri-tjetrin në bazë të atij standardi. Po, vargu thotë: “Nuk ka asnjë që të bëjë të mirën, as edhe një” (Romakëve 3:12), por Jezusi ka thënë gjithashtu: “Dhe në se u bëni të mirë atyre që ju bëjnë të mirë […] të njëjtën gjë bëjnë edhe mëkatarët” (Lluka 6:33). Duhet ta konsiderojmë Shkrimin si të tërë.
A mund të gjendet një varg i vetëm në Shkrime që pohon qartë se njeriu duhet të rilindë përpara se të besojë ungjillin? Po presim akoma që kalvinistët të tregojnë të paktën një varg të tillë.
Shembujt e parë si në Shkrime ashtu edhe në përvojën e përditshme na shtyjnë të dalim në përfundimin se pohimi që “tërë synimet e mendimeve të zemrës së tyre nuk ishin gjë tjetër veçse e keqja në çdo kohë” përshkruan qëndrimin e përgjithshëm të zemrës, jo atë që mund të dalë në çdo moment të ditës – prirjen e natyrshme, por jo domosdoshmërinë. Pohime të ngjashme që duken absolute, por që nuk janë, hasen në lavdërim të njeriut. Për shembull, Perëndia thotë për Davidin që Ai ecte para Tij me një “zemër të përsosur” dhe se ishte “njeri sipas zemrës sime, i cili do të zbatojë të gjitha vullnetet e mia” (1 Mbretërve 15:3; Veprat 13:22 etj.). Megjithatë Davidi nuk i pëlqeu Perëndisë për disa herë me radhë, duke kryer edhe shkelje të tradhtisë së kurorës dhe vrasje. Në të njëjtën mënyrë duhet t’i kuptojmë pohimet rreth ligësisë së njeriut dhe mëkatit si përshkrim i prirjes së tij natyrore, por jo si nevojën e tij të papërballueshme.
Përsëri veshjet e perandorit?
Shumë nga vargjet që përdorin kalvinistët për të mbështetur shthurjen totale (si Gjoni 1:13 dhe Romakëve 9:16) nuk kanë lidhje fare me këtë koncept. Në pjesë të tilla thjesht na thuhet se me vullnetin tonë ne nuk mund ta detyrojmë Perëndinë. Ai është autori i shpëtimit dhe se ne shpëtohemi vetëm me anë të mëshirës dhe hirit të Tij dhe jo me anë të përpjekjeve apo vullnetit tonë. Megjithatë, asnjë prej këtyre pjesëve nuk pohon se askush nuk është në gjendje të besojë ungjillin kur ai predikohet me fuqinë bindëse dhe fajësuese të Frymës së Shenjtë.
Citohet gjithashtu Filipianëve 2:13, por ky varg flet në mënyrë të qartë për të krishterin që të praktikojë në jetën e tij shpëtimin që i është dhënë; nuk ka të bëjë fare as me shthurjen totale as me besimin e ungjillit.
Kalvinistët e konsiderojnë “T-në” e TULIP-it të një rëndësie të lartë. Një prej shkruesve të tyre pohon se “doktrina e shthurjes totale [është] një prej të vërtetave më të rëndësishme që duhet ritheksohet në kohën tonë”. Ai e fillon broshurën e tij duke i grupuar ata që refuzojnë përkufizimin kalvinist të shthurjes totale me kritikat e mundësit profesionist Macho Comacho që nuk ka bindje për mëkat; me ata që mohojnë se ne jemi “mëkatarë të shpëtuar me anë të hirit”; me ata që përpiqen t’i tërheqin mëkatarët me zbavitje dhe që shmangin trajtimin e mëkatin; me ata që përpiqen të ngrenë vetëvlerësimin e mëkatarit; me ata që predikojnë “një dietë të rregullt frymëzimi pozitiv […] që të kujton Norman Vinsent Pilin (Norman Vincent Peale) dhe Dejl Karnejgi (Dale Carnegie)” etj{{10}}. Por të gjitha këto janë gabime kundër të cilave jokalvinistët shkruajnë dhe predikojnë nga shkrimi, pak a shumë siç bëjnë kalvinistët, duke refuzuar njëkohësisht teorinë jobiblike të shthurjes totale.
Pas citimeve, ky autor e vlerëson doktrinën e shthurjes totale [duke thënë se ajo] në mënyrë të veçantë: 1) na bën të dëshpërohemi me vetveten dhe ta hedhim vetveten plotësisht vetëm te Krishti për shpëtim; 2) ul krenarinë tonë; 3) na ndihmon t’u dëshmojnë mëkatarëve si ne; 4) na bën t’i frikësohemi besimit te vetvetja dhe na bën të besojmë plotësisht në Zotin; 5) na bën t’i durojmë vuajtjet pa u ankuar; 6) na jep një dashuri dhe falje më të madhe ndaj atyre që mëkatojnë kundër nesh, dhe 7) duke na shtyrë drejt një dashurie dhe përkushtimi më të madh ndaj Perëndisë për hirin e Tij të mrekullueshëm{{11}}.
Është për t’u habitur se si ky autor mund të besojë seriozisht se ne që refuzojmë përkufizimin e çuditshëm të kalvinizmit për shthurjen totale jemi të mangët në këto dobi me sa duket unike, të cilat ai thotë se janë vetëm për doktrinën e shthurjes totale!
Kur je i vdekur, a je i vdekur?
Një argument tjetër i madh që kalvinisti përdor për shthurjen totale është se nga natyra ne të gjithë jemi “të vdekur në faje dhe në mëkate” (Efesianëve 2:1; Kolosianëve 2:13). Sprouli e quan këtë pohim: “Pjesa më e qartë për paracaktimin”{{12}}. Duke vazhduar barazimin e gabuar të vdekjes frymërore me vdekjen fizike, Gordon H. Klarku shkruan: “Një njeri i vdekur nuk mund të ushtrojë besim në Jezu Krishtin”{{13}}. Sigurisht, por gjithashtu një njeri i vdekur nuk mund as ta refuzojë Krishtin, as nuk mund të mëkatojë. Megjithëkëtë, Xhejms R. Uajti, i cituar më sipër, libri i të cilit është nënshkruar nga një mori udhëheqësish të krishterë, duke vazhduar këtë analogji, shkruan:
Bijtë e rënë të Adamit janë të vdekur në mëkat, të pazotë edhe për lëvizjen e parë drejt Perëndisë… të mbushur me pasojën e shthurjes dhe largimit nga Perëndia…”.
Ku thuhet në Bibël “të pazotë edhe për lëvizjen e parë drejt Perëndisë”? Në asnjë vend! Në mënyrë të qartë na thuhet se të krishterët janë “të vdekur për mëkatin” (Romakëve 6:2, 7, 11 etj.). A do të thotë kjo se ata janë “të pazotë edhe për lëvizjen e parë drejt” mëkatit? Sigurisht që jo. Merr kuptimin njerëzor të termit “të vdekur”, përzieje me të kuptuarit e papjekur të Fjalës së Perëndisë nga i riu Xhon Kalvini, kjo e njollosur nga filozofia agustiniane, trazoje dhe del teoria e shthurjes totale. Një arsyetim i tillë njerëzor të çon në absurditete si ky më poshtë nga Palmeri:
Megjithatë, figura biblike është e një njeriu në fund të oqeanit…. Ai ka qenë atje për një mijë vjet dhe peshkaqenët i kanë ngrënë zemrën…. Njeriu është i vdekur dhe është plotësisht i pazotë t’i kërkojë ndonjë shpëtimtari për ta shpëtuar. Nëse duhet të shpëtohet, atëherë duhet të ndodhë një mrekulli. Ai duhet të kthehet në jetë dhe në sipërfaqe, dhe pastaj të kërkojë një shpëtimtar për ta shpëtuar….
Kur Krishti thirri Llazarin për të dalë nga varri, Llazari nuk kishte jetë në vetvete që të mund të dëgjonte, të ngrihej dhe të dilte…. Nëse atij i duhej të ishte në gjendje të dëgjonte Jezusin që e thërriste dhe të shkonte tek Ai, atëherë Jezusi duhej ta bënte të gjallë. Jezusi e ringjalli dhe pastaj Llazari mund të përgjigjej.
Këto ilustrime zbulojnë çështjen më qendrore midis arminianit dhe kalvinistit…. Arminiani ka vënë qerren para buajve. Njeriu është i vdekur në mëkate […] i pazotë të kërkojë ndihmë derisa Perëndia […] ta bëjë atë të gjallë frymërisht (Efesianëve 2:5). Atëherë, kur ka rilindur, ai, për herë të parë, mund të kthehet te Jezusi, duke shprehur keqardhje për mëkatet e tij dhe duke kërkuar Jezusin që ta shpëtojë{{15}}.
Një argumentim i tillë mund të jetë shumë emocionues, por nuk është as biblik as i arsyeshëm. Vetë Sprouli pohon se “njerëzit e vdekur frymërisht janë biologjikisht të gjallë”{{16}}. Edhe pse lloji i kalvinizmit të Pinkut është shumë i skajshëm për shumë kalvinistë, ai e refuzon idenë e gabuar të përdorimit të vdekjes fizike për të shpjeguar çfarë do të thotë të jesh i vdekur në faje e mëkate:
Një kufomë në varreza nuk është një analogji e përshtatshme e njeriut natyror. Një kufomë në varreza është e paaftë të kryejë të keqen! Një kufomë nuk mund “të përçmojë dhe të hedhë poshtë” Krishtin (Isaia 53:3), nuk mund të “kundërshtojë Frymën e Shenjtë” (Veprat 7:51), nuk mund të shkelë ungjillin (2 Thesalonikasve 1:8); por njeriu natyror mundet dhe i bën këto gjëra!{{17}}.
Për sa i përket interpretimit të kalvinistit se çfarë do të thotë që një njeri të jetë i vdekur në mëkate dhe i vdekur para Perëndisë, “T-ja” e TULIP-it fillon të ndërthuret me mësimin e hirit të papërballueshëm. Prandaj, pjesa tjetër e diskutimit rreth vdekjes frymërore të njeriut dhe paaftësisë së tij të supozuar për t’iu përgjigjur ungjillit, do të shtyhet derisa të arrijmë në pikën “I” (Hiri i papërballueshëm).
Larat e leopardit, ngjyra e lëkurës së njeriut – si mëkati?
Që përfundime të tilla arsyetimi janë armët kryesore të kalvinistit mund të shpjegojë përse doktrinat e tyre janë aq tërheqëse për intelektualët. Megjithatë, kjo ndodh pavarësisht nga fakti se shumë nga argumentet e kalvinizmit janë kontradiktorë si me Biblën ashtu edhe me logjikën. Uajti arsyeton:
Ashtu si një person nuk mund të ndryshojë ngjyrën e lëkurës së tij, apo leopardi larat e tij, po kështu ai që praktikon të keqen nuk mund të këputë zinxhirët e mëkatit dhe të fillojë të bëjë të mirën…. Dhiata e Re vazhdon dëshminë e shthurjes rrënjësore të njeriut […] Pali fillon me një shqyrtim të gjatë tmerrues të natyrës mëkatare universale të njeriut […] si të judenjve ashtu edhe të johebrenjve{{18}}.
Fakti që asnjë mëkatar nuk mund “të këputë zinxhirët e mëkatit” nuk mund të diskutohet. Por të pohosh se i burgosuri i mëkatit nuk mund të pranojë me gëzim të madh çlirimin që Krishti jep falas do të thotë të shkosh shumë larg këtij fakti. Cili i burgosur nuk do ta mirëpriste lirinë? A, por për të qenë me të vërtetë i lirë njeriu duhet të bindet për mëkat dhe të besojë ungjillin. U krye! Dhe ku thuhet në Shkrimet e Shenjta që Fryma e Shenjtë e lë pas dore këtë bindje dhe arsyetim ndaj kujtdo? Ai e bën këtë për të zgjedhurit – pse jo për të gjithë? Në fakt, e bën për të gjithë.
Fakti që dikush nuk mund të ndryshojë ngjyrën e lëkurës së tij nuk do të thotë se nuk mund të pranojë me gëzim pastrimin nga mëkati përmes gjakut të Krishtit. Analogji të tilla nuk përkojnë më me situatën aktuale po aq sa edhe barazimi i vdekjes fizike me atë frymërore. Në vend të shembujve alegorikë, ne kemi nevojë për mësimin e qartë nga Fjala e Perëndisë. Megjithatë, Shkrimi i Shenjtë nuk e mbështet kalvinizmin.
Njeriu natyror është me të vërtetë skllav i mëkatit dhe vetë nuk mund të marrë nismën të ndjekë Perëndinë. Por a është i paaftë të bindet për mëkatin e tij dhe për gjykimin që po vjen, apo të besojë lajmin e mirë të ungjillit? Asnjë varg në Shkrimet e Shenjta nuk e pohon qartë këtë propozim.
“Besimi yt të shpëtoi”
Kalvinistët shqetësohen që nëse njeriu mund të bëjë diçka për shpëtimin e tij, ky fakt do t’i zhvaste në njëfarë mënyre Perëndisë lavdinë për shpëtimin e këtij njeriu. Ky pështjellim vjen nga dështimi për të pranuar dallimin e qartë midis paaftësisë së njeriut për të bërë diçka për shpëtimin e tij (që është biblike) dhe paaftësisë së supozuar për të besuar ungjillin (që nuk është biblike). Të besosh ungjillin dhe të pranosh Krishtin nuk kërkon ndonjë punë apo meritë nga ana e njeriut, nuk kontribuon fare për shpëtimin e tij, nuk i jep lavdi njeriut dhe nuk i heq asgjë lavdisë së Perëndisë.
Duke mos arritur të bëjë këtë dallim, Hanko pohon në mënyrë të ndershme se “e vërteta e shthurjes totale [pra, paaftësia për të besuar ungjillin] është e vetmja e vërtetë që ruan të pacenuar lavdinë e Perëndisë”{{19}}. Në të njëjtën mënyrë Rosi (Ross) shkruan: “Mësimi i paaftësisë totale të njeriut natyror rreth shpëtimit jo vetëm që është sipas Shkrimeve, por është doktrina që i jep tërë lavdinë Perëndisë në shpëtimin e mëkatarit”{{20}}. Stormsi (Storms) pohon: “Duke e bërë zgjedhjen të kushtëzuar rreth diçkaje që bën njeriu, edhe sikur ajo që bën të jetë thjesht pendimi dhe besimi i ungjillit, hiri i Perëndisë komprometohet seriozisht”{{21}}.
Përkundrazi, nuk është fare e vërtetë se të besosh dhe të pranosh Krishtin i jep lavdi njeriut apo që kjo i ul vlerën faktit se është vetëm Krishti Ai që kryen shpengimin tonë. Besimi nuk është një vepër, as nuk i jepet lavdërim personit që beson.
Shprehja “besimi yt” haset njëmbëdhjetë herë në Shkrimet e Shenjta, ndërsa “besimi tuaj/juaj” njëzet e katër herë. Individëve u jepet atribut që besimi është i tyre. Nuk kemi asnjë tregues që personi u rilind dhe më pas iu dha besim për të besuar – apo që besimi ishte një dhuratë nga Perëndia ashtu siç ngul këmbë kalvinizmi se duhet të jetë. Gjithashtu nuk kemi as edhe sugjerimin më të vogël se ushtrimi i besimit nga ndonjë individ ka zvogëluar ndopak lavdinë e Perëndisë.
Krishti i tha gruas që u shërua duke prekur cepin e rrobës së Tij: “Besimi yt të ka shëruar” (Mateu 9:22; Marku 5:34; Lluka 8:48), po ashtu të verbrit jashtë Jerikos (Marku 10:52) dhe samaritanit të shëruar nga lebra (Lluka 17:19). Krishti i tha gruas mëkatare që lau këmbët e Tij me lotët e saj: “Besimi yt të shpëtoi” (Lluka 7:50) dhe të verbrit jashtë Jerikos (Lluka 18:42). “O grua, i madh është besimi yt!”, i tha gruas kananease që dëshironte vetëm një “thërrime” bekimi (Mateu 15:28). Dhe Pjetrit, përpara se të kthehej në besim, i tha: “Por unë jam lutur për ty, që besimi yt të mos mpaket” (Lluka 22:32). Secili prej këtyre pohimeve u thuhet njerëzve të parilindur.
Për të krishterët, në të njëjtën mënyrë, besimi që tregojnë ata thuhet se është i tyre. Jakobi thotë: “Më trego besimin tënd” (Jakobi 2:18). Pjetri shkruan: “që prova e besimit tuaj, që është shumë më i çmuar nga ari që prishet” (1 Pjetrit 1:7). Përndryshe si do të bëhej me çështjen e shpërblimeve?
Nuk mund t’i shpëtojmë herëve të panumërta në Bibël kur, si të pashpëtuarit (për shpëtimin e tyre) dhe të shpëtuarit (për ecjen e tyre me Krishtin dhe frytet e tyre), urdhërohen të besojnë në Perëndinë, në premtimet e Tij, në Krishtin dhe në Fjalën e Tij. Njeriu nuk ka marrëdhënie tjetër me Perëndinë përveç besimit. Nëse besimi i ushtruar nga njeriu zvogëlon lavdinë e Perëndisë, do të ishte e pamundur që njeriu të ketë ndonjë marrëdhënie me Perëndinë pa zvogëluar lavdinë e Tij. Është e qartë, pra, që nuk është kështu.
Pështjellim i thjeshtë rreth paaftësisë
Po, njeriu është plotësisht i paaftë të kontribuojë qoftë edhe një jotë për shpëtimin e tij. Megjithatë, nuk shkon që ai, për këtë arsye, të mos pranojë nëpërmjet besimit shpëtimin që jepet falas në Krishtin. Në këtë pikë kemi pështjellimin që krijon doktrina e shthurjes totale dhe na bën të rikujtojmë pesë pikat.
Spërxhëni shërbeu duke mos e patur këtë zhgënjim. Kalvinistët e citojnë me zell Spërxhënin për mbështetje dhe nuk ka dyshim që Spërxhëni shpallte shpesh se ishte kalvinist. Megjithatë shpeshherë bënte pohime që kundërshtonin kalvinizmin. Pjesa e mëposhtme është shkëputur nga një studiues britanik që njihte thellë shkrimet dhe predikimet e Spërxhënit:
Çarls Hedën Spërxhëni pohonte gjithmonë se ishte kalvinist…. Mendja e tij ishte kredhur në shkrimet e teologëve puritanë; por zelli i tij i madh për kthimin e shpirtrave e shtynte të dilte jashtë kufijve të kredos që kishte trashëguar. Predikimi i tij “Detyroji të hyjnë” është kritikuar si arminian dhe jo i shëndoshë. Kritikëve të tij ai u është përgjigjur: “Mësuesi im vuri vulën e Tij në atë mesazh. Nuk kam predikuar kurrë më parë një mesazh ku të jenë fituar aq shumë shpirtra për Perëndinë…. Nëse mendohet si gjë e keqe t’u kërkosh mëkatarëve të rrokin jetën e përjetshme, do të jem edhe më i keq në këtë pikë dhe, në këtë mënyrë, do të imitoj Zotin tim dhe apostujt e Tij”.
Më tepër se një herë Spërxhëni është lutur: “O Zot, shpejto të sjellësh tërë të zgjedhurit e Tu dhe pastaj zgjidh disa më shumë”. Duket se e ka përdorur shpesh këtë shprehje në bashkëbisedimet e tij dhe në buzët e tij nuk ishte thjesht një llomotitje. Me refuzimin e qartë për një shlyerje të kufizuar, kjo do ta kishte tmerruar Xhon Kalvinin…. E vërteta duket se shprehjet e vjetra kalviniste ishin shpesh në buzët e Spërxhënit, por domethënia e vërtetë kalviniste ishte lënë jashtë tyre.
-
C. Karlajli (J. C. Carlyle) pohon se, “sado i palogjikshëm të duket, kalvinizmi i Spërxhënit ishte i një karakteri të tillë saqë, ndërsa shpallte madhështinë e Perëndisë, ai nuk ngurroi t’ia ngarkonte njeriut lirinë e vullnetit dhe të ngulte këmbë që çdo njeri mund të gjejë në Jezu Krishtin çlirim nga fuqia e mëkatit (theksimi i shtuar){{22}}.
Shkrimi i Shenjtë pohon në mënyrë të përsëritur se njeriu është i vdekur në mëkate dhe në robërinë e mëkatit, që zemra e tij sëmuret në mënyrë të pashërueshme dhe se mendimet e tij janë të këqija qysh në fëmijërinë e tij dhe se ai është rebel kundër Perëndisë nga natyra dhe praktika. Megjithatë nuk ka asnjë pohim që ai është plotësisht i shthurur siç përkufizohet nga “T-ja” e TULIP-it. Pavarësisht se sa tmerrësisht e paraqet Bibla të ligën e zemrës njerëzore, ajo kurrë nuk mëson atë shthurjen totale që është tipike për kalvinizmin. Kjo do të shihet më qartësisht ndërsa do të shohim katër pikat e tjera të kalvinizmit dhe do t’i ballafaqojmë me Shkrimin.
[[1]] John Calvin, Institutes of the Christian Religion, përkth. Henry Beveridge (Grand Rapids, MI: Wm. B. Eerdmans Publishing Company, botim i 1998), III:xxiii, 10-11.[[1]] [[2]] John Piper, The Justification of God: An Exegetical and Theological Study of Romans 9:1-23 (Grand Rapids, MI: Baker Books, 2000).[[2]] [[3]] C. H. Spurgeon, Metropolitan Tabernacle Pulpet, vëll. 26, 49-52.[[3]] [[4]] Edward B. Pusey, What Is Of Faith As To Everlasting Punishment? (England: James Parker and Co., 1881), 103-104.[[4]] [[5]] H. A. Ironside, Full Assurance (Chicago, IL: Moody Press, 1937), 93-94.[[5]] [[6]] James R. White, The Potter’s Freedom (Amityville, NY: Calvary Press Publishing, 2000), 39.[[6]] [[7]] Edwin H. Palmer, the five points of calvinism (Grand Rapids, MI: Baker Books, botim i zgjeruar, 20th prtg. 1980), 15.[[7]] [[8]] Po aty, 11.[[8]] [[9]] Steven J. Cole, Total Depravity (Flagstaff AZ, 1999), [[9]] [[10]] Po aty, 1-3.[[10]] [[11]] Po aty, 9-13.[[11]] [[12]] R. C. Sproul, Chosen by God (Carol Stream, IL: Tyndale House Publishers Inc., 1986), 113.[[12]] [[13]] Gordon H. Clark, The Biblical Doctrine of Man (Jefferson, MD: The Trinity Foundation, 1984), 102.[[13]] [[14]] White, Potter’s, 75.[[14]] [[15]] Palmer, five points, 18-19.[[15]] [[16]] Sproul, Chosen, 120.[[16]] [[17]] Arthur W. Pink, Studies in the Scriptures (n. p., 1927), 250-261; cituar te Samuel Fisk, Election and Predestination (England: Penfold Book and Bible House, 1997), 155.[[17]] [[18]] White, Potter’s, 80-81.[[18]] [[19]] Herman Hanko, te Herman Hanko, Homer C. Hoeksema, and Gise J. Van Baren, The Five Points of Calvinism (Grandville, MI: Reformed Free Publishing Association, 1976), 23.[[19]] [[20]] Tom Ross, Abandoned Truth: The Doctrines of Grace (Providence Baptist Church, 1991), 45.[[20]] [[21]] C. Samuel Storms, Chosen for Life (Grand Rapids, MI: Baker Book House, 1987), 55.[[21]] [[22]] A. C. Underwood, A History of the English Baptists (The Baptist Union of Great Britain and Ireland, 1947), 203-206; cituar te Fisk, Election and Predestination (England: Penfold Book and Bible House, 1997), 69-70.[[22]] [previous][next]