Hiri i papërballueshëm

ÇFARË DASHURIE ËSHTË KJO?

NЁ DOKTRINЁN E hirit të papërballueshëm hasim përsëri ndikimin mbizotërues të Agustinit. Boetneri na informon: “Kjo e vërtetë thelbësore e krishterimit [hiri i papërballueshëm] është parë në mënyrë të qartë për herë të parë nga Agustini”{{1}}. Uorfildi thotë se Agustini “[e] riktheu [atë] për Kishën”{{2}}. Në mënyrë të ngjashme, disa baptistë pranojnë se “Agustini mund të shihet si babai i sistemit soteriologjik [të quajtur] ‘kalvinizëm’”{{3}}. Madje Sprouli thotë: “Agustinianizmi quhet tani kalvinizëm apo teologji e reformuar”{{4}}. Shedi pohon:

Agustini pranon faktin se disa njerëz ripërtërihen dhe të tjerë jo, me anë të dekretit të papërballueshëm (decretum absolutum), sipas të cilit Perëndia përcakton të përzgjedh nga masa e rënë e njerëzimit (massa perditionis), të tërë ata që janë njësoj fajtorë dhe nën dënim, një pjesë ndaj të cilës ai i jep hirin dhe i lë të tjerët në vullnetin e tyre dhe veprimin e ligjit dhe drejtësisë{{5}}.

Agustini, pasi ka mësuar më parë vullnetin e lirë dhe se Perëndia dëshironte të shpëtonte tërë njerëzimin{{6}}, më vonë e ndryshon pikëpamjen e tij. Besimi bëhet diçka që Perëndia ua jep në mënyrë të papërballueshme të zgjedhurve pa besuar asgjë, pa u marrë ndonjë vendim apo pa qenë në dijeni se ata po rilindnin{{7}}. Me një arsyetim të tillë, njeriu (duke qenë nga natyra i vdekur në mëkat), nuk mundet as ta dëgjojë ungjillin – aq më pak t’u përgjigjet përgjërimeve të Krishtit. Hiri i papërballueshëm bëhet i domosdoshëm nga ky kusht paraprak jobiblik, pas të cilit kapen kalvinistët pavarësisht nga fakti se Zoti ynë u bën thirrje të gjithëve: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje…. Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë” (Mateu 11:28; Gjoni 7:37) etj. Siç duket të gjithë, madje të vdekurit frymërisht, mund të dëgjojnë, të vijnë dhe të pinë, siç e bëjnë të qartë shumë pjesë të tjera. Dejv Brisi shkruan: “Nëse hiri do të ishte i papërballueshëm, nuk mund të kuptojmë as arsyen për predikimin e ungjillit…”{{8}}. Me siguri, do të ishte absurde që Perëndia t’u lutej njerëzve të pendoheshin dhe të besonin, nëse ata nuk munden pa u nxitur nga Ai në mënyrë të papërballueshme për ta bërë një gjë të tillë.

Pasojat serioze të keqpërdorimit të sovranitetit

Le ta përmbledhim kalvinizmin deri në këtë pikë: për shkak të shthurjes së plotë, ata që Perëndia i ka zgjedhur në mënyrë të pakushtëzuar dhe i ka paracaktuar për jetë të përjetshme dhe vetëm për të cilët vdiq Krishti, janë rilindur së pari në mënyrë sovrane pa besim, kuptim, apo madje pa e ditur se çfarë po u ndodhte. Më pas (disa do të thonë njëkohësisht) hiri për të besuar në Krishtin si Shpëtimtar dhe Zot vihet detyrimisht në mënyrë të papërballueshme ndaj të zgjedhurve të sapo rilindur, të cilët Perëndia që nga përjetësia e largët i ka paracaktuar t’i shpëtojë dhe se atyre u jepet besimi për të besuar në Krishtin. Pajpëri thotë se njeriu në fillim duhet:

…të lindë nga Perëndia. Më pas, me natyrën e re të Perëndisë, ai e pranon menjëherë Krishtin. Dy veprimet (rilindja dhe besimi) janë aq ngushtë të lidhura me njëra-tjetrën, saqë gjatë përjetimit nuk mund t’i dallojmë […] lindja e re është pasoja e hirit të papërballueshëm […] një vepër e krijimit sovran…{{9}}.

Hiri i papërballueshëm është thelbësor në teorinë kalviniste të shpëtimit. Askush nuk mund t’i bëjë ballë hirit shpëtues të Perëndisë, i imponuar në mënyrë të papërballueshme ndaj atyre që Ai i ka paracaktuar për jetë të përjetshme. Pajpëri thotë: “Nuk mund të ketë shpëtim pa realitetin e hirit të papërballueshëm. Nëse jemi të vdekur në mëkatet tona, plotësisht të paaftë për t’iu nënshtruar Perëndisë, atëherë ne nuk do të besojmë kurrë në Krishtin nëse Perëndia nuk e mposht rebelimin tonë”{{10}}.

Fatkeqësisht, edhe kjo doktrinë – ashtu si tërë TULIP-i – çon në mohim të dashurisë, mëshirës dhe hirit të Perëndisë ashtu siç zbulohet në Shkrimin. Pajpëri pohon: “Perëndia është sovran dhe mund të mposhtë çdo rezistencë kur dëshiron […] hiri i papërballueshëm i referohet veprës sovrane të Perëndisë për të mposhtur rebelimin e zemrave tona dhe na sjell në besim në Krishtin në mënyrë që të shpëtohemi”{{11}}. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, Perëndia mund ta kishte imponuar në mënyrë të papërballueshme hirin ndaj Adamit dhe Evës dhe do të kishte shpëtuar njerëzimin nga vuajtja dhe e keqja që rezultoi nga rebelimi i tyre. Pse nuk e bëri? Çfarë dashurie është kjo?

A na paska Perëndia dashuri dhe dhembshuri jo për botën (ashtu siç thotë Bibla), por vetëm për një grup të kufizuar (siç ngulin këmbë kalvinistët)? Pajpëri thotë se Perëndia zgjodhi të shpëtojë vetëm të zgjedhurit duke imponuar mbi ata në mënyrë të papërballueshme hirin e Tij dhe e paracaktoi pjesën tjetër të njerëzimit për mundim të përjetshëm. A nuk është një skenar i tillë i neveritshëm për çdo ndërgjegje? Dhe a nuk e përgojon Perëndinë e Biblës, i cili është “plot dhembshuri për të gjitha veprat e tij” (Psalmi 145:9) dhe “i cili dëshiron që gjithë njerëzit të shpëtohen” (1 Timoteut 2:4)?

Nëse Perëndia, siç pohon Bibla, i do vërtet të gjithë dhe u ka dhënë atyre fuqinë e zgjedhjes, atëherë të humburit janë përgjegjës për rrënimin e tyre, sepse e kanë refuzuar me dashje shpëtimin që Perëndia e ofron me dashuri dhe falas në Krishtin. Megjithatë Hoxhes pohon: “Sipas skemës agustiniane, të pazgjedhurit i kanë të gjitha përparësitë dhe mundësitë për të siguruar shpëtimin e tyre…”{{12}}. Çfarë përparësish dhe mundësish për shpëtim kanë ata prej të cilëve Perëndia u refuzon rilindjen dhe hirin e papërballueshëm pa të cilin kalvinistët thonë se askush nuk mund të besojë për shpëtimin, për të cilët Krishti nuk vdiq dhe të cilët Ai i paracaktoi për rrënim të përjetshëm para se të lindnin? Kjo është tallje! Megjithatë Sprouli, Pajpëri, MekArturi dhe kalvinistë të tjerë drejtues “të moderuar” të kohës së sotme ngulin këmbë në këtë kundërshtim të dukshëm!

Për më tepër, si mund të quhen me të drejtë përgjegjës këta persona? A mund të fajësohet një paraplegjik ngaqë nuk arrin të bëhet një gjimnast i nivelit botëror, apo një burrë ngaqë nuk arrin të lind fëmijë apo t’i japë gji foshnjës që lind gruaja e tij? Absurde! Megjithatë na thuhet se drejtësia e përsosur e Perëndisë vepron në këtë mënyrë. Tragjikisht, shtrembërimi kalvinist i Perëndisë ka bërë që shumë t’i kthejnë krahët Perëndisë ashtu sikur të ishte përbindësh.

Supozohet se Perëndia i ka krijuar të gjithë njerëzit të paaftë që të zgjedhin për ta ndjekur Atë dhe për t’i besuar ungjillit. E vetmja shpresë është në vetë Perëndinë që ta rilindë në mënyrë sovrane një mëkatar – por Ai e bën këtë vetëm për një grup të kufizuar të zgjedhurish dhe e dënon pjesën tjetër për të vërtetuar sovranitetin dhe drejtësinë e Tij. Ky është mesazhi i TULIP-it. Pajpëri, duke e konsideruar veten si një prej të zgjedhurve, gjen gëzim të madh në [doktrinën e] TULIP-it dhe nuk shpreh asnjë keqardhje për fatin e paracaktuar të atyre për të cilët kjo doktrinë mund t’u shkaktojë vetëm ankth të përjetshëm:

 

Duhet të shqyrtojmë doktrinën tonë të reformuar të shpëtimit në mënyrë që çdo krah e degë në pemë të rrjedhë limfën e ëndjes së Agustinit. Duhet të bëjmë të qartë se shthurja e plotë nuk është vetëm ligësi, por verbëri […] dhe zgjedhje e pakushtëzuar do të thotë se plotësia e gëzimit tonë në Jezusin u planifikua për ne para se të ekzistonim [nuk ka rëndësi se rrënimi i përjetshëm u planifikua gjithashtu për të tjerët]; dhe se shlyerja e kufizuar është siguria se gëzimi i pashkatërrueshëm në Perëndinë është i sigurt në mënyrë të pashmangshme për ne [për të zgjedhurit vetëm për të cilët vdiq Krishti] me anë të gjakut të besëlidhjes; dhe hiri i papërballueshëm është zotimi dhe fuqia e dashurisë së Perëndisë […] këmbëngulja e shenjtorëve është vepra madhështore e Perëndisë për të na mbajtur…{{13}} (Theksimi në origjinal).

Çfarë dashuri, dhembshuri dhe hir janë këto?

Vetëm të zgjedhurit e gëzojnë “ëndjen e Agustinit” duke qenë të zgjedhur për shpëtim. Çfarë ëndje ka për ata të cilët, para se të lindnin, tashmë ishin paracaktuar për mundim të përjetshëm? Gjithashtu kalvinisti nuk mund të ndiejë as keqardhjen më të vogël për ata që Perëndia, sipas pëlqimit të Tij të mirë, i ka dënuar përjetësisht.

Përkundrazi, merr në konsideratë sigurinë e përsëritur të Biblës se dashuria dhe hiri i Perëndisë ndaj njerëzimit janë të pakufi dhe të përjetshme. Më poshtë janë vetëm disa pjesë të Shkrimit që e përshkruajnë këtë gjë:

  • Sepse Zoti, Perëndia juaj, është i mëshirshëm dhe zemërmadh dhe nuk do ta heqë fytyrën prej jush, në rast se ktheheni tek ai (2 Kronikave 30:9).
  • Por ti je një Perëndi i gatshëm që të falë, shpirtmadh, plot mëshirë, i ngadalshëm në zemërim dhe plot mirësi… je një Perëndi zemërbutë dhe i mëshirshëm (Nehemia 9:17, 31).
  • Por ti, o Zot, je një Perëndi i mëshirshëm dhe i dhembshur që zemërohet ngadalë dhe që ka shumë mirësi dhe të vërtetë (Psalmi 86:15).
  • Zoti është i dhembshur dhe plot mëshirë (Psalmi 111:4; 112:4; 145:8; etj.).
  • Grisni zemrën tuaj dhe jo rrobat tuaja dhe kthehuni tek Zoti, Perëndia juaj, sepse ai është i mëshirshëm dhe plot dhembshuri… (Joeli 2:13).
  • Sepse e dija që je një Perëndi i mëshirshëm dhe plot dhembshuri […] me shumë dashamirësi. (Jona 4:2).

Ashtu si qindra pjesë të tjera, secila nga këto pjesë të Shkrimit i drejtohet Izraelit, pjesa më e madhe e të cilit e refuzoi hirin e Perëndisë. Nuk kemi asnjëherë ndonjë aluzion se dhembshuria e Perëndisë u shtrihet vetëm disave. “Ne e duam atë, sepse ai na deshi i pari”  (1 Gjonit 4:19) pohon se dashuria jonë është përgjigjja e dashurisë së Perëndisë. Në asnjë pjesë Shkrimi nuk tregon se ne e duam Perëndinë, ashtu siç përdëllen Pajpëri, sepse ne jemi midis grupit të zgjedhur të cilin Ai e paracaktoi për shpëtim dhe e rilindi në mënyrë sovrane.

Ç’mund të themi për ata që supozohet se nuk janë zgjedhur për shpëtim, të cilët Perëndia nuk i pati kurrë ndërmend t’i shpëtojë, për të cilët Krishti nuk vdiq dhe për të cilët nuk ka shpresë? A nuk është sadiste t’i urdhërojmë ta duan Perëndinë? Megjithatë ky është urdhërimi i parë i Dhjetë Urdhërimeve, ashtu si të gjitha, është një urdhër për të gjithë. Si mund ta duan Perëndinë të pazgjedhurit kur Perëndia nuk i do ata? Një mësim i tillë e çnderon Perëndinë dhe mund të shkaktojë vetëm fyerje ndaj Tij.

Fatkeqësisht, duke lexuar seri librash nga kalvinistë, shohim të ngrihet shumë lart sovraniteti i Perëndisë, por gati asnjëherë dashuria e Tij. Pakeri pranon: “Që nga koha e Reformimit, trajtimet e dashurisë së Perëndisë në zgjedhje ishin zakonisht […] të zëvendësuara nga grindje të një lloji abstrakt rreth sovranitetit të Perëndisë për mallkim”{{14}}. Çfarë gjëje tjetër ka kalvinizmi për të ofruar?!

Pajpëri pohon: “Doktrina e hirit të papërballueshëm do të thotë se Perëndia është sovran dhe mund të mposhtë çdo rezistencë kur do Ai”{{15}}.

I krishteri duhet t’i dojë të tjerët me dashurinë e Perëndisë si forcën dhe shembullin e tij, sepse “dashuria është nga Perëndia” (1 Gjonit 4:7), “…dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë” (Romakëve 5:5), “Sepse ju vetë jeni të mësuar nga Perëndia që të doni njeri-tjetrin” (1 Thesalonikasve 4:9).

Dashuria e Perëndisë që rrjedh përmes besimtarit ka një ndikim praktik: “Dhe nëse njëri ka të mirat e kësaj bote dhe sheh të vëllanë që është në nevojë dhe e mbyll zemrën e tij, si qëndron në të dashuria e Perëndisë?” (1 Gjonit 3:17). Ne na urdhërohet t’i duam armiqtë tanë dhe t’u bëjmë të mirën të gjithëve, edhe atyre që na urrejnë (Mateu 5:44; Luka 6:35 etj.). Sa e çuditshme që dashuria e Perëndisë që banon në ne të plotësojë në mënyrë të vërtetë përmes nesh nevojat e të tjerëve – mirëpo vetë Perëndia shikon miliarda njerëz në nevojën më të madhe dhe refuzon t’i ndihmojë – në fakt, i dënon ata që mund t’i shpëtonte. Me siguri ky nuk është Perëndia që portretizohet në Bibël!

Një Perëndi i durueshëm

Sovraniteti në kalvinizëm, siç e kemi parë, është i tillë që Perëndia është pas çdo lëvizje dhe vepër të çdo individi, duke shkaktuar çdo mëkat dhe shtysë “dashurie”. Supozohet që zemra e njeriut është “bërë e vullnetshme” për ta dashur Perëndinë. Por “bërë e vullnetshme” është një oksimoron. Dikush mund të bindet, por jo të bëhet i vullnetshëm, sepse vullneti duhet të jetë i vullnetshëm në vetvete dhe nga vetvetja.

Përsëri detyrohemi të pyesim: “Çfarë dashurie është kjo?”. Nëse për Perëndinë e Kalvinit mund të thuhet se ka dashuri, ajo është një dashuri që supozohet se mund t’i detyrohet kujtdo dhe përgjigjja e njeriut vjen përmes të njëjtit detyrim. Por kjo nuk është natyra e dashurisë.

Përkundrazi, në Bibël dashuria, hiri dhe mëshira e pafund e Perëndisë tregohen në mënyrë të fuqishme në marrëveshjet e Tij me Izraelin. Për më tepër, refuzimi dhe urrejtja kundër Tij nga Izraeli i pabindur e bëjnë dashurinë e vërtetë të Perëndisë të shkëlqejë edhe më tepër. D. A. Karsoni, edhe pse vetë kalvinist, e shpreh qartë kontradiktën e kalvinizmit:

Tërë profecia e Oseas është një portret mahnitës i dashurisë së Perëndisë. Shumë i Larti Perëndi krahasohet me një burrë të tradhtuar dhe brinar. Por thellësia e pasionit të Perëndisë për kombin e besëlidhjes e arrin kulmin te Osea 11. “Kur Izraeli ishte fëmijë” – shpall Perëndia – “unë e desha dhe nga Egjipti thirra birin tim (11:1)…”. Por sa më tepër Perëndia e donte Izraelin, aq më tepër ata largoheshin nga Ai. Perëndia ishte personi që kujdesej për ta […] Ai që “i tërhiqte me litarë të dashamirësisë njerëzore” (11:4). Megjithatë ata […] “u kanë bërë flijime Baalëve dhe u kanë djegur temjan figurave të gdhendura”. Kështu Perëndia premton gjykim. Ata do të kthehen në “Egjipt” dhe Asiri, pra, në robëri dhe skllavëri, “sepse nuk kanë pranuar të konvertohen” (11:5). Qytetet e tyre do të shkatërrohen (11:6)…. Kështu duket sikur është shpallur gjykimi i paepur. Por më pas duket sikur Perëndia nuk mund ta durojë këtë mendim. Në një agoni emocionesh të thella Perëndia thërret:

“Si mund të të braktis, o Efraim,

ose të të lë në dorë të të tjerëve, o Izrael?…

Zemra ime ngashërehet brenda meje,

dhembshuria ime ndizet e tëra.

Nuk do ta shfryj zemërimin tim të zjarrtë…

sepse jam një Perëndi dhe jo një njeri…

nuk do të vij me zemërim….

unë do t’i bëj të banojnë në shtëpitë e tyre” thotë Zoti{{16}}.

Megjithatë, nëse kalvinizmi do të ishte i vërtetë, këto përgjërime janë të shtirura. Të zgjedhurit nuk kanë nevojë për to dhe të pazgjedhurit nuk mund t’u vënë veshin. Të shthururit e plotë që janë zgjedhur për shpëtim duhet të rilinden dhe të mbushen me hirin e papërballueshëm, ndërsa pjesa tjetër e njerëzimit është e dënuar pa kthim mbrapa. Pse të pretendojë këtë dashuri dhe të shqetësohet kur njeriu nuk ka zgjedhje dhe Perëndia mund të shtyjë në mënyrë të papërballueshme këdo për të bërë atë që Ai do?

Supozohet se për të shpëtuar vetëm një grup të zgjedhur dhe për të dënuar pjesën tjetër ishte e domosdoshme për të vërtetuar sovranitetin dhe drejtësinë e Perëndisë dhe do të jetë kështu përjetësisht për lavdinë e Tij më të madhe. Megjithatë, është e qartë se Perëndia nuk ka nevojë ta dënojë dikë për të vërtetuar qoftë sovranitetin, qoftë drejtësinë e Tij. Nëse nuk është kërcënim ndaj sovranitetit të Perëndisë për t’i shpëtuar të zgjedhurit, nuk do të jetë gjithashtu të shpëtojë një milion më tepër, 100 milionë më tepër – ose akoma më i dashur, të shpëtojë tërë njerëzimin.

Shumë pjesë nga Bibla nuk lënë asnjë dyshim se Perëndia do dhe dëshiron të bekojë jo vetëm një grup të zgjedhur që do të çlirohet nga Izraeli, por tërë Izraelin (dhe gjithashtu tërë njerëzimin), duke përfshirë ata që e refuzojnë dashurinë dhe ofertën e Tij të hirshme të bekimit. Vetë karakteri i Perëndisë pasqyrohet në urdhërimet që Ai i dha popullit të Tij të zgjedhur. Ata duhej t’i kthenin madje edhe armikut të tyre kaun apo gomarin e tij që kishte humbur rrugën (Eksodi 23:40). Mirëpo vetë Perëndia nuk i dhënka njerëzimit të humbur mirësinë që Ai e urdhëron njeriun t’ua japë kafshëve? Një mësim i tillë nuk kumbon besnikërisht me Shkrimin apo ndërgjegjen që Perëndia ka vendosur brenda çdo personi (Romakëve 2:14-15).

Një keqkuptim themelor

Si mund të ekzistojë midis të krishterëve të vërtetë kjo shpifje e trishtueshme ndaj karakterit të shenjtë të Perëndisë? Kryesisht përmes një theksimi të tepruar mbi sovranitetin e Perëndisë deri në përjashtim të çdo gjëje tjetër. Është imagjinuar se nëse njeriu mund të bëjë një zgjedhje – edhe sikur me thirrjet dhe tërheqjen e Frymës së Shenjtë ai mund t’i përgjigjet me dashje, nga zemra e tij, dashurisë së Perëndisë në ungjillin – sovraniteti i Perëndisë është anuluar. Pinku ngul këmbë se nëse njeriu do të mundej, me anë të një veprimi të vullnetit të tij, të besonte dhe të pranonte Krishtin, “atëherë i krishteri do të kishte arsye për t’u mburrur dhe vetëlavdëruar për bashkëpunimin e tij me Frymën…”{{17}}. Madje edhe Karsoni, në një libër që ka shumë të vërteta të baraspeshuara për të ofruar, bie në këtë gabim:

Nëse Krishti vdiq për të gjithë njerëzit saktësisht me të njëjtin qëllim […] atëherë me siguri është e pamundur të shmangësh përfundimin se shenja përfundimtare dalluese midis atyre që janë dhe atyre që nuk janë shpëtuar është sipas vetë vendimit të tyre, vetë vullnetit të tyre. Kjo me siguri është arsye për mburrje{{18}}.

Vetëm një kalvinist nuk mund të arrijë të shohë gabimin e këtij argumenti. Shpëtimi është “dhurata e Perëndisë” (Romakëve 6:23). Si mund të merret një dhuratë pa aftësinë për të zgjedhur? Aftësia për të thënë jo – gjë e cila është gjithçka që kalvinizmi u dhuron atyre që janë plotësisht të shthurur – është e pakuptim pa aftësinë shoqëruese për të thënë po.

Për më tepër, si mund të jetë një bazë për mburrje pranimi i një dhurate? Nëse dhurata u ofrohet të gjithëve falas për ta marrë, ata që e pranojnë dhuratën nuk kanë bazë për t’i dhënë merita vetes. Gjithçka është parashikuar në Krishtin, është vepra e Tij, Atij i takon tërë lavdia dhe është absurde të sugjerosh se mëkatari i pashpresë që është shpëtuar pa meritë apo përpjekje nga ana e tij, por thjesht e duke pranuar hirin e Perëndisë, të mund të mburret për ndonjë gjë.

Kalvinisti ka aq shumë frikë që çfarëdo përgjigje nga ana e njeriut mund të sfidonte sovranitetin e Perëndisë, saqë ai shpik gjithnjë e më tepër argumente të pambrojtshme. Çarls Hoxhes ngul këmbë se “nëse hiri i frytshëm është ushtrimi i fuqisë së fuqishme, është i papërballueshëm”{{19}}. Duke ndjekur të njëjtin arsyetim, C. D. Kouli (Cole) shkruan: “Fuqia e hirit është fuqia e Perëndisë. Kjo e bën të përshtatshme të flasim për hir të papërballueshëm. Me siguri mund të flasim për një Perëndi të papërballueshëm!”{{20}}.

E meta në një arsyetim të tillë është elementare. Fuqia e gjithëfuqishme nuk ka të bëjë fare me hirin, dashurinë apo dhënien e një dhurate. Në të vërtetë, ashtu si vetë Perëndia nuk mund të detyrojë dikë ta dojë (një përgjigje e imponuar është e kundërta e dashurisë), kështu do të ishte e kundërta e hirit të imponosh ndonjë dhuratë apo dobi të “hirit” ndaj dikujt që nuk do ta pranojë atë. Për të qenë dhuratë duhet të pranohet me dashje. Fuqia nuk ka të bëjë me dhuratën e hirshme dhe të dashur të Perëndisë.

Beku, ashtu si shumë kalvinistë të tjerë, përsërit të njëjtin argument të sëmurë: “E përsëris, Ungjilli i Krishtit është fuqia e Perëndisë për shpëtim! Asgjë nuk mund ta ndalojë…. Nëse hiri i Perëndisë mund të rezistohet në mënyrë të suksesshme, atëherë Perëndia mund të mposhtet…”{{21}}. Argumente të tilla janë një siklet për arsyen e shëndoshë. Fuqia e Perëndisë në shpëtim i referohet aftësisë së Tij për të paguar borxhin e mëkatit në mënyrë që të Ai të jetë i drejtë dhe prapë t’i shfajësojë mëkatarët; nuk i referohet shpëtimit të tij të imponuar ndaj atyre që do ta kishin refuzuar. Në asnjë vend të Shkrimit nuk kemi një koncept të tillë. Gjithashtu shohim “kushdo mund të vijë” – asnjëherë imponimin e hirit të Perëndisë ndaj ndonjë personi që nuk do. Këtu duhet të pajtohemi me Arminiusin, i cili tha: “Hiri nuk është një vepër e gjithëfuqishme e Perëndisë, i cili mund të rezistohet nga vullneti i lirë i njerëzve”{{22}}. Nuk mund të jetë, përndryshe nuk do të ishte hir nga vetë fjala.

Jahve dërgoi profetët e Tij brez pas brezi për t’i kërkuar të pendohej një populli që e refuzoi me kokëfortësi ofertën e hirit të Tij. Pse nuk ishte ai hir “i papërballueshëm”? Nëse fuqia e gjithëfuqishme e Perëndisë mund të shkaktojë cilindo që Ai do për ta pranuar dhuratën e hirit të Tij, atëherë “dhurata” nuk është më dhuratë, “hiri” nuk është më hir dhe njeriu nuk është një qenie e përgjegjshme morale.

Në tërë përgjërimet e Perëndisë ndaj Izraelit për pendim dhe premtimet Tij të bekimit nëse do të pendohej, nuk kemi kurrë ndonjë sugjerim se Ai mund të imponojë hirin e Tij ndaj tij në mënyrë të papërballueshme. Asnjë kalvinist nuk ka dhënë ndonjë shpjegim biblik për hirin e papërballueshëm.

Në një prej shembujve të shumtë Perëndia thërret: “Ah, sikur populli im të më dëgjonte…! Do të poshtëroja menjëherë armiqtë e tij dhe […] unë do ta ushqeja (Izraelin) me grurin më të mirë dhe do ta ngopja me mjaltin që pikon nga shkëmbi” (Psalmi 81:8-16). Në vend të kësaj, gjykimi i Perëndisë ra mbi Izraelin. A ishte gjykimi që kishte synuar kohë më parë dhe a ishin përgjërimet e Tij të pasinqerta? Te ky përfundim dalim nga kalvinizmi – i cili e minon tërë Shkrimin. Përgjërime të tilla me Izraelin dhe me tërë njerëzimin kthehen në një shtirje të turpshme.

Më shumë kontradikta

Ky keqkuptim elementar, edhe pse i sinqertë, i gjithëfuqisë së Perëndisë është themelor për kalvinizmin. Tom Rosi argumenton: “Nëse çdo njeri zotëron një vullnet të lirë që është aq i fuqishëm sa t’i bëjë ballë vullnetit të Perëndisë për shpëtim, çfarë do ta ndalojë të njëjtin njeri të zgjedhë t’i bëjë ballë vullnetit të Perëndisë në dënim para fronit të madh të bardhë të gjykimit?”{{23}}. Rosi është i pështjelluar. Ata që janë para fronit të madh të bardhë ndodhen atje sepse e kanë ngurtësuar në mënyrë të përsëritur veten kundër dashurisë së Perëndisë dhe ofertës së hirshme të shpëtimit. Tani ata përballen me gjykimin e Tij. Hiri ofrohet me dashuri; gjykimi imponohet me anë të drejtësisë dhe fuqisë.

A nuk mund të shohë Rosi ndonjë ndryshim midis shpëtimit të ofruar në hirin e Perëndisë dhe gjykimit të imponuar nga drejtësia e Tij? A mund të jetë ai serioz në sugjerimin se për shkak se i pari mund të refuzohet, po kështu mund të refuzohet edhe i dyti? Jo të gjithë kalvinistët janë në një mendje. Kështu Karsoni shkruan se “sovraniteti i pakushtëzuar i Perëndisë dhe përgjegjësia e qenieve njerëzore janë në mënyrë të pandryshueshme të pajtueshëm”{{24}}.

Ne nuk e zvogëlojmë sovranitetin e Perëndisë – por ai duhet të baraspeshohet me atributet e Tij të tjera. Karsoni pohon: “Nuk mendoj se ajo që Bibla thotë rreth dashurisë së Perëndisë mund të mbijetojë gjatë në ballë të mendimit tonë nëse përhumbet nga sovraniteti, shenjtëria, zemërimi, providenca apo personi i Perëndisë – për të përmendur vetëm disa elementë të patregueshëm të krishterimit themelor”{{25}}.

Sovraniteti absolut i Perëndisë nuk e parandaloi rebelimin e Satanit dhe të Adamit, mosbindjen e vazhdueshme të njeriut ndaj Dhjetë Urdhërimeve dhe bredhjen e tij si dele e humbur që e refuzoi vullnetin e Perëndisë. Aq më pak sovranitet nuk do të thotë se Perëndia është prapa çdo gjëje, duke shkaktuar çdo mëkat – siç kërkon kalvinizmi. Ky gabim bëri të dalë besimi se hiri duhet të jetë i papërballueshëm.

Çdo ndërgjegje dëshmon për pohimin jokalvinist të Karsonit se “Shkrimi nuk na tall kur thonë: ‘Ashtu si ati ka mëshirë për fëmijët e tij, po kështu Zoti ka mëshirë për ata që kanë frikë prej tij’”{{26}}. Megjithatë Karsoni mbetet kalvinist, ndonëse e kundërshton në shumë mënyra pjesën më të madhe të asaj që besojnë kolegët e tij.

Disa kalvinistë përpiqen t’u shpëtojnë pasojave të tmerrshme të doktrinës së tyre duke sugjeruar se paracaktimi për dënim dhe ftesa e Perëndisë ndaj të gjithëve për të besuar, janë të dyja të vërteta edhe pse e kundërshtojnë njëra-tjetrën. Supozohet që ne thjesht nuk dimë si t’i pajtojmë këto konflikte në dukje dhe nuk duhet të përpiqemi t’i pajtojmë, sepse gjithçka do të shfaqet në përjetësi.

E vërteta është se vetë kalvinizmi e ka krijuar këtë “mister” të veçantë. Edhe pse ka shumë gjëra që qeniet e kufizuara nuk i kuptojmë, na është dhënë një ndërgjegje me një ndjenjë të mirë të së drejtës e të gabuarës dhe të drejtësisë e padrejtësisë. Perëndia na bën thirrje të arsyetojmë me Të rreth këtyre gjërave. Ai e shpjegon gjerë e gjatë drejtësinë dhe dashurinë e Tij dhe u ka dhënë edhe njerëzve të parilindur aftësinë për ta kuptuar ungjillin dhe për të besuar në Krishtin ose për ta refuzuar. Kalvinizmi, siç kemi parë në mënyrë të përsëritur, e fyen ndërgjegjen e dhënë nga Perëndia.

Hiri i papërballueshëm dhe ungjilli

Pjesa më e madhe e kalvinistëve përpiqen të nderojnë urdhrin e Perëndisë për t’i “predikuar ungjillin çdo krijese”. Megjithatë, është e vështirë të përkrahet rëndësia e ungjillit kur të parilindurit janë të paaftë ta besojnë dhe të zgjedhurit rilinden pa të, më pas u jepet në mënyrë sovrane dhe të mbinatyrshme besimi për të besuar. Sprouli, në dukje i pavetëdijshëm se po kundërshton vetë “teologjinë e reformuar” për të cilën është një mbrojtës i madh, i nxit me zell lexuesit: “Nëse besojmë në fuqinë e ungjillit për të shkaktuar shpëtimin tonë, duhet të besojmë në fuqinë e Ungjillit të predikuar për t’i mbledhur të zgjedhurit e Tij”{{27}}. Por të zgjedhurit e kalvinizmit janë paracaktuar nga përjetësia e largët dhe është vepra sovrane e rilindjes nga Perëndia, jo ungjilli, që e vetme mund “t’i mbledhë të zgjedhurit e Tij”.

Duke pasur parasysh TULIP-in, si mund të ndikojë ungjilli shpëtimin e dikujt? I parilinduri, i zgjedhuri apo i pazgjedhuri, nuk mund të përgjigjen apo të besojnë. Gjithashtu as nuk do të ishte në dobi të të pazgjedhurit që ta kuptonte, sepse ata janë paracaktuar për dënim të përjetshëm që nga fillimi.

Të zgjedhurit rilinden pa ungjillin dhe vetëm atëherë ata mund të besojnë. Por kur janë rilindur, ata tashmë janë shpëtuar veç nëse dikush nuk është rilindur në mënyrë sovrane (pra, lindur sërish nga Fryma) dhe të jetë ende i pashpëtuar. Duke qenë të rilindur pa ungjillin, dëgjimi dhe besimi i tij më pas nuk mund t’i shpëtojë, sepse ata tashmë janë shpëtuar në rilindjen e tyre.

Sprouli i qëndron besnik Fjalës së Perëndisë, e cila mëson qartë se ungjilli “është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson” (Romakëve 1:16). Megjithatë, për t’i qëndruar besnik Biblës, ai duhet të injorojë mësimin e kalvinizmit se dikush nuk mund ta besojë ungjillin derisa të ketë rilindur. Kështu ai flet sikur ungjilli, siç e thotë Bibla, duhet besuar për shpëtim – por ai nuk mund ta besojë këtë me të vërtetë, ose përndryshe do t’i duhet ta braktisë kalvinizmin.

Sprouli shkruan një libër të tërë duke i qortuar me të drejtë ata që firmosën “Ungjillorët dhe katolikët së bashku: Misioni në mijëvjeçarin e tretë”. Ai argumenton me të drejtë se “shfajësimi me anë të besimit është thelbësor për ungjillin. Ungjilli është thelbësor për krishterimin dhe shpëtimin”{{28}}. Ai e mbyll librin me këtë citim jokalvinist nga Xhon Kalvini: “Le të mbetet e caktuar […] se ne shfajësohemi vetëm me anë të besimit”{{29}}.

Por Sprouli beson se nuk ka besim pa rilindjen, kështu lindja e re në familjen e Perëndisë si një fëmijë i Perëndisë e lë dikë akoma të pashfajësuar! Për më tepër, meqë besimi në Krishtin përmes ungjillit është thelbësor për shpëtimin, kemi të zgjedhurit të lindur sërish si fëmijë të Perëndisë para se të shpëtohen.

Kalvinizmi bëhet shumë pështjellues kur ka të bëjë me ungjillin. Si mund “t’i mbledh të zgjedhurit e Tij” ungjilli i predikuar siç pohon Sprouli? Edhe të zgjedhurit nuk mund ta besojnë atë [ungjillin] derisa të rilindin – dhe kalvinizmi është i vendosur se rilindja është udha që Perëndia “i mbledh të zgjedhurit e Tij”. A nuk ishte vepra sovrane e rilindjes që i mblodhi të zgjedhurit në vathë? Atëherë ungjilli nuk hyri në punë dhe Sprouli po jep arsye të rreme për predikimin e tij.

Kalvinisti me sa duket ka dy dhomëza në mendjen e tij: në njërën ai mbron besnikërisht dogmat e kalvinizmit dhe në tjetrën mësimin e Shkrimit. Kjo nuk mund të jetë e lehtë apo e rehatshme për ndërgjegjen. Fakti se besimi në Krishtin përmes ungjillit e pararend lindjen sërish apo shpëtimin (në kundërshtim me doktrinën e rilindjes para besimit) mësohet në mënyrë të pamohueshme në morinë e pjesëve si vijon:

  • Djalli […] ua merr fjalën nga zemra e tyre, që ata të mos besojnë dhe të mos shpëtojnë (Luka 8:12).

  • Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh… (Veprat e Apostujve 16:31).

  • Po të besosh në zemrën tënde […] do të shpëtohesh (Romakëve 10:9).

  • Në të [Krishtin] edhe ju, pasi e dëgjuat fjalën e së vërtetës, ungjillin e shpëtimit tuaj, dhe pasi besuat, u vulosët me Frymën e Shenjtë të premtimit (Efesianëve 1:13; theksimi i shtuar).
Një oksimoron klasik

Në thelb, shprehja “hir i papërballueshëm” paraqet një kontradiktë tjetër të papajtueshme. Për sa i përket hirit, ka dy domethënie të mundshme të fjalës “i papërballueshëm”: i papërballueshëm në thirrjen e tij ndaj tërë njerëzimit; apo i papërballueshëm në imponimin e tij ndaj vetëm të zgjedhurve. Sigurisht, të parët mohohen nga kalvinizmi. Ai sistem mbështetet mbi besimin se hiri dhe ungjilli nuk u bëjnë thirrje tërë të shthururve të plotë, bijve dhe bijave të vdekur frymërisht të Adamit. Gjithashtu hiri nuk i bën thirrje as të zgjedhurve derisa ata të kenë rilindur në mënyrë sovrane.

Atëherë mbetet vetëm një mundësi: që hiri imponohet në mënyrë të papërballueshme mbi një grup të përzgjedhur – dhe ky është mësimi i kalvinizmit. Por të imponosh diçka ndaj dikujt është pikërisht antiteza e hirit. Detyrimi qoftë edhe i një dhurate më të vlefshme dhe të dëshirueshme ndaj një personi që nuk do ta marrë do të ishte e pahirshme në maksimum. Kështu shprehja “hir i papërballueshëm” është një oksimoron tjetër. Megjithatë ky është një element përbërës pa të cilin katër pikat e tjera të TULIP-it do të bien.

Për më tepër, kjo pikë e katërt e TULIP-it, ashtu si tri të parat, na ballafaqon me një shprehje tjetër të huaj të Shkrimit – pra, si mund të jetë biblike? Fjala “i papërballueshëm” nuk haset në Bibël. Megjithatë, hiri i mrekullueshëm i Perëndisë është një prej të vërtetave më të çmuara të paraqitur në Fjalën e Tij. Fjala “hir” haset 170 herë në 159 vargje. Dhe kurrëndonjë referim të saj nuk gjendet një sugjerim që hiri të imponohet në mënyrë të papërballueshme. Gjithmonë përfundimi është se hiri i Perëndisë jepet falas dhe pranohet me dëshirë:

Shiko shembujt e mëposhtëm:

  • Por Noeu gjeti hir në sytë e Zotit (Zanafilla 6:8).
  • Zoti do të japë hir dhe lavdi… (Psalmi 84:11).
  • Me anë të të cilit ne kemi marrë hir dhe apostullim… (Romakëve 1:5).
  • Duke pasur dhunti të ndryshme sipas hirit që na u dha… (Romakëve 12:6).
  • Përherë i falem nderit Perëndisë […] për hirin e Perëndisë, i cili ju është dhënë me anë të Jezu Krishtit (1 Korintasve 1:4).
  • Mua, më të voglit nga të gjithë shenjtorët, m’u dha ky hir… (Efesianëve 3:8).
  • Po secilit nga ne iu dha hiri sipas masës së dhuntisë së Krishtit (Efesianëve 4:7).
  • Ju burra, gjithashtu, jetoni me gratë tuaja me urtësi […] dhe e nderoni sepse janë bashkëtrashëgimtare me ju të hirit të jetës (1 Pjetrit 3:7).

Ç’mund të themi për pjesë të tjera të Shkrimit, si “Do të derdh mbi shtëpinë e Davidit dhe mbi banorët e Jerusalemit Frymën e hirit dhe të përgjërimit…” (Zakaria 12:10); “Dhe apostujt me fuqi të madhe jepnin dëshmi […] dhe hir i madh ishte mbi të gjithë ata” (Veprat e Apostujve 4:33); “Dhe Perëndia mund të bëjë që gjithë hiri të teprojë për ju…” (2 Korintasve 9:8) etj.? Edhe pse treguesit duken më të fortë se Perëndia po jep hir në mënyrë sovrane, nuk ka tregues se hiri i Perëndisë imponohet në mënyrë të papërballueshme ndaj ndokujt. Secili, me vullnetin e tij, duhet të zgjedhë ta pranojë.

Rishikim i teorisë së “dy vullneteve që bien ndesh”

Shumë kalvinistë, duke e mbështetur këtë sistem, bëjnë pohime të çuditshme si këto: ”Ngaqë vullneti i Perëndisë është gjithmonë i kryer, vullneti i çdo krijese duet të jetë sipas vullnetit sovran të Perëndisë”{{30}}. Atëherë, logjikisht, çdo mendim, fjalë dhe vepër e njerëzimit (duke përfshirë paudhësinë më të neveritshme) është dëshiruar nga Perëndia. Vansi komenton: “Që kurvëria dhe mosmirënjohja të jenë pjesë e ‘vullnetit të fshehtë’ të Perëndisë duhet të konsiderohet jo si surprizë nën dritën e […] konceptit kalvinist të dekretit gjithëpërfshirës të Perëndisë”{{31}}. Por a nuk tkurret në tmerr nga kjo doktrinë ndërgjegjja e dhënë nga Perëndia se gjithë e keqja është sipas vullnetit të Perëndisë? Madje Pinku e refuzon ndonjëherë dallimin e bërë midis “vullnetit të përsosur” të Perëndisë dhe “vullnetit të Tij lejues”, sepse “Perëndia lejon vetëm atë që është sipas vullnetit të Tij”{{32}}. Kështu ai e kundërshton pikëpamjen e MekArturit rreth 1 Timoteut 2:4 se Perëndia ka dy vullnete në konflikt – një pikëpamje me të cilën Sprouli, Pajpëri dhe kalvinistë të tjerë drejtues janë në përputhje të plotë.

Kalvinistët përpiqen të përputhin një sovranitet që shkakton çdo mendim, fjalë dhe vepër dhe dënon miliarda, me siguritë e përsëritura biblike të mirësisë, dhembshurisë dhe dashurisë së Perëndisë për të gjithë. Xhon Pajpëri, ashtu si MekArturi, propozon një zgjidhje jobiblike dhe të paarsyeshme – ideja se Perëndia ka dy vullnete që e kundërshtojnë njëri-tjetrin e megjithatë nuk janë në konflikt:

 

Prandaj pohoj me Gjonin 3:16 dhe 1 Timoteut 2:4 se Perëndia e do botën me një dhembshuri të thellë që dëshiron shpëtimin e tërë njerëzve. Megjithatë pohoj gjithashtu se Perëndia ka zgjedhur para themelimit të botës se kë do të shpëtojë nga mëkati. Meqë jo të gjithë njerëzit janë shpëtuar duhet të zgjedhim nëse besojmë (me arminianët) se vullneti i Perëndisë për të shpëtuar tërë njerëzit kufizohet nga zotimi i tij në vetëvendosjen njerëzore apo nëse besojmë (me kalvinistët) se vullneti i Perëndisë për të shpëtuar të gjithë njerëzit kufizohet nga zotimi i tij për lavdërimin e hirit të tij sovran (Efesianëve 1:6, 12, 14; Romakëve 9:22, 23)…. Ky libër ka si qëllim të tregojë se sovraniteti i hirit të Perëndisë në shpëtim mësohet në Shkrimin. Kontributi im ka qenë thjesht për të treguar se vullneti i Perëndisë për shpëtimin e tërë njerëzve nuk është në mospajtim me sovranitetin e hirit të Perëndisë në zgjedhje. Pra, përgjigjja ime ndaj pyetjes rreth asaj që e kufizon vullnetin e Perëndisë për t’i shpëtuar tërë njerëzit është zotimi i tij suprem për të mbështetur dhe shfaqur gamën e plotë të lavdisë së tij përmes manifestimit të zemërimit dhe mëshirës së tij për kënaqësinë e të zgjedhurve të tij dhe besimin e njerëzve nga çdo fis, gjuhë dhe komb{{33}}.

 

Përsëri, kemi një kontradiktë të pacipë nga Pajpëri. Perëndia, në dashurinë dhe dhembshurinë e Tij të madhe, “dëshiron që gjithë njerëzit të shpëtohen”. Megjithatë për të “shfaqur gamën e plotë të lavdisë së tij” ai nuk i shpëton të gjithë – dhe kjo pavarësisht nga këmbëngulja se Ai mund t’i shpëtojë të gjithë nëse do të dëshironte kështu. Le ta themi shkoqur: Perëndia i Pajpërit dëshiron shpëtimin e të gjithë njerëzve; në imponimin e Tij sovran të hirit të papërballueshëm, ai mund t’i shpëtojë të gjithë, por nuk e bën këtë për të treguar zemërimin e tij.

Këtu kemi kontradiktën më të madhe që mund të ekzistojë. Si mund të dalë kalvinisti nga kjo? Ah, Pajpëri ka gjetur një mënyrë të mprehtë për të pohuar se Perëndia do dhe në të vërtetë dëshiron të shpëtoje edhe ata të cilët i ka paracaktuar për dënim nga përjetësia e largët: Perëndia ka dy vullnete, të cilat, edhe pse e kundërshtojnë njëri-tjetrin, janë me të vërtetë në përputhje të fshehtë. A mos po drejtohemi në marrëzi ku fjalët të kenë humbur kuptimin e tyre?

Na kërkohet të besojmë se nuk ka kontradiktë për Perëndinë që të kundërshtojë vetveten nëse kjo përparon “manifestimin e zemërimit dhe mëshirës së tij”! Arsyeja e lë përsëri Pajpërin në baltë. Dënimi i miliarda njerëzve me siguri do të tregonte zemërimin e Perëndisë – por si mund ta lavdërojë kjo Atë në mëshirën e tij? Edhe nëse deri diku do të ishte kështu, nuk ka mënyrë për të përputhur mallkimin me shprehjet e qarta të dashurisë dhe dëshirës së Perëndisë për shpëtimin e të gjithëve – shprehje të cilat Pajpëri i pohon në mënyrë jokalviniste për t’i pranuar në kuptimin formal.

Pajpëri ka edhe një problem tjetër. Perëndia nuk e kundërshton vetveten. Prandaj, Pajpëri duhet të përputhë atë që ai e quan “dy vullnete” të Perëndisë për të treguar se ato janë në përputhje, edhe pse ato në mënyrë të drejtpërdrejtë nuk pajtohen me njëra-tjetrën dhe e shfuqizojnë njëra-tjetrën. Dhe këtë nuk arrin ta bëjë, sepse është e pamundur. Një kontradiktë është kontradiktë dhe nuk ka asnjë mënyrë të ndershme që dy sugjerime kontradiktore të mund të mbruhen në një përputhje.

Pajpëri po ndjek Kalvinin, i cili ra në të njëjtën ide të gabuar. Ai tha: “Kjo është dashuria e Tij e mahnitshme ndaj racës njerëzore, që Ai dëshiron që të gjithë njerëzit të shpëtohen dhe është gati të çojë edhe të humburin në siguri…. Perëndia është gati t’i pranojë tërë njerëzit drejt pendimit, në mënyrë që asnjë të mos humbasë”{{34}}. A mund të jetë ky i njëjti Xhon Kalvini që shpalli aq shpesh dhe aq qartë se, nga përjetësia e largët, Perëndia ka paracaktuar miliarda njerëz për dënim? A është Perëndia i Kalvinit skizofren?

Kalvini, në mënyrë shumë të ngjashme me “dy vullnetet” e Pajpërit, u tërhoq në një “vullnet të fshehtë”: “Nuk kemi asnjë referim këtu të dekretit të fshehtë të Perëndisë me anë të të cilit të paudhët janë dënuar në rrënimin e tyre”{{35}}. Sprouli përpiqet përsëri t’i bjerë fyellit në një vrimë. Brysoni përgjigjet me arsye dhe në mënyrë të përmbledhur:

Kështu, kalvinistët ndodhen në pozicionin edhe më të vështirë duke pohuar se bëjnë një ofertë të vlefshme për shpëtim (për të pazgjedhurit) […] ndërsa e mohojnë [atë] parashikim të vetëm [pra, vdekja e Krishtit] të shpëtimit për të pazgjedhurit […] [dhe duke thënë] se të pazgjedhurit nuk kanë gjasa ta besojnë [ungjillin]…. Ata, duke kaluar nga fyerja në sharje, po pohojnë se kjo është vetëm mënyra se si Perëndia (që nga përjetësia) ka dashur të jetë{{36}}.

Kalvinistët pohojnë se vullneti dhe veprimet e njeriut nuk mund të jenë në konflikt me vullnetin e Perëndisë, sepse kjo do ta bënte njeriun më të madh se Perëndia. Ky pozicion jobiblik rreth sovranitetit të Perëndisë i shtyn ata të propozojnë se dy vullnetet në konflikt nuk janë vullneti i Perëndisë dhe vullneti i njeriut, por dy vullnetet e planit të Perëndisë. Me fjalë të tjera, ata pohojnë se beteja nuk është midis Perëndisë dhe njeriut, ashtu siç thotë Bibla, por më tepër Perëndia kundër vetes, siç ngul këmbë kalvinizmi. Perëndia është duke u shtrembëruar.

 

[[1]] Loraine Boettner, The Reformed Doctrine of Predestination (Phillipsburg, NJ: Presbyterian and Reformed Publishing Co., 1932), 365.[[1]] [[2]] Benjamin B. Warfield, Calvin and Augustine, redaktor Samuel G. Craig (Phillipsburg, NJ: Presbyterian and Reformed Publishing Co., 1956), 321.[[2]] [[3]] Kenneth H. Good, Are Baptists Calvinists? (Rochester, NY: Backus Book Publishers, 1988), 49.[[3]] [[4]] R. C. Sproul, The Holiness of God (Carol Stream, IL: Tyndale House Publishers, Inc., botim i vitit 1993), 273.[[4]] [[5]]William G. T. Shedd, A History of Christian Doctrine (New York: Charles Scribner and Co., botimi i tretë, 1865), 70.[[5]] [[6]] Augustine, On the Spirit and the Letter. Te Laurence M. Vance, The Other Side of Calvinism (Pensacola, FL: Vance Publications, botim i shqyrtuar, 1999), 57.[[6]] [[7]] Augustine, On the Predestination of the Saints, op. cit., 7, 8, 16.[[7]] [[8]] Dave Breese, “The Five Points of Calvinism” (vetëpublikim, n. d.), 3.[[8]] [[9]] John Piper dhe stafi baritor, “TULIP: What We Believe about the Five Points of Calvinism: Position Paper of the Pastoral Staff” (Minneapolis, MN: Desiring God Ministries, 1997),12.[[9]] [[10]] Piper dhe stafi, “TULIP”, 9.[[10]] [[11]] Po aty, 9.[[11]] [[12]] Charles Hodge, Systematic Theology (Grand Rapids, MI: Wm B. Eerdrnans Publishing Co., 1986), 2:643.[[12]] [[13]] John Piper, The Legacy of Sovereign Joy: God’s Triumphant Grace in the Lives of Augustine, Luther, and Calvin (Wheaton, IL: Crossway Books, 2000), 73.[[13]] [[14]]] J. 1. Packer, “The Love of God: Universal and Particular”, te Still Sovereign, redaktor Thomas R. Schreiner dhe Bruce A. Ware (Grand Rapids, MI: Baker Books, 2000) 281.[[14]] [[15]] Piper dhe stafi, “TULIP”, 9.[[15]] [[16]] D. A. Carson, The Difficult Doctrine of the Love of God (Wheaton, IL: Crossway Books, 2000), 46-47.[[16]] [[17]] Arthur W. Pink, The Sovereignty of God (Grand Rapids, MI: Baker Book House, 2nd prtg. 1986), 128.[[17]] [[18]] Carson, Difficult, 78-79.[[18]] [[19]] Hodge, Systematic, II:687.[[19]] [[20]] C. D. Cole, Definitions of Doctrines (Swengle, PA: Bible Truth Depot, n. d.), 84.[[20]] [[21]] Frank B. Beck, The Five Points of Calvinism (Lithgow, Australia: Covenanter Press, botimi i dytë australian, 1986), 40.[[21]] [[22]] Jacobus Arrninius, The Works of James Arminius, përkth. James dhe William Nichols (Grand Rapids, MI: Baker Book House, 1986), 1:525.[[22]] [[23]] Tom Ross, Abandoned Truth: The Doctrines of Grace (Providence Baptist Church, 1991), 56.[[23]] [[24]] Carson, Difficult, 52.[[24]] [[25]] Po aty, 11.[[25]] [[26]] Po aty, 29.[[26]] [[27]] R. C. Sproul, Jr., “The Authentic Message”, Tabletalk, Ligonier Ministries, Inc., qershor 2001, 7.[[27]] [[28]] R. C. Sproul, Faith Alone: The Evangelical Doctrine of Justification (Grand Rapids, MI: Baker Books, 1995), 19 dhe në mbarë librin.[[28]] [[29]] Po aty, duke cituar Kalvinin, The Epistles of Paul the Apostle (një koment rreth Galatasve 2:16), 39.[[29]] [[30]] Steven R. Houck, The Bondage of the Will (Lansing, IL: Peace Protestant Reformed Church, n. d.), 3.[[30]] [[31]] Laurence M. Vance, The Other Side of Calvinism (pensacola, FL: Vance Publications, botim i shqyrtar, 1999), 481.[[31]] [[32]] Pink, Sovereignty, 243.[[32]] [[33]] John Piper, “Are There Two Wills In God?”. Te Still Sovereign, redaktor Thomas R. Schreiner dhe Bruce A. Ware (Grand Rapids, MI: Baker Books, 2000),130-131.[[33]] [[34]] John Calvin, Calvin’s New Testament Commentaries (Grand Rapids, MI: Wm B. Eerdmans Publishing Co., 1994), 12, 364.[[34]] [[35]] Po aty.[[35]] [[36]] George L. Bryson, The Five Points of Calvinism: Weighed and Found Wanting (Costa Mesa, CA: The Word For Today, 1996), 56.[[36]] [previous][next]