Sovraniteti dhe vullneti i lirë

ÇFARË DASHURIE ËSHTË KJO?

SHPESH TË KRISHTERË thonë: “Perëndia i ka gjërat nën kontroll; Ai është akoma mbi fron”. Po çfarë do të thotë kjo? Që Perëndia nuk i kishte gjërat nën kontroll kur Satani u rebelua dhe kur Adami e Eva nuk u bindën, por tani i ka nën kontroll? Kur themi që Perëndia i ka gjërat nën kontroll, mos do të thotë kjo se çdo dhunim, vrasje, luftë, zi, vuajtje dhe e keqe është saktësisht ajo që Ai ka planifikuar dhe dëshiruar – siç thotë Palmeri, “ – madje edhe lëvizja e një gishti […] gabimi i një shkruesi…”? [1].

Që Perëndia është absolutisht sovran nuk do të thotë se gjithçka që njeriu zgjedh të bëjë apo të mos bëjë nuk vjen nga zgjedhja e tij, por që kjo qenka paracaktuar nga Perëndia në të kaluarën e përjetshme. Nuk ekziston asnjë arsye logjike ose biblike se përse një Perëndi sovran me anë të planit të Tij sovran të mos u lejojë krijesave të bëra sipas shëmbëlltyrës së Tij lirinë e zgjedhjes morale. Në fakt, Ai duhet ta lejojë një gjë të tillë, nëse njeriu duhet të jetë më tepër se një kukull kartoni!

Palmeri, në një kapitull të titulluar “misteri i madh”, ngul këmbë se jokalvinisti mohon sovranitetin e Perëndisë ndërsa ngul këmbë për fuqinë e zgjedhjes së njeriut, ndërsa “hiperkalvinisti mohon përgjegjësinë e njeriut”. Më pas ai sugjeron se:

Kalvinisti [i vërtetë] […] i pranon të dyja anët e medaljes. Ai kupton se ajo që përkrah është qesharake […] e pamundur për njeriun që t’i harmonizojë këto dy seri të dhënash. Të thuash nga njëra anë se Perëndia kontrollon gjithçka që ndodh dhe, nga ana tjetër, të thuash se njeriu është përgjegjës për atë që bën? Nuk ka kuptim! Duhet të jetë ose njëra ose tjetra. Të thuash se Perëndia paracakton mëkatin e Judës dhe, nga ana tjetër, Juda duhet të fajësohet? Marrëzi…! Kjo është në përputhje me Palin, i cili tha: “Mesazhi i kryqit është marrëzi për ata që humbin” (1 Korintasve 1:18). Grekët shkojnë pas diturisë dhe logjikës dhe për ta kalvinisti është i paarsyeshëm…. Kështu kalvinisti duhet të mbledhë mendjen e tij: cili është autoriteti i tij? Arsyeja e tij njerëzore apo Fjala e Perëndisë? Nëse përgjigjet, atëherë vihet në punë arsyetimi njerëzor dhe, ashtu si arminiani dhe hiperkalvinisti, ai duhet të përjashtojë njërën prej dy forcave paralele. Por […] ai beson se Bibla është Fjala e Perëndisë […] e sigurt dhe e pagabueshme…. Paradoksi i dukshëm i sovranitetit të Perëndisë dhe i përgjegjësisë së njeriut […] i përkasin Zotit, Perëndisë tonë dhe ne duhet ta lëmë atje. Ne nuk duhet të hetojmë këshillën e fshehtë të Perëndisë [2].

Përkundrazi, nuk ka asnjë kontradiktë midis sovranitetit të Perëndisë dhe vullnetit të lirë të njeriut. Që Perëndia të jetë sovran dhe njeriu i lirë të zgjedhë nuk është një mister i padepërtueshëm. Por kalvinizmi mohon vullnetin e lirë me anë të përkufizimit të tij të sovranitetit, duke e bërë Perëndinë shkakun e çdo gjëje, duke përfshirë edhe mëkatin – megjithatë njeriu është përgjegjës për atë që Perëndia e shtyn atë të bëjë. Ky propozim është i paarsyeshëm. Pështjellimi këtu duhet të jetë i dukshëm.

“Paradoksi” është krijuar nga shtrembërimi kalvinist i sovranitetit. J. I. Pakeri, duke pranuar këtë kontradiktë të shpikur nga njeriu, thotë se ne duhet “të refuzojmë shikimin e mospërputhjes në dukje si të vërtetë” [3]. Kjo deklaratë tingëllon më tepër si Shkencë e Krishterë, Mendim Pozitiv, ose Rrëfim Pozitiv sesa interpretim biblik!

Përkundrazi, është ashtu siç ka thënë Rajmensnideri (Reimensnyder): “Vullneti i lirë i njeriut është një ndër veprat më të mrekullueshme të Krijuesit” [4]. Është me të vërtetë dhurata që bën të mundur çdo dhuratë tjetër nga Perëndia – sepse pa fuqinë për të zgjedhur, njeriu nuk mund të marrë në mënyrë të ndërgjegjshme ndonjë dhuratë morale apo frymërore nga Perëndia. Ky fakt, sigurisht, është i vetëkuptueshëm – dhe biblik. Në mënyrë të përsëritur burrat dhe gratë thirren të bëjnë zgjedhje morale, të duan dhe t’i binden Perëndisë, të besojnë ungjillin dhe të pranojnë Krishtin: “Zgjidhni sot kujt doni t’i shërbeni” (Jozueu 24:15); “Në rast se jeni të gatshëm të bindeni, do të hani gjërat më të mira të vendit” (Isaia 1:19); “Danieli vendosi në zemër të tij të mos e ndot veten” (Danieli 1:8) etj.

Një kontradiktë serioze
[Është] e padiskutueshme që njerëzit, me anë të zgjedhjes së tyre, mund të sfidojnë dhe të mos i binden Perëndisë, sikurse edhe e bëjnë. Njohja se njerëzit i shkelin vazhdimisht ligjet e Perëndisë është e zakontë për çdo ndërgjegje dhe përvojë njerëzore. Pavarësisht nga fakti se Ai është sovran, dhe, natyrisht, pa shkelur apo zvogëluar sovranitetin e tij, vullneti i Perëndisë kundërshtohet dhe refuzohet vazhdimisht si rezultat i rebelimit të Satanit dhe të njeriut. Fakti që qytetarët dhe të huajt i shkelin zakonisht ligjet e vendit, kjo nuk e mohon sovranitetin e atij vendi. Vërtet, shkelësit e ligjit do të ndëshkohen nëse kapen.

Edhe të krishterët nuk e përmbushin në mënyrë të përsosur vullnetin e Perëndisë. Nëse është kështu, ata nuk do të kishin asnjë mëkat për të rrëfyer dhe nuk do të ishin të nevojshme letrat e apostujve apo letrat e Krishtit ndaj shtatë kishave të Azisë apo për gjyqin e Krishtit – apo për ndonjë ndreqje tjetër nga Perëndia. Shpërblimet, gjithashtu, do të ishin pa kuptim pa vullnetin e lirë.

Vetë Bibla përmban shumë shembuj të njerëzve që e sfidojnë dhe nuk i binden Perëndisë pavarësisht se Ai është sovran dhe se gjithësia është nën kontrollin e Tij. Përmes profetit Isaia Perëndia qan: “Kam edukuar fëmijë dhe i rrita, ata u rebeluan kundër meje” (Isaia 1:2). Ata po ofrojnë flijime që Ai i urren, natyrisht jo sipas vullnetit të Tij dhe po bëjnë një jetë që e çnderon Atë. Na thuhet se “farisenjtë dhe mësuesit e ligjit [duke vazhduar traditën e atyre para tyre] e refuzuan planin e Perëndisë për ta dhe nuk u pagëzuan” (Lluka 7:30). [Është] shumë e qartë, [pra], se gjithçka që ndodh në çështjet njerëzore nuk është sipas vullnetit të Perëndisë.

Gjatë tërë Dhiatës së Vjetër Perëndia i lutet Izraelit të pendohet nga rebelimi i tij, të kthehet tek Ai dhe t’i bindet. Për Izraelin Ai thotë: “Gjithë ditën i shtriva duart e mia drejt një populli të pabindur dhe kundërthënës” (Romakëve 10:21). Historia e Izraelit është e mbushur me prova të mëdha se, pavarësisht nga sovraniteti i Tij absolut, njeriu mund dhe i rebelohet Perëndisë dhe se mëkati që kryen nuk është vullneti i Perëndisë, aq më pak të jetë dekreti i Tij. Tipike e vajtimit të Tij është pjesa në vijim:

Megjithatë unë ju kam dërguar tërë shërbëtorët e mi, profetët, me urgjencë e këmbëngulje për t’ju thënë: “Oh, mos e bëni këtë gjë të neveritshme që unë e urrej”. Por ata nuk dëgjuan as i vunë veshin që të tërhiqen nga ligësia e tyre, dhe të heqin dorë nga djegia e temjanit perëndive të tjera. Prandaj tërbimi im, zemërimi im u derdhën dhe u përhapën në qytetet e Judës dhe në rrugët e Jerusalemit, që janë bërë të shkreta dhe të braktisura, ashtu siç janë edhe sot” (Jeremia 44:4-6).

Sigurisht, [pra], kjo idhujtari që Perëndia e quan “këtë gjë të neveritshme që unë e urrej” nuk mund të jetë sipas vullnetit të Tij. Megjithatë, fakti që vullneti i Tij refuzohet nga rebelimi i njeriut, ashtu siç shkelen Dhjetë Urdhërimet miliona herë çdo ditë në mbarë botën, as nuk e mohon as nuk e zbut në pikën më të vogël sovranitetin e Tij.

Ç’mund të themi për Efesianëve 1:11?

Nën dritën e pjesëve të tilla të Shkrimit, si mund të kuptojmë pohimin që Perëndia vepron “të gjitha [gjërat] sipas këshillës së vullnetit të tij” (Efesianëve 1:11)? Alvin Bejkeri (Alvin Baker) pohon se kjo pjesë vërteton se “Perëndia vepron ‘të gjitha”, duke përfshirë mëkatin, sipas vullnetit të Tij të përjetshëm” [5]. Megjithatë, fjala “vepron” (KJV) është energeo, e cila nuk përcjell idenë e manipulimit të ndrydhur, por të stimulimit. Shiko Kolosianëve 1:29 dhe 2 Thesalonikasve 2:7, 9; shiko gjithashtu “punoni për shpëtimin tuaj […] sepse Perëndia është ai që vepron në [aktivizon] ju” (Filipianëve 2:12, 13).

Gjithashtu Pali nuk thotë se Perëndia vepron të gjitha sipas vullnetit të Tij, por sipas këshillës së vullnetit të Tij. Ka një ndryshim të madh. Natyrisht, “këshilla” e përjetshme e vullnetit të Tij duhet t’i ketë lejuar njeriut lirinë për të dashur dhe për t’iu bindur, apo për të sfiduar Krijuesin e tij – përndryshe mëkati do të ishte vullneti i Perëndisë. Ne nuk mund të nxjerrim kurrë kjo pjesë (dhe sidomos jo nën dritën e shumë pjesëve të tjera të Shkrimit që pohojnë se njerëzit e sfidojnë vullnetin e Perëndisë) se çdo mendim, fjalë dhe vepër e njerëzimit të jetë sipas vullnetit të përsosur të Perëndisë, saktësisht ashtu siç ka dëshiruar dhe dekretuar Perëndia. Megjithatë kjo është ajo që gabimisht ka nxjerrë si përfundim kalvinizmi nga Efesianëve 1:11. Të arrish në këtë përfundim, ashtu siç bëri Kalvini, do të thotë ta përshkruash Perëndinë si shkakun e efektshëm të çdo mëkati që është kryer ndonjëherë.

Krishti na kërkon të lutemi: “Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell” (Mateu 6:10; Lluka 11:2). Pse duhej të sugjeronte Krishti një lutje të tillë, nëse tashmë gjithçka është sipas vullnetit të Perëndisë dhe dekretit të Tij të përjetshëm – dhe nëse ne tashmë jemi në mbretërinë e Perëndisë me Satanin të lidhur, ashtu siç mendonte Kalvini dhe Agustini?

Ngrihet kundërshtimi: “Si guxon të sugjerosh se Perëndia i gjithëfuqishëm nuk mund të kryejë vullnetin e Tij!”. Sigurisht që Ai mundet dhe e kryen, por kjo në vetvete nuk do të thotë se Perëndia dëshiron gjithçka që ndodh. Njeriu, pa lirinë për të bërë vullnetin e tij, nuk mund të jetë një qenie e përgjegjshme morale, as nuk mund të jetë fajtor për mëkatin. Një gjë e tillë është e pakundërshtueshme.

Lavdërimi i veçantë i Krishtit për “këdo që kryen vullnetin e Atit tim” (Mateu 12:50; Marku 3:35) dhe pohime të tilla nga buzët e Tij si: “Jo çdo njeri që më thotë: ‘Zot, Zot” do të hyjë në mbretërinë e qiejve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej” (Mateu 7:21), tregojnë shumë qartë se të gjithë nuk e përmbushin gjithmonë vullnetin e Perëndisë. Po kjo e vërtetë gjendet tek Isaia 65:12, 1 Thesalonikasve 5:17-22, Hebrenjve 10:36, 1 Pjetrit 2:15, 16, 1 Gjonit 2:17 dhe në vende të tjera. Në mënyrë të qartë ka një dallim midis asaj që Perëndia dëshiron e urdhëron dhe asaj që Ai lejon.

Një dallim i rëndësishëm

Shumë pjesë të Shkrimit e bëjnë të qartë se vullneti i Perëndisë mund të sfidohet dhe se ai sfidohet nga njeriu. Gjithashtu Shkrimi nuk sugjeron kurrë se paska ndonjë vullnet apo plan të Perëndisë me të cilin vullneti dhe veprimet e njeriut janë nga natyra në përputhje të plotë. Megjithatë, Forsteri (Forster) dhe Marstoni (Marston) tregojnë se “disa shkrimtarë të krishterë duket se kanë qenë të paaftë ta pranojnë këtë…. Nëse, siç besojnë ata, gjithçka që ndodh është vullneti i Perëndisë, atëherë mospendimi dhe humbja e të pabesëve duhet të jetë gjithashtu vullneti i Perëndisë. Megjithatë vetë Perëndia thotë se nuk është vullneti i tij…” [6].

Për faktin e rebelimit dhe të mosbindjes njerëzore si një kundërshtim i hapur ndaj Perëndisë, si kalvinistët ashtu edhe jokalvinistët janë të një mendje. Mospërputhja gjendet te shpjegimi. Të parët thonë se edhe rebelimi i njeriut është dekretuar në mënyrë sovrane nga Perëndia dhe se vullneti i Perëndisë është shkaku i tij i efektshëm. Të dytët e shpjegojnë mëkatin si rezultat të dëshirave dhe veprimeve egoiste dhe të këqija të njeriut dhe kjo në mosbindje ndaj Perëndisë. Në këtë mënyrë njeriu quhet me të drejtë përgjegjës moral, sepse është fuqia e vullnetit të tij që të dojë t’i bindet ose të mos i bindet Perëndisë me dashje. Megjithatë kalvinisti nuk e pranon se njeriu, ngaqë është “plotësisht i shthurur”, e ka këtë zgjedhje – por në të njëjtën kohë e quan atë përgjegjës pavarësisht nga paaftësia e tij e pretenduar për të vepruar në një mënyrë tjetër përveç asaj që ka dekretuar Perëndia.

Prandaj çdo zgjedhje e pavarur nga ana e njeriut – qoftë edhe mëkati – duhet të mohohet për të mbajtur në këmbë TULIP-in. Kjo është e vërtetë sidomos kur kemi të bëjmë me temën e shpëtimit. Pinku shkruan: “Të thuash se shpëtimi i mëkatarit varet nga veprimi i vullnetit të tij, është një formë tjetër e dogmës së shpëtimit me anë të përpjekjeve njerëzore që e çnderon Perëndinë…. Çdo veprim i vullnetit është një vepër…” [7].

Përkundrazi, ka një ndryshim të madh midis vendosjes ose dëshirës për të bërë diçka dhe ta bësh në të vërtetë – diçka që çdo person dembel dhe i vonuar tregon në mënyrë të përsëritur. Thjesht të duash nuk është aspak një vepër. Pali e bën të qartë këtë dallim kur thotë: “Ndonëse e kam dëshirën për të bërë të mirën, nuk ia gjej mënyrën” (Romakëve 7:18). Në të vërtetë, dëshira e Palit nuk është problemi më i madh, por për më tepër paaftësia e tij, qoftë edhe si një njeri i parilindur, për të bërë të mirën që dëshiron dhe të frenohet nga e keqja që vullneti i tij refuzon.

Ungjilli është “fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson” (Romakëve 1:16). Fuqia efektive që shpëton njeriun është e gjitha e Perëndisë, por njeriu e pranon shpëtimin me anë të besimit – dhe vetëm me anë të besimit. Që mëkatari i dënuar të pranojë thjesht me anë të besimit shpëtimin që Krishti bleu në kryq nuk është aspak një vepër nga ana e njeriut. Megjithatë kalvinisti ngul këmbë se është. Pinku shpik kuptimin e vet të fjalëve duke e quajtur pranimin e Krishtit me anë të besimit “përpjekje njerëzore”.

Dallimi midis besimit dhe veprave është kaq i qartë në Shkrime, saqë nuk kemi nevojë ta bëjmë këtë pikë fërtele.

Është pikëpamja ekstreme e kalvinistit për sovranitetin e Perëndisë që i bën ata të refuzojnë mësimin biblik se shpëtimi u ofrohet falas të gjithëve. Në vend të kësaj, ata e kufizojnë shpëtimin vetëm për të zgjedhurit. Përndryshe, argumentojnë ata, nëse njeriu është i lirë qoftë për të pranuar qoftë për të refuzuar shpëtimin, kjo e lë vendimin përfundimtar në dorë të njeriut dhe e vë Perëndinë në rrezik.

“Kështu, a mos po sugjeron” – thonë ata – “se Perëndia dëshiron të shpëtojë tërë njerëzimin, por i mungon fuqia për ta bërë një gjë të tillë? Ky është një mohim i plotfuqishmërisë dhe sovranitetit të Perëndisë nëse ka diçka që Ai dëshiron dhe nuk mund ta realizojë”. Megjithatë MekArturi, Pakeri, Pajpëri dhe të tjerë thonë se Perëndia dëshiron shpëtimin e të gjithëve, megjithatë nuk e dekreton. Kjo është një kontradiktë e vërtetë, ndërsa nuk është aspak kontradiktë të thuash se Perëndia i ka dhënë njeriut zgjedhjen e lirë të pranojë ose jo Krishtin.

Në fakt, fuqia nuk ka marrëdhënie me hirin dhe dashurinë, të cilët sigurojnë shpëtimin. Për më tepër, ashtu siç do ta shohim, ka shumë gjëra që Perëndia nuk mund t’i bëjë dhe një mungesë “fuqie” nuk është arsyeja për asnjë prej tyre, as sovraniteti i Tij nuk zvogëlohet.

Çfarë nuk mund të bëjë një Perëndi sovran?

Vansi tregon: “Perceptimi i kalvinistit për Perëndinë si absolutisht sovran është shumë i përpiktë; megjithatë, kjo nuk do të thotë se ai [sovraniteti] ka përparësi ndaj atributeve të tjera që Ai ka” [8]. Në mënyrë të qartë aftësia e Perëndisë dhe madje e drejta e Tij për të vepruar në sovranitetin e Tij ushtrohen vetëm në harmoni me atributet e tjera, të cilat duhet të mbeten vetëm në baraspeshë të përsosur. Kalvinizmi e shkatërron këtë baraspeshë. Ai vendos një theks të tillë mbi sovranitetin, saqë cilësitë e tjera të Perëndisë bëhen të parëndësishme për t’u krahasuar dhe Perëndia paraqitet duke vepruar në mospërputhje me karakterin e Tij. Kjo është arsyeja që ky libër mban nëntitullin “Shtrembërimi kalvinist i Perëndisë”.

Gjatë tërë historisë, despotët sovranë e kanë keqpërdorur sovranitetin e tyre për qëllime të këqija. Megjithatë, kuptohet që Perëndia e përdor sovranitetin e Tij jo si një despot, por me dashuri, mëshirë, mirësi, drejtësi dhe të vërtetë – gjithçka në simetri të përsosur me karakterin e Tij të plotë dhe tërë atributet e Tij. Dhe vërtet, Ai nuk mund të veprojë në mënyrë despotike apo ta përdorë sovranitetin e Tij për të keqe. Nuk mundet? Po, nuk mundet.

“Herezi!” – do të thërrasë dikush. “Perëndia është i pafund në fuqi; nuk ka asgjë që Ai nuk mund ta bëjë”. Me të vërtetë? Vetë fakti se Ai është i pafund në fuqi do të thotë se Ai nuk mund të dështojë. Ka shumë gjëra të tjera që qeniet e fundme bëjnë zakonisht, por Perëndia i pafundmë dhe sovran nuk mund t’i bëjë sepse është Perëndi. Ai nuk mund të udhëtojë, sepse është i kudogjendshëm. Ai nuk mund të gënjejë, të mashtrojë, të vjedhë, ta ketë gabim, të kundërshtojë Veten, të veprojë në kundërshtim me karakterin e Tij etj. Gjithashtu Perëndia nuk i dëshiron këto te njeriu. Të dëshironte mëkatin te të tjerët do të ishte njësoj sikur ta praktikonte Vetë – një fakt që shmanget nga kalvinisti.

Ajo që Perëndia nuk mund të bëjë nuk është pavarësisht nga ajo që Ai është, por për shkak të asaj që Ai është. Kështu Agustini shkruan: “Prandaj, Ai nuk mund të bëjë disa gjëra për vetë arsyen se Ai është i plotfuqishëm” [9]. Ka gjëra që Perëndia nuk mund t’i bëjë, sepse po t’i bënte do të shkelte vetë karakterin e Tij. Ai nuk mund të mohojë apo të kundërshtojë Vetveten. Ai nuk mund të ndryshojë. Ai nuk mund ta kthejë mbrapsht Fjalën e Tij.

Perëndia as nuk tundon as nuk tundohet

      Shkrimi duhet marrë në kontekst dhe duhet të krahasohet me Shkrimin; një varg i shkëputur nuk mund të bëhet rregull. Jezusi tha: “Për Perëndinë çdo gjë është e mundur” (Mateu 19:26). Megjithatë është e pamundur për Perëndinë të bëjë të keqen, të shkaktojë të tjerët të bëjnë të keqen, apo madje të nxitë dikë të bëjë të keqen. Kjo pohohet në mënyrë të qartë në Shkrime: “Askush kur tundohet të mos thotë: ‘Jam tunduar nga Perëndia”, sepse Perëndia nuk mund të tundohet nga e keqja, dhe ai vet nuk tundon asnjeri…” (Jakobi 1:13, 14).

Çfarë mund të themi për ato raste në Shkrimet e Shenjta ku Bibla thotë se Perëndia e tundoi dikë, apo që Ai vetë u tundua – për shembull: “Perëndia e tundoi Abrahamin” (Zanafilla 22:1, KJV)? Fjala hebraike atje dhe në tërë Dhiatën e Vjetër është nacah, e cila do të thotë të provosh ose të vësh në provë, si të provosh pastërtinë e një metali. Nuk ka të bëjë me tundimin për mëkat. Perëndia po provonte besimin dhe bindjen e Abrahamit.

Për sa i përket tundimit të Perëndisë, Izraeli u paralajmërua: “Nuk do të tundoni Zotin” (Ligji i Përtërirë 6:16). Ata kishin vepruar kështu në Masa, kur kërkuan ujë: “Sepse kishin tunduar Zotin, duke thënë: ‘A është vallë Zoti në mes nesh, apo jo?’” (Eksodi 17:7). Më vonë ata “tunduan Perëndinë në zemër të tyre, duke kërkuar ushqim sipas dëshirave të tyre […] duke thënë: ‘A mund të shtrojë Perëndia një sofër në shkretëtirë? […] Po, ata iu drejtuan Perëndisë shumë herë dhe përsëri e provokuan të Shenjtin e Izraelit” (Psalmi 78:18, 19, 41, 56).

Në mënyrë të qartë, Perëndia nuk u tundua të bënte të keqen – kjo është një pamundësi. Por në vend që të shpresonin në Të me besim këmbëngulës për të plotësuar nevojat e tyre, populli i  Tij po kërkonte që Ai të vërtetonte fuqinë e Tij duke u dhënë atë që donin për të kënaqur epshet e tyre. “Tundimi” i tyre ndaj Perëndisë ishte një provokim që e vinte Atë në pozicionin për të plotësuar dëshirën e tyre ose për t’i ndëshkuar ata për rebelimin e tyre.

Kur Jezusi “u tundua nga djalli” që të hidhej nga maja e tempullit për të vërtetuar premtimin e Perëndisë se engjëjt do ta mbanin në duart e tyre, Ai citoi nga Ligji i Përtërirë 6:16 – “Nuk do të tundoni Zotin” (Mateu 4:1-11). Me fjalë të tjera, është një gjë të mbështetemi te Perëndia për të plotësuar nevojat tona kur vijnë dhe kur Ai e shikon të nevojshme, por është diçka tjetër ta vëmë veten qëllimisht në një situatë kur ne kërkojmë që Perëndia është i detyruar të veprojë që ne të mund të shpëtojmë apo të mbrohemi.

Në citimin më sipër Jakobi vazhdon të thotë: “Por secili tundohet i udhëhequr dhe i mashtruar nga lakmia e vet”. Tundimi për të bërë të keqen vjen nga brenda, jo nga jashtë. Ai burrë që nuk do të “tundohej” kurrë nga një mundësi për të qenë i pandershëm në tregti mund të jepet pas tundimit për të kryer tradhti bashkëshortore dhe kështu të jetë i pandershëm ndaj gruas së tij.

Perëndia nuk e tundoi Adamin dhe Evën për mëkat kur u tha të mos hanin nga një pemë e veçantë; Ai po i vinte ata në provë. Eva u tundua nga epshi i vetë natyrës së saj, nga dëshira e saj egoiste. Edhe në [gjendjen e] pafajësisë, njerëzimi u bë egoist dhe i pabindur. Këtë e shohim te fëmijët shumë të vegjël, të cilët, me sa duket, nuk njohin ndryshimin midis të drejtës dhe të gabuarës.

Çfarë nuk mund të bëjë Perëndia për të shpëtuar njeriun?

Përveç kësaj, kur kemi të bëjmë me shpëtimin, ka tri gjëra të veçanta që Perëndia nuk mund të bëjë. Para së gjithash, Ai nuk mund të falë mëkatin pa u paguar ndëshkimi. Në kopshtin e Gjetsemanit, në mbrëmjen përpara kryqit, Krishti thirri në agoni: “Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë…” (Mateu 26:39). Sigurisht që po të ishte e mundur të sigurohej shpëtimi pa u dashur që Krishti të paguante ndëshkimin e kërkuar nga drejtësia e Tij, Ati mund ta kishte lejuar që Ai të mos shkonte në kryq. Prandaj, ne e dimë se ishte e pamundur që Perëndia ta shpëtonte njeriun në ndonjë mënyrë tjetër. Madje edhe fuqia sovrane dhe e plotfuqishme e Perëndisë thjesht nuk mund të dekretojë që mëkatarët të falen. Ky fakt shkatërron vetë themelin e shpëtimit të kalvinizmit vetëm për të zgjedhurit me anë të dekretit sovran.

Së dyti, Perëndia nuk mund ta detyrojë dikë të pranojë një dhuratë. Ky fakt tregon gjithashtu se shpëtimi për të zgjedhurit nuk mund të jetë me anë të paracaktimit. Shpëtimi as nuk mund të fitohet as nuk meritohet – ai mund të pranohet si dhuratë nga Perëndia. Dhe marrësi duhet të dojë; dhurata nuk mund të detyrohet nga dhuruesi kundër vullnetit të marrësit.

Së fundi, madje edhe Perëndia nuk mund të detyrojë dikë ta dojë apo ta pranojë dashurinë e Tij. Forca nuk mund të prodhojë dashuri. Dashuria e vërtetë mund të vijë vetëm vullnetarisht nga zemra.

Nga vetë natyra e të dhënit dhe e të marrit, e të dashurit dhe e pranimit të dashurisë, njeriu duhet të ketë fuqinë të zgjedhë lirshëm nga zemra e tij ashtu siç e ka caktuar Perëndia në mënyrë sovrane – “po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh” (Romakëve 10:9). Pranimi i dhuratës së shpëtimit dhe i dashurisë së Perëndisë (gjithçka në dhe përmes Jezu Krishtit dhe flijimit të Tij për mëkatet tona) mund të vijë vetëm me anë të një zgjedhje të lirë.

Krishti bëri në mënyrë të përsëritur ftesa të tilla si: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje” (Mateu 11:28), ose “Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë” (Gjoni 7:37); dhe “Ai që ka etje, le të vijë; dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës” (Zbulesa 22:17). Duke u mbështetur në domethënien e zakonshme të fjalëve, mund të dalim në përfundimin e vetëm nga Shkrimi se Krishti u ofron të gjithëve një dhuratë që mund të pranohet ose të refuzohet.

Nuk ka dyshim që shpëtimi është një dhuratë falas e hirit të Perëndisë: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin” (Gjoni 3:16); “Po ta njihje ti dhuratën e Perëndisë” (Gjoni 4:10); “Mirëpo hiri nuk është si shkelja” (Romakëve 5:15); “Sepse paga e mëkatit është vdekja, por dhurata e Perëndisë është jeta e përjetshme në Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Romakëve 6:23); “Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit […] është dhurata e Perëndisë” (Efesianëve 2:8); “Perëndia na dha jetën e përjetshme” (1 Gjonit 5:11) etj. Nga vetë natyra e saj, një dhuratë duhet të pranohet me anë të veprimit të vullnetit. Nëse detyrohet ndaj marrësit, ajo nuk është dhuratë.

Tragjikisht, kalvinizmi minon vetë themelin e shpëtimit si dhe marrëdhënien e dashur dhe plot besim me Perëndinë përmes Krishtit.

Vullneti i lirë nuk bie ndesh me sovranitetin e Perëndisë

Në kuptimin e plotë të fjalës, me qindra vargje në tërë Biblën u ofrojnë shpëtimin të gjithë atyre që do të besojnë dhe do ta pranojnë. Kalvinisti kundërshton se, nëse njeriu do të kishte zgjedhjen t’i thoshte po ose jo Krishtit, ai do të kishte fjalën e fundit në shpëtimin e vet, fati i tij do të ishte në duart e veta dhe Perëndia do të ishte në mëshirë të atij. Prandaj, atje ku Bibla duket se thotë që Perëndia dëshiron që të gjithë të shpëtohen dhe u ofron shpëtim të gjithëve ose për t’u pranuar ose për t’u refuzuar, kalvinisti duhet ta kufizojë zbatimin vetëm për të zgjedhurit – dhe ata nuk duhet të kenë zgjedhje. Kështu domethënia e qartë e Shkrimit ndryshohet për ta përshtatur me TULIP-in.

Këtu nuk bëhet fjalë për sovranitetin e Perëndisë. Çështja është se çfarë do të thotë kjo biblikisht. Kalvinisti argumenton se, nëse dëshira e Perëndisë është që të gjithë njerëzit të shpëtohen – dhe natyrisht ata nuk janë të gjithë të shpëtuar – atëherë vullneti i Perëndisë pengohet nga njerëzit rebelë dhe mëkatarë, të cilët, me anë të vullnetit të tyre kanë qenë të aftë të përmbysin sovranitetin e Perëndisë. Si rrjedhojë e kësaj pikëpamje të gabuar të sovranitetit, domethënia e qartë e shumë pjesëve duhet të ndryshohen për të mbështetur TULIP-in. Kalvinisti ngul këmbë: “Herezia e vullnetit të lirë e rrëzon Perëndinë nga froni dhe ul mbi të njeriun” [10]. Në fakt, ky gabim u refuzua nga vetë Agustini.

Le t’i vëmë pikat mbi i

Është e qartë, pra, se janë disa gjëra që një Perëndi sovran nuk mund t’i bëjë, megjithatë asnjë nga këto kufizime nuk e cenon sovranitetin e Tij. Perëndia nuk është më pak sovran për shkak se nuk mund të gënjejë, të mëkatojë, të ndryshojë apo të mohojë Veten etj. Këto rrjedhin për shkak të karakterit të Tij të pamëkatë, të shenjtë, të përsosur.

Gjithashtu Perëndia nuk është më pak sovran apo nuk i mungon fuqia për shkak se nuk mund të detyrojë dikë ta dojë apo ta pranojë dhuratën e jetës së përjetshme përmes Jezu Krishtit. Fuqia dhe dashuria (dhe dhurata e dashurisë) nuk bëjnë pjesë në të njëjtin diskutim. Në fakt, nga shumë gjëra që kemi parë se nuk mund të bëjë Perëndia, një mungesë “fuqie” apo zvogëlim i sovranitetit nuk është arsye për ndonjë prej tyre. Pjuzi tregon se “do të ishte kontradiktë e brendshme që Perëndia Shumë i Lartë të krijonte një faktor të lirë të aftë për ta dashur, pa qenë në të njëjtën kohë i aftë të refuzojë dashurinë e Tij…. Pa vullnetin e lirë ne nuk mund ta duam lirshëm Perëndinë. Liria është një kusht i dashurisë” [11].

Jo vetëm që nuk mohohet sovraniteti i Perëndisë, por të pranosh se njerëzimit i është dhënë nga Perëndia aftësia për të zgjedhur që ta dojë ose jo Atë dhe që ta pranojë ose ta refuzojë dhuratën falas të shpëtimit, do të thotë të pranosh atë që ka parashikuar me dashuri dhe në mënyrë të mrekullueshme vetë sovraniteti i Perëndisë. Perëndia, në sovranitetin e Tij, e ka caktuar në mënyrë të tillë natyrën e një dhurate dhe të dashurisë që njeriu duhet të ketë fuqinë e zgjedhjes, përndryshe ai nuk mund të përjetojë asnjërën nga dora e hirshme e Perëndisë.

Gjithashtu edhe fuqia e zgjedhjes nuk mund të sfidojë sovranitetin e Perëndisë, meqë është sovraniteti i Perëndisë që i ka dhënë këtë dhuratë njeriut dhe që ka vendosur kushtet për të dashur, për të pranuar dashuri dhe për të dhënë e për të marrë një dhuratë. Megjithatë është ashtu siç tregon Zejn Hoxhes:

Nëse ka një gjë që kalvinistët pesëpikësh mbështetin me këmbëngulje të fortë, është besimi  se nuk mund të ketë aspak vullnet të lirë nga ana e njeriut. Me një arsyetim të palogjikë shumë për t’u çuditur, ata argumentojnë zakonisht se Perëndia nuk mund të jetë sovran nëse njeriut i jepet çfarëdo niveli nga vullneti i lirë. Por kjo pikëpamje e Perëndisë, në fakt, e zvogëlon madhështinë e fuqisë së Tij sovrane. Sepse, nëse Perëndia nuk mund të kontrollojë një gjithësi në të cilën ka vërtet një vullnet të lirë, dhe ulet në krijimin e “robotëve”, atëherë një Perëndi i tillë është me të vërtetë me një fuqi të kufizuar [12].

Është marrëzi të sugjerosh se, nëse njeriu mund të refuzojë Krishtin, kjo do ta vinte atë nën kontroll si të fatit të tij apo edhe të Perëndisë. Perëndia i ka gjërat nën kontroll. Është Ai që i cakton rregullat, që cakton kërkesat për shpëtimin dhe që përcakton pasojat si të pranimit ashtu edhe të refuzimit. Perëndia nuk është më pak sovran për ata që e refuzojnë Krishtin në krahasim me ata që e pranojnë Atë. Është Ai që ka përcaktuar kushtet e shpëtimit dhe se çfarë do të ndodhë si me ata që e pranojnë ashtu dhe me ata që e refuzojnë ofertën e Tij.

Por kalvinisti, për shkak të pikëpamjes së Tij ekstreme të sovranitetit, nuk mund të lejojë më asnjë njeri t’i thotë po Krishtit aq sa nuk mund ta lejojë atë t’i thotë jo. Ky gabim, që shkatërron themelin e një shpëtimi të vërtetë, krijon një të rremë. Dhe për të mbështetur këtë shpëtim të rremë, të cilin, gjoja, Perëndia e detyron mbi të zgjedhurit, kalvinizmit i është dashur të shpikë pesë pikat e tij. Ky fakt do të bëhet edhe më i qartë ndërsa do të vazhdojmë.



Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. Edwin H. Palmer, the five points of calvinism (Grand Rapids, MI: Baker Books, botim i zgjeruar, 20th prtg. 1999), 25. ↵ Kthehu mbrapa
  2. Po aty, 85-87. ↵ Kthehu mbrapa
  3. J. I. Packer, Evangelism and the Sovereignty of God (Downer’s Grove, IL: InterVarsity Press, 1961), 212. ↵ Kthehu mbrapa
  4. Junius B. Reimensnyder, Doom Eternal (N. S. Quiney, 1880),357; cituar te Samuel Fisk, Calvinistic Paths Retraced (Raleigh, NC: Biblical Evangelism Press, 1985), 223. ↵ Kthehu mbrapa
  5. Alvin L. Baker, Berkower’s Doctrine of Election: Balance or Imbalance? (Phillipsburg, NJ: Presbyterian and Reformed Publishing Co., 1981), 174. ↵ Kthehu mbrapa
  6. Roger T. Forster dhe V. Paul Marston, God’s Strategy in Human History (Bloomington, MN: Bethany House Publishers, 1973), 32. ↵ Kthehu mbrapa
  7. Arthur W. Pink, The Sovereignty of God (Grand Rapids, MI: Baker Book House, 2nd prtg. 1986), 218. ↵ Kthehu mbrapa
  8. David S. West, The Baptist Examiner, 18 mars 1989, 5; cituar te Laurence M. Vance, The Other Side of Calvinism (Pensacola, FL: Vance Publications, botim i riparë 1999), 256-257. ↵ Kthehu mbrapa
  9. Augustine, The City of God, përkth. Marcus Dods; te Great Books of the Western World, botim i Robert Maynard Hutchins dhe Mortimer J. Adler (Encyclopaedia Britannica, Inc., 1952), 18: V.10. ↵ Kthehu mbrapa
  10. W. E. Best, Free Grace Versus Free Will (Houston, TX: W. E. Best Books Missionary Trust, 1977), 35. ↵ Kthehu mbrapa
  11. Edward B. Pusey, What Is Of Faith As To Everlasting Punishment? (James Parker and Co., 1881), 22-24; cituar te Fisk, Calvinistic, 222. ↵ Kthehu mbrapa
  12. Zane C. Hodges, “The New Puritanism, Pt 3: Michael S. Horton: Holy War With Unholy Weapons”, Journal of the Grace Evangelical Society, Pranverë 1994, 7:12. ↵ Kthehu mbrapa