Feja e Kainit

Feja e Kainit | Historia e Kainit dhe Abelit

Në fillim do të mendojmë për Kainin. Zanafilla 4:3 thotë se ai i bëri një ofertë frutash të tokës Zotit – që janë rezultatet e punës së tij të rëndë si kopshtar. Duhet ta pranojmë se Kaini nuk ishte dembel – ai punonte shumë! Te Zanafilla 3:19 Perëndia kishte thënë se njeriu do të nxirrte fryt nga toka vetëm duke punuar shumë. Kjo është pikërisht ajo që bëri Kaini. Ai punoi shumë, u lodh nga puna e tij, por në fund të fundit kishte frytet e punës së vet, dhe ia paraqiti Zotit mbi një altar.

Por kishte një problem. Kaini paraqiti frytet e punës së tij, por ai punoi, ngriti një kopsht prej një toke të mallkuar. Zanafilla 3:17 thotë se toka u mallkua, prandaj ajo që Kaini paraqiti para Zotit vinte nga diçka e mallkuar.

Pastaj kishte edhe një problem tjetër. Oferta e Kainit për Perëndinë nuk kishte kushtuar vdekje. Nuk kishte asnjë kafshë për tu vrarë, nuk u derdh gjak, nuk u dha jetë. Ishte një ofrim pa gjak ai që ofroi Kaini. Në këtë mënyrë Kaini nuk mund të shohë seriozitetin e fajësisë së gjendjes së tij si mëkatar. Ai thoshte se mëkati nuk është aq serioz sa të kërkojë vdekje, nuk është e nevojshme që të jepet jetë – “le të pranojë Perëndia gjërat më të mira që mund të bëj”. Ai paraqiti veprat e tij të mira dhe priste të pranohej.

Ka shumë njerëz si Kaini në botë. Është shumë e zakonshme të dëgjosh njerëzit kur thonë se besojnë se Perëndia do t’i pranojë në qoftë se bëjnë aq sa munden. Shumë mendojnë se është në rregull që të kenë idetë e tyre se si ta arrijnë Perëndinë dhe parajsën, ashtu siç bëri Kaini. Çfarë ideje ke ti? A mendon së është e mjaftueshme të jesh i sinqertë dhe të bësh aq sa mundesh? Ndoshta thua, “Sidoqoftë, në qoftë se bëjmë aq sa mundemi kush mund të na kërkojë për më shumë?” Por, Perëndia mund të të kërkojë për më shumë, sepse Ai është i përkryer. Mendon se të kthesh fletën nga ana tjetër do të të ndihmojë, d.m.th., të pendohesh dhe të përmirësosh jetën? Apo ndoshta je si ata që thonë se e kanë pastruar jetën ose janë bashkuar me një kishë, ose tani ndjekin disa rregulla për të qenë njerëz më të mirë? Edhe Kaini bëri ç’mundi.

Por Kaini i shkretë duhet ta gjente dhe shumë të tjerë ndoshta edhe ti. Perëndia nuk e pranon njeriun edhe sikur ai të bëjë sa mundet – sepse ajo ç’mund të bësh, ashtu si Kaini, vjen nga diçka e mallkuar. Ashtu si toka u mallkua dhe nuk mund të prodhonte të mira, ashtu edhe zemra e njeriut është e ligë dhe nuk mund të prodhojë gjëra të mira. Profeti Jeremia foli për këtë kur ai tha, “A mundet një etiopas të ndryshojë lëkurën e tij ose një tigër të këmbejë lëkurën me vijëza? Në të njëjtën mënyrë ju që jeni mësuar të bëni të keqen a do të mund të bënit të mirën?” (Jeremia 13:23). Te Predikuesit 7:20 lexojmë, “Nuk ka në fakt asnjë njeri të drejtë mbi tokë që bën të mirën dhe të mos mëkatojë”. Te Isaia 64:6 lexojmë “Të gjitha veprat tona të drejtësisë janë si një rrobe e ndotur”.

Perëndia është aq i pastër, aq i shenjtë, aq i drejtë, sa asgjë që mund të bëjë njeriu nuk mund të matet. Prapë njerëzit vazhdojnë, po prapë, të përpiqen ta arrijnë Perëndinë me anë të feve njerëzore, fe si të Kainit, fe të veprave. Praktikat mund të jenë të ndryshme, mund të ndjekin rregulla të ndryshme, por idetë dhe mësimet e tyre si njeriu mund të pranohet nga Zoti janë të njëjta: veprat. Kështu, gjithë kjo shumicë fesh në botë, në të vërtetë është vetëm varietete të të njëjtës fe. Cili është varieteti yt?

[previous][next]