Le t’ju prezantoj me Biblën!


BIBLA SI E TËRË

Le ta zëmë se keni lexuar shumë pak nga Bibla. Nuk jeni familjarizuar me Biblën, por dëshironi të mësoni rreth saj. Ky libër është shkruar që t’ju ndihmojë të mësoni rreth Biblës me përshkrime të lexueshme dhe të kuptueshme, që trajtojnë tamam thelbin e çështjes. Zoti ju bekoftë ndërsa mësoni të shijoni Biblën në atë mënyrë në të cilën duhet kuptuar.

Vlera e Biblës

Së pari, duhet të dini se Bibla është Fjala unike e Perëndisë. Ajo përmban gjithçka që ne kemi nevojë të dimë rreth besimit dhe moralit në këtë jetë dhe, gjithçka që kemi nevojë të dimë rreth jetës së përjetshme në të ardhmen. Një shkrimtar anonim e ka cituar atë mjaft bukur: «Ky libër përmban mendjen e Perëndisë, gjendjen e njeriut, mënyrën e shpëtimit, zymtësinë e mëkatarëve dhe lumturinë e besimtarëve. Doktrinat e tij janë të shenjta, rregullat e tij janë të lidhur, historitë e tij janë të vërteta dhe vendimet e tij janë të pandryshueshme. Lexojeni atë që të jeni të mençur, besojeni që të shpëtoheni dhe praktikojeni që të jeni të shenjtë. Ai përmban dritë që t’ju drejtojë, ushqim që t’ju ushqejë dhe ngushëllim që t’ju gëzojë. Ai është harta e udhëtarit, busulla e pilotit, shpata e ushtarit dhe karta e të krishterit. Këtu parajsa është restauruar, qielli është hapur dhe portat e ferrit janë zbuluar. Krishti është tema e madhe e tij, e mira jonë është përcaktimi i tij dhe lavdia e Perëndisë është fundi i tij. Lexojeni atë ngadalë, herë pas here dhe me lutje. Ai është një minierë pasurie, një parajsë lavdie dhe një lum kënaqësie. Ai do të shpërblejë punën më të madhe dhe do të dënojë të gjithë ata që luajnë me përmbajtjen e tij të shenjtë. Është Libri i librave – Libri i Perëndisë – zbulesa e Perëndisë për njeriun”.

Bibla është ndarë në dy pjesë, Dhiata e Vjetër dhe Dhiata e Re. Dhiata e Vjetër përmban 39 libra dhe Dhiata e Re përmban 27 libra. Këto 66 libra janë shkruar nga rreth 36 njerëz të frymëzuar nga Perëndia në një periudhë afërsisht prej 1600 vjetësh. Meqë këta njerëz ishin të udhëhequr nga Perëndia Fryma e Shenjtë, të gjithë librat e tyre ndërthuren bashkë për të treguar të njëjtën gjë.

Për arsye se Bibla është Fjala e frymëzuar e Perëndisë, ajo është e pashtershme. Ndërsa disa të vërteta themelore të besimit të krishterë mund të kuptohen lehtë, disa gjëra në Bibël nuk mund të kuptohen plotësisht deri kur të shkojmë në qiell. Kur vijmë te Bibla ne duhet të falënderojmë Perëndinë që di gjëra që ne nuk mund t’i kuptojmë plotësisht. Por ne duhet të besojmë gjithçka që thotë Perëndia, madje edhe në qoftë se nuk mund ta kuptojmë atë plotësisht. Ne nuk mund t’i lëmë mendjet tona të gjykojnë Biblën; në vend të saj, ne duhet të lëmë Biblën të gjykojë mendjet tona!

Në Ligjin e Perterire 29:29 lexojmë: «Gjërat e fshehta i përkasin Zotit, Perëndisë tonë, por gjërat e shfaqura janë për ne dhe për bijtë tanë për gjithnjë, me qëllim që të zbatojmë në praktikë tërë fjalët e këtij ligji». Fjalet e Urta 25:2 thotë: «Është lavdi e Perëndisë të fshehësh një gjë, por është lavdi e mbretërve ta hetosh atë». Ne duhet ta konsiderojmë atë nder që të hetojmë thesaret e të vërtetës që janë fshehur në Fjalën e Perëndisë!

Të kuptuarit e Biblës

Një nga çelësat kryesorë të të kuptuarit të Biblës është të bindurit. Dikush ka thënë: «Të qenit i bindur është organi i njohurisë frymërore». Kjo do të thotë se nëse i bindemi dritës që Perëndia na jep, Ai do të na japë edhe më tepër dritë. Njerëzit që bëjnë më shumë përparim në një studim biblik janë ata, të cilët kanë një dëshirë të vetme, të kulluar të zemrës për të bërë çfarëdo që thotë Perëndia.

Ka edhe rregulla të tjerë që do të na ndihmojnë ndërsa ne fillojmë të lexojmë Biblën. Rregulli bazë i interpretimit është ky: nëse kuptimi i dukshëm ka kuptim, mos kërko për ndonjë kuptim tjetër. Me fjalë të tjera, merre Biblën fjalë për fjalë kurdoherë që është e mundur.

Është gjithashtu e rëndësishme ta kuptojmë një pjesë në atë kontekst që gjendet. 1 e Korintasve 8:5 thotë: «… ka shumë perëndi dhe zotër». Të marra veç e veç, këto fjalë sugjerojnë se ka më shumë se një Perëndi të vërtetë. Por konteksti më në gjerësi thotë se megjithëse ka shumë idhuj dhe hyjni pagane, përsëri për ne «ka veçse një Perëndi» (vargu 4) dhe «për ne ka veçse një Perëndi, Ati, nga i cili janë të gjitha gjërat dhe ne në të; dhe një Zot Jezus Krishti, me anë të cilit janë të gjitha gjërat dhe ne jetojmë me anë të Tij» (Vargu 6).

Është gjithashtu e rëndësishme të kuptojmë çdo pjesë në dritën e gjithë pjesës tjetër të Biblës. Asnjë pjesë e Shkrimit të Shenjtë nuk mund të kundërshtojë ndonjë pjesë tjetër të Shkrimit të Shenjtë. Secila e vërtetë e veçantë duhet të jetë në harmoni me të gjithë të vërtetën. E marrë në vetvete, Jakobit 2:24 mund të duket se na mëson shpëtimin me anë të veprave, por dëshmia e vetme e Shkrimit të Shenjtë është se shpëtimi është me anë të hirit, nëpërmjet besimit dhe se veprat janë fryt i shpëtimit, jo mjeti. (Jakobit 2:24, në fakt, na mëson rëndësinë e veprave si një evidencë e jashtme e besimit.)

Shprehje biblike

Ndërsa lexoni Biblën, shumë shpejt do të kuptoni se ajo përdor figura letrare në shumë vende. Për shembull, kur Jezusi akuzoi farisenjtë për gëlltitjen e një deveje (Mateu 23:24), Ai po përdorte një figurë letrare, në të cilën një ekzagjerim me qëllim të çon tek e vërteta në një mënyrë të paharrueshme. Ndonjëherë një objekt përdoret si tip ose simbol i diçkaje tjetër. Kur Jezusi foli për lumenj të ujit të gjallë në Gjoni 7:38, Ai po i referohej Frymës së Shenjtë (shih vargun 39). Meqë përdorim figura letrare në të folurit tonë të përditshëm, ne zakonisht nuk kemi shumë vështirësi në dallimin e tyre në Bibël.

Ndonjëherë ka thënie përgjithësuese në Bibël që duhen kuptuar si lejim për përjashtime. Për shembull, atyre që nderojnë babanë dhe nënën u është premtuar jetë e gjatë mbi tokë (Efesianeve 6:2, 3). Por ne i njohim disa të rinj, të cilët i kanë nderuar prindërit e tyre, por kanë vdekur në një moshë të re. Por është akoma e vërtetë se si rregull i përgjithshëm fëmijët e bindur jetojnë më gjatë se të rinjtë e egër dhe rebelë.

Ndonjëherë Bibla flet për Perëndinë sikur «bën» gjëra të cilat në realitet Ai veçse i lejon të ndodhin. Për shembull, ne e dimë që Perëndia nuk bën ndonjë gjë që është e ligë ose e gabuar. Por ne lexojmë se «një shpirt i lig nga Zoti ishte mbi Saulin» (1 i Samuelit 19:9). Perëndia e lejoi këtë që të ndodhte, por nuk shkaktoi që të ndodhte.

Ndonjëherë Perëndia flet për çfarë është e sigurt që do të bëhet sikur tashmë të jetë ketë ndodhur. Në Romakëve 8:30 thuhet se besimtarët janë përlëvduar. Në fakt ne nuk do të përlëvdohemi derisa Krishti të vijë dhe të na marrë për tek shtëpia e Atit. Por e vërteta e këtij përlëvdimi të ardhshëm është aq e sigurt saqë Perëndia flet për të si një fakt i përmbushur. Sa gjë e mrekullueshme është kjo – që mëkatari më pak i perëndishëm jo vetëm të shpëtojë nga ferri nëpërmjet besimit në Krishtin, por mund të jetë i sigurt për lavdinë që po vjen sikur ai tashmë ta ketë provuar atë!

Bibla ndonjëherë përdor atë çfarë ne e quajmë gjuhë të shfaqjes njerëzore. Për shembull, Jozueu 10:12 thotë se dielli nuk lëvizi nën urdhrin e Jozueut. Ne e dimë se është lëvizja e tokës dhe jo e diellit ajo që shkakton natën e ditën. Por u duk se dielli nuk lëvizi për arsye se orët e dritës së diellit u zgjatën. Kjo është gjuha e shfaqjes njerëzore.

Fjala «bir» në Bibël mund të nënkuptojë gjithashtu nip, stërnip ose pasardhës tjetër. Ashtu si edhe fjalët «bijë», «vëlla» dhe «motër», mund të kenë kuptime më të gjera.

Kur vjen tek pozicionet gjeografike në Bibël, ata pothuajse janë dhënë në referencë me kombin e Izraelit ose me qytetin e Jeruzalemit. Kështu «veriu» zakonisht nënkuptohet veriu i Izraelit ose Jeruzalemit.

Referencat biblike zakonisht jepen si më poshtë: Gjoni 3:16, që do të thotë, Ungjilli i Gjonit, kapitulli 3, vargu 16.

Ka një balancim të gjërave parësore në Fjalën e Perëndisë. Disa të vërteta trajtohen pak, ndërsa çështje të tjera theksohen shumë. Ne duhet të mundohemi të marrim një pamje të balancuar të Shkrimit të Shenjtë, jo duke shkelur në një temë sikur të ishte e vetmja temë, por duke e mbajtur atë në rëndësinë e duhur.

Kur shkrimtarët e Dhiatës së Re, të frymëzuar nga Fryma, cituan pjesë nga Dhiata e Vjetër, ata ndonjëherë e përdorin citimin në një mënyrë të ndryshme, por krejt legjitime, kështu duke i dhënë pjesës në Dhiatën e Vjetër një kuptim tjetër dhe më të pasur.

Ndërsa lexoni dhe studioni Biblën përditë, ju do të shijoni një të kuptuar gjithnjë e më të pasur të Perëndisë sonë madhështor dhe të planit të Tij të mrekullueshëm të jetës për të gjithë ata që e marrin Jezus Krishtin si Shpëtimtar dhe Zot. Bëjeni atë dëshirën tuaj përjetë!

DHJATA E VJETER

1. Librat Historik 2. Librat e urtësisë dhe poezisë 3. Librat profetik

DHJATA E RE

1. Libri i veprave të apostujve

2. Letrat

3. Libri i Zbulesës

[next]