A DUHET TË PUNËSOJMË NJË PASTOR?

Shtojca E | Manuali i Dishepullit

Megjithëse rroga është një metodë pagimi e përshtatshme në shumicën e profesioneve, ekzistojnë rreziqe tipike që e shoqërojnë atë për ata që shërbejnë Fjalën e Perëndisë.

Dhe, sigurisht, është për këtë arsye që ideja e një shërbese rrogëtare është e huaj për Dhiatën e Re. Ndonëse Zoti Jezus na mësoi shumë qartë se «punëtori e meriton shpërblimin e vet» (Lu. 10:7) dhe Pali pohoi se «ata që shpallin ungjillin, nga ungjilli të rrojnë» (1 Kor. 9:14), nuk jepet asnjë sugjerim që këta burra duhet të marrin një shumë të caktuar çdo muaj.

Një nga problemet më të mëdha është se ata që kontrollojnë pagën shumë shpesh mund të kontrollojnë predikimin. Nuk ndodh gjithmonë që ata të cilët i bien pizgës të këmbëngulin që të kërkojnë edhe muzikën, por kjo ka ndodhur dhe mund të ndodhë. Ata që mbajnë telat e kuletës mund të jenë po aq të mishit sa cjeptë, megjithatë ata mund të këmbëngulin që të ndrydhin çdo predikim që nuk u pëlqen.

Është gjithashtu e vërtetë se ata që e japin rrogën mund të kërkojnë disa standarde arritjeje. Për shembull, ata mund të kërkojnë një shtim të anëtarësisë së kishës, qoftë përmes konvertimeve ose transferimeve nga kisha të tjera. Kjo mund ta mbajë në presion një shërbëtor të Zotit që t’i ulë standardet për të rritur numrat. Nuk është në fuqinë e tij që të prodhojë konvertime të vërteta; është Perëndia Ai që jep rritjen. Por ai mund të prodhojë rrëfime të përcipta që cilat duken mirë në një raport vjetor. Gjithashtu ai mund të flasë butë mbi çështjet e disiplinës për të mos humbur asnjë.

Edhe pavarësisht nga presioni prej të tjerëve, ekziston tundimi që mësuesi të zbutë të vërtetën për të mos ofenduar kongregacionin. Nëse njerëzit janë të pasur, ai mund ta shohë të pavolitshme që të flasë për «Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë» (Mt. 6:19), ose «Porositi të pasurit e kësaj bote të mos jenë krenarë dhe të mos i mbajnë shpresat në pasurinë që është e pasigurt, por në Perëndinë e gjallë, i cili na jep gjithçka bujarisht për ta gëzuar» (1 Tim. 6:17). Predikuesi duhet të jetë njeriu i lirë i Zotit, i lirë që ta shpallë të plotë këshillën e Perëndisë, i lirë që të jetë një zë për Perëndinë, i lirë që flasë si të shpallë orakullin e Perëndisë. Çdo gjë që e pengon këtë është një tragjedi e madhe për veprën e Zotit.

Në kohë rënie dhe apostazie ekziston shpesh një prirje që predikuesit të marrin anën e atyre që kontrollojnë financat e tij, në vend që t’i qëndrojnë besnik doktrinave të mëdha e themelore të besimit. David O. Beale, duke shkruar për një grupim që tani është bërë shoshë nga liberalizmi dhe apostazia, thotë: «Është një ‘shaka’ e vazhdueshme të cilën pastorët e tregojnë në çdo takim vjetor: ‘Nëse Kuvendi ndahet, unë do të shkoj me Bordin e Pensioneve!’ Bordi duke se është ‘çimentoja’ e perandorisë». Interesat financiare kanë një ndikim të fuqishëm për të marrë përparësi mbi besnikërinë ndaj Fjalës së Perëndisë.

Një rrogë e caktuar ka shumë mundësi që të dobësojë jetën e besimit. Shërbëtori i Zotit duhet të jetë një shembull për të tjerët i njeriut që ecën me anë të besimit dhe jo nëpërmjet shikimit. Jeta e tij duhet të jetë një krizë varësie e vazhdueshme në Zotin. G. H. Lang tha dëshminë e tij:

Unë kam jetuar dhe punuar në përbashkësi të gëzuar me punëtorë për ungjillin në shumë vende për pesëdhjetë vjedh dhe jam i kënaqur që një burim të ardhurash i garantuar apo i rregullt, për shkak se e bën të panevojshëm besimin e drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm në Perëndinë për sa i përket nevojave të përkohshme, është pa dyshim një humbje frymërore dhe nuk është kurrsesi një fitim.

Në botën kishtare nuk është e rrallë që njerëzit të bëjnë pazar për rroga më të mëdha. Ata e ngatërrojnë përparimin material me udhëheqjen e Perëndisë. Dhe mund të arrihet lehtë në përfundimin që oferta e një rroge tërheqëse është një tregues i thirrjes së Perëndisë.

Në ekonominë e Dhiatës së Vjetër një shërbëtor vlente sa dyfishin e një shërbëtori të paguar (LiP. 15:18). Me fjalë të tjera, ai që shërbente ngaqë i përkiste zotërisë së tij ishte më i vlefshëm se ai që punonte për atë që mund të nxirrte prej kësaj. A ka këtu ndonjë mesazh për ne sot?

Sigurisht, ngrihet pyetja: «Si do të mbështetet një shërbëtor i Zotit nëse jo me një rrogë?»

Së pari, besimtari duhet të ketë siguri absolute që Zoti e ka thirrur për t’i shërbyer me kohë të plotë. Kjo nuk mund të mbitheksohet. Dhe ai jo vetëm që duhet të jetë i sigurt vetë, por duhet të ketë edhe mirëbesimin e drejtuesve të tij frymërorë që ai ka marrë aprovimin frymëror. Në fund të fundit, askush nuk është një gjykatës kompetent i dhuntisë së tij.

E dyta, ai duhet të jetë plotësisht i i sigurt, ashtu siç ia thënë Hadsën Tejlëri, se Zoti paguan për atë që kërkon. Pastaj ai mund të bëjë përpara pa ndonjë mënyrë të dukshme mbështetjeje, por me një besim të patundur që Zoti do të sigurojë nevojat e tij sipas pasurive të Tij në lavdi në Krishtin Jezus. Me siguri që këto do të mjaftojnë.

Por si do ta bëjë Perëndia këtë? Ai do ta bëjë këtë nëpërmjet popullit të Tij. Dikush e ka përshkruar këtë proces si vijon:

Perëndia mund të futë një ide në mendjen e dikujt. Ai mund ta bëjë dikë që të ndiejë një «nxitje» ose «bindje» për të bërë diçka. Kështu që kur lutemi për një shumë të caktuar parash, Perëndia mund të bëjë që dikush të marrë librin e çeqeve dhe të dërgojë atë shumë, ose ai mund të bëjë që një duzinë njerëzish të dërgojnë pjesë suplementare të asaj shume, duke bërë që totali të jetë i saktë. Ju mund të mos e besoni se Ai e bën këtë, por thjesht po them se kur flas mbi lutjen për para, kjo është ajo që dua të them.

Kjo është pjesa emocionuese e jetës së besimit – të shohësh që të ardhurat rriten me rritjen e nevojave dhe anasjelltas të shohësh që të ardhurat të ulen kur të mos e kërkojë më nevoja. Dhe kjo shërben si një sistem i vlefshëm i çeqeve dhe bilanceve. Për sa kohë jam duke kryer veprën e Perëndisë, e di që Ai do të sigurojë, krejt pa i reklamuar nevojat e mia në anën time. Nëse shërbej sipas mençurisë sime, nuk mund të pres që Ai të paguajë për atë që nuk e ka kërkuar.

Ray Williams shkroi në revistën «Jehona»:

Unë besoj se kjo është mënyra. Nëse jo, si mund të mbështetemi mbi udhëheqjen e Tij? Nëse i them vetes: «Unë dua që ta bëj këtë punë» dhe iu them miqve: «A mund të siguroni paratë që të më ndihmoni për të bërë këtë punë?» Unë mund të dëshiroj që ta bëj dhe miqtë mund të duan që të më ndihmojnë, por nuk do të mund ta di nëse ky ishte vullneti i Zotit. Nëse unë i them vetëm Zotit që dua ta bëj këtë gjë dhe financat për ta bërë atë vijnë pa e ditur askush përveç Zotit, atëherë e di që ky është vullneti i Perëndisë për mua.

Dëgjoni dëshminë e Silas Fox:

Më 1926, duke besuar se do të ishte më mirë për mua që ta hidhja vështrimin drejtpërdrejt te Zoti për mbështetje dhe që të isha më i lirë që të pranoja thirrjet që mund të vinin për takime të veçanta, u nisa, me një grua dhe pesë fëmijë dhe për lavdinë e Perëndisë, mbas një çerek shekulli, mund të dëshmoj se pa asnjë mision që të më mbështeste dhe pa asnjë sekretari delegimi për t’i bërë të njohura nevojat tona në atdhe dhe pa asnjë apel [për ndihmë financiare] ose që unë vetë të kryeja mbledhje ndihmash […] dhe duke mos e patur emrin në ndonjë «listë», prapëseprapë Zoti ka plotësuar në mënyrë të hirshme, të mrekullueshme dhe besnike të gjitha nevojat për këto njëzet e pesë vjet dhe ne e lavdërojmë Atë dhe për këtë japim dëshmi në këtë mënyrë.

Përfundimisht, Dan Crawford shton mprehtësinë e tij frymërore:

Një mik i shoqatës misionare arsyetoi me mua si një burrë i martuar për të mos pretenduar një rrogë të caktuar – ideja e tij ishte shumë e vërtetë. Pikërisht pas kësaj Perëndia më foli në Fjalën e Tij. Ajo që e zgjidhi çështjen për sa i përket faktit që besimi ishte e vetmja gjë e saktë ishte e vërteta e Perëndisë që vijon: «Premtimi ishte nëpërmjet besimit që të jetë i sigurt». E vetmja gjë e sigurt është besimi!

[previous][next]