DISHEPULLIMI ME MËNYRËN E JETESËS

Shtojca C | Manuali i Dishepullit | nga Andreas Lindner

Kur Zoti Jezus e thirri Pjetrin,Gjonin dhe dishepujt e tjerë, ata e lanë punën e tyre për të ndjekur Atë (Mr. 1:20). Dishepujt e kaluan pjesën më të madhe të kohës së tyre me Zotin Jezus, e panë Atë duke punuar dhe mësuan prej Tij. U formuan karakteret dhe u mësuan aftësitë e tyre. Përmes gjithë kësaj [kohe] ata u përgatitën për punën e tyre të ardhshme.

Shumica prej nesh nuk i lëmë familjet dhe punët tona në këtë mënyrë. Por a i është lënë dishepullimi ynë kohëve të lira gjatë fundjavës ose në mbrëmje? Jo, edhe ne mund të mësojmë mësime të vlefshme nga përvojat e përditshme të jetës.

Si mund të mësojmë nga Zoti dhe të përgatitemi për detyra më të mëdha?

Një ditë Zoti Jezus e përdori barkën e Pjetrit si një katedër për t’ju drejtuar turmave. Pastaj i tha Pjetrit: «Shko në të thella dhe hidhni rrjetat tuaja për të zënë peshk» (Lu. 5:4). Pjetri nuk priste se do të ishte i suksesshëm: «Mësues, u munduam gjithë natën dhe nuk zumë asgjë; por, për fjalën tënde, do ta hedh rrjetën». Kjo ishte hera e parë që Pjetri u mor me punën e tij, sepse kështu i kishte kërkuar Zoti që të vepronte. Kur Pjetri e bëri këtë, atij i ndodhën disa gjëra. Dhe këto do të na ndodhin edhe ne kur e kryejmë punën tonë të përditshme si një shërbesë për Zotin.

1. Ekuipazhi i Pjetrit kapi shumë peshq. Zoti e shpërbleu Pjetrin. Secili prej nesh duhet t’ia dorëzojë jetën Zotit, duke i kërkuar Atij se çfarë dëshiron që të bëjmë dhe pastaj ta bëjmë për hir të Tij. Shërbesa jonë për Zotin do të përfshijë gjëra të tilla si puna për të siguruar jetesën (2 Thes. 3:12) dhe drejtimi i i shtëpisë sonë (1 Tim. 5:14). Kur një dishepull e kryen punën e tij të përditshme si një shërbesë për Zotin, Zoti do ta shpërblejë atë. Shpërblimi nuk do të jetë gjithmonë sukses me biznesin, sikurse ndodhi me Pjetrin atë ditë. Por do të ketë një shpërblim të përjetshëm për gjithçka që e bëjmë si një shërbesë për hir të Tij (shih Kol. 3:24).

2. Pjetri ra para këmbëve të Zotit, sepse kuptoi se kush është Zoti. Pjetri pa fuqinë e Krijuesit ndërsa Zoti i urdhëroi gjithë këta peshq brenda rrjetës. Pjetri ndjeu shenjtërinë e pranisë së Perëndisë dhe prandaj tha: «Largohu prej meje». Zoti tregoi dashurinë dhe kujdesin e Tij për Pjetrin duke siguruar ushqim dhe duke e ngushëlluar atë me fjalët: «Mos ki frikë».

Qëllimi i apostullit Pal në jetë ishte që të njihte Zotin në një mënyrë më të thellë e më të mirë (Fil. 3:10) dhe ky do të jetë një qëllim i mirë edhe për ne. Njohja e Zotit nuk duhet i duhet lënë vetëm kohës që kalojmë me Biblën apo me takimet. Si çdo marrëdhënie tjetër, ne e njohim Atë kur kalojmë kohë me Atë. «Pranoje në të gjitha rrugët e tua dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua» (Fja. 3:6).

3. Pjetri mësoi për veten – që ai ishte një njeri mëkatar. Është për t’u shënuar që ai këtë nuk e mësoi duke dëgjuar predikimin, por kur po vepronte sipas urdhrit të Zotit. Sa më shumë që kuptojmë se kush jemi, aq më shumë do t’i besojmë Zotit dhe jo vetvetes.

4. Përfundimisht, Pjetri kuptoi më shumë rreth detyrave të tjera për të cilat Zoti donte që ai të kryente: «Tash e tutje ti do të jesh peshkatar njerëzisht të gjallë» (Lu. 5:10). Pjetri u thirr në një sferë tjetër shërbimi kur po kryente punën e tij të përditshme për Zotin. Dhe shumë gjëra të cilat Pjetri i kishte mësuar si peshkatar do të mund t’i përdorte si një peshkatar njerëzish. Për shembull, peshkatarët duhet të shkojnë atje ku ka peshq, sikurse ungjilltarët duhet të shkojnë atje ku ka njerëz (Mt. 28:19); dhe që të dy, peshkatarët dhe ungjilltarët, duhet të jenë të durueshëm, të punojnë shumë, t’i qepen synimit të tyre dhe të përdorin të gjitha llojet e metodave për të kapur peshkun.

Në të njëjtën mënyrë Zoti do ta përdorë punën tonë të përditshme që të na stërvitë për detyra të ardhshme. Zoti na përgatit për detyra të tjera për që kohë sa jemi këtu mbi tokë, ose për punë të tjera të cilat Zoti i ka për shërbëtorët e Tij besnikë në jetën e përtejme (Lu. 19:17). Kur Davidi po kujdesej për delet vështirë se kuptoi që kjo ishte «një kohë mësimi për një kohë mbretërimi». Si mbret ai ishte një bari i vërtetë për popullin e Perëndisë. Ai mësoi shumë mësime mbi mbretërimin kur po kujdesej për delet e të atit. «Në qoftë se durojmë, do të mbretërojmë bashkë me të» (2 Tim. 2:12).

Peshkimi është një punë e rëndë dhe e rëndomtë. Shpesh Pjetri shkoi të peshkonte për arsye të ndryshme. Kësaj radhe ai peshkoi me bindje ndaj Zotit dhe si rezultat Zoti e dërgoi atë edhe që të punonte për Të. Kryeje punën tënde të përditshme, duke iu bindur urdhrit të Tij. Kjo është mënyra e jetesës për një dishepull.

Kjo i bëri Pjetrit kaq shumë përshtypje, që ia përkushtoi një pjesë të madhe të letrës së tij kësaj teme. Ai ua bën të ditur besimtarëve se ata janë të gjithë priftërinj, pjesë e një priftërie mbretërore (1 Pje. 2:9). Çfarë duhet të bëjnë besimtarët për të ushtruar priftërinë e tyre? A duhet të ndryshojnë punën që kanë? Jo, Zoti dëshironte që ata të qëndronin atje ku ishin si shërbëtorë ose amvisa, edhe në rastet kur kishin zotërinj të ashpër apo bashkëshortë mosbesues. Atyre iu thanë udhëzime se si duhet të silleshin si priftërinj në pozita të tilla (1 Pje. 2:18-3:6).

Nëse e duam Zotin dhe e vendosim të parin, jetët tona nuk harxhohen kot. Zoti do t’i përdorë të gjitha gjërat për të mirën tonë (Rom. 8:28). Ne mund të mësojmë që të bëjmë punën tonë normale – madje gjërat e përditshme si ngrënia e ushqimit – për lavdinë e Perëndisë (1 Kor. 10:31).

Një hap i rëndësishëm drejt këtij qëllimi është që ta vendosim Zotin të parin: «Para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen» (Mt. 6:33).

Disa të krishterë mund të mendojnë: «Puna ime e përditshme është vetëm që të siguroj për jetesën time. Ajo që ka vlerë vërtet është shërbimi që i jap Zotit pasi e kam lënë zyrën – shpërndarja e trakteve, drejtimi i një grupi për studimin e Biblës etj.». Jobesimtarët shkojnë në punë për të bërë para (Mt. 6:31-32); ne duhet të kemi një qëndrim tjetër për punën. Kur mendojmë në këtë mënyrë ne nuk e vendosim Zotin të parin në punën tonë të përditshme. Është mirë që t’i shërbejmë Zotit pas orëve të zyrës, por përse të mos i shërbejmë Atij gjatë kohës së punës duke e kryer edhe punën tonë të përditshme për kënaqësinë e Tij?

Kur adoptojmë mënyrën e jetesës së një dishepulli dhe e kryejmë punën tonë të përditshme për Atë, qëllimisht ne do të kërkojmë drejtësinë e Tij. Zoti është i drejtë. Ai dëshiron që të na përputhë sipas imazhit të Tij (Rom. 8:29). Ne mund të mësojmë që të jemi të drejtë në punën tonë të përditshme. Me të gjithë vështirësitë dhe tundimet puna mund të jetë kampi ideal për stërvitje. Kjo vlen edhe për tiparet e tjera të karakterit të cilat Zoti dëshiron që të shfaqë në ne përmes Frymës së Shenjtë (Gal. 5:22). Në tavolinën e punës ne mësojmë që të jemi të durueshëm. Ne mund të sfidohemi që të jemi miqësorë me klientët në situata të vështira, ose mund të mësojmë që të jemi të bindur dhe të butë me përgjegjësin. Ne mund të mësojmë që të dëgjojmë këshillën, të rrëfejmë mëkatet tona dhe t’i vlerësojmë të tjerët më lart se veten.

Dikush mund të mendojë: Për t’i shërbyer Zotit unë duhet të ndryshoj pozitën time; ndihem si një skllav. Apostulli Pal u shkroi, në fakt, skllevërve dhe u tha: «Gjithsecili le të mbetet në atë gjendje në të cilën ishte thirrur. A je thirrur kur ishte skllav? Mos u pikëllo» (1 Kor. 7:20-21). Asnjë prej nesh nuk është një skllav me të vërtetë, por mund të gjendemi në situata që nuk mund të ndryshohen për momentin. Rrethanat tona të tanishme mund të duken si një pengesë për shërbesën tonë ndaj Zotit. Një nënë është e lidhur me lavamanin, një bashkëshort është i gozhduar në tavolinën e tij të punës dhe një student është i kufizuar në laboratorin dhe kompjuterin e tij. Sidoqoftë ne mund t’ia dorëzojmë përditë jetët tona Zotit, duke e bërë punën tonë për Atë, siç veproi Pjetri kur tha: «Për fjalën tënde, do ta hedh rrjetën».

Mund të ndodhë që të na jepet mundësia për të kontribuar më shumë kohë duke i shërbyer Zotit në një mënyrë tjetër. Të tjerë kanë nevojë për ndihmë dhe kanë nevojë për ungjillin. Ne mund të përhapim Fjalën e Perëndisë duke e predikuar ose duke i ndihmuar ata që e bëjnë këtë gjë. Dishepujt e lanë punën e tyre si peshkatarë dhe punuan për Zotin në një pozitë tjetër kur Ai i thirri që të punonin me kohë të plotë me Atë. Kur punojmë si nëna dhe amvisa, në një dyqan apo në një kantier ndërtimi, ne mund ta bëjmë këtë për Zotin. Nëse lirohemi nga këto detyrime, ne duhet ta përdorim këtë liri për Zotin dhe mbretërinë e Tij.

Zoti Jezus ishte duke vepruar sipas vullnetit të Perëndisë si kur ishte në bankën e marangozit, ashtu edhe kur predikonte andej-këtej. Ai ishte frymëror dhe i shenjtë përpara shërbesës së Tij publike, siç ishte edhe kur e filloi atë. Le të kemi parasysh këtë kur jemi duke kryer punët e përditshme. Gruaja e një misionari po mërzitej, sepse burri i saj udhëtonte andej-këtej duke predikuar, ndërsa ajo mendonte se mundësitë e saj për t’i shërbyer Zotit ishin të pakta. Asaj i duhet të rrinte në shtëpi me fëmijët, të gatuante për të gjithë miqtë që vinin. Një ditë asaj iu bë e qartë se Zoti dëshironte që ajo t’i bënte këto gjëra. Ajo filloi ta bënte punën për Zotin, jo si diçka me raste – kjo u bë një mënyrë jetese për të. Dhe ajo ngjiti një shenjë në kuzhinën e saj: «Shërbesa e Zotit këtu – tri herë në ditë».

[previous][next]