DUAJE ASAMBLENË E KRISHTIT

Mësimi 31 | Karakteri i Krishterë

Mua, më të voglit nga të gjithë shenjtorët, m’u dha ky hir për të shpallur midis johebrenjve pasuritë e papërshkrueshme të Krishtit dhe për t’u manifestuar të gjithëve pjesëmarrjen e misterit, i cili nga epokat më të lashta qe fshehur në Perëndinë, i cili krijoi të gjitha gjërat nëpërmjet Jezus Krishtit; që nëpërmjet kishës, në kohën e tashme u manifestohej principatave dhe pushteteve, në vendet qiellore, dituria e shumëllojshme e Perëndisë, sipas qëllimit të përjetshëm që ai kreu në Krishtin Jezus, Zotin tonë (Efe. 3:8-11).

Asambleja{{1}} është jashtëzakonisht e rëndësishme në mendjen e Perëndisë dhe në Fjalën e Perëndisë. Më lejoni të përmend vetëm disa gjëra në lidhje me të.

Ajo është e rëndësishme, sepse është e vetmja shoqëri në tokë që Perëndia i ka premtuar vazhdimësi të përjetshme. Jezusi tha: «Mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë». Kjo nuk është e vlefshme për asnjë grup tjetër.

Rëndësia e asamblesë shihet në pozitën e spikatur që i është dhënë asaj në Dhiatën e Re. Unë mendoj se jemi të justifikuar nëse e gjykojmë rëndësinë e një teme sipas sasisë që i është kushtuar asaj në Dhiatën e Re. Pjesë të shumta nga Shkrimet e përfshijnë këtë temë. Në Efesianëve 1:19-32 Pali shkroi:

«Cila është madhështia e jashtëzakonshme e fuqisë së tij ndaj nesh, që besojmë sipas veprimit të forcës së fuqisë së tij, të cilën e vuri në veprim në Krishtin, duke e ringjallur prej së vdekurish dhe duke e vënë të ulej në të djathtën e tij në vendet qiellore, përmbi çdo principatë, pushtet, fuqi, zotërim dhe çdo emër që përmendet jo vetëm në këtë epokë, por edhe në atë të ardhme dhe vuri çdo gjë nën këmbët e tij, edhe ia dha për krye përmbi çdo gjë kishës, e cila është trupi i tij, plotësia e atij që mbush çdo gjë në të gjithë».

Si është trupi i tij plotësia e Atij që mbush çdo gjë në të gjithë? Kam në dorën time një kartë 7 me 13 cm. Do ta ndaj atë përgjysmë për t’jua ilustruar. Njëra pjesë përfaqëson Zotin Jezus Krisht. Tjetra përfaqëson kishën, trupin e Krishtit. Tani i mbaj ato përsëri së bashku. Në njëfarë kuptimi, kisha është plotësuese e Krishtit. Është sikur Zoti Jezus nuk e konsideron Veten të plotë pa kishën, pa trupin e Tij. Dhe trupi i Tij është mjeti që Ai ka caktuar në botë për t’iu bërë i njohur botës. Kur shoh këtë, kuptoj që kisha është e rëndësishme. Asambleja është e rëndësishme; ne duhet të jemi të bindur për këtë. Dhe ne duhet të jemi entuziastë për të, jo duke u justifikuar. Kam frikë se disa nga ne ngurrojnë kur përballemi me këtë temë. Ne kemi frikë të trumbetojmë të vërtetën për të.

Për kishën flitet si një mësim tregues për qeniet engjëllore. Ne lexojmë në Efesianëve 3:10:

Që nëpërmjet kishës, në kohën e tashme u manifestohej principatave dhe pushteteve, në vendet qiellore, dituria e shumëllojshme e Perëndisë.

Thjesht mendo për qeniet engjëllore, ose të paktën qeniet qiellore, duke vështruar këtu poshtë në tokë dhe duke parë atë që Perëndia ka bërë me kishën. Ai i mori judenjtë dhe johebrenjtë dhe i pajtoi judenjtë besues dhe johebrenjtë besues. Çdo lloj personalitetesh të ndryshme, çdo lloj lythash dhe rrudhash dhe çdo gjë që ngelet, Ai i pajtoi dhe ka bërë nga të dy një njeri të ri.

Xhonatan Lamb, duke folur në Angli te Konferenca Kesvik, lexoi citimin e mëposhtëm:

Krishti vdiq që njerëz të çdo lloji të mund të pajtohen me Perëndinë dhe njëri-tjetrin. Veçantia e krishterimit është se ai e bën të mundur vazhdimisht përbashkësinë midis njerëzve që në të kundërt nuk do ta duronin [njëri-tjetrin], e aq më pak gëzonin së bashku. Krishti bën që shoqëritë e rafinuara të miqësohen me fermerët shtegtarë, që klasa e mesme të qajë me rebelin e qejfliun, që zezakët, indianët, judenjtë dhe të bardhët të lutem me zell së bashku dhe që administruesi dhe punëtori të bisedojnë për problemet e njëri-tjetrit. Në një botë të ndarë sipas klasave, tregtisë, racës, arsimit, politikës, ndryshimeve midis brezave si dhe nga mijëra interesa antagoniste, vetëm Krishti mund të bëjë që papajtueshmëria të pajtohet{{2}}.

Kjo m’u bë e qartë shumë fuqishëm disa vite më parë kur isha në Haifa. Atje në Haifa ka një asamble ku besimtarët judenj dhe besimtarët arabë thyejnë bukën së bashku. Është me të vërtetë një manifestim i bukur i asaj që kemi këtu në Fjalën e Perëndisë. Qeniet qiellore shohin poshtë dhe mrekullohen me urtësinë e Perëndisë.

Pali flet për të vërtetën e asamblesë si kapaku i zbulesës biblike. Në Kolosianëve 1:25 ai shkruan: «Shërbenjës i së cilës u bëra unë, sipas administrimit të Perëndisë që m’u dha për ju, që t’jua paraqes të plotë [d.m.th., ta plotësoj] fjalën e Perëndisë».

Ta plotësoj apo përfundoj Fjalën e Perëndisë? Në fakt, Kolosianëve nuk ishte libri i fundit që iu shtua Dhiatës së Re. E në të njëjtën kohë, sa i përket zbulimit të doktrinave të reja e të rëndësishme, ai ishte kapaku i zbulesës biblike, veçanërisht zbulesës së kishës.

Në 1 Timoteut 3:15 ne lexojmë se asambleja është njësia mbi tokë që Perëndia ka zgjedhur për të përhapur besimin: «Por, po u vonova, të dish se si duhet të sillesh në shtëpinë e Perëndisë, që është kisha e Perëndisë së gjallë, shtylla dhe mbështetja e së vërtetës». Në kohët biblike, shtyllat përdoreshin shpesh për të shpallur ndonjë lajm a deklaratë. Kisha është shtylla për të njoftuar të vërtetën.

Perëndia e do asamblenë. Perëndia e kishte në mendjen e Tij këtë sekret nga tërë përjetësia, që kur të mbushej koha, Ai do të formonte një shoqëri të re me një thirrje qiellore dhe një pikëmbërritje qiellore dhe se Ai do të dërgonte Birin e Tij këtu poshtë në këtë botë për të kërkuar një nuse me një çmim të pamasë.

Kam gjetur këtë kafshatë të shijshme në kalendarin Kallinj të zgjedhur para ca kohësh:

Sikur të kuptonim që objekti më i shtrenjtë në këtë botë për Zotin Jezus është kisha e Tij, ne do të harxhonim më pak kohë për aktivitete dhe çështje periferike. Atëherë përpjekjet tona do të drejtoheshin drejt ndërtimin të kishës lokale ku bëjmë pjesë dhe dashuria tonë do të shkonte te çdo anëtar i trupit të Tij. Kështu ne do të kujdeseshim për atë që Ai do të më shumë në botë.

Perëndia e do asamblenë. Krishti e do asamblenë. Apostulli Pal e donte asamblenë. Ai thotë në Efesianëve 3:8:

Mua, më të voglit nga të gjithë shenjtorët, m’u dha ky hir për të predikuar midis johebrenjve pasuritë e papërshkrueshme të Krishtit dhe të ndriçoj të gjithë se ç’është përbashkësia e misterit, i cili nga epokat më të lashta qe fshehur në Perëndinë, i cili krijoi të gjitha gjërat nëpërmjet Jezus Krishtit.

Tani, ndonjë besimtari të ri, këto edhe mund t’i duken si një lëmsh fjalësh të shenjta, por më lejoni të përpiqem që t’i thjeshtësoj ato. Në këto vargje, apostulli Pal po thotë se ai kishte një shërbesë të dyfishtë. A e kuptoni këtë? Cila ishte shërbesa e dyfishtë e Palit? Së pari, «për të predikuar midis johebrenjve pasuritë e papërshkrueshme të Krishtit…». Ky është ungjilli, apo jo? Por ai nuk ndalon këtu. Ai thotë: «dhe të ndriçoj të gjithë se ç’është përbashkësia [ose administrimi] i misterit». Kjo është kisha. Dhe unë s’mund të them se ai e donte njërën shërbesë më shumë se tjetrën. Ai i mbajti ato në balancim.

Ndonjëherë mendoj se ne jemi më entuziastë për veprën e ungjillit sesa për asamblenë lokale. Pali nuk ishte. Dëshira e madhe e Palit ishte të predikonte ungjillin, t’i shihte njerëzit të shpëtuar, t’i shihte ata të futur në përbashkësinë e kishës lokale dhe t’i shihte ata duke u rritur në gjërat e Zotit, që ata të bëheshin të krishterë riprodhues. Është një vizion i madh, apo jo? Dhe unë të sfidoj edhe ty. Ku je ti me këtë shërbesë të dyfishtë? Ndoshta ti je një fitues energjik i shpirtrave. Për këtë falënderoj Perëndinë. Është e mrekullueshme, por mos ndalo këtu. Ki po atë shërbesë të dyfishtë që kishte apostulli i madh Pal.

Perëndia e do asamblenë. Krishti e do asamblenë. Pali e donte asamblenë. A më lejoni edhe mua të them me atë zërin therës: «Unë e dua asamblenë, gjithashtu?» Ajo është nëna ime. I detyrohem shumë – në njëfarë mënyre, i detyrohem gjithçka – asamblesë lokale. Pikërisht në atë asamble e dëgjova të predikohej ungjilli. Pikërisht në atë asamble iu nënshtrova fuqisë bindëse të Frymës së Shenjtë të Perëndisë. Pikërisht në atë asamble m’u mësua Fjala e Perëndisë. Nuk ishte shumë madhështore në pamjen e jashtme. Nuk ishte shumë dramatike. Disa të krishterë të ulur bashkë, që lexonim Biblën dhe bisedonim dhe që kemi lexuar çdo libër të Biblës me radhë. Leximi i parë bisedor i Biblës që më kujtohet si i ri ishte në librin e Isaias. Përfytyrojeni! Gjëra të thella! Ky ishte sfondi im. Ky ishte trajnimi im. Sot e falënderoj Perëndinë për këtë. Unë e dua asamblenë. Me të vërtetë e dua. Dhe për këtë jam entuziast.

Dua të ndaj me ju disa të vërteta për asamblenë që gjenden në Fjalën e Perëndisë. Më lejoni të them vetëm këtë, nuk duhet të ketë ndonjë karakteristikë për asamblenë. A të habit kjo? Po, nuk duhet të ketë ndonjë karakteristikë. Shiko, e vërteta është aty për të gjithë njerëzit e Perëndisë, apo jo? Është e gjitha aty, në Bibël. E vetmja gjë që e bën atë të veçantë është se disa njerëz e vënë atë në praktikë dhe të tjerët nuk e bëjnë. Por parimet janë aty për të gjithë njerëzit e Perëndisë që t’i besojnë dhe t’i vënë në praktikë.

NJË TRUP

Parimi i parë që e dua shumë është se ka vetëm një trup. Më pëlqen Efesianëve 4:4: «Është një trup dhe një Frymë, sikurse ju u thirrët në një shpresë të thirrjes suaj. Një Zot, një besim, një pagëzim». Kjo është kambana e vdekjes për denominacionalizmin [sektarizmin]. Unë i urrej, i kam zët, i përçmoj dhe i kam krupë titujt sektarë. Kjo është një mënyrë e butë dhe e mprehtë për të thënë që këta tituj nuk më pëlqejnë! Nuk më pëlqen titulli «Vëllezërit Pleimauth». «Vëllezër» është universale, «Pleimauth» është paksa lokale. Kjo më bën të mendoj për «katolik roman». «Katolik» do të thotë universal dhe roman do të thotë jo universal – do të thotë Roman. Nuk më pëlqejnë këta tituj. Madje nuk më pëlqen edhe titulli «Vëllezër të Krishterë», sepse të gjithë njerëzit e Perëndisë janë vëllezër të krishterë dhe mua nuk më pëlqen asgjë që më ndan nga anëtarët e tjerë të trupit të Krishtit.

Kur e pyesnin H. A. Ajrënsajdin se kujt grupimi i përkiste, ai do t’u përgjigjej me fjalët e Psalmit 119:63: «Unë jam shok i gjithë atyre që kanë frikë prej teje dhe i atyre që i respektojnë urdhërimet e tua». Ky është grupimi që duhet t’i përkasësh. Dhe nëse dikush vjen te ti dhe të thotë: «Kujt grupimi i përket?», thjesht thuaji, «Po atij që i përkiste edhe Pali» dhe kjo do ta bëjë atë një student të Biblës. Atij do t’i duhet të shkojë në Fjalën e Perëndisë për të parë se kujt grupimi i përkiste Pali. Kjo do t’i hapë atij sytë. Me të vërtetë është një e vërtetë e lavdishme. Një trup këtu në tokë, i përbërë nga të gjithë besimtarët e vërtetë në Zotin Jezus Krisht.

Por njerëzit duan të të futin në një kategori, apo jo? Nëse do që të tjerët të ndihen jo mirë, thjesht përgjigju si vijon kur të të thonë: «Çfarë je?»

– Po, unë jam i krishterë.

– Sigurisht, ne të gjithë jemi të krishterë. Po çfarë je tjetër?

– Jam dishepull i Zotit Jezus.

– E di që je një dishepull i Zotit Jezus, por kujt kishe i përket?

– I përkas kishës që është trupi i Tij.

Ata nuk kënaqen kurrë derisa të të kenë futur në një grupim. Mos u dorëzo!

KRISHTI KREU DHE QENDRA E TË MBLEDHURIT

Krishti është Kreu i kishës: «Sepse burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti kreu i kishës dhe ai është Shpëtimtari i trupit» (Efe. 5:23). Asnjë njeri nuk është kreu i kishës, qoftë ai papë, kryepeshkop apo president. Madje edhe pleqtë nuk janë kreu i kishës. Krishti është kreu dhe vetëm Ai.

Krishti nuk është vetëm kreu i kishës. Ai është qendra e mbledhjes së njerëzve të Tij. Kur mblidhemi bashkë ne nuk mblidhemi rreth një njeriu. Ne nuk mblidhemi në një kishë në kuptimin sektar. Ne mblidhemi rreth Krishtit. Krishti është qendra e të mbledhurit dhe ne shkojmë atje pasi besojmë se Zoti Jezus Krisht është atje. Ne e marrim këtë nëpërmjet besimit, sepse Ai ka thënë: «Kudo që dy a tre janë bashkuar [mbledhur] në emrin tim, unë jam në mes të tyre». Ju thoni, po unë nuk e shoh Atë, nuk jam i vetëdijshëm për [praninë] e Tij. Ndonjëherë ti shkon në takime dhe unë po të them, qiejtë ulen shumë poshtë dhe priftërinjtë nuk mund të shërbejnë për shkak të lavdisë së Zotit dhe unë dua të jem atje në këto raste, apo jo? Krishti është qendra e mbledhjes së njerëzve të Tij.

Të gjithë besimtarët janë anëtarë të trupit të Krishtit (1 Kor. 12:12-13):

Sepse ashtu si trupi është një dhe ka shumë gjymtyrë, edhe të gjitha gjymtyrët e të njëjtit trup, megjithëse janë shumë, janë një trup i vetëm, kështu është edhe Krishti. Sepse të gjithë ne jemi pagëzuar në një Frymë të vetëm në një trup, qofshin hebrenj apo grekë, skllevër a të lirë dhe të gjithë jemi ujitur në një Frymë.

Do të doja që të vinit re diçka në fund të vargut 12. Ai thotë:

Sepse ashtu si trupi është një dhe ka shumë gjymtyrë, edhe të gjitha gjymtyrët e të njëjtit trup, megjithëse janë shumë, janë një trup i vetëm, kështu është edhe Krishti [fjalë për fjalë në anglisht me nyjën shquese, the Christ]

Këtu kemi një përdorim tepër të pazakontë të fjalës Krisht. Ajo i referohet Kreut Krisht plus kishës, trupit të Tij. Mahnitëse, apo jo? Ndonjëherë ne mësohemi aq shumë me këto vargje që nuk kuptojmë se sa të mahnitshme janë. Befasohesh kur shesh që Fryma e Perëndisë do të përdorë fjalët «Krishti» [ang. the Christ] për të përshkruar Kreun Krisht plus kishën, trupin e Tij. Të gjithë besimtarët janë anëtarë.

I dua të gjithë besimtarët në Zotin Jezus. I dua të gjithë ata që janë shpenguar përmes gjakut të çmuar. Ata janë vëllezërit e mi dhe motrat e mia në Krishtin, bashkëgjymtyrë të trupit. Unë mund të mësoj diçka nga secili prej tyre. Nuk ka asnjë besimtar në Zotin Jezus nga i cili nuk mund të mësoj diçka. Dhe jo vetëm kaq, por unë duhet të lutem për të gjithë besimtarët dhe jo vetëm për ata që kam në përbashkësinë lokale, por të gjithë besimtarët, sepse ne jemi bashkëgjymtyrë të atij trupi. Dhe unë duhet të gëzohem kur ata predikojnë Krishtin. Unë mund të mos jem në një mendje për mënyrën se si i kryqëzojnë t-të apo si i vënë pikat mbi i-të, por unë mund të gëzohem siç bëri Pali në Filipianëve 1:18 që Krishti shpallet.

Por kjo s’do të thotë se unë mund të bëj gjithçka që ata bëjnë. Pikërisht në këtë pikë ne duhet të bëjmë shumë kujdes. Unë mund t’i dua ata. Unë mund të mësoj nga ata. Unë mund të mësoj zell dhe dashuri dhe përkushtim për Zotin Jezus, por s’mund të bëj shumë gjëra gjëra që ata bëjnë. Ndërgjegjja ime, ashtu si ajo e Luterit, duhet të jetë e nënshtruar ndaj Fjalës së Perëndisë. Unë duhet të udhëhiqem nga ajo që më mëson Fjala e Perëndisë. Për shembull, nuk do të thotë që duhet të bashkëpunoj me besimtarë të tjerë në fushata ungjillëzimi ku të konvertuarit i jepen një kishe të pabesë [femohuese]. Kjo më bën të mendoj për atë që ka thënë Mudi: «Unë nuk do të futja zogj të gjallë nën një pulë të ngordhur». Dhe ai kishte të drejtë kur e tha këtë.

PRIFTËRIA E TË GJITHË BESIMTARËVE

Të gjithë besimtarët janë priftërinj. Ne jemi priftërinj të shenjtë dhe priftërinj mbretëror.

Duke iu afruar atij, si te guri i gjallë, i flakur tej nga njerëzit, por i zgjedhur dhe i çmuar përpara Perëndisë, edhe ju, si gurë të gjallë, ndërtoheni për të qenë një shtëpi frymërore, një priftëri e shenjtë, për të ofruar flijime frymërore, që i pëlqejnë Perëndisë me anë të Jezus Krishtit (1 Pje. 2:4-5).

Por ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë, popull i fituar, që të shpallni lavdinë e atij që ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme (1 Pje. 2:9).

Besimtarët meshkuj janë priftërinj. Besimtaret femra janë priftëresha. Janë të gjithë besimtarët. Dhe të gjithë besimtarët kanë funksionin për të ofruar sakrificat e personit të tyre, e zotërimeve të tyre, e lavdërimit të tyre dhe e shërbimit të tyre për Zotin. Por Fryma e Perëndisë vendos kontroll në ushtrimin publik të priftërisë. Dhe për këtë nuk kemi pse të çuditemi. Mendo për kontrollin që vendos Fryma mbi përdorimin e gjuhëve në asamble (1 Kor. 14). Nëse dikush flet në gjuhëra, duhet të ketë një interpretues. Në çdo takim nuk mund të flasin në gjuhëra më shumë se tre veta. Ata duhet të flasin njëri pas tjetrit. Ajo që ata thonë duhet të jetë ndërtuese. Gratë duhet të qëndrojnë në heshtje. Të gjitha gjërat duhen bërë siç ka hije dhe me rregullsi. Dhe kështu është edhe me përdorimin publik të priftërisë së besimtarit: «Dua, pra, që burrat (meshkujt) të luten në çdo vend» (1 Tim. 2:8). «Nuk e lejoj gruan që të japë mësim, as të përdori pushtet mbi burrin, por të rrijë në heshtje» (1 Tim. 2:12). Ne s’duhet të çuditemi për këtë kontroll. Nëse Fryma e Perëndisë mund të vendosë kontroll mbi përdorimin publik të dhuntive në asamble, përse nuk mund ta bëjë Ai këtë edhe për priftërinë e besimtarëve?

NJË SHUMICË PLEQSH DHE SHENJTORË AKTIVË

Një asamble lokale përbëhet nga shenjtorë, pleq dhe dhjakë. Filipianëve 1:1 e thotë këtë qartë: «Pali dhe Timoteut, shërbëtorë të Jezus Krishtit, gjithë shenjtorëve në Jezus Krishtin që janë në Filipi, bashkë me peshkopët [pleqtë] dhe dhjakët…».

Kjo ishte struktura e kishës në Filipi. Ata mblidheshin bashkë për mësimin e apostujve dhe përbashkësi, për thyerjen e bukës dhe për lutje (Vep. 2:42). Dhe mendoj se nëse do t’i marrësh ato vargje bashkë, do të kesh përkufizimin e një asambleje lokale. Ajo është një grup që përbëhet nga shenjtorë, pleq dhe dhjakë, të cilët mblidhen bashkë për mësimin e apostujve, për përbashkësi, për thyerjen e bukës dhe për lutje.

Një e vërtetë e madhe e asamblesë është se nuk ka një gjë të tillë si sistemi klerikal. Nuk ka një njeri të vetëm që kryen shërbesën. Kjo është një e vërtetë e lavdishme. Janë shenjtorët ata që duhet ta bëjnë veprën e shërbimit. Dhuntitë u dhanë «për përsosjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit, për ndërtimin e trupit të Krishtit» (Efe. 4:12). Është pikërisht për shkak të kësaj pjese në Fjalën e Perëndisë që unë jam pjesë e një asambleje sot. Isha në Honolulu kur Fryma e Perëndisë erdhi tek unë në një mënyrë shumë reale dhe më pyeti: «Përse je në një asamble? A nuk do të ishte kaq i lumtur në një kishë denominacionale? Ose në një kishë të Biblës? A je në asamble sepse babai yt ishte në asamble? A është kjo arsyeja që je atje?» Dhe unë thashë: «Tamam! Do shkoj në Fjalën e Perëndisë dhe të shoh se çfarë mëson ajo». Unë vërtet besoj se Fryma e Perëndisë më drejtoi në këtë pjesë të Shkrimeve. Pashë se çdo besimtar është një shërbyes, pra, një shërbëtor.

Për shkak të traditës të mbledhur gjatë shekujve mbi sistemin klerikal, duket e vështirë të besosh se idea që një njeri i vetëm të kryejë shërbesën në një kishë, duke bërë pjesën më të madhe të predikimit, pse jo dhe të gjithën, se ky nuk është modeli i Dhiatës së Re. Prapëseprapë e tërë ideja e ndarjes së vëllazërisë së barabartë në klerikë dhe në njerëz laikë është krejtësisht pa mbështetje biblike. Kjo [ide] është e huaj për Dhiatën e Re. Nuk ka asnjë garanci biblike që dikush të thotë «pastori im» ose që një predikues të thotë «kisha ime». Kjo thjesht nuk gjendet në Fjalën e Perëndisë. Askund në Dhiatën e Re nuk shohim të jetë bërë ndonjë referencë për një shërbyes të vetëm në kishë. Do t’ju lexoj disa citime nga burra, shumica e të cilëve kishin postin e një kleriku në një kishë dhe të gjithë do të thonë të njëjtën gjë: nuk është e drejtë.

Barnes, komentuesi i njohur i Biblës, ka shkruar:

Nuk ka asnjë aluzion për këdo që duhet të jetë më lart se pleqtë dhe dhjakët. Nëse Pali supozonte se në kishë duhet të kishte një rend prelatësh, përse nuk kemi asnjë aluzion për ata? Përse nuk përmenden kualifikimet e tyre? Nëse vetë Timoteu ishte një prelat, nuk duhet të bënte ai asgjë për të transmetuar këtë post te të tjerët? Nuk kishte asnjë kualifikim të veçantë që të kërkohej për një rend të tillë burrash, që do të ishte me vend të përmendej? A nuk do të ishte respekt, të paktën nga Pali, që të hidhte ndonjë aluzion për një post të tillë nëse vetë Timoteu e kishte [një post të tillë]. Nuk kishte asnjë [postë të tillë]{{3}}.

Njerëzit thonë: «Po vetë Pali ishte një shërbyes». Dëgjo, koha më e gjatë që Pali qëndroi në një vend e kohë të caktuar ishte dy vjet në Efes. Gjatë gjithë shërbesës së tij, ai qëndroi atje tre vjet. Por në një kohë të caktuar ai qëndroi atje vetëm dy vjet. Dhe strategjia e tij ishte t’i shihte njerëzit të shpëtuar, t’i shihte ata të ndërtoheshin në besim dhe [më pas] të largohej. Si një dhunti për kishën ai e konsideronte veten si shpenzim.

«Po për Timoteun? A ishte ai një shërbyes». [Përkthimet] e vjetra të Biblës kishin një poshtëshënim që thoshte se ai ishte peshkopi i parë i kishës në Efes. Falë Zotit tani kjo është hequr nga letrat drejtuar Timoteut. Timoteu nuk ishte një shërbyes në një kishë. Ai ishte një ndihmës shëtitës për apostullin Pal, jo një klerik i përhershëm në një kishë. Dhiata e Re mëson një shumësi pleqsh, por jo një shërbesë që kryhet nga një njeri i vetëm.

Aleksandër Meklareni shkroi:

Nuk kam se si të mos e pranoj të dëmshme praktikën aktuale të kufizimit të mësimit publik të kishës vetëm për një klasë zyrtare. Përse duhet që njëri të flasë gjithmonë dhe qindra të tjerë të cilët janë në gjendje të japin mësim të rrinë gojëkyçur duke dëgjuar, ose duke pretenduar se po e dëgjojnë atë? Unë e urrej revolucionin me forcë dhe nuk besoj se cilido institucion, qoftë politik a kishtar, që kërkon dhunë për t’i larguar, është gati që të hiqet, por besoj se nëse niveli i jetës sonë frymërore do të ngrihej mes nesh, [atëherë] natyrisht do të zhvilloheshin forma të reja ku të jetë themeluar edhe parimi i madh i demokracisë së krishterimit, që është: «Unë do të përhap nga Fryma ime mbi çdo mish dhe në ato ditë do të përhap nga Fryma ime mbi shërbëtorët e mi dhe mbi shërbëtoret e mia dhe do të profetizojnë»{{4}}.

J. I. Pakeri shton dëshminë e tij. Ai thotë:

Me klerikalizëm nënkuptoj atë kombinim konspirativ dhe despotik ku shërbyesi flet dhe kongregacioni pranon, që tërë shërbesa frymërore është përgjegjësia e tij dhe jo e tyrja, një nocion që është famëkeq në parim dhe që e shuan Frymën në praktikë{{5}}.

Në librin e tij Shoqëria e re e Perëndisë, Xhon R. W. Stoti thotë këtë:

Pra, çfarë modeli duhet të kemi në mendje për kishën? Modeli tradicional është ai i një piramide, ku pastori qëndron i pasigurt në majë, si një papë i vogël në kishën e vet, ndërsa njerëzit laikë radhiten poshtë tij në radhë të ngjeshura inferioriteti. Ky është një imazh krejt jobiblik, pasi Dhiata e Re përfytyron jo një pastor të vetëm me një tufë të bindur, por si një mbikëqyrje të shumëfishtë ashtu dhe një shërbesë për çdo anëtar{{6}}.

Kjo nuk është shkruar nga dikush që e kundërshton sistemin klerikal. Kjo është shkruar nga një burrë që ishte një kler në Kishën e Anglisë.

Donald Grej Barnhauzi ishte pastori i kishës presbiteriane të dhjetë në Filadelfia. Ai tha:

Aty nga fundi i shekullit të parë, ishte një palë brenda organizimit të kishës që kishte arritur një fitore mbi njerëzit laikë duke e lartësuar veten në një vend mbizotërimi, edhe pse Pjetri kishte paralajmëruar kundër kësaj. Siç shihet në letrën drejtuar kishës në Efes në kapitullin e dytë të librit të Zbulesës, ishte në shekullin e parë një palë, ajo e nikolaitëve, të cilët, sikurse tregon edhe emri i tyre në greqisht, kishin arritur epërsi mbi njerëzit laikë. Atje thuhet që Perëndia i Plotfuqishëm i urren veprat e atyre që mbrojnë dhe detyrojnë sundim mbi të tjerët brenda trupit të Krishtit{{7}}.

Ungjilltari Lejton Fordi shkroi në [librin] Bindësi i krishterë: «Tërë fjalori ynë i aktivitetit të kishës do të ndryshojë nëse ne e marrim seriozisht modelin e Dhiatës së Re». Dhe pastaj ai citon Riçard Halversonin që thotë:

Kur ne pyesim, «Sa shërbyes ka kisha juaj?», përgjigjja tradicionale është: «Një, ose dy, ose pesë», në varësi të asaj se sa i madh është stafi që paguhet. Përgjigjja e vërtetë është dyqind ose dy mijë në varësi të asaj se sa e madhe është anëtarësia. Çdo besimtar është një shërbyes. Ajo kishë që e pengon fitimin e shpirtrave duke u mbështetur te specialistët e saj, te pastorët a ungjilltarët e saj, për të ungjillëzuar, po jeton në kundërshtim si me qëllimin e Kreut ashtu edhe me modelin e vazhdueshëm të të krishterëve të hershëm{{8}}.

E. Stenli Xhouns, vite më parë një shërbyes metodist në Indi, tha:

Kisha në Antioki u themelua nga njerëz laikë [të thjeshtë], u drejtua nga njerëz laikë dhe u përhap në atë botë të lashtë nga njerëz laikë. Kjo është e rëndësishme për rindërtimin e kishës sot. Rizgjimi tjetër frymëror do të vijë nga njerëzit laikë. Deri tani qendra e gravitetit ka qenë te shërbyesi. Tani qendra e gravitetit duhet të zhvendoset te njerëzit laikë. Ne shërbyesit, misionarët dhe ungjilltarët nuk do ta fitojnë kurrë botën [për Krishtin]. Ne jemi shumë të paktë për ta bërë këtë dhe nëse do të mund ta bënim, nuk do të ishte diçka e mirë, pasi kjo do të largonte nga njerëzit laikë atë zhvillim e rritje frymërore që vjen përmes ndarjes së besimit. Por ne nuk do t’i bëjmë kurrë njerëzit laikë që të marrin përgjegjësinë e lëvizjes së krishterë dhe përhapjen e saj duke u thënë atyre: «Ejani dhe ndihmoni pastorin». Përgjigjja e tyre e brendshme dhe ndonjëherë edhe ajo e jashtme është: «E përse duhet ta bëjmë këtë? Kjo është puna e tij. Ne e paguajmë atë për këtë»{{9}}.

Vetë organizimi i kishës së zakonshme ka prirjen të prodhojë anonimët. Kongregacioni supozohet të rrijë në heshtje dhe të marrë [të dëgjojë] dhe pastori supozohet të jetë i dalluar dhe energjik. Nga vetë organizimi i saj kjo prodhon spektatorin dhe pjesëmarrësin. Nga vetë organizimi i saj kjo prodhon atë që ecën duke rënë, atë që nuk rritet si duhet, atë që nuk kontribuon dhe atë që është parazit. Nga burra e gra që gjatë javës janë formues mendimesh, drejtorë të koncerteve të mëdha, drejtorë rrethanash, pritet që të jenë të qullët të dielën. Dhe supozohet që kjo t’u pëlqejë atyre! Ata kanë pak përgjegjësi, prandaj reagojnë shumë pak, ndoshta përveç rasteve kur thonë: «Më pëlqeu predikimi yt». Ata kanë pak për të bërë, sepse bëjnë pak{{10}}.

Njerëzit laikë, në përgjithësi, kanë ndenjur ulur si spektatorë dhe klerikët kanë qenë në fushë duke luajtur lojën. Nëse kleriku shënon një gol a pikë, kemi duartrokitje: «Pastor i mirë. Shpresoj se do të rrijë». Ky organizim duhet ndryshuar; njerëzit laikë duhet të çohen nga stolat si spektatorë dhe të futen në fushë si lojtarë dhe klerikët duhet të largohen nga fusha si lojtarë dhe të shkojnë në vijat anësore si trajnerë të skuadrës. Klerikët duhet të jenë drejtues, stimulues dhe frymëzues të një lëvizjeje laike në thelb. Që t’i degradojnë ata? Jo, që t’i përmirësojnë ata. Sepse është më mirë të jesh një trajner, sesa të jesh një lojtar. Është më mirë të futësh në punë dhjetë veta, sesa të bësh punën e dhjetë vetave.{{11}}

Do të vini re se shumë prej këtyre burrave flasin shpesh për klerin, për njerëzit laikë dhe për shërbyesit në një kuptim të veçantë, duke mos kuptuar se këta terma janë jobiblik. Megjithatë, le t’u japim atyre nderim që kuptuan dobësinë e sistemit klerikal.

Brajën Grin thotë: «E ardhmja e krishterimit dhe ungjillëzimi i botës ngelet në duart e burrave e grave të zakonshme dhe jo kryesisht në ato të atyre shërbyesve të krishterë profesionalë»{{12}}.

Harnaku pohoi se «Kur kisha fitoi fitoret e saj më të mëdha në ditët e hershme të perandorisë romake, këtë ajo e bëri jo nga predikuesit a nga mësuesit a nga apostujt, por nga misionarët jozyrtarë [e thjeshtë], ku njerëzit shkonin kudo duke folur për ungjillin»{{13}}.

Në [librin] Rrugë të reja për ungjillëzimin e myslimanëve, Fil Parshalli na kujton:

Në rrethet e krishtera fjala shërbesë ka filluar t’i referohet klerit profesional, por në Dhiatën e Re diakonia (shërbesë) nuk është funksioni i vetëm një klase. Ajo është një rol ku janë thirrur të gjithë besimtarët. Në 1 Korintasve 12:4-30, Pali flet për dhuntitë e ndryshme që janë dhënë nga Fryma e Shenjtë si «larmi diakonia» (v. 5) dhe ai përfshin të gjithë besimtarët në tablonë e tij të trupit.

Dhiata e Re nuk përqendrohet mbi një drejtues të vetëm në kishën lokale. Kishat mblidheshin në shtëpi dhe udhëhiqeshin nga grupe pleqsh. Veprat 20:17-38 flet për bashkëveprimin e Palit me pleqtë nga Efesi. Në këtë pjesë nuk kemi ndonjë përqendrim të vëmendjes mbi një drejtues të vetëm{{14}}.

David Guding është i një mendjeje. Ai shkruan:

Cilado qoftë mënyra e organizimit të takime në një kishë, ajo nuk duhet të bëjë një gjë dhe kjo është që caktojë që një anëtar dhe vetëm një anëtar të bëjë vazhdimisht gjithë predikimin, mësimin, ungjillëzimin dhe shërbesën frymërore […] Kjo është seriozisht e dëmshme për rritjen e trupit të Krishtit, pasi kështu ne largohemi nga modeli i Dhiatës së Re{{15}}.

Dhe tani, përfundimisht, do të doja të lexoja atë që J. A. Stjuart ka thënë. Ai na kujton se «Çdo anëtar i asamblesë lokale doli për të fituar shpirtra për Krishtin përmes takimeve personale dhe pastaj i solli këto foshnja të porsalindura në këto kisha lokale, ku ata morën mësime dhe u forcuan në besimin e Shpenguesit. Këta të fundit dolën për të bërë të njëjtën gjë». Në një vend tjetër Stjuarti thotë: «Bota nuk do të ungjillëzohet kurrë sikurse pati qëllim Perëndia për aq kohë sa kemi një sistem klerikal»{{16}}. Kjo është e fuqishme!

Në një kohë kur shumë të krishterë ungjillorë po largohen nga sistemi klerikal, shumë nga asambletë po shkojnë tek inteligjencia klerikale. Ata duan të punësojnë një njeri të vetëm që të kryejë funksionet e tyre fetare për ta. Ata po paguajnë shumë dhe po shesin pak. Thirrja e tyre është: «Na jepni një shërbyes si në kishat e tjera». «Ata janë si ata në shkencat sociale të cilët adaptojnë mendësinë e kohës në një kohë kur profesionistët shekullarë po fillojnë t’ia nënshtrojnë këto tendenca kritikës serioze. Është thjesht çështje e hipjes në qerre ndërsa ajo është duke e ulur shpejtësinë»{{17}}. Kjo është ajo çfarë po ndodh sot.

Cili është dëmi i sistemit klerikal? Ai gjithmonë mban rrezikun që njerëzit të mblidhen rreth një njeriu në vend të Zotit të bekuar Jezus Krisht. Ai ndrydh dhuntitë e anëtarëve të kongregacionit. Gjithashtu, ngelet gjithmonë rreziku kur një njeri i vetëm kryen gjithë dhënien e mësimit. Asnjë njeri i vetëm nuk ka monopol mbi të vërtetën dhe Frymës së Perëndisë i pëlqen të përdorë njerëz të ndryshëm dhe të flasë përmes tyre. [Dhe] është më e lehtë që të hyjnë gabime kur njerëzit shohin vetëm një njeri si mësuesin e tyre.

Sistemi klerikal nuk merr parasysh qëllimin për të cilin janë dhënë dhuntitë. Ato u dhanë për përsosjen e shenjtorëve për veprën e shërbimit. Shenjtorët janë ata që duhet të bëjnë veprën e shërbesës.

Në sistemin klerikal zakonisht kemi një shërbesë rrogëtare. Dhe kjo është një mallkim në veprën e Perëndisë. Kjo përmban rrezikun se kur një njeri gjykohet nga madhësia dhe rritja e një kishe, ai tundohet që të ulë standardet. Dhe kështu ai e kërcen vallen siç bie daullja.

POZITA QENDRORE E ADHURIMIT

Një e vërtetë tjetër e madhe e asamblesë sipas Dhiatës së Re është se adhurimi është qendror. Shumë njerëz që kanë qenë pjesë e një asambleje për vite të tëra dhe pastaj largohen dhe shkojnë tjetërkund, thonë: «Më mungon vërtet thyerja e bukës». Unë ndihem sikur pyes: «Përse u largove?» Adhurimi është qendror. Nëse nuk të pëlqen të adhurosh, nuk do ta pëlqesh qiellin, pasi adhurimi do të jetë aktiviteti qendror në qiell.

Çdo besimtar ka një a disa dhunti. Këtë ne e besojmë dhe duhet të ketë liri në asamble për ushtrimin e dhuntive. Këto dhunti janë dhënë për dobinë e trupit. Jo për shfaqje egoizmi, por për dobinë e trupit. Sigurisht, disa prej dhuntive si ungjillëzimi dhe mikpritja nuk kufizohen vetëm për besimtarët që shërbejnë.

PARIME PLUS FUQI

Dua të theksoj këtë: Parimet e Dhiatës së Re kërkojnë fuqinë e Dhiatës së Re. Nuk ka zëvendësim për [rritjen] frymërore. Nuk ka gjë më të keqe se t’i shohësh njerëzit duke u përpjekur që të lëvizin pa fuqinë e Frymës. Perëndia kërkon një popull që të jetë në kontakt me Atë, një popull që ecën sipas Frymës ditë për ditë, një popull që ecën në përbashkësi me Zotin e bekuar Jezus Krisht. Nuk mjafton thjesht të kesh doktrinën e saktë. Ne duhet të jemi të saktë frymërisht.

Ruajtja e së vërtetës për kishën sipas Dhiatës së Re ka lidhje me një lloj turpi. Nëse ju nuk jeni të gatshëm për ta mbartur këtë turp, juve me të vërtetë do t’ju marrë rryma. Nëse kapeni pas së vërtetës së Dhiatës së Re, ju do të jeni gjithmonë një zog pika-pika në komunitetin ungjillor. Për këtë mund të të jap shembull pas shembulli. Por mendoj për këtë. Në ditën para ekzekutimit të saj, Anaken Janz i shkroi foshnjës së saj:

Atje ku dëgjon një tufë të vogël, të varfër, të thjeshtë, të braktisur që përçmohet dhe refuzohet nga bota, me ata bashkohu. Sepse atje ku është kryqi, atje është Krishti.

Vite më parë, Alfred Mejsi më tha: «Bill, kur të gjesh parime hyjnore, kapu pas tyre». Dhe kjo thënie qëndroi me mua. Kam kërkuar ta zbatoj atë. Kur të gjesh parime hyjnore, kapu pas tyre. Mos bëj kompromis me to dhe mos u largo prej tyre. Dhe ai më tha diçka tjetër: «Asnjë dhunti e njeriut nuk është tepër e madhe për parimet e Perëndisë». Unë mund të mendoj se dhuntia ime është tepër e madhe për asambletë e vogla e të përçmuara. Kurrsesi! Asnjë dhunti e njeriut nuk është tepër e madhe për parimet e Perëndisë.

Përfundimisht, ji i përkushtuar ndaj asamblesë. Ji entuziast për të. Mos ji një karkalec në kishë. Mos ji një flutur fetare. Ji një nga ata për të cilët Krishti mund të thotë: «Ju jeni ata që qëndruat me mua në sprovat e mia dhe unë ju caktoj një mbretëri».

Mbaj mend se asambleja më e vogël, më e dobët e njerëzve të Perëndisë do të thotë më shumë për Perëndinë, sesa perandoria më e madhe në botë. Kur Perëndia flet për një perandori, Ai e krahason atë me një pikë ujë në një kovë. Këtë Ai nuk e thotë kurrë për kishën. Kisha është trupi dhe nusja e Krishtit. Imagjinoni!

Mbaj mend se një plak i perëndishëm në një asamble do të thotë më shumë për Perëndinë sesa sundimtari i një kombi. Në Dhiatën e Re i është kushtuar më shumë vend punës së një plaku sesa punës së një presidenti a të një mbreti. Ki këto bindje. Lëri ato të mbrujnë jetën tënde dhe jeto në dritën e tyre.

[previous][next]
[[1]]Fjala «asamble» është përdorur përgjithësisht në këtë libër më tepër se fjala «kishë». Një asamble është një mbledhje njerëzish, ndërsa një kishë nënkupton zakonisht një ndërtesë.[[1]] [[2]]Lamb, Jonathan, Truth on Fire, Keswick Ministry 1998, Carlisle, England: OM Publishing, 1998, fq. 240.[[2]] [[3]]Barnes on the New Testament, Vëll. VIII, Thesalonikasve – Filipianëve, fq. 155.[[3]] [[4]]The Expositor’s Bible, Colossians and Philemon, London: Hodder & Stoughton, 1903, fq. 328-330.[[4]] [[5]]Keep in Step with the Spirit, Old Tappan, NJ: Fleming Revell Co., 1984, fq. 29.[[5]] [[6]]God’s New Society, The Message of Ephesians, Downer’s Grove, IL: InterVarsity Press, 1979, fq. 167.[[6]] [[7]]The Measure of Your Faith, fq. 21.[[7]] [[8]]Ford, Leighton, The Christian Persuader, NY: Harper and Row, 1966, fq. 49.[[8]] [[9]]Jones, E. Stanley, The Reconstruction of the Church – On What Pattern? Nashville, TN: Abingdon Press, 1970, fq. 42-43.[[9]] [[10]]Po aty, fq. 109.[[10]] [[11]]Po aty, fq. 46-47.[[11]] [[12]]Cituar nga E. Stanley Jones në Conversion, Abingdon Press, 1959, fq. 219.[[12]] [[13]]Ford, Leighton, The Christian Persuader, New York, NY: Harper & Row, 1966, fq. 46.[[13]] [[14]]Pharshall, Phil, New Paths in Muslim Evangelism, Grand Rapids, MI: Baker Book House, 1980, fq. 169.[[14]] [[15]]Gooding, David, Freedom Under God, Bath, England: Echoes of Service, 1988, fq. 18.[[15]] [[16]]Stewart, James, Evangelism, Asheville, NC: Revival Literature, 1955, fq. 14.[[16]] [[17]]Paul Vitz, cituar nga Dave Hunt, The Seduction of Christianity, Eugene, OR: Harvest House Publishers, 1985, fq. 205.[[17]]