JI NJË ADHURUES

Mësimi 30 | Jeta e Krishterë

Kjo është arsyeja e ekzistencës sonë – ne u krijuam për të adhuruar Perëndinë. Ati po kërkon adhurues që do t’i bëjnë Atij homazhe në frymë dhe në të vërtetën. Kjo do të thotë se adhurimi që ata bëjnë nuk është një çështje e kryerjes së disa riteve të caktuara dhe e recitimit përmendsh të lutjeve të përgatitura. Për më tepër ai është në frymë, domethënë, i frymëzuar nga Fryma dhe i fuqizuar nga Fryma. Dhe ai është në të vërtetën, domethënë, i sinqertë dhe nga zemra.

Adhurimi është derdhja e lavdërimit para Zotit për Personin dhe veprën e Tij. Adhurimi është ta konsiderosh atë të denjë për atë që Ai është dhe për çfarë ka bërë. Ai mund të përfshijë nderim të thellë dhe falënderim. Ai është një këngë dashurie për Perëndinë trini. Në adhurimin e vërtetë, vetja mungon veçse në rastet kur shprehim mrekullinë që Ai kujdeset për ne.

Përmendjen e parë të adhurimit në Bibël e ndeshim kur Abrahami mori birin e tij të vetëm, Isakun, për ta ofruar atë si një sakrificë për Perëndinë (Zan. 22:5). Akti më i lartë i adhurimit në Dhiatën e Re është paraqitja e trupave tona si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer tek Ai (Rom. 12:1-2). Këtu trupi paraqet frymën, shpirtin dhe trupinསྭgjithçka që ne jemi si persona.

Predikimi nuk është adhurim. Ai mund të ngjallë adhurim në zemrat e dëgjuesve, por predikimi është përçimi i një mesazhi te një audiencë. Dhënia e një dëshmie nuk është adhurim edhe pse, përsëri, ai mund nxitë adhurim. Adhurimi është t’i drejtohesh drejtpërdrejt Perëndisë.

Adhurimi në Bibël i drejtohet Atit dhe Birit, por për arsye që nuk na janë dhënë, ai nuk i drejtohet kurrë Frymës së Shenjtë.

Kritikët e Biblës mund të mendojnë se është egoiste nga ana e Perëndisë që Ai të kërkojë adhurim. Ata nuk kuptojnë. Kjo është për të mirën tonë, jo të Perëndisë. Ne bëhemi si ai që adhurojmë (2 Kor. 5:18):

Dhe ne të gjithë, duke soditur fytyrëzbuluar lavdinë e Zotit si në pasqyrë, transformohemi në të njëjtën shëmbëllim nga lavdia në lavdi, posi prej Frymës së Zotit.

SI MUND TË RRITEMI NË ADHURIMIN TONË NDAJ ZOTIT?

Psalmet na japin shumë frymëzim për adhurim. Atributet e Perëndisë janë një temë e parapëlqyer, si edhe kujdesi i Zotit në histori dhe profeci. Soditja e dhuratës së Perëndisë në Birin e Tij, siç paraqitet në ofrimin që Abrahami i bëri Isakut, ngre zemrat tona në lavdërim. Jeta dhe vepra e Shpëtimtarit janë frymëzim për respekt të thellë të pareshturསྭmishërimi i Tij, jeta e Tij e përsosur këtu poshtë, sakrifica e Tij shlyese, ringjallja e Tij, ngritja dhe shërbesa e Tij e tanishme në të djathtën e Perëndisë, ardhja përsëri e Tij dhe bekimet që kanë rrjedhur te ne përmes Tij.

Davidi dhe shkruesit e tjerë të Psalmeve ishin adhurues. Ata kishin mendime të mëdha për Perëndinë. Mrekullitë e krijimit i rrëmbyen ata në këngë ngazëllimtare. Kur ata konsideruan madhështinë, mirësinë dhe hirin e Tij, mendjet e tyre u lodhën dhe s’mund t’i thithnin të gjitha këto. Ata e panë Atë si Mbajtësin dhe Kontrolluesin [e gjithçkaje] dhe u hutuan.

Shkruesi i psalmeve të fundit ishte kaq i hutuar, saqë i bëri thirrje gjithë krijimit, të gjallë e pajetë, që t’i këndonin lavde Zotit. Të gjithë njerëzit të mëdhenj e të vegjël, të moshuar e të rinj, mbretër dhe princa, po, të gjithë engjëjt, bashkë me kafshët e egra, zogjtë dhe rrëshqanorët duhet të formonin një kor universal. Ai rendit shoqërimin e të gjitha llojeve të instrumenteveསྭharpa, trumbeta, bori, dajre, cimbale dhe vegla me frymë. Tema e tij është kaq mahnitëse, saqë ai fton diellin, hënën dhe yjet që t’i bashkohen himnit. Qiejtë, toka, deti, kodrat, malet dhe ujërat nuk duhet të heshtin. Zjarri, breshëri, bora dhe era e stuhishme kanë pjesën e tyre. Tema është kaq mahnitëse që Zoti është i denjë për adhurim total.

Megjithatë këta psalmistë nuk kishin një Bibël. Ata nuk e dinin se si do të vinte Biri i Perëndisë këtu poshtë në Planetin Tokë dhe se do të lindte në një stallë, se krevati i tij do të ishte një enë ku hanë kafshët. Ata nuk e dinin se njerëz të zgjuar do ta shihnin Perëndinë e tyre «të kufizuar në një jetëgjatësi, në mënyrë të pakuptueshme të bëhej Njeri». Ata as nuk e dinin se në atë koritë do të shtrihej Ai «që ndërtoi qiejtë xixëllues». E fshehur prej syve të tyre ishte e vërteta se Foshnja në koritë do të ishte «Fjala e Përjetshme që krijoi botët me fjalën e Tij nga barku i asgjëje, që krahët e vegjël të këtij fëmije pa forcë ishin duart e Atij që shtruan trarët e universit» [1].

Ata nuk e dinin se Arkitekti dhe Bërësi i universit do të vishte një ditë përparësen e Marangozit në një vend të quajtur Nazaret. Ose që Ai do të «endej si i huaj në botën që duart e Tij kishin krijuar». Ata do të hapur gojën të mendonin se Perëndia nuk kishte vend ku të mbështeste Kohën e Tij, ose që Ai ndonjëherë do të flinte poshtë yjeve ndërsa ndjekësit e Tij shkonin në shtëpitë e tyre.

A e kuptuan ata se në fakt Perëndia do të vinte në tokë dhe do të shëronte të sëmurët, do t’i jepte shikimin të verbërve, do t’i kthente këmbë sakatit, do të nxirrte demonë dhe do të ngjallte të vdekurit? Ose që pavarësisht nga gjithë kjo mirësi e Tij, Ai do të fyhej, përqeshej dhe do të përzihej jashtë qytetit?

Do të kishte qenë e pabesueshme për ata që Ai, Gjykatësi i të gjithëve, do të tradhtohej nga një prej të vetëve, do të arrestohej dhe do të gjykohej? Autoritetet civile do ta gjenin pa faj, por Ai do të fshikullohej derisa kurrizi i Tij të ishte si një fushë me brazda dhe Ai nuk do të dallohej më njeri.

Psalmistët nuk dinin shumë hollësi çfarë ne dimë tani. Në një vend të quajtur Kalvar njerëzit do ta gozhdonin Perëndinë e tyre në një kryq druri.

Kjo do të ishte e papërfytyrueshme për këta poetë të Dhiatës së Vjetër. Atyre do t’iu ishin dridhur leshrat e kokës të mendonin se shkëlqimi i lavdisë së Perëndisë, vula e qenies së Tij, Bërësi dhe Mbajtësi i universit, do të ishte atje mbi një kryq, duke bërë pastrimin për mëkatet e njeriut (Heb. 1:1-3). Krijesat e brishta do të merrnin Atë që është i lartësuar dhe i ngritur lart në lavdi dhe do ta ngrinin mbi një shtyllë turpi. Qiejtë e qiejve nuk mund ta nxënë Atë, megjithatë u shtrëngua me gozhda. Ishte i Pavdekshmi që po vdiste.

Përfytyroni përrenjtë e harmonisë qiellore që kori i psalmistit i të shpenguarve të shumtë do të ngrinte nëse do të kishte kënduar fjalët e Çarls Ueslit:

Si mund të ndodhë? Oh, ç’dashuri!

Të vdisje, Zot, për mua Ti.

Ose himni i Isak Uatsit që thotë:

Në asgjë tjetër s’mburrem dot,

veç në atë kryq të Zotit tim.

Ata panë përmes një pasqyre, në mënyrë të errët. Herë pas here ata patën pamje të shkurtra të asaj që do të ndodhte, por njohja e zbulesës së plotë nuk ishte për ata. Mendimi është ky: Nëse ata, me njohurinë e kufizuar që kishin, kanë derdhur përrenj të tillë lavdërimi, adhurimi, respekti të thellë dhe falënderimi ndaj Zotit, sa më shumë duhet të derdhim ne me aq sa dimë për Kalvarin dhe sa më shumë duhet ta lartësojmë Atë që vdiq atje për ne?

Kur kuptojmë të vërtetën e asaj që Perëndia tonë ka bërë për ne, për sakrificën që Ai bëri për të na shpëtuar, ne do të jemi adhurues të vetvetishëm dhe të ngulshëm. Askujt nuk do t’i duhet të na mbushë mendjen a lajkatojë për ta adhuruar Zotin. Gjuhët tona do të jenë si pena e një shkruesi të shpejtë. Jetët tona do të jenë si një psalm i pafund lavdërimi për Atë. Me fjalët e Çarls Ueslit përsëri, ne do të «shkrijmë zemrat tona me falënderim dhe do të tretim sytë tanë me lot». Ne do të «humbim në habi, dashuri dhe lavdërim» dhe «zhytemi në thellësitë e mistershme të dashurisë». Si psalmisti ne do t’i bëjmë thirrje gjithë krijimit për t’u bashkuar me ne që të këndojmë cilësitë e përsosura të Atij që na thirri nga terri në dritën e Tij të mrekullueshme.

Për mua, nuk ka asgjë tjetër që më bën një adhurues aq shumë sa fakti që Ai i cili vdiq mbi kryqin e Kalvarit për mua është Krijuesi im dhe Mbajtësi i universit. Si përgatitje për Darkën e Zotit të dielën, më pëlqen të kaloj kohë të qetë me Biblën dhe librin e himneve të shtunën mbrëma. Shumë prej himneve të vjetra e shprehin mrekullinë e Kalvarit shumë herë më mirë, sesa unë do të mund të bëj ndonjëherë dhe japin shumë frymëzim për lutje.

Kështu ungjillëzimi dhe shërbimi bëhen pasoja natyrale të adhurimit.

[previous][next]



Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. Macpherson, Ian, The Burden of the Lord, Nashville, TN: Abingdon, 1951, fq. 14. ↵ Kthehu mbrapa