Mësimi 34 | Karakteri i Krishterë
Prandaj edhe ne, duke qenë të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmitarësh, duke hedhur tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon kaq lehtë, le të rendim me durim në garën që është përpara nesh, duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit, i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin duke e përçmuar fyerjen dhe u ul në të djathtën e fronit të Perëndisë.
Kujtoni, pra, atë që duroi një kundërshtim të tillë nga ana e mëkatarëve kundër tij, që të mos lodheni dhe të ligështoheni në shpirtin tuaj. Ju ende nuk keni kundërshtuar deri në gjak, duke luftuar kundër mëkatit dhe keni harruar këshillën, që ju drejtohet juve porsi bijve:
«Biri im, mos e përçmo ndreqjen e Zotit dhe mos e humb zemrën, kur ai të qorton, sepse Zoti ndreq atë që do; dhe fshikullon çdo bir që ai pranon» (Heb. 12:1-6).
PËRKUFIZIMI
Durimi nuk është thjesht pranimi i sprovave dhe vuajtjeve, por të triumfosh mbi to. Ai nuk është qëndresa ndaj fatalizmit, por qëndresa që i ka gjërat nën kontroll. Durimi nuk ndalet as prej dekurajimit nga përbrenda, as prej kundërshtimit nga jashtë. Është ai durim i palëkundshëm që vazhdon derisa, në fund, ia del mbanë. Durimi nuk është pranimi fatalist i rrethanave, por ai durim i palëkundshëm që vazhdon deri në fund.
Durimi nuk është udha e shpëtimit, pavarësisht nga një apo dy vargje që duket se thonë kështu. «Por ai që do të ngulmoj [durojë] deri në fund do të shpëtohet» (Mt. 24:13). Këtu tema është Periudha e Mundimit. Besimtarët nuk duhet të mendojnë se siguria qëndron në dorëzimin tek armiku. Janë ata të cilët durojnë [ngulmojnë] që do të shpëtohen për të hyrë në Mijëvjeçarin. «Asnjëri që ka vënë dorë në parmendë dhe kthehet e shikon prapa, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë» (Lu. 9:62). Tema këtu është shërbimi dhe jo shpëtimi. Frikashët nuk janë shërbëtorë të përshtatshëm.
FUSHA NË TË CILAT NA NEVOJITET DURIM
Na nevojitet në jetën familjare dhe për rritjen e fëmijëve. Na nevojitet në marrjen e një shkollimi.
Na nevojitet në kishën lokale ku «gjendja normale […] është vështirësia» (J. Alexander Clarke). Na nevojitet në fushën e misionit ku ka konflikte të vazhdueshme ndërvetjake. Dhe na nevojitet në kohët kur jemi të sëmurë a të paaftë kur fryma është gati, por mishi është i dobët: «Jeta e krishterë nuk duhet të jetë një spazmë fillestare që pasohet nga inercia kronike».
GJËRA QË I BËJNË NJERËZIT TË DORËZOHEN OSE KTHEHEN MBRAPA
- Një lidhje e gabuar dashurie ose një martesë që nuk është bërë në qiell.
- Mëkati në jetën e dikujt: «Budallallëku i njeriut e bën rrugën e tij të rrëshqitshme dhe zemra e tij pezmatohet kundër Zotit» (Fja. 19:3). Ose, sikurse e thotë [Bibla] Versioni i Anglishtes së Sotme : «Disa njerëz e rrënojnë veten me vetë veprimet e tyre të trasha dhe pastaj ia hedhin fajin Zotit».
- Pohime të rreme sikurse shihen në katër tokat e Mateut 13. Fara që ra përgjatë rrugës, fara që ra në gurishtë dhe fara që ra midis ferrave janë të gjithë pohues të rremë. Vetëm fara që dha fryt ishte i vërtetë. Sot njerëzit kthehen mbrapa për shkak të materializmit, lakmisë, pritjeve të rreme, zhgënjimit nga njerëzit, dekurajimit dhe përndjekjeve. Kostoja është tepër e lartë.
SHEMBUJ DURIMI NGA BIBLA
Në një ditë të vetme, Jobi pësoi më shumë humbje materiale se çdo njeri tjetër në Bibël. Ai nuk ishte gjithnjë i durueshëm, por duroi.
Kur lexojmë për pikëllimet, rreziqet, përndjekjet dhe vuajtjet e Palit për hir të Krishtit (2 Kor. 11:23-28), është e lehtë të pyesim veten nëse jemi të krishterë apo jo.
Sigurisht, Jezusi është shembulli primar i durimit (Heb. 12:1-4). Sprovat më të rënda që demonët dhe njerëzit mundën të hedhin mbi Të nuk e zmbrapsën Atë që të shkonte në kryq.
SHEMBUJ TË DURIMIT FIZIK
Robert Brusi kishte pësuar gjashtë disfata ushtarake në përpjekjet e tij për ta bërë Skocinë të pavarur. I fshehur në një shpellë, ai pa një merimangë që po përpiqej ta lidhte rrjetën nga njëra pikë në tjetrën. Ajo dështoi plot gjashtë herë, por herën e shtatë ia doli mbanë. Kjo i foli Brusit dhe e inkurajoi të përpiqej përsëri. Kësaj here ai ia doli mbanë.
Pesë peshkatarë nga Kosta Rika i zuri një stuhi. Barka iu dëmtua shumë. Ajo futi ujë kështu që heqja u ujit u bë e domosdoshme. Radioja nuk kishte sinjal. Pas disa ditësh atyre u mbaroi ushqimi dhe uji. Njëherë një anije cisternë u afrua dhe u dha ujë, pastaj u largua. Kur më në fund u shpëtuan, ata kishin vendosur një rekord botëror për shmangien nga kursi në det. Ata mbijetuan 142 ditë duke jetuar me ujë, peshq dhe afro 200 breshka. Ata kishin udhëtuar mbi 3600 milje detare dhe kishin kaluar katër zona kohore.
Mark Uellmeni, edhe pse paraplegjik, arriti të ngjitë El Kapitanin, monolitin më të madh në botë. Iu desh shtatë ditë dhe katër orë që të ngjitej në mbi 900 metra, 15 cm njëherësh. Ndonjëherë erëra të forta e frynë atë 3 metra nga faqja e shkëmbit. Më pas ai ngjiti faqen e Kubesë Përgjysmë [Half Dome], edhe kjo në Parkun Kombëtar Yosemite. Iu deshën pothuaj dy javë që të ngjiste [lartësinë] 670 metra.
Këta burra ishin si orët Tajmeks – edhe pse kishin marrë qortim, tiktaku i saj nuk njihte ndalim. Jeta e krishterë është një maratonë dhe jo vrapim 100 metra. Kujtoni fjalët e Uinston Çërçillit. «Mos u dorëzo kurrë. Mos u dorëzo kurrë. Kurrë, kurrë, kurrë, kurrë – për asgjë, të madhe a të vogël, të gjerë a të ngushtë – mos u dorëzo kurrë, me përjashtim të bindjeve të nderit dhe të arsyes së shëndoshë».
Koleman Koks tha: «Madje dhe suksesi i qukapikut qëndron në faktin se ai përdor kokën e tij dhe vazhdon të çukitë derisa e mbaron punën që fillon».
Dhe një drejtues i mirënjohur ka thënë: «Shumica e njerëzve dorëzohen pikërisht kur janë gati për të arritur sukses. Ata ndalojnë 1 metër para pikëmbërritjes. Ata dorëzohen në minutën e fundit të lojës, një metër nga kryerja e golit fitues».
Kur gjërat shkojnë keq, siç edhe ndodh,
kur rruga që shkel duket e gjitha e përpjetë,
kur shqetësimet të brengosin disi,
çlodhu, nëse duhet – por kurrë mos ndalo.
Shpesh synimi është më afër sesa
i duket njeriut të dobët e ngurrues;
shpesh ai është dorëzuar
kur mund të kishte kupën e fituesit.
Vazhdo. (Autor i panjohur)
Ishte një burrë që dështoi në tregti. Ai hodhi kandidaturën për ligjvënës dhe humbi. Më pas pati një dështim tjetër në tregti. Përfundimisht, pasi u zgjodh në parlament, pësoi çrregullime nervore. Gjatë dhjetë viteve të ardhshme ai dështoi në zgjedhjet për kryetar, nëpunës në kadastër, zgjedhës dhe anëtar i kongresit. Përfundimisht ai u zgjodh në kongres, por u mund për rizgjedhje. Ai u përpoq për një vend në senatin amerikan, por humbi. Një vit më vonë ai u mund në përpjekjen për zëvendëspresident. Dhe përsëri ai dështoi të arrinte senatin amerikan. Përfundimisht, pas gjithë këtyre dështimeve, ai u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara. Emri i tij ishte Abraham Linkoln.
Zoti Jezus duroi kundërshtime të panumërta nga mëkatarët kundër Tij (Heb. 12:3). Ai duroi kryqin, duke e përçmuar fyerjen (Heb. 12:2). Ai e kreu veprën që Ati i Tij i kishte dhënë (Gjo. 17:4). Nuk ekzistonte as mendimi më i vogël që të kthehej mbrapa. Përfundimi i veprës që Ati i dha Jezusit për të bërë ishte si ushqim për Të (Gjo. 4:34).
Nëse ne duam të jemi si Jezusi, ne duhet të kemi durim. Ne duhet të kemi frymën e Ami Karmikaelit kur ajo shkroi:
Dorën e kam në parmendë, dorën ngurruese;
por para meje shtrihet tokë e palëruar.
Shkretëtira dhe vendi vetmitar,
labirinti i shkretë me hapësirën e vet.
Bishtin e parmendës e kam lagur nga lotët;
llaparët me ndryshk janë ndotur, e megjithatë, ende
atje në fushë, kurrë mos i lë frerët të shtendosen;Perëndia im! Perëndia im! Më ruaj të mos kthehem pas.
[previous][next]