PËRGATITJA E UDHËHEQËSVE

Mësimi 54 | Shërbesa e Krishterë | Nga Rick Belles

Sado i rëndësishëm që është predikimi i ungjillit për misionin e kishës, nëse vizioni ynë nuk është më lart se shpëtimi i shpirtrave, apo që si qëllim përfundimtar të kemi kthimin e jobesimtarëve në pjesëmarrës besnikë të takimeve, atëherë ne jemi fajtorë për largpamësi dhe do të përballemi përfundimisht me perspektivën e një asambleje të paaftë dhe të dobët frymërisht.

Synimi ynë duhet të jetë në asgjë më pak sesa shndërrimi i besimtarëve të papjekur që kanë aftësi në udhëheqës të kishës nëse duam të jemi pjesë e vizionit të Atij që shpalli: «Unë do të ndërtoj kishën time». Në fakt, faktori kyç që siguron vazhdimësinë e godinës së Tij të gjallë është ngritja e udhëheqësve frymëror nga brezi në brez, një strategji kjo ku vetë Mjeshtri ishte tepër i angazhuar kur Ai lëshoi deklaratën e mësipërme.

Por nëse duam të jemi pjesë e vizionit të Zotit Jezus për udhëheqjen e kishës, atëherë ne duhet të adoptojmë metodën e Tij nëse shpresojmë të kemi sukses. Dhe metoda e Tij ishte dishepullim personal—zgjedhja e disa burrave për të qenë me Të. Nëse vetë Shpëtimtari i përgatiti këta burra gjatë tre vjet përkujdesje të vazhdueshme dhe personale, si mund të presim ne udhëheqës të efektshëm të formuar vetëm mbi studimet e Biblës dhe shërbesës së katedrës?

Një ilustrim i metodës së Zotit shihet në punën që Ai bëri me Pjetrin. Studio rastet e pohimeve dhe pyetjeve që Ai i bëri Pjetrit dhe do të fillosh të kuptosh paksa marrëdhënien personale midis Pjetrit dhe Zotit të tij. Dhe do të shohësh Shpëtimtarin duke punuar në jetën e dishepullit të Tij—ballafaqim, sfidë, inkurajim—duke e shndërruar një peshkatar të vështirë dhe të pamësuar në një bari besnik të tufës së Perëndisë. Ne mund të supozojmë se metoda e Shpëtimtarit nuk ka qenë ndryshe me njëmbëdhjetë dishepujt e tjerë. Në përfundim të përgatitjes Ai kishte formuar burra të cilët, kur u mbushën me Frymën e Shenjtë, e bënë botën vërtet rrëmujë.

Sigurisht, ne mund të nxjerrim kundërshtime për ndjekjen e kësaj strategjie në jetët tona. Na duket se sa më shumë të jemi të përfshirë në marrëdhënien e përgatitjes, aq më shumë dividentë do të kemi në fund. Kështu ne parapëlqejmë të mësojmë grupe të mëdha dhe t’u predikojmë qindra vetave, duke shpresuar të ndikojmë më shumë jetë njëherësh. Por shumë shpesh rezultati është qindra të krishterë të cekët. Nuk mund të dishepullosh turma. Dhe megjithatë kur merret në konsideratë varianti për ta kaluar kohën rregullisht me një apo dy burra kyç, ne mendojmë brenda vetes: «Përse ky shpenzim i kotë i kohës?» dhe parapëlqejmë t’i harxhojmë përpjekjet tona me masat. Por kjo nuk ishte metoda e Zotit për të lënë një trashëgimi me udhëheqës të fortë.

Një vështirësi tjetër që duhet të kapërcehet për të adoptuar metodën e Zotit është kostoja e të qenit i hapur. Ne rrezikojmë të njihemi nga dishepujt tanë në një mënyrë të tillë që nuk do të jetë kurrë e vërtetë në një grup apo nga katedra. Zoti nuk u zmbraps nga ky intimitet, por e lejoi Veten të shihet, të dëgjohet dhe të prekej nga dymbëdhjetë burra çdo ditë për tre vjet. Në fund të gjithë, përveç njërit, kishin marrë po atë dashuri vetëmohuese për të tjerët që kishin parë dhe përjetuar tek Ai.

Kjo nuk do të thotë se burra karizmatikë dhe me një prirje të veçantë nuk mund të kenë një ndikim të fortë në jetët e tjerëve vetëm përmes shërbesës ndaj turmave. Por njerëz të tillë përfaqësojnë një përqindje të vogël të trupit të Krishtit dhe të presësh që kjo metodë të jetë burimi kryesor për udhëheqjen e kishës është si jorealiste ashtu dhe jobiblike. Rezultati i kësaj metode do të jetë një kishë që lulëzon gjatë shërbesës aktive të një njeriu të vetëm dhe që më pas fishket me humbjen e tij—për mungesë të burrave besnikë që do të vazhdonin në vend të tij. Krahaso këtë situatë me fjalët e fundit të Zotit drejtuar Pjetrit (Gjo. 21:15) dhe ato të Palit për Timoteun (2 Tim. 2:2).

Dishepulli mes dy vetash nuk kërkon drejtues karizmatikë apo me ndonjë prirje të veçantë që të jetë i efektshëm. Suksesi i tij qëndron te një njeri i mbushur me Frymën që e do Perëndinë, Fjalën e Tij dhe popullin e Tij dhe që është i gatshëm t’ia zbulojë jetën e tij një tjetri. Duke e marrë këtë si strategji, taktikat janë të thjeshta.

  • Takohuni shpesh bashkë për studimin e Biblës dhe lutje.
  • Mëso duke qenë një shembull. Dishepujt e tu le të shohin jetën tënde të perëndishme dhe barrën që ke për njerëzit përreth teje. Jezusi e bëri këtë.
  • Mëso përmes përvojës praktike. Merre dishepullin me vete kur viziton shenjtorët dhe kur u dëshmon të pashpëtuarve dhe më pas shpjego si veprove dhe përse veprove ashtu. Jezusi e bëri këtë.
  • Puno me karakterin. Mendo për Zotin duke e kujtuar vazhdimisht Pjetrin për shkujdesjen dhe vetëbesimin e tij. Çfarë ka në dishepullin tënd që nuk i lejon mbiemrat «i shenjtë dhe i patëmetë» që të zbatohen praktikisht tek ai?
  • Nxite dhe inkurajoje atë me Fjalën dhe lutu për të. Kështu veproi edhe Jezusi.

Nëse ka qenë dikush që kishte një viziton për rritjen e kishës ai ishte Zoti Jezus Krisht, i cili e dha Veten për të. Nëse duam që të ndajmë vizionin me Të në kuptimin më të plotë, domethënë, përtej shpëtimit të shpirtrave deri në ngritjen e udhëheqësve të tufës që do të jenë të gjendje të mësojnë të tjerë, atëherë ne duhet ta bëjmë tonën metodën e Tij. Nëse vetë Biri i Perëndisë e pa të domosdoshme të përqendrohej në disa burra besnikë, sa më shumë duhet ta shohim edhe ne.

[previous][next]