TANI RRETH UDHËHEQJES

Mësimi 25 | Jeta e Krishterë

Faktori më i rëndësishëm në përcaktimin e udhëheqjes nga Perëndia është vetë gjendja frymërore e dikujt. Vini re!

Sa për mua, gjatë udhëtimit, Zoti më çoi [më drejtoi] (Zan. 24:27).

Ai do të udhëheqë njerëzit zemërbutë në drejtësi dhe do t’u mësojë të përulurve rrugën e tij (Psa. 25:9).

Ki besim te Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua (Fja. 3:5-6).

O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mençur. Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë (Rom. 12:1-2).

Këto vargje thonë në mënyra të ndryshme se duhet të jesh afër që të dëgjosh. Zbulesën e Jezus Krishtit Perëndia ia dha pikërisht dishepullit që mbështetej mbi kraharorin e Jezusit. Dhe pikërisht atyre që qëndrojnë në Krishtin Ai u zbulon mendjen dhe vullnetin e Tij.

Perëndia ka një plan për secilin prej nesh. Ne s’kemi pse ta bëjmë atë. Gjithçka që ne duhet të bëjmë është të zbulojmë se cili është dhe pastaj ta zbatojmë. Ja disa hapa të rëndësishëm:

1. Ki një dëshirë të zellshme për të njohur vullnetin e Perëndisë. Ai nuk ua bën atë të njohur diletantëve frymërorë, apo amatorëve të cilët s’kanë gjë tjetër veçse një interes të sipërfaqshëm.

2. Prano se ti nuk e di se në ç’rrugë duhet të shkosh. «O Zot, unë e di që rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij» (Jer. 10:23). Siç e kemi parë tashmë në Fjalët e Urta 3:5, ne nuk duhet të mbështetemi në gjykimin tonë.

3. Besoji plotësisht Zotit për problemet që të dalin. Ai ka premtuar se do të na i zbulojë vullnetin e Tij; tani beso se Ai do ta bëjë. «Kush prej jush ka frikë nga Zoti dhe dëgjon zërin e shërbëtorit të tij? Kush ecën në terr pa asnjë dritë, le të ketë besim në emrin e Zotit dhe të mbështetet te Perëndia i tij!» (Isa. 50:10). Perëndia ka diçka shumë herë më të mirë, sesa ti mendon. Ai është në dijeni të mundësive për të cilat ti as nuk e ke idenë më të vogël.

4. Përkushtoju Atij pa asnjë rezervë (Rom. 12:1-2). Kjo do të thotë që të mos kesh vullnet tëndin, që të jesh tërësisht i dorëzuar tek Ai. Sikurse ka thënë dikush: «Pa rezervë, pa zmbrapsje, pa keqardhje». Kjo të bën të disponueshëm për Zotin.

5. Rrëfeje mëkatin në jetën tënde posa të jesh në dijeni të tij (1 Gjo. 1:9). Kjo të mban të pastër. Nëse je i disponueshëm dhe i pastër, atëherë është përgjegjësi e Perëndisë të të tregojë vullnetin e Tij.

6. Lutu vazhdimisht për një zbulim të vullnetit të Tij. «O Zot, më mëso rrugën tënde dhe më udhëhiq në një shteg të sheshtë, për shkak të armiqve të mi» (Psa. 27:11). Për çështje disi të rëndësishme unë i kërkoj Zotit që të miratojë udhëheqjen në gojën e dy ose tre dëshmitarëve (Mt. 18:16). Nëse Ai më jep dy ose tre prova të qarta të vullnetit të Tij, unë nuk do ta humbas atë.

7. Vendose veten në një pozitë të tillë për të marrë këtë zbulim duke kaluar shumë kohë në Fjalën e Perëndisë. «Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim» (Psa. 119:105).

8. Nëse ka mundësi të ndryshme, kërko të kesh sa më shumë të dhëna të mundshme për secilën prej tyre. Sa më shumë të dhëna të kem, aq më e lehtë duket që Zoti të më udhëheqë. Rendit në një fletë dobitë dhe dobësitë. Kjo ndonjëherë i bën gjërat të qarta.

9. Kërko këshillën e pleqve të perëndishëm ose atë të besimtarëve të tjerë të pjekur, gjykimin e të cilëve e respekton. Mos pyet ata të cilët ndoshta do të të thonë atë që ti do të dëgjosh.

10. Rezistoji tundimit për ta fabrikuar udhëheqjen nga vetja jote.

Ja, ju të gjithë që ndizni një zjarr, që rrethoheni me ura zjarri, shkoni në flakët e zjarrit tuaj dhe midis urave që keni ndezur! Nga dora ime do të keni këtë: ju do të lëngoni në vuajtje (Isa. 50:11)

11. Ji i gatshëm të presësh. Ky shpesh është hapi më i vështirë në këtë drejtim. Prit derisa udhëheqja të jetë aq e qartë sa të refuzosh do të thotë mosbindje e sigurt. Nëse je i paduruar, kujto tridhjetë vitet që Jezusi kaloi në Nazaret. «Kush beson nuk do të ngutet» (Isa. 28:16). Rrallë ndodh që Perëndia ta ketë me ngut. Nëse ju i besoni Atij, ju s’keni pse ta keni me ngut. C. I. Scofield ka thënë: «Besimi mbështetet mbi faktin e sigurt që Perëndia mund të flasë aq fort që edhe fëmija i duruar të dëgjojë. Pjesa tonë është që të presim qetë derisa të jemi të sigurt».

Nëse jeni duke u lutur për udhëheqje dhe ajo nuk vjen, udhëheqja e Perëndisë për ty është që të qëndrosh aty ku je. Errësira për të ecur është dritë për të qëndruar. Kujtoni kolonën e resë në Eksodi 40:36. Lëviz vetëm kur lëviz reja.

Ndërsa pret udhëheqje, vazhdo të jesh i zënë për Perëndinë. «Tërë ato që dora jote gjen për të bërë, bëji me gjithë forcën tënde» (Pre. 9:10). «Është detyra jonë që të bëjmë detyrën tonë. Ky fakt i thjeshtë kujdeset për një pjesë të madhe të jetës për të cilën nuk ka pse të kërkohet më tepër udhëheqje» (J. Oswald Sanders).

Tani ne ecim një hap të tutje për t’u përballur me këtë pyetje. Si udhëheq Perëndia?

1. Ai udhëheq nëpërmjet Biblës. Vullneti i Tij i përgjithshëm është shpalosur në Shkrimet e shenjta. Ai nuk do të udhëheqë kurrë në një mënyrë që është në kundërshtim me Fjalën. Por Ai flet shpesh nëpërmjet një pjese a vargu specifik nga Shkrimet. Ndërsa lexon Fjalën, një varg mund të të dalë para syve sikur Perëndia të të fliste gojarisht. Mund të mos i duket e qartë dikujt tjetër, por për ty është një tregues i qartë i vullnetit të Zotit.

2. Gjithashtu Perëndia udhëheq përmes këshillës së të tjerëve. «Dëgjo këshillën dhe prano mësimet, që ti të bëhesh i urtë për kusurin e ditëve të tua» (Psa. 19:20). Zakonisht këshilla më e mirë vjen përmes shenjtorëve frymërisht të pjekur. Por mos e përjashto mundësinë që një i pashpëtuar, duke mos e ditur që ti je duke kërkuar udhëheqje, të mund të thotë në mënyrë të papërfytyrueshme fjalën e duhur në përgjigje të vështirësisë sate.

Më lejoni t’ju këshilloj paraprakisht se kur thirrja e Perëndisë vjen te dikush, shpesh ka zëra që thonë fjalë shkurajuese. Kur Perëndia e thirri C. T. Studd, kampionin e kriketit, disa nga miqtë e tij i bërtitën: «Ti je i çmendur, të lësh kriketin e të shkosh të bëhesh misionar. Nuk mund të prisje derisa të mbaronin ditët e tua të kriketit? Nuk mund të ndikosh për Perëndinë si një lojtar kriketi? Pse të shkosh misionar në një vend ku ata as nuk kanë dëgjuar kurrë për kriketin?» Nëse Perëndia po të flet vërtet, ti do t’i trajtosh fjalë të tilla si pallavra.

3. Nganjëherë Perëndia flet përmes përputhjes së habitshme të rrethanave – për shembull, koha kur vjen një letër ose një telefonatë.

4. Ai flet edhe përmes dëshmisë subjektive të Frymës së Shenjtë. Ai mund të veprojë në intelektin tënd, në ndjenjat e tua dhe në vullnetin tënd në mënyrë të tillë që t’i të jesh i bindur se e di vullnetin e Tij. Ne duhet të jemi veçanërisht të kujdesshëm kur udhëheqja është subjektive, por fakti qëndron se Perëndia mundet dhe vërtet flet duke formuar mendimet dhe dëshirat tona, duke vendosur barrë në zemrat tona: «Sepse Perëndia është ai që vepron në ju vullnetin dhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të tij» (Fil. 2:13). Dikush ka thënë: «Është budallallëk të veprosh kur pëllumbi i paqes është larguar nga zemra».

5. Zoti mund të udhëheqë përmes pengesave. Vini re!

Kur ata po kalonin nëpër Frigji dhe në krahinën e Galatisë, u penguan nga Fryma e Shenjtë që të shpallin fjalën në Azi. Si arritën në kufijtë e Misisë, ata kërkuan të shkojnë në Bitini, por Fryma nuk i lejoi (Vep. 16:6-7).

Çfarë lloj drejtimi ishte ky? Ishte drejtim me pengesa. Ishte drejtim me ndalime. Ishte shërbesa e derës së mbyllur. I ndodhi apostullit ajo çka Miqtë (Kuakersat) do ta përshkruanin si «një bllokim i mendjes». Mendimi i tij u pengua dhe nuk kishin liri. Ai ndjeu se qëllimi i tij kundërshtohej fshehtas nga një pengesë e pathyeshme. Në disa drejtime atij i mungonte liria frymërore dhe kështu e konsideroi atë rrugë të bllokuar. «Engjëlli i Zotit i doli rrugës si armik kundër tij». Mendoj se është shumë e nevojshme që kjo të theksohet; herë pas here Perëndia na drejton përmes mohimeve. Dera e mbyllur është tregues i vullnetit të Tij. Ne përpiqemi të ecim, por Fryma nuk na lejon.

6. Dhe përfundimisht ai mund të udhëheqë përmes shembullit të Krishtit. Çfarë do të bënte Zoti Jezus? Perëndia nuk do të na drejtonte kurrë në një shteg që nuk shkon me karakterin dhe mësimet e Krishtit» (J. O. Sanders) [1].

Disa njerëz janë tepër të vendosur kundër vendosjes së gëzofit, sikurse bëri Gedeoni (Gjyq. 6:37-40). Kjo do të thotë që ne i kërkojmë Perëndisë të na udhëheqë duke plotësuar ose mos plotësuar disa kushte që ne i caktojmë. Ekziston gjithmonë rreziku i vendosjes së gëzofit në mënyrë të tillë që ajo çka ne duam është e sigurt praktikisht. Megjithatë, nëse dikush i është dorëzuar vullnetit të Perëndisë dhe është i sinqertë për ta zbatuar atë, nuk më pëlqen ta kufizoj Perëndinë. Ai mund ta bëjë strehën në dobësitë tona. Këtë ai e ka bërë për mua.

Një nga predikuesit e vjetër i këshillonte të rinjtë që «t’i hidhnin ujë sakrificës». Ai mendonte për ditën kur Elia ishte gati për të kërkuar që të binte zjarr nga qielli. Përpara se ta bënte këtë, ai i urdhëroi njerëzit e tij që të derdhnin katër enë me ujë mbi olokaustin dhe mbi drutë. Urdhërimi u dha për herë të dytë. Edhe një herë të tretë. Elia nuk donte një shkëndijë të rastit për të ndezur olokaustin. Ai i rregulloi gjërat në mënyrë të tillë që kur zjarri të binte, të mund të ishte vetëm vepër e Jehovait. Prandaj kur kërkojmë udhëheqje ne duhet t’i vendosim gjërat në mënyrë të tillë që udhëheqja të mund jetë vetëm Fjala e Zotit.

Ndonjëherë udhëheqja është shumë e qartë. Ndonjëherë nuk është aq e qartë. Perëndia drejton çdo hap me radhë. Ai nuk e tregon të gjithë pikturën.

Por unë besoj këtë. Askush që vërtet kërkon me ngulm udhëheqjen e Perëndisë nuk do të dështojë për ta gjetur atë.

Vullneti i Tij është i mirë dhe i pëlqyer dhe i përsosur. Nuk është siç mendojnë disa – i rrezikshëm, i papëlqyer dhe ajo që ne nuk duam ta bëjmë.

[previous][next]



Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. Sanders, J. O., On to Maturity, Chicago, IL: Moody Press. ↵ Kthehu mbrapa