«I urti do të dëgjojë» (Fjalet e Urta 1:5).
Dallimi esencial midis një njeriu të urtë dhe një budallai në librin e Fjalëve të Urta është se i urti dëgjon dhe budallai nuk dëgjon.
Nuk është çështje e aftësive mendore të budallait. Në fakt, ai mund të ketë aftësi intelektuale të jashtëzakonshme. Por atij thjesht nuk mund t’i tregohet gjithçka. Ai punon sipas iluzionit fatal se njohuria e tij është e pafund dhe se gjykimet e tij janë të pagabueshme. Nëse miqtë përpiqen ta këshillojnë, ata marrin tallje për përpjekjet e tyre. Ata e shohin teksa përpiqet t’u shmanget pasojave të pashmangshme të veprimeve idiote e të mëkatshme, por ata nuk mund të mënjanojnë rrëzimin. Dhe kështu ai shkon nga një krizë në një tjetër. Tani financat e tij janë një katastrofë. Tani jeta e tij personale është rrëmujë. Tani biznesi i tij lëkundet në buzë të kaosit. Por ai arsyeton se jeta po sillet keq me të. Atij nuk i vjen kurrë ndërmend se ai vetë është armiku më i keq i vetvetes. Ai është bujar me dhënien e këshillave për të tjerët, por që nuk e vë re paaftësinë e tij për të drejtuar jetën e vet. Duke qenë një fjalaman i sëmurë, ai trumbeton me sigurinë e një profeti.
Njeriu i urtë është gatuar nga një brumë më mirë. Ai kupton se fijet mendore të çdo njeriu janë penguar disi nga Rënia [hyrja e mëkatit në botë]. Ai e di se të tjerët mund të shohin ndonjëherë aspekte të një problemi që ai nuk i ka vënë re. Ai është i gatshëm të pranojë se kujtesa e tij mund të jetë e gabuar herë pas here. Ai është një njeri që mëson, duke pranuar çdo informacion që do ta ndihmojë në marrjen e vendimeve të duhura. Në fakt, ai kërkon këshillën e të tjerëve, pasi e di që «gjen shpëtim në numrin e madh të këshilltarëve» (Fjalet e Urta 11:14). Si çdo njeri tjetër, edhe ai gabon herë pas here. Por ai ka këtë virtyt shpëtues që mëson nga gabimet e tij dhe që çdo dështim e kthen në një trampolinë për sukses. Ai është mirënjohës për një qortim të merituar dhe është i gatshëm të thotë: «Unë gabova. Më fal». Fëmijët e urtë i nënshtrohen disiplinës së prindërve; budallenjtë rebelohen. Të rinjtë e urtë u binden këshillave biblike rreth pastërtisë morale; budallenjtë veprojnë sipas kokës së tyre. Të rriturit e urtë gjykojnë çdo gjë nëse i pëlqen apo jo Zotit; budallenjtë veprojnë sipas asaj që iu pëlqen atyre.
Dhe ja pse ndodh që i urti bëhet më i urtë dhe budallai ngelet në vazhdën e budallallëkut të tij.