Kozmosi, Krijuesi dhe fati njerëzor (Pjesa 2)

[no_toc]

THEB Shkurt 2010

Kozmosi, Krijuesi dhe fati njerëzor (Pjesa 2)

THEB Shkurt 2010

Muajin e kaluar ne filluam me pafundësinë e hapësirës dhe marrëzinë e plotë e imagjinatës së njeriut se ai mund ta eksplorojë atë me mjete të drejtuara nga njeriu. Tani ne i kthehemi marrëzisë së njëjtë të përpjekjeve të njeriut për të gjetur një lidhje evolucionare midis vetes dhe krijesave më të ulëta. Evolucionistët kanë qenë duke gërmuar me dëshpërim për të gjetur një lidhje fizike, por më kot. Nuk ka asnjë fosil që të tregojë një lidhje të tillë. Veç kësaj, edhe nëse do të kishte, kjo nuk do të vërtetonte asgjë.

Nëse do të zbuloheshin skeletet e plota dhe ADN-ja e Albert Ajnshtajnit, Çarls Dikensit dhe Ludvig van Betovenit, ato nuk do të zbulonin aftësitë gjeniale të këtyre burrave. Personi real është një qenie jofizike që jeton brenda trupit fizik.

Trupi i njeriut e strehon përkohësisht shpirtin dhe frymën që përbëjnë personin real. A.S. Edingtoni (A.S. Eddington) u lavdërua nga Ajnshtajni për shkrimin e shpjegimit më të mirë nga njeriu i thjeshtë mbi teorinë e tij të përgjithshme të relativitetit. Edingtoni besonte me vendosmëri se truri nuk është mendja. Personi real është një qenie jofizike që e filloi ekzistencën kur Perëndia «i fryu në vrimat e hundës [Adamit] një frymë jete, dhe njeriu u bë një qenie e gjallë» (Zanafilla 2:7).

Perëndia bën një dallim midis trupit, shpirtit dhe frymës. «Jeta e njeriut nuk qëndron në mbushullinë e gjërave që zotëron» (Luka 12;15, edhe 1 Thes. 5:23). Mirëpo njerëzimi e refuzon këtë urtësi dhe ngul këmbë në ndjekjen e grumbullimit të pasurisë dhe zotërimeve dhe kënaqësive që këto do të blejnë, asnjë prej të cilave nuk do të zgjat përtej vdekjes. Njeriu është një qenie e përjetshme duke jetuar përkohësisht në një trup fizik. Ata që besojnë se trupi është gjithçka që ne jemi e harxhojnë të gjithë jetën e tyre duke u përpjekur që të përmbushin dëshirat e mishit.

Jezusi pyeti: «Ç’përfitim ka njeriu nëse fiton gjithë botën dhe pastaj e humb shpirtin e vet» (Mt. 16:26; Mk. 8:36)? Ai vë në pah marrëzinë e një pikëpamje materialiste në shëmbëlltyrën e fermerit të pasur, të korrat e të cilit ishin kaq të shumta, saqë ai i tha vetes: «Do të shemb hambarët e mia dhe do t’i bëj më të mëdhenj, ku do të shtie të gjitha të korrat dhe pasuritë e tjera, dhe pastaj do t’i them shpirtit tim: Shpirt, ti ke pasuri të shumta të shtëna për shumë vjet; pusho, ha, pi dhe gëzo». Por Perëndia i tha: «O i pamend, po atë natë shpirtin tënd do të ta kërkojnë dhe ato që përgatite të kujt do të jenë?». Kështu i ndodh atij që grumbullon thesare për vete dhe nuk është i pasur ndaj Perëndisë» (Luka 12:16-21).

Në librin e ardhshëm, «Kozmosi, Krijuesi dhe fati njerëzor», ne trajtojmë çështje që dikush nuk do të presë që t’i gjejë në një libër rreth shkencës dhe ateizmit, por ato nuk mund të shmangen nëse duhet që ta përballim çështjen e fatit njerëzor. Për ateistin, fati njerëzor është një shpresë për harresë mbas vdekjes, ku njëri i ikën gjykimit të Perëndisë. Kjo është shpresa e kotë e të paudhit. A do t’ju jepet kjo shpresë? Kurrë! Vdekja nuk është fundi i ekzistencës së njeriut, sepse Perëndia ka shpallur: «Është caktuar që njerëzit të vdesin vetëm një herë, dhe më pas vjen gjyqi» (Heb. 9:27).

Edhe pse trupi kalbet kur vdes, shpirti dhe fryma janë përcaktuar që të ekzistojnë përgjithmonë. Ne jemi qenie të përjetshme. Vrasja e trupit nuk të ofron asnjë arratisje. Mbas vdekjes, të krishterët qëndrojnë në gjyqin e Krishtit (ang. the Judgement Seat of Christ) për të marrë shpërblime ose për të pësuar humbje. Të dënuarit do të përballen me Jezusin në gjykimin e fronit të madh të bardhë (ang. the Great White Throne judgment) dhe prej andej do të flaken në liqenin e zjarrit, që është quajtur «vdekja e dytë».

Siç e tregojmë në [librin], «Kozmosi», edhe pse jeta është e shkurtër në rastin më të mirë, shumica e njerëzve nuk mendojnë shumë për përjetësinë që shtrihet përtej derës së vdekjes. Kjo pikëpamje dritëshkurtër është marrëzi e dukshme. Çfarë tragjedie!

Ateistët janë ungjilltarë të zjarrtë, të vendosur për ta tërhequr tërë njerëzimin drejt e në ferr bashkë me veten e tyre. Ata e urrejnë me pasion Perëndinë. Duket disi e çuditshme që të urresh kaq me zjarr dikë që nuk ekziston, por Pali paratha se do të ketë «urryes të Perëndisë» (Rom. 1:30). Në [librin] «Kozmosi» ne citojmë shkencëtarë ateistë të shumtë që shfrejnë këtë helm. Në mënyrë tragjike, radhët dhe ndikimi i tyre duket se janë në rritje.

«Kozmosi» u shkrua për të shpëtuar turmat e kapura në këtë rrjetë të së keqes dhe mashtrimit. Mbas Perëndisë, nuk ka asgjë që Riçard Daukinsi dhe kolegët e tij të urrejnë më shumë sesa idenë e qëllimit, planit dhe projektimit për kozmosin dhe gjithçka që ai përmban. Megjithëkëtë, ata nuk mund t’i shmangen faktit se këto ide i përshkojnë jetët tona. Kjo ngre pyetjen se si mund të kenë dalë ide të tilla nga kaosi i një shpërthimi të madh të supozuar.

Daukinsi, një nga të katër kalorësit e ateistëve të rinj, shpall me tërë autoritetin e një shpallje papnore: «Shumica e asaj për të cilën përpiqemi në jetën tonë moderne përdor aparatin e kërkimit të qëllimit që u vendos fillimisht [nga seleksionimi natyror] për të kërkuar qëllime në gjendjen e natyrës. Por tani aparati i kërkimit të qëllimit është ndryshuar në qëllime të tjera, si të fitojë para ose për kënaqësi hedoniste të njërit lloj apo të një lloji tjetër [1].

Aparat i kërkimit të qëllimit? Si e di Daukinsi se ekziston një «aparat» i tillë? Çfarë mund të jetë ky «aparat»? Në çfarë organi të trupit ose në çfarë gjeni është përqendruar – në pjesën ambicioze, ndoshta? Dhe ku ndodhet kjo? Dhe çfarë shkronjash e përcaktojnë atë në ADN? Sigurisht, ai nuk ka asnjë provë që një «aparat» i tillë të ketë ekzistuar ndonjëherë. Ky është spekulim i egër si shumica e atyre që Daukinsi shpall me kaq autoritet. Kjo është pjesë e absurditetit të pacipë që ka qenë lënda e parë në treg për evolucionistët që nga fillimi: hamendje me garniturë «ndoshta…mbase…» pa fund etj.

A e përjeton dikush jetën si një skllav i gjeneve egoiste apo si viktima e një iluzioni të krijuar nga molekulat që përbëjnë trupin e dikujt? Të tilla janë absurditetet ku na çon ateizmi: «Cili është qëllimi im në jetë?» është pyetja logjike që duhet të përballet nga çdo njeri i arsyeshëm. Ky ndërgjegjësim nuk ngrihet nga një zhvillim evolucionar në trurin apo ADN-në, por nga arsyetimi i mendjes jofizike.

Gjenet nuk e dinë se çfarë lloj trupi ose në ç’pjesë të tij do të gjenden, as nuk mund t’ia dinë. Karotat, jargësit e kopshtit dhe kërpudhat kanë të njëjtën ADN që kemi ne, por gjenet nuk e dinë ndryshimin. Alfabeti i ADN-së është identik në të gjithë organizmat e gjallë. Ajo që ka rëndësi është radhitja e fjalëve në ADN, por gjenet nuk kuptojnë më shumë domethënien e fjalëve që përmbajnë, sesa letra dhe boja në një fjalor ose enciklopedi arrijnë të kuptojnë informacionin që ofrojnë këto. Truri fizik i dikujt nuk është më në gjendje për të menduar, sesa edhe një kokë marule.

Mirëpo lënda është gjithçka që ateistët materialistë pohojnë se ekziston. Në fakt, truri është si një kompjuter, shumë i dobishëm për një person mendues, por kompjuteri nuk mendon më shumë sesa gishtërinjtë që shtypin qëllimisht tastierën.

Një teist, i cili beson se mendja është jofizike ashtu si idetë që koncepton dhe përdor, e di shumë mirë se ai/ajo është menduesi që do të mbahet përgjegjës për çdo mendim, fjalë dhe vepër.

A është bërë një verifikim përmes eksperimentimit të kujdesshëm dhe gjithëpërfshirës për të treguar si dhe kur zhvilloi seleksionimi natyror një natyrë morale dhe frymërore në njeriun? Një zhvillim i tillë është i pamundur, sepse seleksionimi natyror mund të ndikojë vetëm qenien fizike të njeriut. Aspekti moral dhe frymëror janë qartë jo fizikë. Daukinsi nuk mund ta pranojë këtë fakt shkencor të pranuar gjerësisht pa braktisur ateizmin e tij. A ka patur ndonjë provë që të tregojë se kjo anë frymërore është e panevojshme, sepse etika, morali, dhembshuria, një dashuri për muzikën e bukur, respekti dhe adhurimi mund të përshkruhen dhe të shpjegohen të gjitha vetëm me terma krejt fizike? A ka treguar ndonjë ateist se gardhi që shpalli Mortimer J. Adleri se evolucioni nuk mund ta kalojë, në fakt, është kaluar, ose mund të kalohet teorikisht? [2] Askush nuk e ka provuar, pasi edhe ateistët e dinë se ka një të çarë të madhe që ndan botët fizike, mendore dhe morale.

Ateizmi dhe pasoja e tij, materializmi, janë të pagojë kur u kërkohet të shpjegojnë cilësitë njerëzore që ne të gjithë i vlerësojnë kaq shumë dhe që na dallojnë nga të gjitha krijesat e tjera: vlerësimi i muzikës dhe i poezisë, gëzimi i bukurisë në natyrë (ku edhe vetë Daukinsi ngazëllen), aftësia për të formuar koncepte idesh dhe për t’i shprehur ato me fjalë, për të kuptuar matematikën në lidhje me gjithësinë, për të përdorur imagjinatën siç bëjnë arkitektët dhe inxhinierët ose për të ndierë dhe shprehur një dashuri që është kaq qartë unike për njerëzit. Ne të gjithë e dimë se kafshët nuk i ndajnë me ne këto cilësi dhe aftësi. Krijesat më të ulëta nuk zotërojnë asnjë nga këto karakteristika krejt njerëzore që ne i vlerësojmë kaq shumë, as nuk mund të shpjegohen këto aftësi përmes seleksionimit natyror dhe evolucionit. Ne nuk i detyrohemi aspak këtyre të ashtuquajturave procese të vërtetuara shkencore për cilësitë tona morale, etike dhe frymërore.

Daukinsi proteston me të madhe, siç e kemi dëgjuar të veprojë në një sërë debatesh: «Sigurisht që evolucioni nuk mund të ndodh rastësisht! Seleksionimi natyror është krejt e kundërta e rastësisë!» Daukinsi është fajtor për mohimin e problemit të origjinës. Kur teistët thonë se evolucioni dhe seleksionimi natyror nuk mund të ndodhin rastësisht, ata flasin të vërtetën. Ateistët harrojnë se këto teori mbi të cilat ata mbështeten kërkojnë ekzistencën e mëparshme të një organizmi riprodhues. Nga erdhi ky organizëm riprodhues? Duhet të ketë ardhur rastësisht, por matematika e vërteton qartë se kjo është e pamundur. Sado fort që të protestojë Daukinsi, është e pakundërshtueshme se evolucioni dhe seleksionimi natyror nuk mund të shpjegojnë origjinën e jetës biologjike.

Po për sa i përket ndërgjegjes morale të përbashkët që kanë të gjithë njerëzit? Kjo nuk mund të ketë evoluar, sepse nuk është një cilësi fizike që ndodhet në trupin fizik. Ateistët e mohojnë këtë botë të padukshme të mendimeve dhe ideve, si edhe ndërgjegjen dhe konceptet morale. Kjo përpjekje për të mohuar atë që çdo person e di se është e vërtetë në jetën e përditshme zbulon më tej pozitën e dëshpëruar ku e gjejnë veten ateistët.

Një nga problemet e shumta me të cilat përballen ateistët është çështja e informacionit, pa të cilin nuk mund të ketë jetë. Prej nga vjen informacioni që fillon me një bakter njëqelizor dhe përfundon me trurin njerëzor? Daukinsi nuk na e thotë kurrë. Ai bën një sërë përpjekjesh në dy nga librat e tij, por dështon. Informacioni mund të vijë vetëm nga një mendje. Çfarë mendje mund të jetë kjo? Kjo mund të jetë vetëm mendja e pafund e Krijuesit.

Kush mund të jetë mundësisht burimi i ADN-së së re që kërkohet për të sjellë ndryshimin në një lloj «më të lartë»? Pa një ndryshim të tillë, nuk ka evolucion. Megjithëkëtë, ky ndryshim nuk mund të ndodhë pa paraqitjen e informacionit të ri, pasi është informacioni në ADN që përcakton dhe bën dallimin midis llojeve. Informacioni i domosdoshëm që përcakton lloje të reja mund të vijë vetëm nga një inteligjencë e pafund. Kush mund të jetë ky veç Perëndisë?

Profesori Stivën Stenli (Steven Stanley), nga Universiteti «John Hopkins», i Departamentit të Shkencave Planetare dhe Tokës, shpalli: «Të dhënat e njohura të fosileve dështojnë që të dokumentojnë një shembull të vetëm të evolucionit filetik që të kryejë një kalim të madh morfologjik [një ndryshim strukturor që ka të bëjë me prejardhjen] dhe, prandaj, nuk ofron asnjë provë që modeli gradualist të jetë i vlefshëm» [3]. Në të njëjtën frymë, profesori Heribert Nilsën (Heribert Nilsson), drejtor në «Instituti Botanik» në Universiteti «Lund» në Suedi, shpalli mbas dyzet vjet studimi:

Materiali i fosileve është tani kaq i plotë që […] mungesa e serive tranzitore nuk mund të shpjegohet për shkak të pamjaftueshmërisë së materialit. Mungesat janë reale; ato nuk do të mbushen kurrë…. Situata e vërtetë është se këto fosile nuk janë gjetur që pritej [të gjendeshin]. Pikërisht atje ku degët e reja pritet të bigëzojnë nga trungu kryesor, ka qenë e pamundur për të gjetur tipat lidhëse [4].

Stefan Xhei Gouldi (Stephen Jay Gould) pranoi se «Sytë e trilobitëve të hershëm nuk janë lënë mbrapa kurrë për nga ndërlikimi ose mprehtësia nga antropodët e mëvonshëm» [5]. A tingëllon kjo si «evolucion» nga më e thjeshta te më e ndërlikuara? Diçka është tmerrësisht gabim me këtë teori!

Është zbuluar një yll deti me më shumë se 1.000 sy, secili me një lente identike që ia tejkalon teknologjisë së sotme. Evolucionistët e datojnë këtë krijesë miliona vjet para njeriut në shkallën kohore evolucionare. Mirëpo sytë e tij të shumtë janë në disa mënyra më të lartë se ato të zotëruara nga njerëzit. Kemi një numër të syve aq qesharak që vështirë se mund të jenë prodhuar nga seleksionimi natyror që është thelbësor për mbijetesën. A është Krijuesi duke u tallur me evolucionistët? A tingëllon përshkrimi i shkurtër që vijon si diçka që është zhvilluar nga mutacionet e rastësishme aq herët në të ashtuquajturin proces evolucionar?

Të ndërtuara në skeletin e fortë e kalçit të yllit të detit janë rreshta kristalesh mikroskopike që e përqendrojnë dritën 10 herë më me saktësi se çdo mikro-optikë e fabrikuar. I tillë ishte zbulimi i Joana Ajzenbergut (Joan Aizenberg) dhe kolegëve të saj në «Teknologjia Lucent» dhe në «Muzeu i Historisë së Natyrës» në qarkun e Los Anxhelosit. Biologu molekular Daniel Morse, i cili drejton programin e bioteknologjisë së marinës në UC [Universiteti i Kalifornisë] «Santa Barbara», tha, është e rëndësishme, pasi demonstron se organizmat e gjallë e kontrollojnë nanostrukturën […] me një saktësi përtej nivelit të inxhinierisë të sotme».

«Të lidhura nga rrjete fibrash nervore, mijërat e mikro-lenteve shfaqen bashkë për të formuar me vete një lloj syri të përbërë që e mbulon tërë turpin e krijesës me një mburojë gjithëpamore», tha Ajzenbergu, një ekspert në biomateriale…. «Arritjet optike aktuale të këtyre lenteve janë përtej teknologjisë së sotme» [6].

Vërtet, që mikroinxhinierët të përpiqen të vendosin lente pambarimisht të vogla për kompjutera, sensorë dhe çelësa optikë më të shpejtë, syri i yllit të shndritshëm (Ophiocoma wendti), është një model i gjallë. Kjo mund të na çojë drejt sistemeve të telekomunikimit dhe rrjeteve optike më të efektshme dhe më profesionale. Sytë e karavidhes, me marrëdhënien e tyre të përpiktë gjeometrike të njësive të veçanta, janë kopjuar nga teleskopët e rrezeve X të NASA-s.

Është e pamundur që syri njerëzor të funksionojë për ndihmë në mbijetesë pa kornean, iridën, beben, makulën, vitrusin, shkopthet dhe konet, 100 milionët e qelizave të ndjeshme ndaj dritës që e dërgojnë informacionin në tru përmes një milion fibrave të nervit optik, vetë truri dhe 100 miliardët e qelizave nervore të bashkuara me nja 100 trilionët e lidhjeve midis qelizave nervore dhe trurit. Siç është treguar, «Duke qenë se është e qartë se syri është krejt i panevojshëm, veçse në formën e tij finale, të plotë, si mund të ketë funksionuar seleksionimi natyror në ato faza të hershme të evoluimit të tij kur variantet nuk kishin asnjë vlerë të mundshme të mbijetesës…? Dhe ka edhe shembuj po kaq ngacmues të organeve dhe proceseve që duket se e sfidojnë seleksionimin natyror…» [7]. Të përfytyrosh se pjesët e shumta e thelbësore të shikimit mund të jenë zhvilluar gjatë miliona viteve, ndërsa nuk kontribuonin fare për mbijetesën derisa gjithçka funksionoi, është mendim i dëshiruar nga ata që do të kapen pas çdo ideje për të mbështetur një teori të falimentuar.

Përse jemi të interesuar në këtë aktivitet? Përse faktet shkencore rreth gjithësisë duhet t’i lënë pyetje si këto pa përgjigje? Është një pjesë e njeriut që i kërkon këto përgjigje dhe ato nuk do të vijnë nga shqyrtimi i vetë universit fizik.

Çdo gjë në univers të çon te Krijuesi. Çfarë mund të bëjmë, veçse të thërrasin me psalmistin: «Ashtu si suta ka një dëshirë të madhe për rrëketë e ujit, kështu shpirti im ka një dëshirë të zjarrtë për ty, o Perëndi. Shpirti im ka një etje të madhe për Perëndinë, për Perëndinë e gjallë». THEB

Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)

  1. “Daukinsi, Dishepulli i rrezikshëm i Darvinit, Intervistë me Frank Miele, http://scepsis.ru/eng/articles/id3.php. ↵ Kthehu mbrapa
  2. Mortimer J. Adler, The Difference of Man and the Difference It Makes (New York: Fordham University Press, 1967). ↵ Kthehu mbrapa
  3. Steven M. Stanley, Macroevolution: Pattern and Process (San Francisco: W. H. Freeman, 1979), 39. ↵ Kthehu mbrapa
  4. N. Heribert-Nilsson, Synthetische Artbildung (The Synthetic Origin of Species) (1953), 1212. ↵ Kthehu mbrapa
  5. Stephen Jay Gould, “The Ediacaran Experiment,” Natural History, February 1984, 22-23. ↵ Kthehu mbrapa
  6. Robert Lee Hotz, “A Lens into Nature’s Gifts: A Starfish Grows Tiny Crystals that far Outperform Synthetic Optics Yielding a Design Breakthrough,” http://www.rdrop.com/~cary/html/naontech.html. ↵ Kthehu mbrapa
  7. Gertrude Himmelfarb, Darwin and the Darwinian Revolution (Garden City, NY: Doubleday, 1959) 320-21. ↵ Kthehu mbrapa