Sot, Perëndia e manifeston praninë dhe planin e Tij për të tërhequr të tjerë te Vetja përmes Trupit të Krishtit—komuniteti i besimtarëve. Për shkak të kësaj, Perëndia na urdhëron të mblidhemi me njëri-tjetrin (shiko Hebrenjve 10:24-25).
Një nga gjërat kryesore për të trajtuar me një besimtar të ri është rëndësia e përbashkësisë me besimtarë të tjerë të kishës lokale. Ata kanë nevojë për kishën për adhurim të përbashkët, trajnim, përbashkësi, inkurajim, rritje frymërore dhe një vend ku mund të shërbejnë. Edhe kisha ka nevojë për ata gjithashtu. Besimtarët e rinj i sjellin një ndjenjë gjallërie kishës, sikurse fëmijët e rinj ia sjellin këtë një familje.
Ja disa sugjerime se si t’u flasim besimtarëve të rinj për kishën lokale:
- Jepu atyre udhëzime se për çfarë të kërkojnë në një kishë. Bibla na jep një përshkrim se si duhet të duket kisha. Një kishë e shëndetshme do të shfaqë gjashtë karakteristika:
- Ajo beson se njeriu e merr dhuratën falas të jetës së përjetshme nëpërmjet besimit në Krishtin vetëm (Gjoni 3:16; 5:24).
- Ajo beson që Bibla shtë Fjala e frymëzuar e Perëndisë dhe që ka autoritet (2 Timoteut 3:16-17).
- Ajo ka udhëheqës të cilët janë të pjekur frymërisht në marrëdhënien e tyre me Perëndinë dhe me të tjerët (1 Timoteut 3:1-13).
- Ajo ka anëtarë të cilët shfaqin dashuri të sinqertë ndaj njerëzve (Gjoni 13:34).
- Ajo i është kushtuar ndihmës ndaj besimtarëve të rinj për t’u rritur frymërisht dhe për të çuar jobesimtarë te Jezus Krishti (Mateu 28:19-20).
- Ajo mblidhet bashkë për të mësuar dhe inkurajuar anëtarët e saj për të dashur dhe shërbyer të tjerëve (Hebrenjve 10:24-25).
- Bëjua të qartë atyre se nuk ka një kishë të përsosur. Dikush ka thënë: “Nëse gjen një kishë të përsosur, mos iu bashko asaj. Ti do ta prishësh atë”. Kujtoju atyre se kisha lokale nuk përbëhet nga njerëz të përsosur, por njerëz të thyer që besojnë në një Shpëtimtar të përsosur. Perëndia synoi që kisha të jetë një vend i shërimit frymëror, i inkurajimit, i mësimit dhe i rritjes.
- Ftoji ata në kishën tuaj. Nëse mund ta bëni këtë, caktoni një datë dhe kohë për t’i çuar vetë te takimi i kishës suaj. Nëse nuk është mundur, gjeni dikë tjetër për t’i çuar atje. Nëse nuk mund të bëni asnjë prej këtyre, rekomandoni që ata të gjejnë një kishë biblike. Nëse ata zgjedhin të bëhen pjesë e një kishe tjetër në zonën tuaj, gëzohuni me zgjedhjen e tyre. Motivi tuaj përfundimtar nuk duhet të jetë t’i rekrutoni ata për kishën tuaj, por që t’i ndihmoni ata të dallojnë se ku dëshiron Perëndia që ata të shërbejnë dhe të kenë përbashkësi.
- Nëse ata bëhen pjesë e kishës suaj, mos i vini me të shpejtë në shumë aktivitete apo t’u jepni parakohe pozita drejtimi. Dhiata e Re na paralajmëron që t’i bëjnë drejtues të kthyerit e rinj (shiko 1 Timoteut 3:6). Viti i tyre i parë në besim është jetik ndërsa mësojnë më shumë për Zotin dhe për gëzimet e ndjekjes së Tij. Ndihmoji ata të ndërtojnë një themel të duhur për lutjen, për studimin e Biblës dhe të mësojnë të qëndrojnë në Krishtin. Aktiviteti i tepruar mund t’i pengojë besimtarët e rinj nga rritja në një mënyrë të shëndetshme. Mësoju atyre gëzimin e të shërbyerit, por ndihmoji që të mësojnë edhe si të ruajnë drejtpeshimin.
- Mbani mend, qëllimi tuaj nuk është që ata thjesht të frekuentojnë aktivitetet e kishës, por t’i ndihmoni ata të bëhen si Krishti. Pranimi në kishën lokale është pjesë e qëllimit, por jo vetë qëllimi. Qëllimi tuaj është t’i shihni ata të maturohen, që ata të mësojnë se si t’i besojnë Zotit në çdo fushë të jetës së tyre.