SHKRIMI I SHENJTË—PËRKTHIMI DIODATI I RI
Hyrje; ngritja në qiell e Jezusit
1:1 Tregimin e parë e bëra, o Teofil, mbi të gjitha gjërat që Jezusi nisi të bëjë dhe të mësojë,
1:2 deri në ditën në të cilën u muarr në qiell, pasi u kishte dhënë urdhërime nëpërmjet Frymës së Shenjtë apostujve që ai kishte zgjedhur.
1:3 Atyre, pasi pati vuajtur, iu paraqit i ngjallur me shumë prova bindëse, duke u parë prej tyre për dyzet ditë dhe duke folur për gjërat e mbretërisë së Perëndisë.
1:4 Dhe, duke u gjendur bashkë me ta, i urdhëroi ata që të mos largoheshin nga Jeruzalemi, por të prisnin premtimin e Atit: “Që, tha ai, e keni dëgjuar nga unë,
1:5 sepse Gjoni pagëzoi me ujë, por ju do të pagëzoheni me Frymën e Shenjtë, mbas jo shumë ditësh“.
1:6 Kështu ata që ishin mbledhur bashkë e pyetën, duke thënë: “Zot, a do ta rivendosësh në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?“.
1:7 Por ai u tha atyre: “Nuk ju takon juve të dini kohët dhe momentet e përshtatshme, që ka përcaktuar Ati me autoritetin e vet.
1:8 Ju do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju dhe do të bëheni dëshmitarët e mi në Jeruzalem dhe në gjithë Judenë, në Samari dhe deri në skajin e dheut“.
1:9 Mbasi i tha këto gjëra, ndërsa ata po e vështronin, u ngrit lart; dhe një re e përfshiu dhe ua hoqi prej syve të tyre.
1:10 Dhe, si ata po i mbanin sytë e ngulitur në qiell, ndërsa ai po largohej, ja dy burra në rroba të bardha iu paraqitën atyre,
1:11 dhe thanë: “Burra Galileas, pse qëndroni e shikoni drejt qiellit? Ky Jezus, që u është marrë në qiell nga mesi juaj, do të kthehet në të njëjtën mënyrë, me të cilën e keni parë të shkojë në qiell“.
1:12 Atëherë ata u kthyen në Jeruzalem, nga mali që quhet i Ullinjve, që është afër Jeruzalemit sa një ecje e së shtunës.
1:13 Dhe, si u kthyen në qytet, u ngjitën në sallën e sipërme, ku rrinin Pjetri dhe Jakobi, Gjoni dhe Andrea, Filipi dhe Thomai, Bartolomeu dhe Mateu, Jakobi i Alfeut dhe Simon Zellshmi, dhe Juda i Jakobit.
1:14 Të gjithë këta ngulmonin me një mendje të vetme në lutje dhe përgjërim së bashku me gratë, me Marinë, nënën e Jezusit, dhe me vëllezërit e tij.
Matia zgjidhet apostull në vend të Judës
1:15 Në ato ditë Pjetri u çua në mes të dishepujve (dhe numri i emrave të mbledhur ishte rreth njëqind e njëzet) dhe tha:
1:16 “Vëllezër, ishte e nevojshme që të përmbushej ky Shkrim, të cilin Fryma e Shenjtë e parafoli me anë të gojës së Davidit në lidhje me Judën, i cili u bë prijës i atyre që e kapën Jezusin.
1:17 Sepse ai ishte i numëruar bashkë me ne dhe kishte pjesë në këtë shërbesë.
1:18 Ai, pra, fitoi një arë, me shpërblimin e paudhësisë, dhe duke rënë kokëposhtë, plasi në mes dhe të gjitha të brendshmet e tij iu derdhën.
1:19 Kjo iu bë e njohur të gjithë banorëve të Jeruzalemit, sa që ajo arë në dialektin e tyre është quajtur Akeldama, që do të thotë: “Ara e gjakut”.
1:20 Në fakt, në librin e Psalmeve, është shkruar: “Shtëpia e tij u bëftë e shkretë dhe askush mos banoftë në të!“, dhe: “Tjetërkush e zëntë detyrën e tij!“.
1:21 Duhet, pra, që ndër burrat që kanë qenë në shoqërinë tonë gjithë kohën në të cilën Zoti Jezus ka hyrë dhe ka dalë midis nesh,
1:22 duke filluar që nga pagëzimi i Gjonit e deri në atë ditë kur u muarr në qiell nga mesi ynë, një prej tyre të bëhet dëshmitar me ne, i ringjalljes së tij“.
1:23 Dhe u paraqitën dy: Jozefi, i quajtur Barsaba, që ishte i mbiquajtur Just, dhe Matia.
1:24 Dhe, duke u lutur, thanë: “Ti, o Zot, që i njeh zemrat e të gjithëve, trego cilin nga këta të dy ke zgjedhur,
1:25 për të marrë shortin e kësaj shërbese dhe apostullimin, nga i cili Juda u largua për të shkuar në vendin e tij“.
1:26 Atëherë hodhën short, dhe shorti ra mbi Matian; dhe ai iu shtua të njëmbëdhjetë apostujve.