18 janar

[no_toc]

18 janar | çdo ditë me radhë

«Mbretëria ime nuk është e kësaj bote; po të ishte mbretëria ime e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin…» (Gjoni 18:36).

Fakti që mbretëria e Krishtit nuk është e kësaj bote mjafton që të më mbajë larg politikës së botës. Nëse merrem me politikë, atëherë po hedh një votë mirëbesimi në aftësinë e këtij sistemi për të zgjidhur problemet e botës. Por, sinqerisht, unë nuk kam një mirëbesim të tillë, pasi e di që «gjithë bota dergjet në ligësi» (1 Gjonit 5:19).

Politika ka treguar në vetvete se ka qenë e paefektshme për zgjidhjen e problemeve të shoqërisë. Zgjidhjet politike nuk janë gjë tjetër, veçse fasha të vogla mbi plagë të qelbëzuara; ato nuk e ndikojnë burimin e infeksionit. Ne e dimë që problemi themelor në shoqërinë tonë të sëmurë është mëkati. Çdo gjë që nuk e trajton mëkatin nuk mund të konsiderohet seriozisht si një kurë.

Atëherë kjo bëhet një çështje prioriteti. A duhet ta harxhoj kohën duke u marrë me politikë apo duhet që ta përkushtoj të njëjtën kohë për përhapjen e ungjillit? Jezusi iu përgjigj kësaj pyetjeje kur tha: «Lëri të vdekurit t’i varrosin të vdekurit e vet; por ti shko dhe prediko mbretërinë e Perëndisë» (Luka 9:60). Prioriteti ynë kryesor duhet të jetë që ta bëjmë Krishtin të njohur, pasi Ai është përgjigjja për problemet e kësaj bote.

«Armët e luftës sonë nuk janë prej mishi, por të fuqishme në Perëndinë për të shkatërruar fortesat» (2 e Korintasve 10:4). Duke qenë kështu, ne përballemi me ndërgjegjësimin e guximshëm që mund të modelojmë historinë kombëtare dhe ndërkombëtare përmes lutjes, agjërimit dhe Fjalës së Perëndisë më shumë, sesa mund të bëjmë ndonjëherë përmes fletës së votimit.

Një figurë publike ka thënë dikur se politika nga vetë natyra e saj është e korruptuar. Ai shtoi këtë fjalë paralajmërimi: «Kisha nuk duhet të harrojë funksionin e saj të vërtetë duke u përpjekur për të marrë pjesë në një fushë të punëve njerëzore ku ajo duhet të jetë një konkurrent i dobët…. Ajo do të humbë pastërtinë e saj për shkak të pjesëmarrjes».

Programi i Perëndisë për këtë epokë është thirrja e njerëzve nga kombet për të krijuar një popull për emrin e Tij (shih Veprat e Apostujve 15:14). Në vend që t’i bëjë njerëzit të ndihen rehat në një botë të korruptuar, Ai (Perëndia) është i përkushtuar që t’i shpëtojë njerëzit nga ajo (bota). Unë duhet të jem i angazhuar për të punuar me Perëndinë në këtë emancipim (çlirim) të lavdishëm.

Kur njerëzit e pyetën Jezusin se si t’i kryenin veprat e Perëndisë, Ai iu përgjigj se vepra e Perëndisë është që të besojnë në Atë që Perëndia ka dërguar (shih Gjoni 6:28, 29). Ky është, pra, misioni ynë – t’i drejtojmë njerëzit te besimi, jo te kutia e votimit.