Pyetje: “Çfarë do të thotë që Jezusi është Biri i Perëndisë?”
Përgjigje: Jezusi nuk është Biri i Perëndisë në kuptimin e një babai njerëzor dhe një djali. Perëndia nuk u martua dhe pati një djalë. Perëndia nuk u lidh me Marinë dhe, bashkë me të, solli një djalë. Jezusi është Biri i Perëndisë në kuptimin që Ai është Perëndia i shfaqur në formë njerëzore (Gjoni 1:1, 14). Jezusi është Biri i Perëndisë në kuptimin që Ai u ngjiz në Marinë nga Fryma e Shenjtë. Luka 1:35 shpall: “Engjëlli duke u përgjigjur, i tha: ‘Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Shumë të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Bir i Perëndisë’”.
Gjatë gjykimit të Tij përpara udhëheqësve judenj, kryeprifti i kërkoi Jezusit: “Unë po të përbej për Perëndinë e gjallë të na thuash në se ti je Krishti, Biri i Perëndisë” (Mateu 26:63). “Jezusi i tha: ‘Ti po thua! Madje unë po ju them se në të ardhmen ju do ta shihni Birin e njeriut duke ndenjur në të djathtën e Pushtetit, dhe duke ardhur mbi retë e qiellit’” (Mateu 26:64). Udhëheqësit judenj u përgjigjën duke e akuzuar Jezusin për blasfemi (Mateu 26:65-66). Më vonë, para Ponc Pilatit, “Judenjtë iu përgjigjën: ‘Ne kemi një ligj dhe sipas ligjit tonë ai duhet të vdesë, sepse e bëri veten Bir të Perëndisë’” (Gjoni 19:7). Përse do të konsiderohej blasfemi dhe të meritonte dënimin me vdekje pohimi i Tij se ishte Biri i Perëndisë? Udhëheqësit judenj e kuptuan saktësisht atë që Jezusi donte të thoshte me frazën “Bir i Perëndisë”. Biri i Perëndisë duhet të jetë i të njëjtës natyrë si Perëndia. Biri i Perëndisë është “prej Perëndisë”. Pohimi i të qenët i të njëjtës natyrë me Perëndinë – të qenët në fakt Perëndi – ishte blasfemi për udhëheqësit judenj; prandaj, ata kërkuan vdekjen e Jezusit, në përputhje me Levitiku 24:15. Hebrenjve 1:3 e shpreh këtë shumë qartë: “Biri është shkëlqimi i lavdisë së Perëndisë dhe vula e qenies së tij”.
Një shembull tjetër mund të gjendet në Gjoni 17:12 ku Juda është përshkruar si “biri i humbjes”. Gjoni 6:71 na tregon që Juda ishte biri i Simonit. Çfarë do të thotë Gjoni 17:12 me përshkrimin e Judës si “birin e humbjes”? Fjala humbje do të thotë “shkatërrim, gërmadhë, humbje”. Juda nuk ishte fjalë për fjalë bir i “gërmadhës, shkatërrimit dhe humbjes”, por ato gjëra ishin identiteti i jetës së Judës. Juda ishte një manifestim i humbjes. Në të njëjtën mënyrë, Jezusi është Biri i Perëndisë. Biri i Perëndisë është Perëndi. Jezusi është Perëndia i manifestuar (Gjoni 1:1, 14).