Dekreti i Kirit (2 Kronikave 36:22-23)

Ndërsa populli i Judës ishte në robëri, Babilonia u pushtua nga medo-persët. Shtatëdhjetë vjet pasi kishte filluar robëria, Kiri, mbreti i Persisë, shpalli një dekret që i lejonte judenjtë të ktheheshin në vendin e tyre. Është me vlerë të përmendet se në rendin hebraik të librave të DhV librat e Kronikave janë të fundit. Në vend që të mbyllet “me një mallkim” (Mal. 4:6), Bibla judaike mbyllet me një shënim pozitiv dhe zemërdhënës: Kështu thotë Kiri, mbret i Persisë: Zoti, Perëndia i qiejve, më ka dhënë tërë mbretëritë e dheut. Ai më ka urdhëruar t’i ndërtoj një shtëpi në Jerusalem, që është në Judë. Kush nga ju i përket popullit të tij? Zoti, Perëndia i tij, qoftë me të dhe le të niset!
SHËNIME
[1] (2:3-10) Sa i paguante Salomoni Hiramit? 1 i Mbreterve 5:11 pohon një shumë, ndërsa 2 Kronikave 2:10 jep një tjetër. 1 Mbretërve i referohet një dhurate vetjake dhënë shtëpisë së Hiramit, ndërsa vargu 10 i referohet furnizimeve të dhëna punëtorëve të Hiramit, të cilët prisnin lëndë drusore për Salomonin. [2] (2:11-16) Cila ishte nëna e Huramit? 2 Kronikave 2:14 thotë se ajo ishte një danite, ndërsa 1 Mbretërve thotë se ajo ishte një vejushë nga fisi i Neftalit. Përgjigjja është se ajo ishte një danite, burri i parë i së cilës ishte nga fisi i Neftalit, prandaj ishte një vejushë e fisit të Neftalit. Burri i saj i dytë ishte një burrë nga Tiro. [3] (2:17,18) Sa mbikëqyrës morën pjesë në projektin e tempullit: 3 600 (2:18) apo 3 300 (1 i Mbreterve 5:16)? Ka edhe dy pjesë të tjera të rëndësishme që duhen marrë parasysh për ta zgjidhur këtë problem. 2 Kronikave 8:10 thotë se Salomoni kishte 250 shefa që kontrollonin punën. Po t’i shtojmë këtij numri 3 600 mbikëqyrësit (2:18), del 3 850. 1 i Mbreterve 9:23 thotë se Salomoni kishte 550 shefa. Po t’i shtosh këtij numri 3 300 mbikëqyrësit e përmendur te 1 i Mbreterve 5:16, del 3 850. Numri i përgjithshëm i shefave dhe mbikëqyrësve është, pra, i njëjtë në të dy librat; raporti është llogaritur me mënyra të ndryshme. Termi “shefa” i referohet personelit ushtarak apo politik, ndërsa termi “mbikëqyrës” personelit industrial (pra, kontrollor apo përgjegjës). [4] (3:1-4) A ishte portiku njëqind e njëzet kubitë i lartë (3:4) apo 30 kubitë (1 i Mbreterve 6:2)? Disa thonë se ky është një gabim i kopjuesit. Të tjerë, ashtu si Josefusi, mbështesin idenë se 120 kubitë ishte lartësia e asaj kohe. Methju Poli (Matthew Pole) mendon se 120 kubitët i referohen një lloj kulle. [5] (3:14-17) A ishin kolonat përballë tempullit 35 kubitë të larta (3:15) apo 18 (1 i Mbreterve 7:15; Jer. 52:21)? Vini re se 1 Mbretërve i referohet në mënyrë të veçantë lartësisë së një kolone, ndërsa shënimi anësor i vargut 15 thotë se kolonat ishin 35 të gjata (pra, së bashku). Me fjalë të tjera, tridhjetë e pesë kubitë ishte gjatësia totale e kolonave, që mbase u bënë si një e vetme dhe më pas u prenë në dy. Kjo i bën dy kolonat tetëmbëdhjetë kubitë secila (deri në kubitin më të afërt). [6] (4:1-22) Përmasat e dhëna për legenin te 4:2 përdoren deridiku për të treguar se Bibla përmban gabime. Nëse diametri ishte dhjetë kubitë (4.445 metra), perimetri do të ishte 10 herë pi (π = 3.14159), ose 31.4159 kubitë (13.964 m) dhe jo tridhjetë kubitë (13.335 metra). Vështirësia zgjidhet duke vënë re se legeni ishte i trashë sa një shuplakë (10 cm). Vargu 2 jep diametrin e jashtëm dhe perimetrin e brendshëm. Diametri i brendshëm do të jetë 4.445 metra minus dy shuplakat (20 cm) apo 4.245 metra. Nga kjo del perimetri 13.336 m, i cili është e barabartë me tridhjetë kubitët e tekstit. Sa ujë mbante legeni: 2 000 batë (1 i Mbreterve 7:26) apo 3 000 (4:5)? Përgjigjja është të dyja sasitë. Dy mijë batë ishte ajo që mbante legeni normalisht, por vëllimi i tij buzë më buzë ishte 3 000 batë. [7] (7:11-16) J. Barton Payne, “II Chronicles”, The Wycliffe Bible Commentary, f. 397. [8] (8:7-10) Sa shefa kishte Salomoni nën kujdestari: 250 (8:10) apo 550 (1 i Mbreterve 9:23)? Shikoni shënimin te 2 Kronikave 2:17,18. [9] (8:17,18) A mori Salomoni 450 talenta ari nga Ofiri (8:18) apo 420 (1 i Mbreterve 9:28)? Numrat 2 dhe 5 në hebraisht mund të ngatërroheshin lehtë nga kopjuesit e mëvonshëm. Disa mendojnë se diferenca e tridhjetë talentave u përdor për të paguar furnizimet dhe pagat e udhëtimit. [10] Emri Tarshish është përdorur në një kuptim të përgjithshëm për fusha të lidhura me rafinimin e metaleve. Në DhV përdoret për një vend të largët të pasur me metale. “Shumë studiues e njëjtësojnë emrin si Tartesus, një qytet në juglindje të Spanjës … të pasur me argjend, bakër dhe plumb” (The Revell Bible Dictionary, f. 1136). “Anijet e Tarshishit” mund t’u jenë referuar barkave të detit të hapur të përdorura për të mbartur metalet e rafinuara, jo domosdoshmërisht kryerja e biznesit me Spanjën. [11] (9:13-28) A kishte Salomoni 4 000 stalla për kuajt e tij (v. 25) apo 40 000 (1 i Mbreterve 4:26)? Versioni NASB tregon se 1 i Mbreterve 4:26 thotë 4 000 në një dorëshkrim të lashtë. Meqë kishte vetëm 12 000 kalorës, shifra e lartë të 1 Mbretërve do të ketë qenë me siguri një gabim i kopjuesit. [12] (10:12-19) George Williams, The Student’s Commentary on the Holy Scriptures, f. 246. [13] (12:9-12) Ari është pranuar gjerësisht nga studiuesit e Biblës si simboli i hyjnisë dhe bronzi si simboli i gjykimit. [14] (13:1-3) Nëna e Abijahut, Mikajahu, ishte vajza e Urielit (13:2). Por 2 Kronikave 11:20 thotë se ajo ishte Maakahu, vajza e Absalomit. Historiani jude, Flavius Josefusi, na thotë se Urieli ishte dhëndri i Absalomit dhe babai i Mikajahut apo Maakahut (dy emra për të njëjtin person). Kjo e paraqet Mikajahun si vajzën e Urielit dhe mbesën e Absalomit (fjala hebraike vajzë mund të nënkuptojë edhe mbesë). [15] (14:3-8) 2 Kronikave 14:3 dhe 14:5 pohojnë se Asa hoqi vendet e larta, por 15:17 thotë se ai nuk i hoqi. Cili varg ka të drejtë? Që të dyja pohimet janë të vërteta. Disa vende të larta u ishin kushtuar idhujve, ndërsa të tjerët Jehovahut (për shembull, 1 i Mbreterve 3:2). Disa studiues mendojnë se Asa shkatërroi vetëm altarët e idhujtarisë. Kail (Keil) beson se teksti i dytë nënkupton se mbreti nuk ia doli mbanë në zbatimin e plotë të reformave të tij. Reulinsën (Rawlinson) hedh idenë se tekstet e mësipërme u referohen kohëve të ndryshme: Asa, që në fillim të mbretërimit të tij, rrëzoi idhujtarinë me një dorë të fuqishme, por në vitet e tij të fundit, kur karakteri i tij ishte prishur, lejoi që adhurimi i idhujve të shfaqej përsëri. Shikoni John Haley, Alleged Discrepancies of the Bible, f. 323. [16] (15:16-19) Fjala hebraike nënë mund të nënkuptojë edhe gjyshe në disa kontekste, ashtu si këtu. [17] (16:1) Sipas 1 i Mbreterve 15:33, Baasha, mbreti i tretë i fiseve veriore, vdiq në vitin e tridhjetë e shtatë të Asës. Por te 2 Kronikave 15:19 dhe 16:1 flitet për luftën midis Baashës dhe Asës në vitin e tridhjetegjashtë. Thiele, një ekspert në kronologjinë e mbretërve hebrenj, mbështet se këtu nënkuptohet historia e Judës dhe jo mbretërimi i vetëm i Asës. Viti i tridhjetepestë i mbretërisë së Judës, që fillon të llogaritet nga rebelimi i Roboamit, do të ketë qenë viti i pesëmbëdhjetë i mbretërimit të vetë Asës. Ky shpjegim nuk është pa probleme, të cilat janë shumë të hollësishme për t’u shtjelluar këtu. Shumë të tjerë hedhin idenë se gabimi i kopjuesit është shkaku i mospërputhjes. [18] (18:8-11) D. L. Moody, Notes from My Bible, f. 59. [19] (18:18-22) Matthew Henry, “1 Kings”, Matthew Henry’s Commentary on the Whole Bible, II:703. [20] (20:1-6) Në hebraisht fjala Siri duket në shqiptim si Edom. Një gabim i kopjuesit do të ishte i lehtë për t’u bërë këtu. [21] (22:1-9) Teksti masoret i 2 Kronikave 22:2 thotë se Ashaziahu ishte dyzet e dy vjeç kur filloi të mbretërojë. Megjithatë, 2 Mbretërve 8:26 thotë se ishte njëzet e dy. Kjo moshë më e re duket të jetë e vërtetë, sepse ati i tij ishte dyzet vjeç kur vdiq. “Dyzet e dy vjeç” ka gjasa të jetë një gabim i kopjuesit. [22] (24:4-14) A u vendos arka për mbledhjen e parave jashtë derës (24:8) apo brenda altarit (2 i Mbreterve 12:9)? Disa komentues mendojnë se ekzistonin dy arka, njëra ndodhej jashtë dhe tjetra brenda altarit. Të tjerë mendojnë se ekzistonte vetëm një arkë, por që mund të jetë lëvizur. [23] (24:4-14) 2 Mbretërve 12:13 thotë se asnjë enë e tempullit nuk u bë nga paratë e mbledhura, por 2 Kronikave 24:14 thotë se enët u bënë nga tepricat. 2 Mbretërve i referohet asaj që shkoi te punëtorët për riparimin e shtëpisë, ndërsa libri i Kronikave asaj që u bë më pas me tepricat. [24] (24:20-27) Te 24:20 thuhet se Zakaria ishte biri i Jehojadës. Megjithatë, Zoti ynë i referohet atij si biri i Berekiahut (Mat. 23:25). Për një tjetër Zakari, autori i librit me të njëjtin emër, thuhet gjithashtu se ishte biri i Berekiahut (Zak. 1:1,7). Një shpjegim i mundshëm mund të jetë si vijon: Zakaria i përmendur te 2 Kronikave 24 ishte nipi i Jehojadës dhe biri i Berekiahut; në përdorimin hebraik bir mund të nënkuptojë gjithashtu nip. Zakaria, i cili shkroi librin që mban emrin e tij, ishte gjithashtu biri i Berekiahut, por një Berekiah tjetër, sigurisht. Të dy emrat ishin të zakonshëm në kohët e DhV. [25] (28:1-4) Nëse Ashazi ishte tridhjetë e gjashtë vjeç kur vdiq (28:1), nga kjo del se ai ishte vetëm njëmbëdhjetë kur lindi Ezekia (29:1), apo sipas një përpunimi të datës, pesëmbëdhjetë. Të tjerë mendojnë se Ashazi mund të ishte babai i një fëmijë, në moshën njëmbëdhjetëvjeçare; me siguri mund të ishte në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare. Të tjerë hedhin idenë se kemi të bëjmë me një gabim të kopjuesit. Fakti i thjeshtë është se nuk kemi informacion të mjaftueshëm për të zgjidhur problemin e kronologjisë së Ashazit. [26] (28:16-27) 2 Mbretërve 16:20 thotë se Ashazin e varrosën me etërit e tij, ndërsa 2 Kronikave 28:27 thotë se nuk e varrosën në varret e mbretërve. Që të dyja pohimet janë të vërteta. Ai u preh me etërit e tij dhe u varros me ta (pra, në qytetin e Jerusalemit), edhe pse nuk e varrosën në varret mbretërore. [27] (32:1-8) G. Campbell Morgan, Searchlights from the Word, f. 127. [28] (35:20-24) A vdiq Josia në Jerusalem (35:24), apo në Megido (2 i Mbreterve 23:29)? Ai u plagos për vdekje në betejë, në Megido, dhe Libri i Mbretërve thotë se vdiq atje, sepse në atë vend mori plagët e vdekjes. Libri i Kronikave pohon në mënyrë më të veçantë se ai vdiq në fakt në Jerusalem. Sot mund të themi se dikush vdiq nga një aksident rrugor edhe pse në fakt vdes më vonë në spital. Ajo themi është se aksidenti ishte shkaku i vdekjes edhe pse nuk ishte vendndodhja e frymëmarrjes së fundit të atij njeriu. [29] (35:20-24) John C. Whitcomb, i Riu, Solomon to the Exile, f. 141. [30] (36:9,10) Vargu 9 thotë se Jehojakini ishte tetë vjeç kur u bë mbret, ndërsa 2 Mbretërve 24:8 thotë se ishte tetëmbëdhjetë. Pa dyshim që vargu 9 përbën një gabim të kopjuesit, sepse Jehojakini ishte i martuar kur iu dorëzua babilonasve, vetëm disa muaj pas hipjes së tij në fron (2 i Mbreterve 24:15). Disa dorëshkrime hebraike dhe versionet Septuagint e Siriane shkruajnë gjithashtu tetëmbëdhjetë.
BIBLIOGRAFI
Shikoni bibliografinë në fund të Librit të Parë të Kronikave.