A. E vërteta e madhe e Ungjillit. (3:1-9)
3:1 Veprimet e tyre treguan një mungesë të arsyes dhe të kuptuarit. Të kthehesh nga hiri në ligj do të thotë të jesh i marrë. Do të thotë të vihesh në gjumë si me një fjalë magjike dhe pa zë të pranosh të rremen për të vërtetë. Kur Pali pyet: “kush ju ka yshtur ju?,” kush është njëjës (Greqisht tis) {{9}} jo shumës, ndoshta duke sugjeruar që djalli ishte autor i këtij mësimi të rremë. Vetë Pali u kishte shpallur Jezu Krishtin Galatasve, të kryqëzuar, duke theksuar që kryqi ishte për t’i ndarë ata përgjithmonë nga mallkimi dhe vartësia e ligjit. Si mund të ktheheshin tek ligji dhe të mos përfillnin kryqin? A nuk ishte mbërthyer e vërteta tek ta në mënyrë praktike?
3:2 Një pyetje do të ishte e mjaftueshme për të zgjidhur gjithë çështjen. Le të ktheheshin në kohën e kthimit të tyre në besim – në kohën kur Fryma e Shenjtë erdhi për të banuar në trupat e tyre. Si e morën Frymën? Me anë të veprës, apo me anë të besimit? Sigurisht që ishte me anë të besimit. Askush se ka marrë Frymën me anë të zbatimit të ligjit.
3:3 Nëse ata nuk e kishin përfituar shpëtimin me anë të veprave, a mund të prisnin të rriteshin në shenjtëri apo pjekuri të krishtere me anë të ligjit? Nëse fuqia e Frymës ishte e nevojshme për t’i shpëtuar, a mund ta përfundonin procesin me anë të përpjekjeve mishërore?
3:4 Kur galatasit besuan në fillim në Krishtin, ata e ekspozuan vetveten në persekutime të hidhura, ndoshta pjesërisht në duart e Judenjve të zellshëm që urrenin Ungjillin e hirit. A ishte e kotë gjithë ajo vuajtje? Duke u kthyer tek ligji a nuk po pohonin ata se persekutuesit e tyre kishin të drejtë? Vetëm po të kishte qenë me të vërtetë kot. Pali shpreh shpresë të vazhdueshme që ata do t’i riktheheshin Ungjillit për të cilin vuajtën dikur.
3:5 Ka një pyetje nëse Ai (apo ai) {{10}} në vargun 5 i referohet Perëndisë, Palit, apo dikujt tjetër që ishte në shërbim të galatasve në kohën kur u shkrua letra. Në fund të fundit, duhet t’i referohet Perëndisë, përderisa vetëm Ai mund të japë Frymën. Megjithatë, në një kuptim dytësor, mund t’i drejtohet një punëtori të krishterë si vegla nëpërmjet të cilit Perëndia përmbush vullnetin e Tij. Kjo do të jepte një pamje të lartë të shërbesës së krishterë. Dikush ka thënë: “Puna e një të krishteri të vërtetë, e çfarëdo lloji qoftë, që ia përçon Frymën e Shenjtë të tjerëve; ajo është në të vërtetë shpërndarje e Frymës.”
Nëse apostulli është duke folur për vetveten, ndoshta ai mendon për mrekullitë që shoqëruan predikimin e tij dhe pranimin e Krishtit nga ata (Heb. 2:4). Megjithatë, koha e foljes nuk tregon diçka që ndodhi në të kaluarën, por diçka që vazhdon në kohën e shkrimit të letrës. Ndoshta Pali i referohet dhuntive të mrekullueshme të dhëna nga Fryma e Shenjtë mbi besimtarët pas kthimit të tyre në besim, siç është përshkruar në 1 Korintasve 12:8-11.
A i bën me anë të veprave të ligjit, apo me anë të predikimit të besimit? Përgjigjja është: me anë të predikimit. Banimi i Frymës së Shenjtë dhe vepra e Tij e pasueshme tek besimtari s’janë kurrë të fituara apo të merituara, por jepen gjithmonë me anë të hirit dhe merren me anë të besimit. Kështu galatasit duhet ta kishin kuptuar nga përjetimet e tyre që bekimi vjen me anë të besimit e jo me anë të zbatimit të ligjit.
Për provën e dytë, Pali tani u kthehet Shkrimeve që mësuesit e rremë përdornin për të treguar domosdoshmërinë e rrethprerjes! Çfarë thotë në të vërtetë Dh.V.?
3:6 Pali ka treguar që qëndrimi i Perëndisë me galatasit ishte komplet mbi bazën e besimit. Tani ai tregon që njerëzit ishin shpëtuar në të njëjtën mënyrë madje edhe në kohët e Dh.V.. Pyetja në vargun 5 ishte : “A e bën Ai nëpërmjet veprave të ligjit, ose nëpërmjet predikimit të besimit?” Përgjigjja ishte: “me anë të predikimit të besimit.” Duke pasur ndërmend përgjigjen, vargu 6 hapet, kështu Abrahami … Ai ishte shfajësuar në të njëjtën mënyrë – me anë të predikimit të besimit.
Ndoshta mësuesit Judenj ishin duke përdorur Abrahamin si heroin dhe shembullin e tyre, duke e bazuar argumentin e tyre për nevojshmërinë e rrethprerjes në jetën e tij (Zan. 17:24, 26). Nëse kështu, Pali do t’i luftojë ata në tokën e tyre! Si ishte shpëtuar atëherë Abrahami? Abrahami e besoi Perëndinë. Nuk ishte aspak nëpërmjet ndonjë veprimi të merituar. Ai thjesht e besoi Perëndinë. S’ka asnjë meritë në lidhje me këtë; në fakt, një njeri është budalla nëse nuk e beson Perëndinë. Besimi i Perëndisë është e vetmja gjë që njeriu mund të bëjë në lidhje me shpëtimin, gjë që nuk i lë vend atij për mburrje. Nuk është “një vepër e mirë” që përfshin përpjekje njerëzore. Nuk i lë vend mburrjes. Atëherë, çfarë gjëje tjetër më e drejtë ekziston për një krijesë të besojë Krijuesin e saj, ose një fëmijë atin e tij?
Shfajësimi është një vepër e Perëndisë me anë të të cilit Ai deklaron të drejtë ata që besojnë në Të. Perëndia mund të merret me mëkatarët në këtë mënyrë sepse Krishti vdiq si një zëvendësues për mëkatarët në kryqin e Kalvarit, duke paguar borxhin e mëkateve të tyre. Shfajësim nuk do të thotë që Perëndia e bën besimtarin të drejtë dhe pa mëkate në vetvete. Ai e llogarit atë të drejtë në bazë të veprës së Shpëtimtarit. Perëndia i jep mëkatarit që beson një pozitë të drejtë që e bën atë të përshtatshëm për qiellin, e më pas pret që ai të jetojë drejtësisht në mirënjohje të asaj që Ai ka bërë për të. Gjëja e rëndësishme që duhet vënë re këtu është që shfajësimi s’ka të bëjë fare me zbatimin e ligjit. Ai është komplet në principin e besimit.
3:7 Padyshim mësuesit Judenj pohonin që për të qenë bij të vërtetë të Abrahamit, galatasit duhet të rrethpriteshin. Pali e refuzon këtë gjë. Bijtë e vërtetë të Abrahamit nuk janë ata që janë lindur si Judenj, ose ata që bëhen Judenj të kthyer, por ata që janë shpëtuar me anë të besimit. Në Romakëve 4:10,11 Pali tregon që Abrahami u llogarit i drejtë përpara se të rrethpritej. Me fjalë të tjera, ai u shfajësua kur ishte ende në tokë johebrenje.
3:8 Dhjata e Vjetër është përshkruar si një profet që sheh nëpër shekuj duke parashikuar që Perëndia do t’i shfajësonte kombet ashtu si Judenjtë dhe Johebrenjtë mbi principin e besimit. Bekimi i kombeve me anë të besimit jo vetëm që ishte parashikuar me anë të Dh.V., por i ishte shpallur Abrahamit në Zan. 12:3 – “Në ty do të bekohen të gjitha familjet e tokës.”
Kur ne lexojmë fillimisht këtë citim nga Zanafilla, e kemi të vështirë të shohim se si Pali ka gjetur një domethënie të tillë në të. Përsëri, Fryma e Shenjtë, që shkroi këtë varg në Dh.V. e dinte që ai përmbante Ungjillin e shpëtimit me anë të besimit për gjithë kombet. Përderisa Pali po shkruante me anë të frymëzimit të të njëjtës Frymë të Shenjtë, ai ishte lejuar të na shpjegonte ne domethënien e fshehur: Në ty – pra bashkë me Abrahamin, në të njëjtën mënyrë si Abrahami. Të gjithë kombet – johebrenjtë ashtu si Judenjtë. Do të bekohen – shpëtohen. Si u shpëtua Abrahami? Me anë të besimit. Si do të shpëtohen kombet? Në të njëjtën mënyrë si Abrahami – me anë të besimit. Për më tepër, ata do të shpëtohen si Johebrenj, jo duke u bërë Judenj.
3:9 Të gjithë ata që ushtrojnë besim në Perëndinë janë shfajësuar me të besueshmin Abraham, sipas dëshmisë së Shkrimeve judenje.
B. Ligji kundër Premtimeve. (3:10-18)
3:10 Pali tregon nga Shkrimet e shenjta që, larg nga dhënia e një bekimi, ligji vetëm mund të mallkojë. Ky varg nuk thotë: “Të gjithë ata që kanë thyer ligjin,” por: Të gjithë ata që themelohen mbi veprat e ligjit, pra të gjithë ata që kërkojnë të fitojnë dashamirësinë e Perëndisë mbi bazat e bindjes ndaj ligjit. Ata janë nën mallkim, që do të thotë, të dënuar me vdekje. Sepse është shkruar (në LiP 27:26), “I mallkuar është kushdo që nuk qëndron …” Nuk është e mjaftueshme të zbatosh ligjin për një ditë, një muaj, ose një vit. Duhet të vazhdosh ta zbatosh atë. Nuk është e mjaftueshme të zbatosh vetëm Dhjetë Urdhëresat. Duhet t’i bindesh të gjashtëqind e ca ligjeve në pesë libra e Moisiut!
3:11 Mësuesit e rremë hidhen edhe njëherë poshtë nga Dh.V.. Pali citon profetin Habakuk për të treguar që Perëndia i ka shfajësuar gjithmonë njerëzit me anë të besimit e jo me anë të ligjit. Citimi në fjalën origjinale Greke është sipas renditjes: “I drejti me anë të besimit do të jetojë.” Me fjalë të tjera, ata që janë numëruar të drejtë me anë të besimit, jo me anë të veprave, do të kenë jetën e përjetshme. Të shfajësuarit me anë të besimit do të jetojnë.
3:12 Ligji nuk u kërkon njerëzve të besojnë. Ai madje as nuk u kërkon njerëzve të përpiqen për të zbatuar urdhëresat. Ai thërret për bindje të plotë, të përsosur dhe strike, siç është mësuar mjaft qartë nga Levitiku. Është një princip i kundërt me besimin. Ligji thotë: “Bëj dhe jeto.” Besimi thotë: “Beso dhe jeto.” Argumenti i Palit atëherë është ky: Njeriu i drejtë do të jetojë me anë të besimit. Një njeri nën ligj nuk jeton me anë të besimit. Prandaj ai nuk është i drejtë përpara Perëndisë. Kur Pali thotë: “Njeriu që do t’i bëjë ato, do të rrojë me anë të tyre,” ai shpall një aksiomë teorike ose një ideal, por që është e pamundur të arrihet.
3:13 Të shpengosh do të thotë të blesh përsëri ose të çlirosh duke paguar çmimin. Mallkimi i ligjit është vdekja – dënimi për thyerjen e urdhërimeve të tij. Krishti ka çliruar ata nën ligj nga pagimi i dënimit të vdekjes kërkuar nga ligji. (Pa dyshim që Pali është duke folur kryesisht për besimtarët Judenj, kur ai përdor përemrin ne, megjithëse Judenjtë ishin përfaqësuesit e gjithë racës njerëzore.)
Cynddylan Jones thotë:
Galatasit mendonin që Krishti kishte bërë vetëm gjysmën e blerjes së tyre, dhe që ata duhet të blinin pjesën tjetër nëpërmjet nënshtrimit të rrethprerjes dhe riteve e ceremonive të tjera të Judenjve. Kështu pra gatishmëria e tyre për t’u drejtuar nga mësues të rremë dhe për të përzierë Krishterimin dhe Judaizmin. Pali thotë këtu: “Krishti na shpengoi plotësisht nga mallkimi i ligjit.” {{11}}
Krishti i shpengoi njerëzit duke vdekur në vend të tyre, duke duruar zemërimin e tmerrshëm të Perëndisë kundër mëkateve. Mallkimi i Perëndisë ra mbi Të si zëvendësues i njeriut. Ai nuk u bë mëkatar në vetvete, por mëkatet e njerëzve u vendosën mbi Të.
Krishti nuk i shpengoi njerëzit nga mallkimi i ligjit duke zbatuar 10 Urdhëresat në mënyrë të përsosur gjatë kohës së jetës së Tij. Shkrimi nuk mëson që bindja e tij e përsosur ndaj ligjit është llogaritur për ne. Për më tepër Ai i çliroi njerëzit nga ligji duke mbartur mallkimin e tij të tmerrshëm në vdekje. Pa vdekjen e Tij s’mund të kishte shpëtim. Ligji na mëson që kur kriminelët e dënuar vareshin në një dru, ishte një shenjë e të qenurit të tyre nën mallkimin e Perëndisë (LiP 21:23). Këtu Fryma e Shenjtë sheh një profeci të mënyrës në të cilën Shpëtimtari do të vdiste për të mbartur mallkimin për krijesat e Tij. Ai u var midis qiellit e tokës sikur të mos ishte i denjë as për tokën dhe as për qiellin. Në vdekjen e Tij me kryqëzim, Ai është thënë të ishte varur mbi një dru. (Veprat e Apostujve 5:30; 1 Pje. 2:24)
3:14 Perëndia premtoi të bekonte Abrahamin dhe të bekonte gjithë botën nëpërmjet atij. Bekimi i Abrahamit është në të vërtetë shpëtim me anë të hirit, nëpërmjet besimit. Dënimi i vdekjes kërkuar nga Perëndia, duhet të paguhet fillimisht. Kështu Zoti Jezus u bë një mallkim me qëllim që Perëndia të mund të shtrinte dorën si tek Judenjtë dhe tek Johebrenjtë në hir. Tani në Krishtin (një pasardhës i Abrahamit) kombet janë bekuar.
Premtimi i Perëndisë ndaj Abrahamit në Zan. 12:3 nuk përmend Frymën e Shenjtë. Por Pali këtu na tregon ne nëpërmjet frymëzimit të Perëndisë, që dhurata e Frymës së Shenjtë ishte përfshirë në besëlidhjen pa kusht të shpëtimit bërë me Abrahamin. Ajo ishte aty në embrion. Fryma e Shenjtë s’mund të vinte ndërkohë që ligji ishte në rrugë. Krishti duhet të vdiste dhe të lavdërohej përpara se të jepej Fryma (Gjo. 16:7).
Apostulli ka treguar që shpëtimi është nëpërmjet besimit, jo ligjit, nëpërmjet (1) përjetimit të galatasve dhe (2) dëshmisë së Shkrimeve në Dh.V.. Ai tani i kthehet një ilustrimi nga jeta e përditshme.
Argumenti i Palit në këtë pjesë mund të përmblidhet si më poshtë: Në Zanafilla 12:3, Perëndia premtoi të bekojë të gjitha familjet e tokës në Abrahamin. Ky premtim i shpëtimit përfshin Johebrenjtë ashtu si dhe Judenjtë. Në Zan. 22:18, Perëndia gjithashtu premtoi: “dhe tërë kombet e tokës do të bekohen te pasardhësi yt.” Ai tha pasardhësi (njërës), jo “pasardhësit” (shumës). Perëndia i referohet një Personi, Zotit Jezu Krisht, i cili ishte pasardhësi i Abrahamit (Lluk 3:34). Me fjalë të tjera, Perëndia premtoi të bekojë të gjitha kombet, Johebrenjtë ashtu si dhe Judenjtë, nëpërmjet Krishtit. Premtimi ishte pa kusht; ai nuk kërkoi as vepra të mira as bindje ligjore. Ishte një premtim i thjeshtë që nënkuptoi të merrej me besim të thjeshtë.
Tani ligji, i dhënë Izraelit 430 vjet më vonë, s’mund t’i shtonte kushte premtimit dhe as ta ndryshonte atë në ndonjë mënyrë. Në çështjet njerëzore kjo do të ishte e padrejtë; në çështjet hyjnore do të ishte e paimagjinueshme. Prandaj përfundimi është që premtimi i Perëndisë për bekimin e Johebrenjve është nëpërmjet Krishtit, nëpërmjet besimit e jo nëpërmjet zbatimit të ligjit.
3:15 Në çështjet njerëzore kur përcaktohet dhe vuloset një besëlidhje, askush s’do të mendojë për ta ndryshuar dokumentin apo për t’i shtuar diçka atij. Nëse testamentet e njerëzve s’mund të shkelen, sa më pak do të mund të shkeleshin ato të Perëndisë!
3:16 Pa dyshim që Judaistët ishin grindur që megjithëse premtimet i ishin bërë fillimisht Abrahamit dhe pasardhjes së tij (popullit të Izraelit) nëpërmjet besimit, përsëri të njëjtët njerëz të Izraelit ishin vënë më pas nën ligj. Prandaj galatasit, megjithëse ishin të shpëtuar fillimisht nëpërmjet besimit, tani duhet të zbatonin 10 Urdhëresat. Pali përgjigjet: Premtimet iu bënë Abrahamit dhe pasardhjes së tij (njëjës). Pasardhjes ndonjëherë mund të tregojë një shumicë, e megjithatë këtu ajo tregon një Person, të quajtur Krisht. (Vetë ne ndoshta s’do të mundnim kurrë të shihnim këtë kur lexojmë Dh.V., por Fryma e Perëndisë na ndriçon.)
3:17 Premtimi i Perëndisë për Abrahamin ishte pa kushte, ai nuk varej aspak në ndonjë vepër. Perëndia thjesht pranoi t’i japë Abrahamit një pasardhje (Krishtin). Megjithëse ai s’kishte fëmijë, Abrahami e besoi Perëndinë, e kështu besoi gjithashtu në ardhjen e Krishtit dhe u shfajësua. Ardhja e ligjit – 430 vjet më pas s’mund të ndikonte premtimin e shpëtimit në asnjë mënyrë. Dhe as mund të shfuqizonte premtimin apo t’i shtonte kushte atij.
Ndoshta Judaistët ishin duke sugjeruar që ligji, duke ardhur 430 vjet pas premtimit, kishte efekt ta anulonte atë. “Aspak!” thotë Pali, në të vërtetë: “Premtimi ishte një dëshirë dhe ishte ratifikuar nga një vdekje (sakrifica e besëlidhjes, Zan. 15:7-11; shih gjithashtu Heb. 9:15-22). Ai s’mund të shfuqizohej.”
Të 430 vitet janë llogaritur nga koha që Perëndia vërtetoi Besëlidhjen Abrahamike tek Jakobi, kur Jakobi po përgatitej për të hyrë në Egjipt (Zan. 46:1-4), dhe shtrihen deri në dhënien e ligjit rreth tre muaj pas Eksodit.
3:18 Trashëgimi duhet të jetë ose nga besimi ose nga veprat. S’mund të jetë nga të dy. Shkrimi e bën të qartë që ai iu dha Abrahamit me anë të premtimit pa kusht. Kështu është me shpëtimin. Ai është ofruar si një dhuratë pa kushte. Çdo mendim i të punuarit përjashtohet.
C. Qëllimi i Ligjit. (3:19-29)
3:19 Atëherë, pse u dha ligji? Nëse, ashtu si Pali thotë, ligji nuk anuloi apo nuk i shtoi kushte premtimit të Perëndisë bërë Abrahamit, cili ishte qëllimi i ligjit? Ligji synonte ta zbulonte mëkatin në karakterin e tij të vërtetë si shkelje. Mëkati ekzistonte përpara ligjit, por njeriu nuk e njihte atë si shkelje derisa erdhi ligji. Shkelja është dhunimi i një ligji të njohur.
Ligji iu dha një kombi mëkatarësh. Ata s’mund të fitonin kurrë drejtësinë me anë të zbatimit të tij, sepse ata nuk kishin forcën për t’ju bindur atij. Ligji ishte për t’u treguar njerëzve se sa mëkatarë pa shpresë ishin ata, kështu që ata t’i thërrisnin Perëndisë për t’i shpëtuar me anë të hirit të Tij. Besëlidhja e Perëndisë me Abrahamin ishte një premtim i pakushtëzuar bekimesh; ligji rezultonte vetëm në mallkim. Ligji tregoi se sa i padenjë ishte njeriu për të marrë bekim falas dhe pa kushte. Nëse njeriu duhet të bekohet, kjo gjë duhet të bëhet nëpërmjet hirit të Perëndisë.
Pasardhja është Krishti. Prandaj ligji u dha si një masë e përkohshme deri në ardhjen e Krishtit, bekimi i premtuar duhet të vinte nëpërmjet Tij. Marrëveshja midis dy grupeve përfshin një ndërmjetës. Ligji përfshiu dy grupe – Perëndinë dhe Izraelin. Moisiu shërbeu si një ndërmjetës (LiP. 5:5). Engjëjt ishin lajmëtarët e Perëndisë në transmetimin e ligjit tek Moisiu. (LiP. 33:2; Ps. 68:17; Veprat e Apostujve 7:53; Heb. 2:2). Pjesëmarrja e Moisiut dhe e engjëjve fliste për një largësi midis Perëndisë dhe popullit të Tij, një popull i papërshtatshëm për prezencën e Tij.
3:20 Nëse do të kishte vetëm një grup në marrëveshje dhe ai do të bënte një premtim pa kushte, duke mos kërkuar asgjë nga grupi tjetër, nuk do të kishte nevojë për një ndërmjetës. Fakti që ligji kërkonte një ndërmjetës nënkupton që njeriu duhet të mbajë pjesën e tij të marrëveshjes. Kjo ishte dobësia e ligjit; ai kërkonte bindje nga ata që nuk ishin në gjendje ta jepnin atë. Kur Perëndia bëri premtimin e Tij tek Abrahami, Ai ishte i vetmi grup në marrëveshje. Kjo ishte forca e premtimit: çdo gjë varej tek Perëndia dhe asgjë tek njeriu. Asnjë ndërmjetës nuk u përfshi, sepse nuk nevojitej. {{12}}
3:21 A i la ligji mënjanë premtimet, apo a zuri vendin e tyre? Kurrsesi jo! Nëse do të ishte e mundshme dhënia e një ligji me anë të të cilit mëkatarët do të mund të arrinin përsosmërinë e kërkuar nga Perëndia, atëherë me siguri shpëtimi do të ishte me anë të zbatimit të ligjit. Perëndia s’do të kishte dërguar Birin e Tij të dashur për të vdekur për mëkatarët nëse do të kishte arritur të njëjtin rezultat në një mënyrë më pak të kushtueshme. Por ligji kishte së tepërmi si kohë ashtu edhe njerëz për të treguar që ai s’mund të shpëtonte mëkatarët. Në këtë kuptim ai ishte “pa forcë për shkak të mishit” (Rom. 8:3). Gjithçka që ligji mund të bënte ishte t’u tregonte njerëzve gjendjen e tyre të pashpresë dhe t’u nguliste në mendje që shpëtimi mund të jetë vetëm me anë të hirit falas të Perëndisë.
3:22 Dhjata e Vjetër tregoi që të gjithë njerëzit janë mëkatarë, përfshi edhe ata që janë nën ligj. Ishte e domosdoshme që njeriu të ishte i bindur për mëkatin, me qëllim që premtimi i shpëtimit me anë të besimit në Jezus Krishtin t’u jepej atyre që besojnë. Fjalët kyçe në vargun 22 janë besim, t’u jepej, besoj. Këtu nuk përmenden veprat apo zbatimi i ligjit.
3:23 Besimi këtu është besimi i krishterë. Ai i referohet epokës të përcjellë nga vdekja, varrosja, ringjallja dhe ngritja e Zotit Jezus si dhe shpalljes së Ungjillit në Ditën e Rrëshajëve. Përpara asaj kohe, Judenjtë ruheshin nën ligj si në një burg apo arrest. Ata ishin të rrethuar nga kërkesat e ligjit dhe përderisa nuk mund t’i plotësonin ato, mbetej vetëm rruga e besimit për shpëtim. Njerëzit nën ligj ishin kështu të izoluar derisa lajmi i lavdishëm i çlirimit nga zinxhirët e ligjit u shpall në Ungjill.
3:24 Ligji është paraqitur si një rojë dhe drejtues fëmijësh apo si një mësues {{13}}. Kjo gjë thekson mendimin e të mësuarit; ligji mësoi gjëra në lidhje me shenjtërinë e Perëndisë, mëkatshmërinë e njeriut dhe nevojën për shlyerje. Këtu fjala është përdorur për të përshkruar një që ushtron disiplinë dhe mbikëqyrje të përgjithshme mbi të vegjëlit ose të papjekurit.
Fjalët për të na çuar, nuk janë të origjinal, por janë futur nga përkthyesit e traditës së King James. Nëse i lëmë ato jashtë, vargu mëson që ligji ishte një roje Jude deri tek Krishti, pra, deri në ardhjen e Krishtit, ose me ardhjen e Krishtit. Ekziston një kuptim në të cilin ligji ruante popullin e Izraelit si një komb i veçantë, me anë të rregullave në lidhje me martesën, pronën, ushqimet etj.. Kur “besimi” erdhi, ai iu shpall fillimisht këtij kombi që ishte mbrojtur në mbikëqyrje në mënyrë kaq të përsosur nëpër shekuj. Shfajësimi me anë të besimit u premtua në bazë të veprës së përfunduar të Krishtit, Shpenguesit.
3:25 Ligji është mësuesi, por menjëherë kur u mor besimi i krishterë, besimtarët Judenj nuk janë më nën ligj dhe sa më pak Johebrenjtë, si galatasit, të cilët nuk kishin qenë kurrë nën mësuesin! Vargu 24 mëson që njeriu nuk shfajësohet me anë të ligjit; vargu 25 mëson që ligji nuk është rregulli i jetës për një që është i shfajësuar.
3:26 Vini re ndryshimin në përemrat nga “ne” në “ju.” Duke folur për Judenjtë si “ne,” Pali tregon që ata ishin nën ligj deri në ardhjen e Krishtit. Ligji i ruajti ata si një popull i veçantë të cilit të mund t’i shpallej shfajësimi me anë të besimit. Kur ata u shfajësuan, ata i dhanë fund të qenurit nën ligj dhe karakteri i tyre i veçantë si Judenj mori fund. Përemri “ju” prej këtu e deri në fund të kapitullit përfshin si Judenjtë e shpëtuar ashtu dhe Johebrenjtë e shpëtuar. Njerëz të tillë janë të gjithë bij të Perëndisë me anë të besimit tek Jezu Krishti.
3:27 Bashkimi me Krishtin, që ndodh në kohën e kthimit, rrëfehet në pagëzimin e ujit. Ky pagëzim nuk e bën një njeri një gjymtyrë të Krishtit ose një trashëgimtar të mbretërisë së Perëndisë. Ai është një identifikim publik me Krishtin, për të cilin Pali flet si “të veshësh” Krishtin. Ashtu si një ushtar e shpall veten një gjymtyrë të ushtrisë duke “veshur” uniformën e tij, kështu një besimtar e identifikon veten si dikush që i përket Krishtit duke u pagëzuar në ujë. Me anë të këtij veprimi ai shpreh publikisht nënshtrimin ndaj autoritetit dhe drejtimit të Krishtit. Ai paraqet në mënyrë të dukshme që ai është një bir i Perëndisë.
Është e sigurt që apostulli nuk është duke sugjeruar që pagëzimi i ujit bashkon një person me Krishtin. Kjo do të ishte një mohim zhurmëmadh i tezës së tij bazë ku thuhet që shpëtimi është vetëm me anë të besimit.
Dhe as është duke iu referuar pagëzimit të Frymës, që e vendos një besimtar në trupin e Krishtit (1 Kor. 12:13). Pagëzimi i Frymës së Shenjtë është i padukshëm. Nuk ka asgjë përreth tij që i korrespondon një “veshjeje” publike të Krishtit.
Ky është një pagëzim që është në Krishtin. Ashtu si izraelitët ishin të pagëzuar në Moisiun, duke e identifikuar veten me të si kreu i tyre kështu besimtarët sot pagëzohen në Krishtin, duke lënë të nënkuptohet që e miratojnë Atë si Zot të ligjshëm.
Me anë të pagëzimit besimtari nënkupton gjithashtu varrosjen e mishit dhe përpjekjet e tij për të fituar drejtësi. Ai nënkupton fundin e natyrës së vjetër të jetës dhe fillimin e një jete të re. Në pagëzimin e ujit galatasit rrëfyen që ata kishin vdekur me Krishtin dhe ishin varrosur me Të. Ashtu si Krishti vdiq për ligjin, kështu ata ishin të vdekur për ligjin, dhe prandaj s’duhet të dëshironin të ishin nën të si një rregull i jetës. Ashtu si Krishti, me anë të vdekjes së Tij, ka thyer dallimin midis Judenjve dhe Johebrenjve, kështu ata kanë vdekur për dallime të tilla kombëtare. Ata kanë veshur Krishtin në kuptimin që ata tani jetojnë një jetë plotësisht të re – jetën e Krishtit.
3:28 Ligji bëri dallime midis këtyre grupeve. P.sh., ndarja midis Judenjve dhe Johebrenjve është pohuar në LiP 7:6; 14:1,2. Në lutjen e tij të mëngjesit, një Jude e falënderonte Perëndinë që nuk e kishte bërë atë një Johebre, një skllav ose një grua. Në Jezu Krisht këto dallime zhduken, pra, përsa i përket miratimit nga ana e Perëndisë. Një Jude nuk është më i preferuar sesa një Johebre, një njeri i lirë nuk është më i favorizuar se një skllav dhe as një burrë nuk është më i privilegjuar se një grua. Të gjithë janë në të njëjtin nivel sepse janë në Jezu Krishtin.
Ky varg s’duhet të nënkuptojë diçka që nuk e thotë në të vërtetë. Përsa i përket jetës së përditshme (jo shërbesës publike në kishë), Perëndia nuk njeh dallim midis mashkullit dhe femrës. Dh.R. përmban udhëzime që i drejtohen secilit; ajo gjithashtu u flet veças skllevërve dhe zotërinjve. Por në marrjen e bekimeve nga Perëndia, këto gjëra nuk kanë rëndësi. Gjëja më e madhe është të jesh në Jezu Krishtin. (Kjo i referohet pozicionit tonë qiellor, jo gjendjes sonë tokësore). Përpara Perëndisë besimtari Jude nuk është pak më i lartë se pagani i kthyer në besim! Govett thotë: “Të gjitha dallimet që bëri ligji janë gëlltitur në varrin e përbashkët që Perëndia ka siguruar.” Prandaj sa marrëzi është për të krishterët për të kërkuar shenjtëri të mëtejshme duke vendosur dallime të cilat Krishti i ka hequr.
3:29 Galatasit ishin mashtruar me mendimin që ata do mund të bëheshin pasardhja e Abrahamit nëpërmjet zbatimit të ligjit. Pali tregon ndryshe. Krishti është pasardhja e Abrahamit; trashëgimia e premtuar Abrahamit u përmbush në Krishtin. Kur mëkatarët besojnë në Të, ata bëhen një me Të. Kështu ata bëhen pasardhja e Abrahamit dhe në Krishtin trashëgojnë të gjitha bekimet e Perëndisë.
D. Fëmijë dhe Bij (4:1-16)
4:1,2 Paraqitja i takon një babai të pasur që synon t’i japë kontrollin e pasurisë së tij të birit, kur ai të ketë arritur pjekurinë. Megjithatë përsa kohë që ai është ende i mitur, gjendja e trashëgimtarit është si ajo e një skllavi. Atij vazhdimisht i thuhet të bëjë këtë e jo atë. Ai ka administratorë që organizojnë pronën e tij si dhe kujdestarë të personit të tij. Kështu, megjithëse trashëgimia është padyshim e tij, ai nuk hyn në të derisa të jetë rritur.
4:3 Kjo ishte gjendja e Judenjve nën ligj. Ata ishin fëmijë, të mallkuar nga ligji pikërisht si skllevër. Ata ishin të robëruar nën elementet e botës, principet elementare të fesë së Judenjve. Ceremonitë dhe ritet e Judaizmit ishin caktuar për ata që nuk e njihnin Perëndinë At, ashtu siç është zbuluar Ai në Krishtin. Një ilustrim mund të gjendet tek një fëmijë që mëson fillimet e shqiptimit duke përdorur gjëra që i ka fiksuar në mendje ose duke mësuar të njohë objektet me anë të vizatimeve. Ligji ishte plot hije dhe piktura që i drejtoheshin domethënieve frymërore nëpërmjet gjërave fizike dhe së jashtmes. Rrethprerja është një shembull i kësaj. Judaizmi ishte fizik, i jashtëm dhe i përkohshëm; Krishterimi është frymëror, i brendshëm dhe i përhershëm. Këto të jashtme ishin një formë robërie për fëmijët.
4:4 Mbushja e kohës i referohet kohës së caktuar nga Ati qiellor, në të cilën trashëgimtarët do të jenë në moshë. (Shih v. 2)
Në këtë varg ne kemi, me pak fjalë, një thënie të mrekullueshme si për hyjnishmërinë ashtu edhe për njerëzishmërinë e Shpëtimtarit. Ai është Biri i përjetshëm i Perëndisë; e përsëri Ai u lind prej një gruaje. Nëse Jezusi do të kishte qenë vetëm një njeri, do të ishte e pavend të thuhej që Ai u lind prej një gruaje. Si mund të lindë ndryshe një njeri i thjeshtë? Shprehja, në rastin e Zotit tonë, dëshmon për Personin e Tij unik dhe mënyrën unike të lindjes së Tij.
I lindur në botë si një izraelit, Ai ishte i lindur nën ligj. Si Bir i Perëndisë, Zoti Jezus s’do të kishte qenë kurrë nën ligj; Ai ishte Ai që kishte dhënë ligjin. Por, në hirin denjues, Ai e vuri veten nën ligjin që Ai kishte bërë, me qëllim që Ai të mund të lartësonte ligjin në jetën e Tij, dhe të mbarte mallkimin e tij në vdekjen e Tij.
4:5 Ligji kërkonte një çmim nga ata që dështonin ta mbanin atë – çmimin e vdekjes. Përpara se Perëndia t’i sillte njerëzit në pozicionin e mrekullueshëm të birërimit, ky çmim duhet të paguhej. Kështu Zoti Jezus duke ardhur në botë si një anëtar i racës njerëzore dhe pjesëtar i kombit të Judenjve, pagoi çmimin që kërkonte ligji. Ngaqë Ai është Perëndi, vdekja e Tij ishte e pafundme në vlerë, pra, ajo ishte e mjaftueshme për të paguar për çdo numër mëkatarësh. Ngaqë Ai ishte Njeri, Ai mund të vdesë si një zëvendësues për njeriun. Govett thotë: “Krishti, Bir i Perëndisë nga natyra, u bë bir i njeriut, që ne, bij të njeriut nga natyra të mund të bëhemi bij të Perëndisë. Një shkëmbim i mrekullueshëm!”
Për sa kohë që njerëzit ishin skllevër, ata s’mund të ishin bij. Krishti i çliroi ata nga robëria e ligjit me qëllim që ata të mund të birësoheshin si bij. Vini re këtu dallimin midis bërjes fëmijë i Perëndisë dhe bir i Perëndisë (krahaso Rom. 8:14, 16). Besimtari lindet në familjen e Perëndisë si një fëmijë (shih Gjoni 1:12). Theksi këtu është mbi faktin e lindjes hyjnore, jo mbi privilegjet dhe përgjegjësitë e të qenurit bir. Besimtari birësohet në familje si një bir. Çdo i krishterë është një bir menjëherë dhe sillet në trashëgiminë e së cilës ai është një trashëgimtar. Kështu udhëzimet për të krishterët në Dh.R. nuk pranojnë foshnjëri mes të shenjtëve. Të gjithë janë trajtuar si bij të pjekur.
Birësimi në kulturën Romake ndryshonte nga ai në jetën moderne. Ne e mendojmë birësimin si marrjen e fëmijës së dikujt tjetër për ta bërë fëmijën tënd. Por në Dh.R., birërim do të thotë vendosja e besimtarëve në pozitën e bijve të pjekur me të gjitha privilegjet dhe përgjegjësitë e asaj pozite.
4:6 Me qëllim që ata që janë bij të Perëndisë të mund të kuptojnë dinjitetin e kësaj pozite, Perëndia dërgoi Frymën e Shenjtë për të banuar në ta. Fryma krijon një vetëdije të të qenurit bir, duke e bërë të shenjtin t’i drejtohet Perëndisë si Atë. “Abba, Atë” është një formë familjare e të drejtuarit, duke kombinuar fjalët Aramaike dhe Greke për fjalën “baba.” Asnjë skllav s’mund t’i drejtohet kreut të familjes në këtë mënyrë; ajo shërben për anëtarët e familjes dhe tregon dashuri dhe konfidencë. Vini re Trinitetin në këtë varg – Fryma, Biri dhe Ati – në atë renditje.
4:7 Besimtari nuk është më skllav; ai nuk është nën ligj. Tani ai është një bir i Perëndisë. Përderisa Krishti, si Bir i Perëndisë, është trashëgimtar i gjithë pasurive të Perëndisë, i krishteri është një trashëgimtar i Perëndisë me anë të Krishtit {{14}}. Gjithçka që Perëndia ka është e tij nëpërmjet besimit.
Në shkollat Judaiste (për mësuesit të fesë Jude) në Izrael sot një nxënësi nuk i lejohet të lexojë Kantikun e Kantikëve ose Ezekiel kapitullin 1 pa qenë 40 vjeç. Kantiku i Kantikëve konsiderohet si tepër sensual për një mendje të re dhe Ezekiel kapitulli 1 përmban një përshkrim të lavdisë së Perëndisë së papërshkrueshëm. Talmudi [një libër Jude jo i frymëzuar që jep shpjegime për ligjin] tregon që kur një njeri nën të dyzetat filloi të lexonte Ezekiel 1, nga faqet doli një zjarr që e konsumoi atë. Kjo tregon që një person nën ligj nuk konsiderohet burrë derisa ai të bëhet 40 vjeç. (Shprehja e mirënjohur bar mitzvah e bën një djalë të moshës 13 vjeçare një “djalë të besëlidhjes” – kuptimi i asaj shprehjeje – pra përgjegjës për të zbatuar ligjin). Deri në moshën 40 vjeçare një burrë me të vërtetë Jude konsiderohet i mitur.
Nuk është kështu me besimtarët që janë nën hir. Në momentin e shpëtimit gjithë trashëgimia është e tyre. Ata trajtohen si të pjekur, bij dhe bija të rritur dhe e gjithë Bibla është e tyrja për t’u lexuar, gëzuar dhe bindur.
Në dritën e këtyre të vërtetave ia vlen të shohim shpalljen e Harrison:
Fëmijë e dashurisë së Tij, të gjitha gjërat janë të tuat – Ai ta thotë këtë në 1 Korintasve 3:22, 23 për të të çuar ty të kuptosh pasuritë që shtrihen përtej forcës së imagjinatës sate. Mendo universin. I kujt është ai, përveçse i Tiji dhe i yti? Atëherë jeto me besnikëri. {{15}}
4:8 Galatasit njëherë kishin qenë nën zinxhirët e idhujve. Përpara kthimit të tyre, ata kishin qenë idhujtarë që adhuronin idhujt e gurit dhe drurit – perëndi të rreme. Tani ata po ktheheshin në një skllavëri tjetër – atë të ligjit.
4:9 Si mund ta shfajësonin sjelljen e tyre? Ata e kishin njohur Perëndinë, ose, nëse ata nuk e njohën Atë në një mënyrë të thellë, të paktën ata u njohën prej Tij, pra, ata u shpëtuan. E megjithatë ata po ktheheshin nga fuqia dhe pasuria e Tij (trashëgimtarë të së cilës ata ishin) për tek gjërat e dobëta dhe të varfëra, gjërat që lidheshin me ligjin, si rrethprerja, ditët e shenjta, dhe rregullat e të ngrënit. Ata përsëri po e vendosnin veten në nënshtrim të gjërave që nuk mund t’i shpëtonin kurrë dhe që as mund t’i pasuronin, por që vetëm do t’i varfëronin.
Pali emëron ligjin dhe të gjitha ceremonitë e tij si të dobta dhe të varfëra. Ligjet e Perëndisë ishin të mrekullueshme në kohën dhe vendin e tyre, por ato janë pengesa kur përdoren për të zëvendësuar Zotin Jezus. Të kthehesh nga Krishti në ligji është idhujtari.
4:10, 11 Galatasit po kremtonin kalendarin Jude me Shabatet e tij, me festimet dhe me stinët e tij. Pali shpreh frikë për ata që rrëfejnë se janë të krishterë dhe përsëri kërkonin miratimin e Perëndisë duke kremtuar çfarë ligji u thoshte. Edhe njerëzit e parilindur mund të kremtojnë ditët, muajt dhe vitet. Disa njerëz kënaqen shumë kur ndiejnë që ka diçka që ata mund ta bëjnë me forcën e tyre për të fituar buzëqeshjen e Perëndisë. Por kjo nënkupton që njeriu ka forcë dhe kështu ai nuk ka nevojë për një shpëtimtar.
Nëse Pali u shkroi në këtë mënyrë galatasve, çfarë do t’u shkruante ai atyre që e shpallin veten të krishterë sot dhe që përpiqen të arrijnë shenjtëri duke kremtuar ligjin? A nuk do t’i dënonte ai traditat e futura në Krishterim nga Judaizmi – një priftëri e urdhëruar nga njerëzit, veshje të veçanta për priftin, mbajtja e Shabatit, vendet e shenjta, qirinjtë, uji i shenjtë e kështu me radhë?
4:12 Me sa duket galatasit e kishin harruar mirënjohjen e tyre ndaj Palit kur ai u predikoi atyre në fillim. Por pavarësisht nga dështimet e tyre ai u drejtohet atyre me fjalën “Vëllezër.” Pali kishte qenë një Jude nën ligj. Tani, në Krishtin, ai ishte i lirë nga ligji. Kështu ai thotë, “Bëhuni si unë – të çliruar nga ligji dhe duke mos jetuar më nën të.” Galatasit Johebrenj s’kishin qenë kurrë nën ligj, dhe nuk ishin nën të tani. Kështu apostulli thotë: “unë jam si ju. Unë, që isha një Jude, tani gëzoj lirinë të cilën ju Johebrenjtë e keni pasur gjithmonë.”
Ju s’më keni bërë asgjë të keqe. Nuk është plotësisht e qartë çfarë Pali ka pasur ndër mend këtu. Ndoshta ai po thotë që nuk ndiente se kishte pësuar ndonjë të keqe personale si përfundim i trajtimit që ata i kishin bërë atij. E kthyera e tyre nga ai tek mësuesit e rremë nuk ishte një goditje personale ndaj tij, por për më tepër ishte një goditje ndaj së vërtetës së Perëndisë dhe kështu ishte një e keqe për vetë ata.
4:13 Ungjilli u ishte predikuar atyre në të kaluarën në dobësi mishi {{16}}. Perëndia shpesh përdor mjete të dobëta, të varfëra, të përbuzura për të përmbushur punën e Tij me qëllim që lavdia të jetë e Tij dhe jo e njeriut.
4:14 Sëmundja e Palit ishte një sprovë për vetë atë dhe për ata që e dëgjuan. Sidoqoftë, galatasit nuk e hodhën poshtë atë për shkak të pamjes së tij të jashtme apo të predikimit të tij. Në vend të kësaj, ata e pranuan atë si një engjëll të Perëndisë, pra si një lajmëtar të dërguar nga Perëndia, madje si vetë Jezu Krishtin. Përderisa ai paraqiste Zotin, ata e pranuan atë ashtu siç do të kishin pranuar Zotin (Mat. 10:40). Ata e pranuan fjalën e Palit si vet Fjalën e Perëndisë. Kjo gjë duhet te jetë një mësim për gjithë të krishterët përsa i përket trajtimit të tyre të lajmëtarëve të Zotit. Kur ne i pranojmë ata përzemërsisht, ne e pranojmë Atë në të njëjtën mënyrë (Llu. 10:16).
4:15 Kur ata e dëgjuan për herë të parë Ungjillin, e kuptuan se çfarë gëzimi ishte për shpirtrat e tyre. Aq e madhe ishte dashuria e tyre sa ata do të kishin dhënë sytë e tyre për Palin, nëse do të ishte e mundur. (Kjo tregon që “dobësia në mish” e Palit mund të ishte një sëmundje e syve të tij) Por ku ishte kjo ndjenjë mirënjohjeje tani? Fatkeqësisht, ishte zhdukur si vesa e mëngjesit.
4:16 Përse kishte ndryshuar qëndrimi i tyre kundrejt Palit? Ai ende ishte duke predikuar të njëjtin mesazh, duke iu përmbajtur të vërtetës së Ungjillit. Nëse kjo gjë e kishte bërë atë armikun e tyre, atëherë gjendja e tyre ishte me të vërtetë e rrezikshme.
E. Skllavëri apo Liri. (4:17-5:1)
4:17 Motivet e mësuesve të rremë ndryshonin nga ato të Palit: ata donin që njerëzit të shkonin pas tyre, kurse ai ishte i interesuar në mirëqenien frymërore të galatasve (4:17-20). Mësuesit e rremë ishin të zellshëm në përpjekjet e tyre për të fituar dashurinë e galatasve, por motivet e tyre nuk ishin të sinqerta. Ata duan t’ju shkëputin ju. Judaistët donin t’i shkëpusnin galatasit nga apostulli Pal dhe nga mësuesit e tjerë. Ata donin të formonin një sekt për të përfituar njerëz që shkonin pas tyre. Stott paralajmëron: “Kur Krishterimi kthehet në një skllavëri rregullash dhe urdhërash, viktimat e tij janë në mënyrë të pashmangshme në nënshtrim, të lidhur në zinxhirët e hekurt të mësuesve të tyre, si në kohën e Mesjetës.” {{17}}
4:18 Pali thotë në të vërtetë, “Nuk shqetësohem kur të tjerë kujdesen për ju, edhe kur unë nuk jam në mesin tuaj, përsa kohë që ata e bëjnë këtë gjë me motive të pastra dhe për të mirë.”
4:19 Duke i quajtur galatasit djemtë e tij, Pali u kujton atyre që ishte ai që i drejtoi ata tek Krishti. Ai është përsëri duke kaluar dhimbje lindjeje për ta, këtë herë jo duke kërkuar shpëtimin e tyre, por për më tepër që Krishti të formohej në ta. Ngjashmëria me Krishtin është pikësynimi i plotë i Perëndisë për popullin e Tij (Efesianeve 4:13; Kol. 1:28)
4:20 Ky varg mund të nënkuptojë që Pali ishte i hutuar përsa i përket gjendjes së vërtetë të galatasve. Shmangia e tyre nga e vërteta i kishte sjellë atij dyshime. Ai do të donte të ndryshonte tonin e tij dhe të fliste me siguri dhe bindje për ta. Ose ndoshta ai ishte i hutuar përsa i përket reagimit të tyre ndaj letrës së tij. Ai do të preferonte t’u fliste atyre vetë. Atëherë do të mund të shprehej më mirë duke ndryshuar tonin e zërit të tij. Nëse ata do t’i pranonin qortimet e tij, ai do të ishte i butë me ta. Nëse ata do të rebeloheshin dhe do të ngrinin krye, ai do të ishte i rreptë me ta. Pra ai ishte i hutuar për ta; ai nuk mund ta dinte si do të ishte reagimi i tyre ndaj letrës së tij.
Përderisa mësuesit Judenj ishin kaq të dhënë pas Abrahamit dhe ngulnin këmbë që besimtarët duhet të ndiqnin shembullin e tij për t’u rrethprerë, Pali i kthehet historisë së njohur të Abrahamit për të treguar që legalizmi ishte një skllavëri dhe nuk mund të përzihet me hirin.
Perëndia kishte premtuar që Abrahami do të kishte një djalë, edhe pse ai dhe Sara ishin të moshuar për të pasur fëmijë. Abrahami besoi Perëndinë dhe kështu u shfajësua (Zan. 15:1-6). Kohë më vonë, Sara filloi të dekurajohej, gjatë kohës që priste për djalin e saj dhe i sugjeroi Abrahamit që të kishte një fëmijë me shërbëtoren e saj, Agarin. Abrahami ndoqi këshillën e saj dhe kështu u lind Ismaeli. Ai nuk ishte trashëgimtari i premtuar nga Perëndia, por djali i mosdurimit, djali mishëror dhe djali i mungesës së besimit të Abrahamit. (Zan. 16)
Më pas kur Abrahami ishte 100 vjeç, fëmija i premtimit, Isaku, lindi. Kjo lindje ishte e mrekullueshme; ishte bërë e mundur vetëm nga fuqia e mrekullueshme e Perëndisë (Zan. 21:1-5). Në festën tradicionale të zvjerdhjes së Isakut, Sara pa Ismaelin duke përndjekur birin e saj. Kështu ajo e urdhëroi Abrahamin që të largonte Ismaelin dhe nënën e tij nga shtëpia, duke thënë, “biri i kësaj shërbëtoreje, nuk do të jetë trashëgimtar me birin tim, Isakun” (Zan. 21:8-11). Ky është sfondi i argumentit që apostulli merr për të shtjelluar tani.
4:21 Ligji në këtë varg është përdorur në dy kuptime. I pari i referohet ligjit si një qëllim për të arritur shenjtërinë dhe i dyti librave të ligjit të Dhjatës së Vjetër (nga Zanafilla deri në Ligjin e Përtërirë), e veçanërisht Zanafillës. Pali është duke thënë, “më thoni ju që dëshironi të fitoni dashamirësinë e Perëndisë duke zbatuar ligjin, a nuk dëgjoni mesazhin e librit të ligjit?”
4:22, 23 Dy djemtë ishin Ismaeli dhe Isaku. Shërbëtorja ishte Agari dhe e lira ishte Sara. Ismaeli u lind si rezultat i ndërhyrjes intriguese të Abrahamit. Isaku, në anën tjetër, iu dha Abrahamit nga një premtim i Perëndisë.
4:24 Historia është alegorike; ajo ka një kuptim më të thellë sesa duket në pamje të parë. Kuptimi i vërtetë i ngjarjeve nuk është thënë, por është nënkuptuar. Kështu, historia e vërtetë e Isakut dhe Ismaelit paraqet një të vërtetë të madhe frymërore, të cilën Pali e shpjegon.
Dy gratë përfaqësojnë dy besëlidhjet: Agari besëlidhjen e ligjit dhe Sara besëlidhjen e hirit. Ligji u dha në Malin Sinai. Është tepër e çuditshme, pasi fjala “Agar” në Arabisht do të thotë “Shkëmb” dhe arabët e kanë quajtur Malin Sinai “Shkëmbi.”
4:25 Besëlidhja e dhënë në Sinai prodhoi skllavëri; kështu Agari, një skllave, ishte një përshtatje e ligjit. Agari përfaqëson Jeruzalemin, kryeqytetin e kombit Jude dhe qendrën e Izraelitëve të pashpëtuar që ishin ende duke kërkuar të fitojnë drejtësi me anë të zbatimit të ligjit. Këta, së bashku me fëmijët e tyre, me pasardhësit e tyre janë në skllavëri. Për Palin ishte një karakterizim thumbues të lidhte izraelitët mosbesues me Agarin më tepër sesa me Sarën, me Ismaelin më tepër sesa me Isakun.
4:26 Kryeqyteti i atyre që janë të shfajësuar me anë të besimit është Jeruzalemi qiellor. Ai është nëna e gjithë besimtarëve, si Judenjve ashtu edhe Johebrenjve.
4:27 Ky citim nga Isaia 54:1 është një parashikim që fëmijët e qytetit qiellor do të jenë më shumë se ata të Jeruzalemit tokësor. Sara ishte gruaja që ishte shterpë për një kohë të gjatë. Agari ishte një grua që kishte një burrë. Në çfarë mënyre duhet ta kuptojmë ne triumfin e Sarës, ose Jeruzalemin qiellor? Përgjigjja është që fëmijët e premtimit përfshin gjithë ata, Johebrenj ashtu si dhe Judenj, që vijnë tek Perëndia me anë të besimit – më të shumtë se fëmijët e Agarit që jetojnë nën ligj.
4:28 Besimtarët e vërtetë nuk janë lindur as nga vullneti i njeriut e as nga vullneti i mishit, por nga ai i Perëndisë. Nuk është pasardhja natyrore ajo që vlen, por lindja e mrekullueshme hyjnore nëpërmjet besimit në Zotin Jezus.
4:29 Ismaeli përndoqi Isakun, dhe ka qenë gjithmonë e vërtetë që ata që janë të lindur nga mishi përndjekin ata që janë të lindur nga Fryma. Mendoni vuajtjet e Zotit tonë dhe ato të apostullit Pal në duart e njerëzve të pashpëtuar. Ne mund të na duket si një ofendim i parëndësishëm që Ismaeli përndoqi Isakun, por Shkrimet e kanë këtë gjë, dhe Pali sheh në të një princip që ende qëndron – armiqësia midis mishit dhe Frymës.
4:30 Atëherë galatasit le t’u drejtoheshin Shkrimeve dhe do ta gjenin këtë vendim. Ligji dhe hiri s’mund të përzihen; është e pamundur të trashëgosh bekimet e Perëndisë në bazë të meritës njerëzore apo përpjekjeve mishërore.
4:31 Ata që kanë besuar Krishtin nuk kanë lidhje me ligjin në kuptimin që prej tij nuk mund të përfitojnë një favor hyjnor. Ata janë fëmijët e gruas së lirë dhe ata ndjekin kushtin shoqëror të nënës së tyre.
5:1 Vargu i fundit i kapitullit katër përshkruan pozicionin e besimtarit – ai është i lirë. Vargu i parë i kapitullit pesë i referohet praktikës së tij – ai duhet të jetojë si një njeri i lirë. Këtu ne kemi një ilustrim shumë të mirë të ndryshimit që ekziston midis hirit dhe ligjit. Ligji do të thoshte: “Nëse e fiton lirinë do të jesh i lirë.” Por hiri thotë: “Ju jeni bërë të lirë në çmimin e madh të vdekjes së Krishtit. Për meritë të Tij, ju duhet të qëndroni të patundur në lirinë me të cilën Krishti ju liroi.” Ligji urdhëron, por nuk bën të mundur. Hiri siguron atë që kërkon ligji, e më pas e bën të mundur njeriun të jetojë një jetë sipas pozicionit të tij, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë dhe e shpërblen atë për këtë gjë.
Ashtu si thotë C. H. Mackintosh, “Ligji kërkon fuqi nga një që nuk e ka atë fuqi dhe e mallkon atë nëse ai nuk mund ta shfaqë këtë fuqi. Ungjilli i jep fuqi atij që nuk ka dhe e bekon atë kur ai e shfaq këtë fuqi.” {{18}}
“Vrapo, Gjon dhe jeto,” më urdhëron ligji,
por nuk më jep as duar e as këmbë.
Ungjilli më sjell lajme shumë më të mira,
më thotë të fluturoj dhe më jep krahë.
[[9]] (3:1) Greqishtja ka një ndarje në shumës dhe njëjës për fjalën kush. Pra, një përgjigje në “shumës” është e mundshme. [[9]] [[10]] (3:5) Dorëshkrimet më të vjetra ishin të gjitha në shkronja të mëdha. “A” për Ai është marrë nga konteksti. [[10]] [[11]] (3:13) J. Cyndyllan Jones, Studies in the Gospel According to St. John, fq. 113.[[11]] [[12]] (3:20) Megjithëse duket se ka një kontradiktë midis argumentit këtu dhe faktit që Krishti më vonë është folur si të jetë një Ndërmjetës i Besëlidhjes së Re (Heb. 9:15), fjala ndërmjetës është përdorur në dy kuptime të ndryshme në këto dy vende. Moisiu shërbeu si një ndërmjetës thjesht duke marrë ligjin nga Perëndia dhe duke ia dhënë atë popullit të Izraelit. Ai ishte përfaqësuesi i popullit. Krishti është Ndërmjetësi i Besëlidhjes së Re në një kuptim më të gjerë. Përpara se Perëndia të mund të shpërndante në mënyrë të drejtë bekimet e kësaj besëlidhjeje, Zotit Jezus i duhej të vdiste. Ashtu si vdekja vetëm e fut në fuqi testamentin apo dëshirën e fundit të një personi, kështu Besëlidhja e Re duhej të vulosej me gjakun e Tij. Ai duhej ta jepte veten e Tij si një shpagim për të gjithë (1 Tim 2:6) Krishti jo vetëm siguron bekimet e besëlidhjes për njerëzit e Tij, por gjithashtu i mban njerëzit e besëlidhjes së Tij në një botë që është antagoniste [kundërshtuese] kundrejt tyre. Ai është një Kryeprift dhe Avokat dhe kjo gjë është një pjesë e punës së Tij si Ndërmjetës. [[12]] [[13]] (3:24) Fjala greke paidagogos (pedagogji) fjalë për fjalë do të thotë “drejtues-fëmijësh.” Një person i tillë duhej të shikonte nëse një fëmijë hynte dhe dilte nga shkolla. Ndonjëherë ai jepte mësim.[[13]] [[14]] (4:7) Teksti kritik thjesht shkruan një trashëgimtar nëpërmjet Perëndisë. [[14]] [[15]] (4:7) Norman B. Harrison, His Side Versus Our Side, fq 71.[[15]] [[16]] (4:13) Disa teori mendojnë për “dobësinë” e Palit. Disa sëmundje syri që janë të zakonshme në Lindjen e Mesme, janë paraqitur gjithashtu. Si dhe sëmundje si malarja, migrena, epilepsia dhe probleme të tjera kanë qenë disa nga sugjerimet. [[16]] [[17]] (4:17) Stott, Galatians, fq. 116.[[17]] [[18]] (5:1) C. H. Mackintosh, Genesis to Deuteronomy, fq. 232-233[[18]]