Pasioni dhe vdekja e Birit të Perëndisë (Gjoni 18, 19)

A. Juda tradhton Zotin (18:1-11)

18:1 Fjalët e kapitujve 13-17 ishin thënë në Jerusalem. Tani Jezusi la qytetin dhe eci në lindje drejt Malit të Ullinjve. Duke bërë këtë, Ai kaloi Luginën e Kidronit dhe erdhi në Kopshtin e Gjetsemanit, që gjendej në pjerrësinë perëndimore të Malit të Ullinjve.

18:2, 3 Juda e dinte që Zoti kalonte një kohë të madhe duke u lutur në kopësht. Ai e njihte atë vend ku mund ta gjente Zotin në kohën e lutjes.

Grupi i ushtarëve ishte i përbërë nga ushtarë romakë; ndërsa rojat ishin Judenj të cilët përfaqësonin krerët e priftërinjve dhe farisenjtë. Ata erdhën me fenerë, pishtarë dhe armë. “Ata erdhën të kërkonin Dritën e botës me pishtarë.”

18:4 Zoti doli përpara për t’i takuar, pa pritur që ata ta gjenin. Kjo tregon dëshirën e Tij për të shkuar në kryq. Ushtarët mund t’i kishin lënë armët e tyre në shtëpi; Shpëtimtari nuk do t’u bënte ballë atyre. Pyetja “Kë kërkoni?” ishte destinuar për të nxjerrë nga vetë goja e tyre natyrën e misionit të tyre.

18:5 Ata kërkuan Jezusin nga Nazareti, duke mos kuptuar që Ai ishte Krijuesi dhe Mbajtësi i tyre – Miku më i mirë që kishin pasur ndonjëherë. Jezusi tha, “Unë jam.” Ai donte të thoshte jo vetëm që ishte Jezusi nga Nazareti, por që Ai ishte Jehovai. Siç është përmendur më parë, UNË JAM është një nga emrat e Jehovait në DhV. A e bëri kjo gjë Judën të mendonte në atë moment, ndërkohë që qëndronte me të tjerët në turmë?

18:6 Për një çast Zoti Jezus u ishte shfaqur atyre si UNË JAM-i, Perëndia i Plotfuqishëm. Zbulimi ishte aq i fuqishëm saqë ata u zmbrapsën dhe ranë për dhe.

18:7 Përsëri Jezusi i pyeti ata t’i thoshin se kë po kërkonin. Dhe përsëri përgjigjja ishte e njëjtë – pavarësisht nga efekti që patën mbi ta fjalët e Krishtit.

18:8, 9 Përsëri Jezusi u përgjigj duke u thënë se Ai ishte Jehova. “Ju kam thënë se UNË JAM.” Përderisa ata kërkonin Atë, u tha atyre t’i linin dishepujt të shkonin. Është e mrekullueshme të shohësh interesat e Tij aspak egoiste për të tjerët në kohën që jeta e Tij ishte në rrezik. Kështu pra, fjalët e Gjonit 17:12 u përmbushën.

18:10 Simon Pjetri mendoi se kishte ardhur koha për të përdorur dhunën me qëllim që të shpëtonte Zotërinë e tij nga turma. Duke vepruar pa udhëzime nga Zoti, ai nxori shpatën e tij dhe i ra shërbëtorit të kryepriftit. Padyshim që ai synoi ta vriste, por shpata u mënjanua nga një Dorë e Padukshme, kështu që preu vetëm veshin e djathtë të shërbëtorit.

18:11 Jezusi qortoi këtë zell të sëmurë të Pjetrit. Kupa e vuajtjes dhe e vdekjes i ishte dhënë Atij nga Ati i Tij, dhe Ai kishte ndërmend ta pinte atë kupë. Luka, doktori, ka mbajtur shënim se si Zoti e preku dhe e shëroi veshin e Malkut (22:51).

B. Jezusi arrestohet dhe lidhet (18:12-14)

18:12, 13 Kjo ishte hera e parë që njerëzit e ligj ishin në gjendje ta kapnin Jezusin dhe t’i lidhnin duart.

Ana kishte qenë kryeprifti i mëparshëm. Nuk është e qartë përse Jezusi duhej të çohej tej ai në fillim, dhe jo tek Kajafa, dhëndri i tij, i cili ishte kryeprift në atë kohë. Ajo që është e rëndësishme në këtë rast, është fakti se Jezusi në fillim u dërgua në një gjyq përpara Judenjve me qëllim që të provohej se ishte fajtor për blasfemi dhe herezi. Kjo është ajo që ne mund ta quajmë një gjyq fetar. Më pas Ai u çua për t’u gjykuar përpara autoriteteve Romake, dhe këtu përpjekja ishte për të provuar që Ai ishte një armik i Cezarit. Ky ishte gjyqi civil. Përderisa Judenjtë ishin nën qeverisjen Romake, atyre u duhej të punonin sipas ligjeve të tyre. Për shembull, ata nuk mund të ekzekutonin një dënim me vdekje. Kjo gjë duhej bërë nga Pilati.

18:14 Gjoni shpjegoi që kryeprifti ishte i njëjti Kajafa që kishte profetizuar se një njeri duhet të vdiste për kombin (shiko Gjoni 11:50). Ai tani ishte gati për të marrë pjesë në përmbushjen e asaj profecie. James Steward shkruan:

Ky ishte njeriu të cilit i ishte besuar detyra e ruajtjes së shpirtit të kombit. Ai ishte veçuar për të qenë përkthyesi dhe përfaqësuesi i Më të Lartit. Atij i ishte dhënë privilegji i lavdishëm i hyrjes një herë në vit në vendin më të shenjtë. E përsëri ky ishte njeriu që dënoi Birin e Perëndisë. Historia nuk mund të përmbajë ndonjë ilustrim më tronditës se sa ky mbi të vërtetën që mundësitë më të mira fetare në botë si dhe ambientet më premtuese të saj nuk do të sigurojnë shpëtimin e shpirtit të një njeriu. “Më pas unë pashë,” thotë John Bunyan, duke mbyllur librin e tij, “që kishte një rrugë për në ferr, madje edhe nga portat e qiellit.” {{49}}

C. Pjetri mohon Zotin e tij (18:15-18)

18:15 Shumica e studentëve Biblikë besojnë që dishepulli tjetër i përmendur këtu ishte Gjoni, por që përulësia nuk e la atë të përmendte emrin e tij, veçanërisht përpara dështimit të turpshëm të Pjetrit. Nuk na është thënë se si Gjoni ishte i njohur i kryepriftit, por ky është një fakt që e lejoi atë të hynte në oborrin e kryepriftit.

18:16, 17 Pjetri nuk ishte në gjendje të hynte brenda derisa Gjoni doli dhe i foli gruas që qëndronte tek dera. Ne ndoshte mund të mendojmë nëse ishte e sjellshme nga ana e Gjonit të vepronte në këtë mënyrë. Është domethënëse që mohimi i parë i Pjetrit nuk ishte përpara një ushtari të fortë dhe tmerrues, por përpara një portiereje të thjeshtë. Ai mohoi që ishte një dishepull i Jezusit.

18:18 Pjetri tani u bashkua me armiqtë e Zotit dhe u përpoq të mbante të fshehtë identitetin e tij. Ashtu si shumë prej dishepujve të tjerë, ai po ngrohejzjarrin e kësaj bote.

D. Jezusi përpara Kryepriftit (18:19-24)

18:19 Nuk është e qartë nëse kryeprifti këtu është Ana ose Kajafa. Nëse ishte Ana, ashtu siç duket më e mundshme, ai quhej kështu për shkak të respektit pasi ai njëherë e një kohë kishte qenë i ngarkuar me këtë detyrë. Kryeprifti e pyeti Jezusin për dishepujt e Tij dhe për doktrinën e Tij, sikur kjo gjë të përbënte një kërcënim ndaj Ligjit të Moisiut dhe qeverisë Romake. Duket qartë që këta njerëz nuk kishin një çështje të vërtetë për ta ngritur kundër Zotit, dhe kështu që po përpiqeshin për të sajuar një të tillë.

18:20 Jezusi iu përgjigj atij duke i thënë se shërbesa e Tij ishte bërë aq haptazi. Ai nuk kishte asgjë për të fshehur. A kishte mësuar në prani të Judenjve, si në sinagogë ashtu edhe në tempull. Nuk kishte gjëra sekrete.

18:21 Kjo ishte një sfidë për të nxjerrë përpara disa prej Judenjve që e kishin dëgjuar Atë. Le të sillnin ata akuza kundër Tij. Nëse Ai kishte bërë ose kishte thënë diçka gabim, le të dilnin dëshmitarë.

18:22 Sfida me sa duket i acaroi Judenjtë. Ajo i la ata pa asnjë fjalë. Dhe kështu ata u mbështetën tek abuzimi si mjeti i tyre i fundit. Një nga rojat e goditi Jezusin me shuplakë sepse i ishte përgjigjur kryepriftit në atë mënyrë.

18:23 Me një ekuilibër të përsosur dhe me një logjikë të paparë, Shpëtimtari tregoi pandershmërinë e pozicionit të tyre. Ata nuk mund ta akuzonin Atë për një të folur të keqe; e përsëri e qëlluan për shkak se po thoshte të vërtetën.

18:24 Vargjet e mësipërme përshkruajnë pyetjet e bëra përpara Anas. Gjyqi përpara Kajafës nuk është përshkruar nga Gjoni. Ai përfshihet midis 18:24 dhe 18:28.

E. Mohimi i dytë dhe i tretë i Pjetrit (18:25-27)

18:25 Tregimi tani i kthehet Simon Pjetrit. Në të ftohtën e orëve të para të mëngjesit, ai po ngrohej pranë zjarrit. Padyshim që veshja dhe theksi i tij tregonin që ai ishte një peshkatar Galileas. Ai që qëndronte bashkë me të e pyeti nëse ishte një dishepull i këtij Jezusi. Por ai e mohoi Zotin përsëri.

18:26 Tani ishte një nga farefisi i atij të cilit Pjetri ia kishte prerë veshin, që foli me Pjetrin. Ai e kishte parë Pjetrin duke ia prerë veshin të afërmit të tij. “A s’të pashë në kopësht me këtë Jezus?”

18:27 Pjetri për herë të tretë mohoi Zotin. Menjëherë ai dëgjoi të kënduarit e gjelit dhe iu kujtuan fjalët e Zotit, “gjeli nuk do të këndojë përpara se ti të më kesh mohuar tre herë.” Nga ungjijtë e tjerë ne dimë që në këtë moment Pjetri doli jashtë dhe qau me hidhërim.

F. Jezusi përpara Pilatit (18:28-40)

18:28 Gjyqi fetar mbaroi, dhe tani do të fillonte gjyqi civil. Skena zhvillohet në korridorin e gjykimit ose në pallatin e guvernatorit. Judenjtë nuk donin të shkonin në pallatin e një pagani. Ata menduan se do të ndoteshin dhe nuk do të mund të hanin Pashkën. Nuk duket se ata i shqetësonte fakti që ishin duke komplotuar për vdekjen e Birit të Perëndisë. Për ta do të ishte një tragjedi hyrja në një shtëpi pagane, por vrasja ishte një zbavitje e vogël. Augustine shënon:

O verbëri besimpake! Ata do të ndoteshin nga një banesë që nuk ishte e tyrja, dhe nuk do të ndoteshin nga një krim që ishte plotësisht i tyre. Ata kishin frikë se mos ndoteshin nga pretoriumi i një gjykatësi të huaj, dhe nuk kishin frikë se do të ndoteshin nga gjaku i një vëllai të pafaj. {{50}}

Hall komenton:

Mjer ju o priftërinj, skribë, pleq, hipokritë! A mund të ketë ndonjë çati më të papastër sesa ajo e vetë kraharorëve tuaj? Jo muret e Pilatit, por zemrat tuaja, janë të papastra. A është vrasja detyra juaj dhe ju ndaloni përpara një infeksioni lokal? Perëndia do t’ju godasë ju o mure të bardha, po do t’ju godasë! A keni ju aq shumë dëshirë për t’u njollosur me gjak – me gjakun e Perëndisë? Dhe ju frikësoheni se do të ndoteni duke prekur dyshemenë e Pilatit? Shqetësoheni nga një shkop i vogël në grykën tuaj, ndërkohë që gëlltisni një deve ligësie? Dilni jashtë Jerusalemit ju besimtarë të rremë, nëse nuk do të donit të ndoteshit! Pilati duhet të ketë më shumë frikë, se muret e tij do të ndoten me praninë e përbindëshave të padrejtësisë. {{51}}

Poole shënon, “Është një gjë e zakonshme që një njeri të jetë jashtë mase i zellshëm për ritet fetare dhe njëkohësisht krejtësisht i gabuar për gjërat morale.”{{52}} Shprehja “të mund të hanin Pashkën” ndoshta nënkupton festën që ndiqte Pashkën. Vetë Pashka ishte mbajtur një natë më parë.

18:29 Pilati, Guvernatori Romak, u fut në skrupujt fetarë të Judenjve duke shkuar atje ku ata ishin. Ai e filloi gjyqin duke u kërkuar atyre të ngrinin akuzën kundër këtij të Burgosuri.

18:30 Përgjigjja e tyre ishte e ashpër dhe e pasjellshme. Ata thanë në fakt që ata tashmë e kishin gjykuar çështjen dhe e kishin gjetur Atë fajtor. Gjithçka që ata donin nga Pilati ishte thjesht shqiptimi i dënimit.

18:31 Pilati u përpoq ta shmangte përgjegjësinë dhe ua hodhi atë Judenjve. Nëse ata tashmë e kishin gjykuar Jezusin dhe e kishin gjetur fajtor, atëherë përse nuk e dënonin sipas ligjit të tyre? Përgjigjja e Judenjve ishte shumë domethënëse. Ata thanë me më shumë fjalë: “Ne nuk jemi një komb i pavarur. Ne jemi pushtuar nga Romakët. Qeverisja civile është hequr nga duart tona, dhe ne nuk e kemi më autoritetin për të vrarë një njeri.” Përgjigjja e tyre ishte një provë që tregonte se ata ishin nën skllavërinë dhe nënshtrimin e fuqisë pagane. Për më tepër, ata donin t’ia hidhnin Pilatit urrejtjen për vdekjen e Krishtit.

18:32 Vargu 32 mund të ketë dy kuptime të ndryshme: (1) në Mateu 20:19, Jezusi kishte predikuar që Ai do të jepej në duart e paganëve për t’u vrarë. Këtu Judenjtë ishin duke bërë këtë gjë ndaj Tij. (2) Në shumë vende, Zoti tha që Ai do të ngrihej (Gjoni 3:14; 8:28; 12:32, 34). Kjo i referohej vdekjes me anë të kryqëzimit. Judenjtë përdornin goditjen me gurë në raste të dënimit me vdekje; ndërkohë që kryqëzimi ishte metoda e Romakëve. Kështu, me anë të refuzimit për të mos ekzekutuar dënimin me vdekje, Judenjtë përmbushën dy profeci në lidhje me Mesian (shikoni gjithashtu Psalmin 22:16).

18:33 Pilati tani e mori Jezusin në Pretorium për një intervistë private dhe i bëri Atij një pyetje të hapur- “A je ti mbreti i Judenjve?”

18:34 Jezusi iu përgjigj atij, në fakt, “Si një guvernator a ke dëgjuar ti ndonjëherë që Unë jam përpjekur të rrëzoj perandorinë romake? A të është thënë ndonjëherë ty që Unë jam shpallur një Mbret që do të vinte poshtë fuqinë romake? A është kjo një akuzë që ti e di nga eksperienca jote personale apo është thjesht ajo që ti ke dëgjuar nga thëniet e Judenjve?”

18:35 Në pyetjen e Pilatit kishte një përçmim të vërtetë, “A jam unë vallë Jude?” Ai me këtë gjë la të kuptohej që ai vetë ishte një person aq i rëndësishëm saqë nuk ia vlente të merrej me një problem të tillë lokal. Por përgjigjja e tij ishte gjithashtu një pranim i faktit që ai nuk njihte ndonjë akuzë të vërtetë kundër Jezusit. Ai thjesht dinte atë që kishin thënë krerët e Judenjve.

18:36 Atëherë Zoti rrëfeu se ishte një Mbret. Por jo lloji i mbretit për të cilin e akuzonin Judenjtë. Dhe jo ai lloj mbreti që do të kërcënonte Romën. Mbretëria e Krishtit nuk përparon me anë të armëve njerëzore. Ndryshe dishepujt e Tij do të luftonin për të mos lejuar kapjen e Tij nga Judenjtë. Mbretëria e Krishtit nuk është prej këtej, pra jo nga kjo botë. Ajo nuk e merr fuqinë apo autoritetin nga bota; qëllimet dhe objektivat e saj nuk janë mishore.

18:37 Kur Pilati e pyeti Atë nëse ishte një mbret … Jezusi iu përgjigj, “ti thua se unë jam mbret.” Por mbretëria e Tij ka të bëjë me të vërtetën, jo me shpatat dhe mburojat. Mbretëria e Tij ishte për të dëshmuar të vërtetën që Ai erdhi në botë. E vërteta këtu nënkupton të vërtetën për Perëndinë, Vetë Krishtin, Frymën e Shenjtë, njeriun, mëkatin, shpëtimin dhe të gjitha doktrinat e tjera të Krishterimit. Kush është për të vërtetën dëgjon zërin e Tij, dhe kjo është mënyra me të cilën perandoria e Tij rritet.

18:38 Është e vështirë të thuash se çfarë donte të thoshte Pilati kur i tha Jezusit, “Ç’është e vërteta?” A u hutua ai, apo ishte thjesht një sarkazmë, apo ndoshta kishte interes? Gjithçka që ne dimë është që e Vërteta e Mishëruar qëndronte përpara tij, dhe ai nuk e njohu Atë. Pilati tani nxitoi për tek Judenjtë duke pranuar që nuk mundi të gjente asnjë faj tek Ai.

18:39 Midis Judenjve kishte një zakon që për Pashkë t’u kërkonin Romakëve çlirimin e disa të burgosurve. Pilati e mendoi këtë zakon si një përpjekje për të kënaqur Judenjtë dhe në të njëjtën kohë për të liruar Jezusin.

18:40 Skena dështoi. Judenjtë nuk donin Jezusin; ata donin Barabën. Baraba ishte një kusar. Zemra e ligë e njeriut preferoi një bandit në vend të Krijuesit.

G. Verdikti i Pilatit: i pafajshëm por i dënuar (19:1-16)

19:1 Ishte tepër e padrejtë për Pilatin të rrihte me kamxhik një Person të pafajshëm. Ndoshta ai shpresonte që ky dënim do t’i kënaqte Judenjtë dhe që ata nuk do të kërkonin vdekjen e Jezusit. Rrahja me kamxhik ishte një formë Romake e të dënuarit. I burgosuri goditej me një kamxhik ose me një shkop. Kamxhiku kishte pjesë metalesh ose kockash në të, dhe këto prisnin thellë mishin.

19:2, 3 Ushtarët u tallën me shpalljen e Jezusit në të qenurit Mbret. Një kurorë për Mbretin! Por ishte një kurorë gjëmbash. Kjo duhet t’i ketë shkaktuar shumë dhimbje kur iu ngjesh në kokë. Gjembat janë një simbol i mallkimit që solli mëkati për njerëzimin. Këtu ne kemi një pikturë të Zotit Jezus duke mbartur mallkimin e mëkateve tona, kështu që ne të mund të veshim një kurorë lavdie. Manteli i purpurt ishte përdorur në të njëjtën mënyrë për tallje. E purpura ishte ngjyrë mbretërore. Por përsëri na kujton se si mëkatet tona ishin vendosur në Jezusin me qëllim që ne të mund të vishemi me mantelin e drejtësisë së Perëndisë.

Sa solemne është të mendosh për Birin e Përjetshëm të Perëndisë goditur nga shuplakat e krijesave të Tij! Gojët e krijuara prej Tij, tani përdoren për ta tallur Atë!

19:4 Pastaj Pilati doli përsëri dhe i shpalli turmës që ai do t’u nxirrte atyre Jezusin, por që Ai ishte i pafajshëm. Kështu Pilati e dënoi vetveten me anë të vetë fjalëve të tij. Ai nuk gjeti asnjë faj në Krishtin; dhe përsëri nuk e la të shkonte.

19:5 Kur Jezusi doli duke mbajtur kurorën prej gjembash dhe mantelin e purpurt, Pilati e quajti Atë “Njeriu.” Është e vështirë të dish nëse ai e tha këtë me tallje, me simpati, apo pa ndonjë emocion të veçantë.

19:6 Kryeprifti vuri re që Pilati ishte i lëkundur kështu që thirri fort për kryqëzimin e Jezusit. Ishin pikërisht njerëzit fetarë ata që ishin në krye të vrasjes së Shpëtimtarit. Shpesh, nëpër shekuj, kanë qenë zyrtarët fetarë ata që i kanë persekutuar besimtarët e vërtetë në mënyrën më të ashpër. Pilati duket se u mërzit me ata dhe me urrejtjen pa shkak që ata kishin ndaj Jezusit. Ai tha në fakt: “Nëse ju ndiheni kështu, përse nuk e merrni dhe e kryqëzoni ju?” Për sa më përket mua, Ai është i pafajshëm.” E përsëri Pilati e dinte që Judenjtë nuk mund ta vrisnin Atë sepse kjo fuqi në atë kohë gjendej vetëm në duart e Romakëve.

19:7 Kur panë se kishin dështuar të provonin se Jezusi ishte një kërcënim për qeverinë e Cezarit, ata sollën akuzat e tyre fetare kundër Tij. Krishti shpallte barazi me Perëndinë duke thënë që Ai ishte Biri i Perëndisë. Për Judenjtë, kjo ishte blasfemi dhe duhej të dënohej me vdekje.

19:8, 9 Mundësia që Krishti të ishte Bir i Perëndisë e shqetësoi Pilatin. Ai ishte i pasigurt në gjithë këtë çështje dhe kjo gjë e bëri atë të kishte akoma më shumë frikë.

Pilati e mori Jezusin në Pretorium ose në vendin e gjykimit dhe e pyeti se prej nga kishte ardhur. Në gjithë këtë, Pilati paraqiti një figurë shumë tragjike. Ai rrëfeu me gojën e tij që Jezusi nuk kishte bërë asgjë të keqe; dhe përsëri nuk kishte kurajon morale për ta lënë Atë të shkonte sepse kishte frikë nga Judenjtë. Përse Jezusi nuk i dha atij asnjë përgjigje? Ndoshta sepse Ai e dinte që Pilati nuk dëshironte të vepronte sipas dritës që kishte. Duke mëkatuar Pilati kishte larguar ditën e mundësisë së tij. Atij nuk do t’i jepej më tepër dritë sepse ai nuk i ishte përgjigjur dritës që kishte.

19:10 Pilati u përpoq ta detyronte Zotin të përgjigjej duke e kërcënuar. Ai i kujtoi Jezusit që si një guvernator Romak, ai kishte fuqinë apo autoritetin ta lironte ose ta kryqëzonte.

19:11 Vetkontrolli i Zotit Jezus ishte i paharrueshëm. Ai ishte më i qetë sesa Pilati. Ai u përgjigj me qetësi duke i thënë se çdo fuqi që Pilati zotëronte i ishte dhënë nga Perëndia. Të gjitha qeveritë janë caktuar prej së larti nga Perëndia, dhe gjithë autoriteti qoftë civil qoftë frymëror, është nga Perëndia.

Ai që më dorëzoi tek ti,” mund t’i referohet (1) Kajafës, kryepriftit; (2) Judës, tradhëtarit; ose (3) Judenjve në përgjithësi. Mendimi këtu është që këta Judenj duhet ta dinin më mirë. Ata kishin Shkrimet që parashikonin ardhjen e Mesias. Ata duhet ta kishin njohur Atë kur erdhi. Por ata e hodhën poshtë dhe tani po kërkonin jetën e Tij. Ky varg na mëson që ka shkallë të gabimit. Pilati ishte fajtor, por Kajafa dhe Juda, dhe gjithë Judenjtë ishin më tepër fajtorë.

19:12 Në momentin që Pilati ishte gati për ta liruar Jezusin, Judenjtë përdorën argumentin e fundit që kishin. “Po e lirove këtë, nuk je mik i Cezarit.” (Cezar ishte titulli zyrtar i Perandorit Romak). Sikur ata merakoseshin për Cezarin! Ata e urrenin atë. Ata do të donin ta shkatërronin atë, dhe të çliroheshin nga kontrolli i tij. Dhe këtu ata pretendonin se ishin duke e mbrojtur perandorinë e Cezarit nga kërcënimi i këtij Jezusi që shpallte se ishte mbret! Ata e korrën dënimin e kësaj hipokrizie të tmerrshme kur Romakët hynë në Jerusalem në vitin 70 e.s. dhe shkatërruan qytetin dhe vranë dhe prenë banorët e tij.

19:13 Pilati nuk mund të duronte që Judenjtë ta akuzonin atë për mosbesnikëri ndaj Cezarit dhe kështu iu nënshtrua turmës. Ai tani e çoi Jezusin jashtë në një zonë të hapur të quajturKalldrëm,” ku shpesh dorëzoheshin çështje të tilla.

19:14 Aktualisht, festa e Pashkës ishte mbajtur një natë më parë. Dita e përgatitjes së Pashkës nënkupton përgatitjen për festën që e pasonte. “Afërsisht ora e gjashtë” ishte ndoshta ora gjashtë e mëngjesit, por ka disa probleme të pazgjidhura në lidhje me metodat e llogaritjes së kohës në Ungjijtë. “Ja mbreti juaj!” Padyshim që Pilati e tha këtë për të mërzitur dhe provokuar Judenjtë. Ai i fajësoi ata për kurthin që kishin ngritur me qëllim që ai [Pilati] ta dënonte Jezusin.

19:15 Judenjtë ngulnin këmbë për kryqëzimin e Jezusit. Pilati i thumboi ata me pyetjen, “Ju thoni se doni të kryqëzoni mbretin tuaj?” Atëherë Judenjtë e ulën veten aq poshtë saqë thanë, “Ne nuk kemi mbret tjetër përveç Cezarit!” Një komb jobesnik! Të refuzosh Perëndinë tënd për një monark të lig dhe të paudhë.

19:16 Pilati dëshironte t’i kënaqte Judenjtë, kështu që e la Jezusin në dorë të ushtarëve për kryqëzim. Ai e deshte lavdinë e njerëzve më tepër sesa lavdinë që vjen nga Perëndia.

H Kryqëzimi (19:17-24)

.

19:17 Fjala e përkthyer kryq mund t’i referohet një pjese të vetme druri (një tra), ose mund të kenë qenë dy pjesë të kryqit. Sidoqoftë, ishte e një përmase të tillë saqë një njeri mund ta transportonte normalisht. Jezusi e mbajti kryqin e Vet për një farë rruge. Më pas, sipas Ungjijve të tjerë, kryqi iu dha një njeriu të quajtur Simoni nga Kirenea për ta mbajtur. Vendi i quajturKafka“mund ta kishte marrë këtë emër në dy mënyra: (1) Vendi vetë mund të kishte formën e një kafke, veçanërisht nëse ishte një kodër me guva në të. Një vend i tillë është “Kalvari i Gordonit” në Izrael sot. (2) Ishte një vend ku kriminelët ekzekutoheshin; ndoshta kafka dhe kocka gjendeshin në këtë vend, megjithëse nën dritën e Ligjit të Moisiut mbi varrosjen, kjo ka më pak mundësi për të qenë e vërtetë.

19:18 Zoti Jezus u gozhdua në kryq në duar dhe në këmbë. Kryqi më pas u ngrit lart dhe u vendos në një gropë në tokë për të qëndruar në këmbë. I vetmi Njeri i përsosur që pati jetuar ndonjëherë, dhe ky ishte pranimi që të Tijtë i bënë! Nëse ju kurrë nuk e keni besuar Atë si Zot dhe Shpëtimtar, a nuk do ta bënit tani, ndërkohë që lexoni këtë që Ai ka bërë duke vdekur për ty? Dy kusarë u kryqëzuan bashkë me Të, njëri në një anë dhe tjetri në anën tjetër. Kjo ishte një përmbushje e profecisë së Isaias 53:12: “Ai u numërua ndër keqbërës.”

19:19 Ishte një zakon vendosja e një titulli mbi kokën e të kryqëzuarit, ku shkruhej edhe krimi i bërë. Pilati urdhëroi që titulli JEZUSI I NAZARETIT, MBRETI I JUDENJVE, duhej të vendosej në kryqin e mesit.

19:20 Alexander ka shkruar kështu:

Në Hebraisht, në gjuhën e shenjtë të patriarkëve dhe profetëve. Në Greqisht, gjuha e artë dhe muzikale e cila e çonte shpirtin në objektet e shqisave dhe trupin në objektet abstrakte të filozofisë. Në Latinisht, dialekti i një populli që nga origjina ishte më i forti i të gjithë bijve të njeriut. Të treja gjuhët, përfaqësonin të treja racat dhe idetë e tyre – zbulimin, artin, letërsinë; progresin, luftën dhe jurisprudencën. Kudo që ekzistojnë këto tre dëshira të racës njerëzore, kudo që bëhet lajmërimi në gjuhën njerëzore, kudo që ka një zemër për të mëkatuar, një gjuhë për të folur, një sy për të lexuar, Kryqi ka një mesazh. {{53}}

Vendi … ishte afër qytetit. Zoti Jezus u kryqëzua jashtë kufijve të qytetit. Vendodhja e saktë nuk dihet më me saktësi.

19:21 Kryeprifti nuk e pëlqeu shkrimin. Ata dëshironin që kjo të shkruhej si diçka që Jezusi e kishte shpallur dhe jo si një fakt (që në të vërtetë ishte).

19:22 Pilati nuk do ta ndryshonte shkrimin. Ai nuk po i duronte dot Judenjtë dhe nuk do t’ua plotësonte më kërkesat e tyre. Por atij do t’i duhej ta tregonte këtë vendosmëri së shpejti!

19:23 Në ekzekutime të tilla, ushtarëve u lejohej të ndanin gjërat personale të atyre që vdisnin. Këtu ne i gjejmë ata duke ndarë rrobat e Krishtit. Në dukje kishte pesë pjesë gjithsej. Ata ndanë katër, por kishte mbetur edhe tunika, që ishte pa tegel dhe që nuk mund të prihej pa e dëmtuar.

19:24 Ata hodhën short për tunikën dhe ajo iu dha një fituesi pa emër. Ata nuk dinin që duke bërë kështu, kishin përmbushur një profeci të shkruar qindra vjet më parë (Psa. 22:18)! Këto profeci të përmbushura na rifreskojnë kujtesën duke na thënë që ky Libër [Bibla] është Fjala e Perëndisë, dhe që Jezus Krishti është me të vërtetë Mesia.

I. Jezusi e lë nënën e Tij në kujdestari të Gjonit (19:25-27)

19:25 Shumë studentë të Biblës mendojnë që janë katër gra emrat e të cilave janë përmendur në këtë varg: (1) Maria, nëna e Jezusit; (2) motra e Marisë, Salomea, nëna e Gjonit; (3) Maria, gruaja e Kleopas; (4) Maria Magdalenë.

19:26, 27 Pavarësisht nga vuajtjet e mëdha që po kalonte, Zoti kishte një kujdes të veçantë për të tjerët. Duke parë nënën e Tij dhe Gjonin, dishepullin, Ai e prezantoi Gjonin tek ajo si dikush që do të kujdesej për të duke zënë vendin e djalit të saj. Duke e quajtur nënën e Tij, “Grua,” Zoti nuk tregoi ndonjë mungesë respekti për të. Por ama është për t’u vënë re se si Ai nuk e quajti atë “Nënë.” A është ky ndonjë mësim për ata që dëshirojnë ta lartësojnë Marinë në një vend të tillë ku ajo mund të adhurohet? Jezusi këtu e udhëzon Gjonin të kujdeset për Marinë sikur ajo të ishte nëna e tij. Gjoni u bind dhe e mori Marinë në shtëpinë e tij.

J. Vepra e Krishtit përfundohet (19:28-30)

19:28 Midis vargut 27 dhe 28, ne kemi, pa dyshim, tre orët e errësirës – nga mesdita deri në orën tre. Ishte pikërisht gjatë kësaj kohe që Jezusi u braktis nga Perëndia duke vuajtur dënimin e mëkateve tona. Thirrja e Tij “Kam etje” tregonte etje të vërtetë, fizike, e cila ishte si pasojë e kryqëzimit. Por gjithashtu na tregon që, më e madhe se etja e Tij fizike ishte etja e Tij frymërore për shpëtimin e shpirtrave të njerëzve.

19:29 Ushtarët i dhanë uthull për të pirë. Me sa duket ata lagën një sfungjer në fundin e një shkopi prej hisopi dhe ia vendosën në buzë. (Hisopi është një bimë që përdoret në festën e Pashkës – Eksodi 12:22). Kjo nuk duhet ngatërruar me uthullën dhe vrerin që i ishte ofruar më parë (Mt. 27:34). Ai nuk e piu atë sepse kjo mund të shërbente si një lehtësues dhimbjesh. Ai duhet të mbarte mëkatet tona me një ndërgjegje të plotë.

19:30 “U krye!” Vepra që Ati i Tij i kishte dhënë për të kryer! Derdhja e shpirtit të Tij si një ofertë për mëkatin! Vepra e shpengimit dhe e shlyerjes! Është e vërtetë që Ai ende nuk kishte vdekur, por vdekja, varrosja dhe ngjitja e Tij ishin aq të sigurta saqë dukej sikur ato ishin përmbushur tashmë. Kështu Zoti Jezus mund të shpallte që rruga me të cilën mëkatarët mund të shpëtoheshin ishte siguruar. Lavdi Zotit sot për veprën e kryer nga Zoti Jezus atje në kryq të Kalvarit!

Disa studentë të Biblës na tregojnë ne që të ulurit e kryeve mund të nënkuptojë që Ai e anoi kokën me drejtim mbrapa. Vine thotë “Nuk ishte lëshimi i kokës në një mënyrë të pashpresë pas vdekjes, por vendosja e kokës në atë pozicion që tregon çlodhje dhe pushim.”

Ai dha frymën thekson faktin që vdekja e Tij ishte me dëshirë dhe me vullnet të plotë. Ai e vendosi kohën e vdekjes së Tij. Në kontroll të plotë të aftësive të Tij, Ai e largoi Frymën e Vet – një veprim që nuk mund ta bëjë një njeri i thjeshtë.

K. Shpimi i brinjës së Shpëtimtarit (19:31-37)

19:31 Përsëri ne shohim se sa të kujdesshëm ishin këta Judenj fetarë në detajet kur ishin duke kryer një vrasje me gjakftohtësi. Ata “hoqën një yçkël, por gëlltitën një deve.” Ata menduan se nuk do të ishte e përshtatshme që trupat të mbeteshin në kryq ditën e Shabatit ( të shtunën). Në qytet do të kishte një festë fetare. Kështu që i kërkuan Pilatit që të vdekurve t’u thyheshin kërcinjtë për të shpejtuar vdekjen.

19:32 Shkrimet nuk na përshkruajnë se në ç’mënyrë thyheshin kërcinjtë. Megjithatë ato duhet të thyheshin në vende të ndryshme, pasi një thyerje nuk do të shkaktonte vdekje.

19:33 Këta ushtarë kishin përvojë në gjëra të tilla. Ata e dinin që Jezusi ishte tashmë i vdekur. Nuk kishte mundësi që Atij t’i kishte rënë të fikët apo thjesht të kishte humbur ndërgjegjen. Ata nuk ia thyen kërcinjtë.

19:34 Nuk na thuhet se përse një nga ushtarët ia tejshpoi brinjën. Ndoshta ishte një shpërthim përfundimtar i ligësisë së zemrës së tij. “Ishte goditja e zymtë e armikut të mundur pas betejës, duke treguar urrejtjen që kishte zënë vend në zemrën e njeriut, urrejtjen kundër Perëndisë dhe Krishtit të Tij.”

Nuk ka një përputhje mbi domethënien e gjakut dhe ujit. Disa e marrin si një shenjë që tregon se Jezusi kishte vdekur nga një çarje e zemrës – por ne sapo kemi lexuar që vdekja e Tij ishte një akt me një vullnet të plotë. Të tjerë mendojnë që kjo gjë flet për pagëzimin dhe Darkën e Zotit, por një gjë e tillë duket tepër e tendosur. Gjaku flet për pastrimin nga faji i mëkatit; ndërkohë që uji flet për pastrimin nga ndotja që shkakton mëkati, pastrim që bëhet me anë të Fjalës së Perëndisë. Kjo shprehet në këtë varg:

Le të jetë gjaku dhe uji

që rrodhën nga brinja e Tij e tejshpuar

një kurë e dyfishtë për mëkatin,

të më shpëtojë mua nga faji dhe fuqia e tij.

  • Augustus Toplady

19:35 Vargu 35 mund t’i referohet faktit që kërcinjtë e Jezusit nuk u thyhen, tejshpimit të brinjës së Jezusit, ose ndoshta gjithë skenës së kryqëzimit. Ai që e ka parë, padyshim që i referohet Gjonit, që shkroi gjithë këtë.

19:36 Ky varg duket që sheh vargun 33 si një përmbushje të Eksodit 12:46: “nuk do të thyeni asnjë kockë të tij.” Ky varg i referohet qengjit të Pashkës. Dekreti i Perëndisë ishte që kockat të mos thyheshin. Krishti është Qengji i vërtetë i Pashkës, duke e përmbushur llojin e qengjit me saktësi të përsosur.

19:37 Vargu 37 sheh përsëri tek vargu 34. Megjithëse ushtari nuk e vuri re, veprimi i tij ishte një përmbushje tjetër e mrekullueshme e Shkrimit (Zakaria 12:10). “Njeriu ka ligësinë e tij, por Perëndia ka mënyrën e Tij.” Profecia e Zakarias i referohet një dite në të ardhmen kur Judenjtë besues do ta shohin Zotin duke u kthyer në tokë. “Ata do të vështrojnë drejt meje, drejt atij që kanë therur, do të pikëllohen për të, ashtu si pikëllohesh për një bir të vetëm.”

L. Varrosja në varrin e Jozefit (19:38-42)

19:38 Kjo fillon shënimet mbi varrosjen e Jezusit. Deri tani Jozefi nga Arimatea kishte qenë një besimtar sekret. Frika nga Judenjtë e kishte mbajtur atë për të mos e rrëfyer Jezusin hapur. Tani me guxim ai shkoi për të kërkuar trupin e Jezusit për ta varrosur. Duke bërë këtë, ai e prezantoi vetveten me përjashtimin nga sinagoga, me persekutimin dhe me dhunën. Është i trishtueshëm fakti që ai nuk dëshironte të zinte vendin e tij përkrah një Zotërie të hedhur poshtë gjatë kohës që Jezusi u shërbente njerëzve.

19:39, 40 Lexuesit e Gjonit janë të njohur me Nikodemin, pasi e kanë njohur atë natën kur shkoi për ta takuar Jezusin (kap. 3) dhe kur bëri thirrje që Jezusi të dëgjohej nga Sinedri (Gjoni 7:50, 51). Tani ai bashkohet me Jozefin, duke sjellë me vete një përzierje rreth njëqind librash prej mirre dhe aloe. Këto errëza ishin ndoshta në formë pudre dhe shpërndaheshin në gjithë trupin. Më pas trupi mbështillej me pëlhura liri.

19:41 Gati çdo detaj në këtë pjesë është një përmbushje profecie. Isaia kishte profetizuar që njerëzit do të planifikonin ta varrosnin Mesian me të ligun, por që Ai do të ishte me të pasurin në vdekjen e Tij (Isa. 53:9). Një varr i ri në një kopësht me siguri që i përkiste një të pasuri. Në Mateu ne mësojmë që ai i përkiste Jozefit nga Arimatea.

19:42 Trupi i Jezusit u vendos në varr. Judenjtë mezi prisnin që ta hiqnin trupin prej sysh sepse festa e tyre fillonte në perëndim të diellit. Por Perëndia kishte vendosur që trupi të qëndronte në zemër të tokës për tre ditë dhe tre netë. Në lidhje me këtë, duhet të vëmë re që sipas hesapit të Judenjve, çdo pjesë e ditës vlerësohej si një ditë e tërë. Kështu fakti që Zoti ishte në varr për një pjesë të tre ditëve ishte përsëri një përmbushje e parashikimeve të Tij në Mateu 12:40.

[[49]] (18:14) Stewart, Life and Teaching, f. 157.[[49]] [[50]] (18:28) Augustine, Cituar nga Ryle, John, III:248.[[50]] [[51]] (18:28) Bishop Hall, Ibid.[[51]] [[52]] (18:28) Poole, Ibid.[[52]] [[53]] (19:20) Alexander, dokumentacion i mëtejshëm.[[53]]


[previous][next]