Viti i dytë i shërbesës së Birit të Perëndisë (Gjoni 5)

A. Shenja e tretë: shërimi i të paralizuarit (5:1-9)

5:1 Ndërkohë që kapitulli i pestë hapet, kishte ardhur koha për një festë të Judenjve. Shumë besojnë që ishte koha e Pashkës, por është e pamundur për të qenë të sigurt. I lindur në botë si një Jude, dhe duke qenë i bindur ndaj ligjeve që Perëndia i kishte dhënë për Judenjtë, Jezusi u ngjit lart në Jerusalem për festë. Si Jehovah i DhV, Zoti Jezus kishte qenë Ai që kishte vendosur Pashkën në vendin e parë. Tani si një Njeri, i bindur ndaj Atit të Tij, Ai i zbatonte të gjitha ligjet që i kishte bërë Vetë.

5:2 Në Jerusalem ndodhej një pellg i quajtur Betesda {{12}}, që do të thoshte “Shtëpia e mëshirës.” Ky pellg gjendej afër portës së dhenve. Vendodhja e saktë dihet edhe sot (pranë Kishës së Shën Anës). Përreth pellgut ndodheshin pesë portikë ose vende të hapura prej të cilëve mund të kalonin njerëzit. Disa mësues të Biblës mendojnë që këta pesë portikë paraqesin Ligjin e Moisiut dhe tregojnë paaftësinë e tij për ta ndihmuar njeriun të dilte nga problemet e tij të mëdha.

5:3 Me sa duket pellgu i Betesdës njihej si në vend ku ndodhnin mrekulli shërimi. Nëse këto mrekulli ndodhnin gjatë gjithë vitit apo në kohë të veçanta, si për shembull vetëm në ditë festash, ne nuk e dimë. Rreth pellgut ndodheshin shumë njerëz të sëmurë të cilët kishin ardhur me shpresë për t’u shëruar. Disa ishin të verbër, disa të çalë dhe të tjerë të paralizuar. Këto lloje të ndryshme të palëvizshmërisë paraqesin njeriun mëkatar të pashpresë, të verbër, të paralizuar dhe të padobishëm.

Këta njerëz duke vuajtur nga ndikimi i mëkatit në trupat e tyre, po prisnin lëvizjen e ujit. Zemrat e tyre ishin të mbushura me dëshirën e madhe për t’u çliruar nga sëmundja e tyre dhe me të vërtetë donin që të shëroheshin. J. G. Bellet thotë:

Ata hiqeshin zvarrë rreth atij uji të pasigurt, dhe zhgënjyes, ndërkohë që Biri i Perëndisë ishte i pranishëm atje. … Sigurisht që në gjithë këtë ka një mësim për ne. Pellgu i rrethuar nga aq shumë njerëz dhe Jezusi duke kaluar pa u vënë re! Çfarë dëshmie e fesë njerëzore! Gjithë ato rite dhe ceremoni të ndërlikuara që ndiqen nga njerëzit dhe hiri i Perëndisë i harruar. {{13}}

5:4 Tregimi këtu nuk është i mjaftueshëm dhe nuk shuan gjithë kureshtjen tonë. Ne thjesht na është thënë që një engjëll zbriste kohë pas kohe në pellg dhe e lëvizte ujin. I pari që ishte në gjendje të zbriste në ujë në atë kohë, shërohej nga sëmundja. Mund ta imagjinoni se çfarë skene patetike ishte kjo, aq shumë njerëz në nevojë që luftonin për të hyrë në ujë dhe vetëm njëri ishte në gjendje të merrte fuqinë e shërimit.

Ndërkohë që në shumë versione të Biblës, pjesa e fundit e vargut të tretë (duke filluar nga fjalët “prisnin lëvizjen e ujit”) dhe gjithë vargu i katërt mungojnë, këto fjalë janë në shumicën e dorëshkrimeve. Gjithashtu, historia nuk mund të kuptohet aq mirë pa shpjegimin se përse gjendeshin atje këta të sëmurë.

5:5, 6 Një nga njerëzit që ishte duke pritur afër pellgut kishte qenë invalid për tridhjetë e tetë vjet. Kjo do të thotë se ai kishte qenë në këtë gjendje përpara se Shpëtimtari të lindte. Zoti Jezus dinte gjithçka. Ai nuk e kishte takuar kurrë më parë këtë burrë. Por Ai e dinte që ai kishte qenë një invalid për një kohë të gjatë.

Me një dashuri të madhe, Ai i tha “A dëshiron të shërohesh?” Jezusi e dinte që kjo ishte dëshira më e madhe e zemrës së tij. Por Ai dëshironte ta dëgjonte nga goja e atij njeriu ku ai vetë do të pohonte se ishte i pashpresë dhe që kishte nevojë për shërim. Kështu është edhe me shpëtimin. Zoti e di që ne kemi shumë nevojë për shpëtim, por Ai pret ta dëgjojë rrëfimin prej buzëve tona, duke thënë se jemi të humbur, se kemi nevojë për Të dhe se e pranojmë si Shpëtimtarin tonë. Ne nuk shpëtohemi me vullnetin tonë, por përsëri vullneti njerëzor duhet të shfaqet përpara se Perëndia të shpëtojë një shpirt.

5:7 Përgjigjja e të sëmurit ishte akoma më tepër patetike. Për vite të tëra ai kishte qëndruar rreth pellgut, duke pritur për të hyrë atje, por sa herë që uji lëvizej, ishte dikush tjetër që hynte atje. Çdo herë që ai përpiqej për të hyrë atje, gjendej një njeri tjetër që hynte para tij. Kjo na kujton se sa shumë zhgënjehemi nëse varemi tek të tjerët dhe presim që ata të na shpëtojnë nga mëkatet.

5:8 Vigu i tij ishte i përbërë prej ndonjë materiali të lehtë. Jezusi i tha të çohej, të merrte vigun e tij dhe të ecte. Mësimi që del këtu është se kur shpëtohemi, nuk na thuhet vetëm të çohemi, por edhe të ecim. Zoti Jezus na jep shërim nga plaga e mëkatit dhe më pas pret që ne të ecim në një mënyrë të denjë për Të.

5:9 Shpëtimtari kurrë nuk i thotë dikujt të bëjë diçka pa i dhënë fuqinë për ta bërë atë gjë. Kur Ai foli, jetë dhe fuqi e re rrodhën në trupin e invalidit. Ai u shërua menjëherë. Nuk ishte një shërim i përkohshëm. Gjymtyrët që për vite kishin qenë të papërdorshme dhe të dobta, regëtinë me forcë. Më pas pati një bindje të menjëhershme ndaj fjalës së Zotit. Ai mori vigun e tij dhe eci. Çfarë tronditjeje duhet të ketë qenë për të, të bënte këtë veprim pas tridhjetë e tetë vitesh paralize.

Kjo mrekulli ndodhi ditën e Shabatit, ditën e shtatë të javës – e shtuna e ditëve tona. Judenjve u ndalohej të bënin ndonjë punë të shtunën. Ky burrë ishte një Jude, dhe përsëri me udhëzimet e Zotit Jezus, ai nuk hezitoi të merrte vigun e tij pavarësisht nga tradita e Judenjve për atë ditë.

B. Kundërshtimi i Judenjve (5:10-18)

5:10 Kur Judenjtë e panë atë njeri që mori vigun e tij dhe u ngrit ditën e Shabatit, e qortuan. Këta njerëz ishin aq striktë dhe mizorë në zbatimin e riteve fetare, duke u kapur pas shkronjës së ligjit, por vetë nuk tregonin asnjë lloj mëshire për të tjerët.

5:11 I shëruari dha një përgjigje të thjeshtë. Ai tha se Ai që e kishte kuruar i tha të merrte vigun dhe të ecte. Çdokush që kishte fuqinë për të shëruar një njeri i cili kishte qenë sëmurë për tridhjetë e tetë vjet, kishte të drejtë të respektohej, madje edhe kur i tha një njeriu të merrte vigun e tij ditën e Shabatit! Njeriu që u shërua nuk e dinte me të vërtetë se kush ishte Zoti Jezus në atë kohë. Ai foli për Të në një mënyrë të përgjithshme, por me një mirënjohje të thellë.

5:12 Judenjtë mezi prisnin të mësonin se kush ishte ai njeri që kishte guxuar t’i thoshte këtij burri të merrte vigun e tij ditën e Shabatit, dhe kështu që i kërkuan atij të identifikonte personin që kishte thënë një gjë të tillë. Ligji i Moisiut thoshte se kushdo që shkelte Shabatin duhet të goditej me gurë për vdekje. Judenjve nuk i interesonte shumë shërimi i atij burri.

5:13 Burri i shëruar nuk e njihte personin që e kishte kuruar. Dhe ishte e pamundur për të që ta gjente, sepse Jezusi ishte larguar nga turma që ishte atje.

Kjo ngjarje shënon një nga pikat më të rëndësishme të shërbesës publike të Zotit Jezus Krisht. Për shkak se Ai e kreu këtë mrekulli në ditën e Shabatit, Ai nxiti zemërimin dhe urrejtjen e krerëve Judenj. Ata filluan ta ndiqnin dhe të kërkonin jetën e Tij.

5:14 Më pas Jezusi e gjeti atë burrë në tempull, ku padyshim që ai ishte duke falënderuar Perëndinë për mrekullinë që kishte ndodhur në jetën e tij. Zoti i kujtoi atij se i ishte bërë një e mirë e madhe dhe si pasojë ai ishte i detyruar për diçka. Privilegji gjithmonë sjell me vete përgjegjësi. “Ja, ti u shërove, mos mëkato më që mos të të bëhet një gjë më e keqe.” Duket qartë që sëmundja e tij kishte ardhur si rezultat i ndonjë mëkati të bërë në jetën e tij. Kjo nuk është e vërtetë për të gjitha sëmundjet. Shumë herë sëmundja në jetën e një personi nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me ndonjë mëkat që ai ka kryer. Fëmijët, për shembull, mund të sëmuren përpara se të jenë në moshë për të mëkatuar me vetëdije.

“Mos mëkato më,” tha Jezusi, duke shprehur standardin e Perëndisë mbi shenjtërinë. Nëse Ai do të kishte thënë, “Mëkato sa më pak,” Ai nuk do të kishte qenë Perëndi. Perëndia nuk e dënon mëkatin sipas gradëve të ndryshme. Më pas u shtua paralajmërimi, “që mos të të bëhet një gjë më e keqe.” Zoti nuk tha se çdo të thoshte shprehja gjë më e keqe. Megjithatë, Ai synonte t’i thoshte njeriut që mëkati ka pasoja që janë më të tmerrshme se një sëmundje fizike. Ata që vdesin në mëkatet e tyre janë të dënuar me zemërimin dhe vuajtjet e përjetshme.

Është diçka shumë më serioze të mëkatosh kundër hirit sesa kundër ligjit. Jezusi kishte treguar dashuri të mrekullueshme dhe mëshirë kundrejt këtij njeriu. Tani do të ishte një përgjigje e varfër nëse ai do të shkonte dhe do vazhdonte me të njëjtën jetë të mëkatshme si më parë, jetë që kishte shkaktuar këtë lloj sëmundjeje.

5:15 Ashtu si gruaja nga Samaria, ky burrë dëshironte të jepte dëshmi publike për Shpëtimtarin e tij. Ai u tha Judenjve se kishte qenë Jezusi Ai që e kishte shëruar. Ai dëshironte t’i paguante haraç Jezusit, edhe pse Judenjtë nuk ishin të interesuar në një haraç të tillë. Dëshira e tyre ishte ta kapnin Jezusin dhe ta dënonin.

5:16 Këtu kemi një shfaqje të tmerrshme të zemrës së ligë të njeriut. Shpëtimtari kishte ardhur dhe kishte kryer një akt shërimi dhe këta Judenj ishin tërbuar. Ata ishin fyer për shkak të faktit se mrekullia kishte ndodhur ditën e Shabatit. Ata ishin fetarë gjakftohtë, të interesuar më tepër për ritet dhe ceremonitë sesa për bekimin dhe mirëqenien e bashkatdhetarëve të tyre. Ata nuk e kuptuan se Jezusi ishte Ai që kishte vendosur Shabatin në vend të parë dhe tani kishte kryer një akt mëshire në këtë ditë. Zoti Jezus nuk e kishte shkelur Shabatin. Ligji ndalonte punën njerëzore në atë ditë, por nuk ndalonte kryerjen e akteve të mëshirës apo të domosdoshmërisë.

5:17 Pasi pati mbaruar veprën e krijimit në gjashtë ditë, Perëndia pushoi ditën e shtatë. Kjo ditë ishte Shabati. Megjithatë, kur mëkati hyri në botë, qetësia e Perëndisë u prish. Tani Atij i duhej të punonte pa pushim për t’i sjellë burrat dhe gratë përsëri në përbashkësi me Të. Ai do të siguronte një mënyrë shpengimi. Ai do ta dërgonte mesazhin e ungjillit në të gjitha kombet. Kështu nga koha e rënies së Adamit dhe deri tani, Perëndia ka qenë duke punuar pa pushim dhe Ai vazhdon të punojë. Kjo e vërtetë ishte edhe për Zotin Jezus. Ai ishte i zënë me punët e Atit të Tij dhe dashuria dhe hiri i Tij nuk mund të kufizohej brenda gjashtë ditëve të javës.

5:18 Ky varg është shumë i rëndësishëm. Ai na tregon se Judenjtë u bënë akoma më të vendosur për ta vrarë Zotin Jezus sepse Ai jo vetëm që kishte shkelur të shtunën, por edhe se e kishte shpallur veten të barabartë me Perëndinë! Për mendjet e tyre të ngushta, Zoti Jezus kishte shkelur të shtunën, megjithëse kjo nuk ishte e vërtetë. Ata nuk kuptonin se Perëndia kurrë nuk kishte synuar që e shtuna të impononte zorllëk te njeriu. Nëse një njeri mund të shërohej nga një sëmundje ditën e Shtunë, Perëndia nuk do të kishte dashur kurrë që ai të vuante edhe një ditë më shumë duke pritur të Dielën.

Kur Jezusi tha se Perëndia ishte Ati i Tij, ata kuptuan që Ai po e shpallte veten të barabartë me Perëndinë. Për ta kjo ishte një blasfemi e tmerrshme. Por sigurisht që kjo ishte thjesht e vërteta.

A shpalli me të vërtetë Zoti Jezus se ishte i barabartë me Perëndinë? Nëse Ai nuk e kishte synuar një gjë të tillë, atëherë Ai do t’ua kishte shpjeguar këtë gjë Judenjve. Në vend të kësaj, Ai tha në terma akoma më pozitive në vargjet që pasojnë, se Ai ishte me të vërtetë një me Atin. Ashtu siç thotë J. Sidlow Baxter:

Ai shpall barazi në shtatë gjëra të veçanta: (1) i barabartë në punë: “gjërat që bën Ati, i bën edhe Biri” (v 19). (2) i barabartë në njohuri: “sepse Ati e do Birin dhe i dëfton gjithçka që bën vetë” (v 20). (3) i barabartë në të ringjallur “ashtu si Ati ringjall të vdekurit … po kështu edhe Biri i jep jetën kujtdo që do” (v 21 dhe 28, 29). (4) i barabartë në gjykim: “Ati nuk gjykon asnjë, por gjithë gjyqin ia dha të Birit” (v 22 dhe 27). (5) i barabartë në nderim: “të gjithë do ta nderojnë Birin ashtu siç nderojnë Atin” (v 23). (6) i barabartë në përtëritje: “ai që dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më ka dërguar … kalon nga vdekja në jetë” (v 24, 25). (7) i barabartë në ekzistencë: “ashtu si Ati ka jetë në vetvete; kështu ia ka dhënë dhe Birit të ketë jetë në vetvete” (v 26). {{14}}

C. Jezusi mbron shpalljen e Tij të të qenurit i barabartë me Perëndinë (5:19-29)

5:19 Shpëtimtari ishte i lidhur me Perëndinë Atë në një mënyrë aq të gjallë saqë nuk mund të vepronte i pavarur prej Tij. Ai nuk do të thotë se nuk kishte fuqi për të bërë diçka vetë, por që Ai ishte aq i lidhur me Perëndinë saqë do të bënte vetëm gjërat që kishte bërë Ati i Tij. Kur Zoti shpalli barazi me Atin, Ai nuk shpalli pavarësi prej Tij. Ai nuk është i pavarur megjithëse është plotësisht i barabartë me Të.

Zoti Jezus synonte që Judenjtë të mendonin se Ai ishte i barabartë me Perëndinë. Do të ishte absurde për një njeri normal të shpallte se mund të bënte ato gjëra të cilat vetëm Perëndia i bënte. Jezusi shpall se shikon ato çfarë bën Ati. Për të bërë një shpallje të tillë, Atij i duhet të ketë hyrje të vazhdueshme te Ati dhe njohuri të plotë mbi atë çfarë ndodh në qiell. Jo vetëm kaq, por Jezusi shpall se bën ato gjëra që sheh se bën Ati. Ky është sigurisht një pohim i faktit se Ai është i barabartë me Perëndinë. Ai është i gjithpushtetshëm.

5:20 Është një shenjë e veçantë e dashurisë së Atit për Birin e Tij që Ai i dëfton Atij gjithçka që bën vetë. Këto gjëra Jezusi jo vetëm i pa, por Ai kishte fuqinë për t’i kryer. Më pas Shpëtimtari vazhdoi duke thënë se Perëndia do t’i dëftojë vepra më të mëdha, kështu njerëzit të mrekullohen. Tashmë ata e kishin parë Zotin Jezus duke kryer mrekulli. Ata sapo e kishin parë duke shëruar një njeri të paralizuar prej tridhjetë e tetë vjetësh. Por ata do të shihnin mrekulli më të mëdha se kjo. Mrekullia e parë që do të pasonte do të ishte ringjallja prej së vdekurish (v 21). E dyta ishte vepra e gjykimit mbi njerëzimin (v 22).

5:21 Këtu është një thënie tjetër e qartë që tregon barazinë e Birit me Atin. Judenjtë e akuzonin Jezusin që e barazonte Veten me Perëndinë. Ai nuk e mohoi akuzën, por për më tepër dha prova të mëdha të faktit se Ai dhe Ati janë një. Ashtu si Ati ringjall të vdekurit dhe u jep atyre jetën, kështu edhe Biri i jep jetën kujtdo që do. A do të mund të thuhej një gjë e tillë për Të nëse Ai do të ishte një njeri i thjeshtë? Të bësh një pyetje të tillë do të thotë edhe t’i japësh një përgjigje.

5:22 DhR mëson që Perëndia At … i ka dhënë gjithë punën e gjykimit Birit. Që Zoti Jezus të bëjë këtë, Ai duhet të ketë njohuri absolute dhe drejtësi të përsosur. Ai duhet të jetë në gjendje të dallojë mendimet dhe motivet e zemrës së njeriut. Sa e çuditshme ishte që Gjykatësi i gjithë botës qëndronte përpara këtyre Judenjve duke i siguruar ata për autoritetin e Tij dhe përsëri ata nuk e njohën.

5:23 Këtu ne kemi arsyen përse Perëndia i kishte dhënë Birit autoritet për të ngjallur të vdekurit dhe për të gjykuar. Arsyeja është që të gjithë ta nderojnë Birin ashtu siç nderojnë Atin. Kjo është një thënie shumë e rëndësishme, si dhe një nga provat më të qarta në Bibël mbi hyjnishmërinë e Zotit Jezus Krisht. Në gjithë Biblën ne mësojmë që vetëm Perëndia duhet adhuruar. Në Dhjetë Urdhërimet, njerëzve u ndalohej të kishin perëndi tjetër përveç Perëndisë së vërtetë. Tani ne mësojmë që të gjithë duhet ta nderojnë Birin ashtu siç nderojnë Atin. I vetmi përfundim që mund të nxjerrim nga ky varg është që Jezus Krishti është Perëndi.

Shumë njerëz shpallin se adhurojnë Perëndinë, por mohojnë se Jezus Krishti është Perëndi. Ata thonë se Ai ishte një njeri i mirë ose më i perëndishmi se çdo njeri tjetër që mund të ketë jetuar në këtë tokë. Por ky varg e barazon Atë me Perëndinë dhe kërkon që njerëzit t’i japin Atij të njëjtin nderim që i japin edhe Perëndisë At. Nëse një person nuk e nderon Birin, atëherë ai nuk e nderon Atin. Është e kotë të shpallësh se e do Perëndinë, nëse nuk ke të njëjtën dashuri për Zotin Jezus Krisht. Nëse kurrë më parë nuk e ke kuptuar se kush është Jezus Krishti, atëherë përqendrohu mirë mbi këtë varg. Mos harro që kjo është Fjala e Perëndisë dhe prano të vërtetën e lavdishme që Jezus Krishti është Perëndia i shfaqur në mish.

5:24 Në vargjet e mëparshme ne mësuam që Zoti Jezus ka fuqi për të dhënë jetë dhe që puna e gjykimit i është ngarkuar Atij. Tani ne mësojmë se si dikush mund të marrë jetë frymërore prej Tij dhe t’i shpëtojë gjykimit.

Ky është një nga vargjet më të preferuara të ungjillit. Shumë njerëz janë bërë zotërues të jetës së përjetshme me anë të mesazhit të tij. Padyshim që arsyeja për të cilën ky varg duhet aq shumë, është mënyra në të cilën ai shpreh rrugën e shpëtimit. Zoti Jezus fillon vargun me këto fjalë “Në të vërtetë, në të vërtetë,” duke tërhequr vëmendjen tek rëndësia e asaj që do të thoshte. Më pas Ai shtoi shpalljen aq personale, “po ju them.” Biri i Perëndisë është duke na folur në një mënyrë shumë personale dhe intime.

“Ai që e dëgjon fjalën time.” Të dëgjosh fjalët e Jezusit nuk do të thotë vetëm ta dëgjosh, por ta pranosh, ta besosh, t’i bindesh. Shumë njerëz dëgjojnë ungjillin, por nuk bëjnë asgjë. Këtu Zoti po thotë se një njeri duhet t’i pranojë mësimet e Tij si hyjnore dhe të besojë që Ai me të vërtetë është Shpëtimtari i botës.

“Dhe beson në atë që më ka dërguar.” Është një çështje e të besuarit te Perëndia. Por a do të thotë kjo se një person shpëtohet thjesht duke besuar te Perëndia? Shumë veta thonë se besojnë në Perëndi, por që kurrë nuk janë kthyer. Jo, mendimi këtu është se njeriu duhet të besojë që Perëndia e dërgoi Zotin Jezus Krisht në botë. Çfarë duhet të besojë ai? Ai duhet të besojë që Perëndia dërgoi Zotin Jezus për të qenë Shpëtimtari ynë. Ai duhet të besojë atë që Perëndia thotë përreth Zotit Jezus, pra që Ai është Shpëtimtari i vetëm dhe që mëkatet mund të hiqen vetëm me anë të veprës së Tij në Kalvar.

“Ka jetë të përjetshme.” Vini re që nuk thotë se ai do të ketë jetë të përjetshme, por që ai ka pikërisht tani jetën e përjetshme. Jeta e përjetshme është jeta e Zotit Jezus Krisht. Nuk është thjesht një jetë që do të vazhdojë pa mbarim, por është një cilësi tepër e lartë jetese. Është jeta e Shpëtimtarit vendosur në ne që besojmë në Të. Është jeta frymërore që merret kur një njeri lind përsëri, në kontrast me jetën e natyrshme të cilën ai e merr kur lind fizikisht.

“Dhe ai nuk vjen në gjyq.” Mendimi këtu është se ai nuk është i dënuar tani dhe as do të jetë në të ardhmen. Ai që beson në Zotin Jezus është i lirë nga gjykimi sepse Krishti ka paguar dënimin për mëkatet e tij në Kalvar. Perëndia nuk do ta kërkojë pagën për dënimin e tij dy herë. Krishti ka paguar si Zëvendësi ynë dhe kjo është e mjaftueshme. Ai e kreu punën dhe asgjë nuk mund t’i shtohet një pune të përfunduar. I krishteri nuk do të dënohet kurrë për mëkatet e tij. {{15}}

“Por ka kaluar nga vdekja në jetë.” Ai që ka besuar Krishtin ka kaluar nga gjendja e vdekjes frymërore në një jetë të re frymërore. Përpara kthimit ai ishte i vdekur në faje dhe në mëkate. Ai ishte i vdekur për sa i përket dashurisë për Perëndinë apo përbashkësisë me Zotin. Kur ai vë besimin e tij në Jezus Krishtin, ai banohet nga Fryma e Perëndisë dhe bëhet zotërues i jetës hyjnore.

5:25 Kjo është hera e tretë që Zoti përdor shprehjen në të vërtetë në kapitullin 5, dhe hera e shtatë në gjithë këtë ungjill. Kur Zoti tha se po vjen ora, madje ka ardhur, Ai nuk iu referua një periudhe prej gjashtëdhjetë minutash, por për më tepër po thoshte se po vinte koha dhe madje kishte ardhur. Koha këtu i referohet ardhjes së Tij në skenën e historisë.

Cilët janë të vdekurit për të cilët është folur në këtë varg? Cilët janë ata që do ta dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë dhe që do të jetojnë? Kjo mund t’i referohet atyre njerëzve që ishin ringjallur prej së vdekurish gjatë shërbesës publike të Zotit Jezus. Por vargu ka një domethënie më të gjerë se kjo. Të vdekurit i referohet atyre që janë të vdekur në faje dhe në mëkate. Ata dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë kur ungjilli predikohet. Kur ata pranojnë mesazhin dhe marrin Shpëtimtarin, ata kalojnë nga vdekja në jetë.

Për të mbështetur idenë që vargu 25 flet për çështje frymërore dhe jo fizike, ne rendisim krahasimet dhe kontrastet midis këtij vargu dhe vargjeve 28 dhe 29:

v 25 – Jetë nga Vdekja v 28, 29 – Jetë pas vdekjes
“ora po vjen, dhe madje ka ardhur” “ora po vjen”
“të vdekurit” “të gjithë ata që janë në varre”
“do të dëgjojnë zërin” “do të dëgjojnë zërin e Tij”
“ata që dëgjojnë do të jetojnë” “dhe do të dalin”

5:26 Ky varg shpjegon se si një person mund të marrë jetë nga Zoti Jezus. Ashtu si Ati është Burimi dhe Dhuruesi i jetës, kështu Ai ka vendosur që edhe Biri duhet të ketë jetë në Vetvete dhe duhet të jetë në gjendje t’ua japë të tjerëve. Përsëri kjo është një thënie e veçantë në lidhje me hyjninë e Krishtit dhe në lidhje me barazinë e Tij me Atin. Për asnjë njeri nuk mund të thuhet se ka jetë në vetvete. Secilit prej nesh i është dhënë jeta, por jo Atit ose Birit. Ata kanë pasur jetën në vetvete nga gjithë përjetësia. Ajo jetë nuk ka patur kurrë një fillim. Nuk ka patur kurrë një burim të pavarur prej Tyre.

5:27 Perëndia ka vendosur jo vetëm që Biri të ketë jetë në vetvete, por i ka dhënë autoritetin për të gjykuar Botën. Fuqia për të gjykuar i është dhënë Atij sepse Ai është Biri i Njeriut. Titulli Bir i Perëndisë na kujton se Zoti Jezus është një nga Anëtarët e Trinitetit të shenjtë, një nga Personat e Hyjnisë. Si Bir i Perëndisë, Ai është i barabartë me Atin dhe me Frymën e Shenjtë dhe si Bir i Perëndisë, Ai jep jetë. Por Ai është gjithashtu Bir i Njeriut. Ai erdhi në këtë botë si një Njeri, jetoi këtu mes njerëzve dhe vdiq në kryq si një Zëvendësues për burrat dhe gratë. Ai u hodh poshtë dhe u kryqëzua kur erdhi në botë si një Njeri. Kur Ai vjen përsëri, Ai do të vijë për të gjykuar armiqtë e Tij dhe të nderohet në të njëjtën botë ku u trajtua aq mizorisht. Ngaqë është Perëndi dhe Njeri, Ai është përsosmërisht i kualifikuar për të qenë një Gjykatës.

5:28 Pa dyshim që kur Jezusi ishte duke bërë këto thënie të forta në lidhje me barazinë e Tij me Perëndinë At, Judenjtë që po dëgjonin ishin mahnitur. Ai sigurisht që kuptoi, mendimet që po përshkonin mendjet e tyre, dhe kështu u tha atyre që nuk duhet të mrekulloheshin me gjëra të tilla. Më pas Ai vazhdoi për t’u zbuluar atyre disa të vërteta akoma më tronditëse. Në një kohë në të ardhmen, të gjithë ata, trupat e të cilëve janë në varre do ta dëgjojnë zërin e Tij. Sa marrëzi do të ishte për dikë që nuk ishte Perëndi të parashikonte se trupat që janë në varre një ditë do të dëgjojnë zërin e Tij! Vetëm Perëndia mund ta mbështesë një thënie të tillë.

5:29 Të gjithë të vdekurit do të ngjallen një ditë. Disa do të ringjallen në jetë dhe të tjerët në dënim. Çfarë e vërtete solemne është kjo që çdo person që ka jetuar apo që do të jetojë ndonjëherë bie në një nga këto dy klasa! {{16}}

Vargu 29 nuk mëson që njerëzit që kanë bërë mirë janë ata që do të shpëtohen për shkak të veprave të mira të tyre, dhe ata që kanë bërë keq do të dënohen për shkak të jetëve të tyre të këqija. Një person nuk shpëtohet duke bërë mirë, por ai bën mirë ngaqë është i shpëtuar. Veprat e mira nuk janë rrënja e shpëtimit, por për më tepër fryti i tij. Ato nuk janë shkaku, por efekti i shpëtimit. Shprehja ata që kanë bërë të liga, përshkruan ata që kurrë nuk e kanë vendosur besimin e tyre në Zotin Jezus, dhe si pasojë jetët e të cilëve kanë qenë të këqija në sy të Perëndisë. Ata do të ngjallen për të qëndruar përpara Perëndisë dhe për t’u dënuar me vdekje të përjetshme.

D. Katër dëshmi që tregojnë se Jezusi është Biri i Perëndisë (5:30-47)

5:30 “Unë s’mund të bëj asgjë nga vetja ime,” duket sikur thotë se Zoti Jezus nuk ka asnjë fuqi për të bërë diçka vetë. Por kjo nuk është domethënia këtu. Mendimi është se Ai është kaq i bashkuar me Perëndinë At saqë nuk mund të veprojë vetë. Ai nuk mund të bëjë asgjë me autoritetin e Tij. Në Të nuk ka asnjë shenjë të të vepruarit me vullnetin e Tij. Ai veproi në bindje të përsosur ndaj Atit të Tij dhe në një bashkësi dhe harmoni të plotë me Të.

Ky varg është përdorur shpesh nga mësuesit e rremë për të mbështetur idenë e tyre se Jezus Krishti nuk është Perëndi. Ata thonë se shkaku i asaj që nuk mund të bënte asgjë vetë, ishte se Ai ishte vetëm një njeri. Por kjo provon krejtësisht të kundërtën. Njerëzit mund të bëjnë gjërat që dëshirojnë, qofshin ato në përputhje me vullnetin e Perëndisë apo jo. Por për shkak të asaj se Kush ishte, Zoti Jezus nuk mund të vepronte kështu. Nuk ishte një pamundësi fizike, por një pamundësi morale. Ai kishte fuqi fizike për të bërë gjithçka, por nuk mund të bënte ndonjë gjë që ishte e gabuar. Dhe do të kishte qenë një gabim për Të të kishte bërë diçka që nuk ishte vullneti i Perëndisë At për Të. Kjo thënie e veçon Zotin Jezus nga çdo njeri tjetër që ka jetuar ndonjëherë.

Zoti Jezus mendonte, mësonte dhe vepronte duke dëgjuar Atin përditë dhe duke marrë udhëzime prej Tij. Fjala gjyq këtu nuk ka të bëjë me marrjen e vendimeve ligjore, por për më tepër me marrjen e vendimeve që ishin të përshtatshme për t’u marrë dhe për t’u thënë nga ana e Tij.

Ngaqë Shpëtimtari nuk kishte motive egoiste, Ai mund t’i merrte vendimet në mënyrë të drejtë dhe të paanshme. Ambicja e Tij e vetme ishte të kënaqte të Atin dhe të bënte vullnetin e Tij. Asgjë nuk mund të lejohej për të penguar këtë gjë. Prandaj gjykimi i Tij mbi çështje të ndryshme nuk mund të ndikohej nga diçka që do të ishte për të mirën e Tij. Opinionet dhe mësimet tona në përgjithësi ndikohen nga ajo çfarë ne duam të bëjmë apo të besojmë. Por nuk është kështu me Birin e Perëndisë. Opinionet ose gjykimet e Tij nuk bazoheshin në anësinë e Tij. Ai ishte pa paragjykime.

5:31 Në vargjet që mbeten nga ky kapitull, Zoti Jezus Krisht përshkroi dëshmi të ndryshme në lidhje me hyjnishmërinë e Tij. Ishte dëshmia e Gjon Pagëzorit (v 32-35), dëshmia e veprave të Tij (v 36), dëshmia e Atit (v 37, 38), dhe dëshmia e Shkrimeve të DhV (39-47).

Së pari, Jezusi dha një thënie të përgjithshme në lidhje me dëshminë. Ai tha, “Nëse dëshmoj për veten dëshmia ime nuk është e vërtetë.” Kjo nuk do të thotë aspak që Zoti Jezus mund të thoshte diçka që nuk ishte e vërtetë. Përkundrazi, Ai thjesht ishte duke thënë se dëshmia e një personi të vetëm nuk konsiderohej një dëshmi e mjaftueshme në një gjyq. Dekreti hyjnor i Perëndisë ishte që të paktën dy ose tre dëshmitarë ishin të nevojshëm në marrjen e një vendimi të vlefshëm. Dhe kështu Zoti Jezus ishte gati të jepte jo vetëm dy ose tre, por katër dëshmi në lidhje me hyjnishmërinë e Tij.

5:32 Ekziston pyetja nëse ky varg i referohet Gjon Pagëzorit, Perëndisë At apo Frymës së Shenjtë. Disa besojnë që fjala një tjetër përshkruan Gjon Pagëzorin dhe që ky varg është i lidhur me tre të tjerët që pasojnë. Të tjerë besojnë që Zoti këtu ishte duke folur përreth dëshmisë që jep Fryma e Shenjtë në lidhje me Të. Ne besojmë që Ai po i referohej dëshmisë së Atit (fjala Ai shkruar me gërma të mëdha në përkthimet e NKJV tregon një referim ndaj Hyjnisë).

5:33 Pasi ka paraqitur më të madhen e dëshmive të Tij, pra Atin, Zoti i kthehet dëshmisë së Gjonit. Ai i kujtoi Judenjve mosbesues që ata më parë kishin dërguar njerëz te Gjoni për të dëgjuar çfarë kishte për të thënë ai, dhe gjithë dëshmia e Gjonit ishte për Zotin Jezus Krisht. Në vend që t’i afronte njerëzit te vetja e tij, Gjoni i drejtonte ata te Shpëtimtari. Ai dëshmoi për Atë që është e vërteta.

5:34 Zoti Jezus i kujtoi dëgjuesit e Tij se shpallja e Tij në lidhje me barazinë që kishte me Perëndinë nuk bazohej thjesht në dëshminë e qenieve njerëzore. Nëse kjo ishte gjithçka që zotëronte, atëherë rasti i Tij do të ishte i dobët. Por Ai e paraqiti dëshminë e Gjon Pagëzorit, pasi ai ishte një njeri i dërguar nga Perëndia dhe pasi ai dëshmoi se Zoti Jezus ishte me të vërtetë Mesia dhe Qengji i Perëndisë që heq mëkatin e botës.

Më pas Ai shtoi, “por i them këto gjëra që ju të shpëtoheni.” Përse po u fliste Zoti Jezus Judenjve me një forcë të tillë? A ishte Ai thjesht duke u përpjekur të tregonte se kishte të drejtë dhe se ata po gabonin? Përkundrazi, Ai po sillte para tyre këto të vërteta të mrekullueshme me qëllim që ata të mund të kuptonin se kush ishte Ai dhe ta pranonin Atë si Shpëtimtarin e premtuar. Ky varg na jep një pikturë të qartë të zemrës së butë dhe të dashur të Zotit Jezus. Ai fliste me ata që e urrenin dhe që kërkonin t’i merrnin jetën. Por në zemrën e Tij nuk kishte urrejtje për ta. Ai kishte vetëm dashuri për ta.

5:35 Këtu Zoti e nderon Gjon Pagëzorin si një kandil që digjet dhe ndriçon. Kjo do të thotë se ai ishte një njeri tepër i zellshëm, me një shërbesë që u sillte dritë të tjerëve dhe që u konsumua duke i drejtuar të tjerët te Jezusi. Fillimisht, Judenjtë kishin shkuar pas Gjonit. Ai ishte një figurë e çuditshme dhe e re që kishte hyrë në jetët e tyre dhe ata shkuan për ta dëgjuar. Për pak kohë, ata e pranuan si një mësues të famshëm fetar.

Përse atëherë pra, pasi kishin pranuar Gjonin aq përzemërsisht, nuk pranonin Atë për të cilin kishte predikuar Gjoni? Ata u gëzuan përkohësisht, por në ta nuk kishte pendim. Ata ishin të paqëndrueshëm. Ata pranuan pararendësin, por nuk pranonin Mbretin! Jezusi e nderoi shumë Gjonin. Është një lavdërim i vërtetë nga Biri i Perëndisë nëse një shërbëtor i Krishtit quhet një kandil që digjet dhe që ndriçon. Secili nga ne që duam Zotin Jezus, dëshirofshim që edhe ne të jemi flakë zjarri për Të, që digjemi për t’i sjellë botës dritë.

5:36 Dëshmia e Gjon Pagëzorit nuk ishte prova më e madhe që Krishti kishte për hyjninë e Tij. Mrekullitë që i dha Ati për të bërë, dëshmonin se Ai ishte dërguar me të vërtetë nga Ati. Mrekullitë në vetvete nuk janë një shenjë hyjnishmërie. Në Bibël ne lexojmë për njerëz të cilëve u ishte dhënë fuqia për të kryer mrekulli, dhe ne lexojmë gjithashtu se edhe qeniet djallëzore kanë fuqi për të bërë mrekulli të mbinatyrshme. Por mrekullitë e Zotit Jezus ishin ndryshe nga gjithë të tjerat. Para së gjithash, Ai kishte fuqi në Vetvete për t’i bërë këto vepra madhështore, ndërsa të tjerëve kjo fuqi u ishte dhënë. Njerëz të tjerë kanë kryer mrekulli, por ata nuk mund ta jepnin këtë fuqi te të tjerët me qëllim që edhe ata të kryenin të njëjtat mrekulli. Zoti Jezus jo vetëm që kreu mrekulli Vetë, por u dha autoritet apostujve të Tij për të bërë të njëjtën gjë. Për më tepër, veprat e kryera nga Shpëtimtari ishin ato vepra për të cilat ishte profetizuar në DhV në lidhje me Mesian. Së fundi, mrekullitë që Zoti Jezus kreu ishin unike në karakterin, sferën e veprimtarisë dhe numrin e tyre.

5:37, 38 Përsëri Zoti foli për dëshminë që Ati kishte dhënë për Të. Ndoshta kjo i referohet kohës kur Zoti Jezus u pagëzua. Atëherë, zëri i Perëndisë At ishte dëgjuar nga qielli duke thënë se Jezusi ishte Biri i Tij i dashur, në të cilin Ai ishte kënaqur. Por duhet shtuar që në jetën, shërbesën dhe mrekullitë e Zotit Jezus, Ati dëshmoi për faktin se Ai ishte me të vërtetë Biri i Perëndisë.

Judenjtë mosbesues nuk e kishin dëgjuar kurrë zërin e Tij dhe as nuk e kishin parë fytyrën e Tij. Kjo për shkak se ata nuk e kishin fjalën e Tij që të banonte në ta. Perëndia u flet njerëzve nëpërmjet Fjalës së Tij, Biblës. Këta Judenj kishin shkrimet e DhV, por ata nuk e lejonin Perëndinë t’u fliste me anë të shkrimeve. Zemrat e tyre ishin ngurtësuar dhe veshët e tyre nuk mund të dëgjonin.

Ata nuk e kishin parë kurrë fytyrën e Perëndisë, ose Personin e Tij sepse ata nuk besonin në Atë që Perëndia kishte dërguar. Perëndia At nuk ka një Fytyrë apo një Formë të dukshme për sytë vdekatarë. Ai është Frymë dhe si pasojë e kësaj është i padukshëm.

Por Perëndia iu shfaq njerëzve në Personin e Zotit Jezus Krisht. Në të vërtetë ata që besuan në Krishtin panë Fytyrën e Perëndisë. Jobesimtarët e panë Atë si një njeri si gjithë të tjerët.

5:39 Pjesa e parë e këtij vargu mund të kuptohet në dy mënyra {{17}}. Para së gjithash, Zoti Jezus mund të jetë duke i thënë Judenjve që të hetonin Shkrimet. Ose Ai thjesht mund të jetë duke thënë se ata i hetuan Shkrimet pasi menduan se thjesht duke i zotëruar ato, ata kishin jetën e përjetshme. Të dyja këto interpretime mund të jenë të mundshme. Ata nuk kishin kuptuar se Shkrimet e DhV që flisnin për ardhjen e Mesias, ishin duke përshkruar Jezusin. Është e tmerrshme të mendosh se njerëz me Shkrimet në dorën e tyre mund të jenë kaq të verbër. Por ishte akoma më e pafalshme që edhe pasi Zoti Jezus u foli atyre në këtë mënyrë, ata refuzuan ta pranonin Atë. Vështroni me kujdes pjesën e fundit të këtij vargu. “Ato janë këto që dëshmojnë për Mua.” Kjo thjesht do të thotë se subjekti kryesor i DhV ishte ardhja e Mesias. Nëse dikush nuk arrin të kuptojë këtë gjë duke studiuar DhV, ai ka humbur pjesën më të rëndësishme të tij.

5:40 Judenjtë nuk donin të vinin te Krishti të kishin jetë. Arsyeja kryesore që njerëzit nuk e pranojnë Shpëtimtarin, nuk është se ata nuk e kuptojnë Ungjillin, por se u duket e pamundur të besojnë në Jezusin. Nuk ka asgjë përreth Zotit Jezus që e bën të pamundur besimin e tyre tek Ai. Gabimi i vërtetë shtrihet në vetë vullnetin e njeriut. Ai i do mëkatet e tij më shumë se Shpëtimtarin. Ai nuk do që të heqë dorë nga rrugët e tij të këqija.

5:41 Duke i dënuar Judenjtë për dështimin e tyre në pranimin e Tij, Zoti nuk dëshironte që ata të mendonin se Ai ishte lënduar pasi ata nuk e kishin nderuar. Ai nuk erdhi në këtë botë me synimin për të qenë lavdëruar nga njerëzit e kësaj bote. Ai nuk varej në lavdërimin e tyre, por për më tepër kërkonte lavdërim nga Ati i Tij. Madje edhe pse njerëzit e hodhën poshtë, kjo nuk e tërhoqi nga lavdia e Tij.

5:42 Këtu na jepet shkaku i dështimit të njeriut për të pranuar Birin e Perëndisë. Këta njerëz nuk kishin në vetvete dashuri për Perëndinë, pra ata e donin vetveten më shumë sesa Perëndinë. Nëse e donin Perëndinë, ata do ta kishin pranuar Atë të cilin e dërgoi Perëndia. Duke kundërshtuar Zotin Jezus, ata treguan mungesën e dashurisë ndaj Atit të Tij.

5:43 Zoti Jezus erdhi në emër të Atit të Tij, gjë që tregon se Ai erdhi për të bërë vullnetin e Atit të Tij, për t’i sjellë lavdi Atit të Tij dhe për t’iu bindur Atit në gjithçka. Nëse njerëzit do ta kishin dashur me të vërtetë Perëndinë, ata do ta kishin dashur Atë që kërkonte të kënaqte Perëndinë në gjithçka që bënte dhe thoshte.

Jezusi tani parashikoi se një tjetër do të vinte në emër të Tij dhe Judenjtë do ta pranonin. Ndoshta në një farë kuptimi Ai ishte duke iu referuar shumë mësuesve të rremë që u ngritën pas Tij dhe që kërkuan të nderoheshin nga kombi. Ndoshta Ai ishte duke iu referuar krerëve të kulteve të rreme në gjithë kohërat të cilët kanë shpallur se kanë qenë Krishti. Por ka shumë mundësi që Ai të jetë duke iu referuar Antikrishtit. Një ditë në të ardhmen, një kre i vet-vendosur do të ngrihet mes Judenjve dhe do të kërkojë të adhurohet si Perëndi (2 Thes. 2:8-10). Shumica e kombit Jude do ta pranojë Antikrishtin si drejtues të saj dhe si rezultat ata do të bien në gjykimin e ashpër të Perëndisë (1 Gjonit 2:18).

5:44 Këtu Zoti jep një arsye tjetër në lidhje me dështimin e Judenjve në pranimin e Tij. Ata ishin më tepër të interesuar në miratimin e njerëzve sesa në miratimin e Perëndisë. Ata kishin frikë nga opinioni i të tjerëve nëse do të hiqnin dorë nga Judaizmi. Ata nuk dëshironin të duronin vuajtjet dhe sharjet që do të vinin si pasojë e ndjekjes së Jezusit. Për sa kohë që një person do të ketë frikë nga fakti se çfarë do të thonë apo bëjnë të tjerët, ai nuk mund të shpëtohet. Për të besuar në Zotin Jezus, një person duhet të dëshirojë miratimin e Perëndisë më shumë se çdo gjë tjetër. Ai duhet të kërkojë lavdinë që vjen vetëm nga Perëndia.

5:45 Zotit nuk do t’i duhet t’i akuzojë këta Judenj tek Ati. Sigurisht që kishte shumë akuza për t’i çuar ata përpara Tij. Por kjo gjë nuk do të ishte e nevojshme për ta, sepse shkrimet e Moisiut do të mjaftonin për t’i akuzuar ata. Këta Judenj mburreshin shumë me DhV dhe sidomos me pesë librat e shkruara nga Moisiu, Torah. Ata ishin shumë krenarë që këto Shkrime i ishin dhënë Izraelit. Por problemi ishte se ata nuk i bindeshin fjalëve të Moisiut, ashtu siç tregon vargu 46.

5:46 Zoti Jezus i vendosi shkrimet e Moisiut në të njëjtin nivel me fjalët e Tij. Na kujtohet se “gjithë shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia.” Qofshim duke lexuar DhV ose të Renë, ne jemi duke lexuar Fjalën e Perëndisë. Nëse Judenjtë do t’i kishin besuar fjalët e Moisiut, ata do t’i kishin besuar edhe Zotit Jezus, sepse Moisiu shkroi për ardhjen e Krishtit. Një shembull për këtë gjendet në Ligji i Perterire 18:15, 18:

Zoti, Perëndia yt, do të krijojë për ty një profet si unë në mes teje dhe vëllezërve të tu. Atë keni për ta dëgjuar … Unë do të nxjerr për ta një profet nga gjiri i vëllezërve të tyre dhe do të vë në gojën e tij fjalët e mia, dhe ai do t’u thotë atyre të gjitha ato që unë do t’i urdhëroj.

Në këto vargje Moisiu parashikoi ardhjen e Krishtit dhe u tha Judenjve ta dëgjonin Atë dhe t’i bindeshin kur Ai të vinte. Tani Zoti Jezus kishte ardhur, por ata dështuan ta pranonin. Kështu Ai tha se Moisiu do t’i akuzonte ata te Ati pasi ata pretendonin se besonin në Moisiun por nuk bënin atë çfarë Moisiu i urdhëronte. Fjalët ai shkroi për Mua, janë një thënie e qartë e Zotit Jezus që tregon se Shkrimet e shenjta përmbajnë profeci për Të. Augustine ka thënë: “E reja fshihet në të Vjetrën; E vjetra është zbuluar në të Renë.”

5:47 Nëse Judenjtë nuk do t’u besonin Shkrimeve të Moisiut nuk ishte e mundur që t’u besonin fjalëve të Jezusit. Ka një lidhje të ngushtë midis DhV dhe DhR. Nëse një njeri vë në dyshim frymëzimin e Shkrimeve të DhV, nuk është e mundur për të të besojë se fjalët e Zotit Jezus janë të frymëzuara. Nëse njerëzit kapen pas disa pjesëve të Biblës, nuk do të kalojë shumë kohë dhe ata do të dyshojnë për pjesën tjetër të Librit. King thotë:

Zoti sigurisht që e ka hedhur fjalën tek Pesë librat e Moisiut – pjesa e Biblës që ka qenë sulmuar më shumë se çdo pjesë tjetër; dhe është për t’u habitur pasi kjo është pjesa që është cituar më shumë se çdo pjesë tjetër nga Zoti. Sikur donte të vendoste vulën e Tij, përpara se të fillonin sulmet. {{18}}

[[12]] (5:2) Teksti kritik shkruan Bethzatha, por arkeologjia ka konfirmuar emrin tradicional të përdorur në shumicën e dorëshkrimeve dhe në traditën KJV.[[12]] [[13]] (5:3) James Gifford Bellet , The Evangelists, f. 50.[[13]] [[14]] (5:18) J. Sidlow Baxter, Explore the Book, V:309.[[14]] [[15]] (5:24) Ka vargje të tjera të cilat mësojnë që një besimtar një ditë do të qëndrojë përpara Fronit Gjykues të Krishtit (Rom. 14:10; 2 Kor. 5:10). Megjithatë, në këtë gjykim nuk do të sillet çështja e mëkatit të tij. Kjo çështje është mbyllur në Kalvar. Në Fronin Gjykues të Krishtit, do të shikohet jeta dhe shërbesa e krishterë, dhe besimtari ose do të shpërblehet ose do të vuajë humbje. Nuk do të jetë një çështje e shpëtimit të shpirtit, por e frytdhënies së jetës së tij.[[15]] [16] Nëse ky do të ishte vargu i vetëm në Bibël që flet për ringjalljen, njerëzit do të mendonin që të gjithë të vdekurit do të ringjallen në të njëjtën kohë. Megjithatë, ne dimë nga pjesë të tjera të Shkrimit, veçanërisht Zbulesa 20, që tregon se do të ketë një periudhë prej të paktën 1000 vjetësh midis dy ringjalljeve. Ringjallja e parë është ajo e atyre që janë shpëtuar me anë të besimit në Jezus Krishtin. Ringjallja e dytë përfshin të gjithë ata që kanë vdekur si jobesimtarë.[[16]] [[17]] (5:39) Folja Greke për hetoj është me dy kuptime. Ajo mund të jetë në formën urdhërore (“heto,” KJV) ose në mënyrën dëftore (“ju hetoni” NKJV). Konteksti favorizon përkthimin NKJV.[[17]] [[18]] (5:47) Guy King, To My Son, f. 104.[[18]]


[previous][next]