Kapitulli 3 fillon një radhë diskutimesh nga Jobi dhe miqtë e tij, që është pjesa më e gjatë dhe më e ndërlikuar e librit. Rajdauti (Ridout) e përshkruan mjaft mirë në këtë mënyrë:
Është quajtur me të drejtë Koklavitja, sepse është një grumbull argumentesh, padish, akuzash, dyshimesh, teorish pjesërisht të sakta, përveç shfaqjeve të besimit dhe të shpresës – të gjitha këto në gjuhën e një poezie të butë, me shkëlqimin madhështor të metaforës lindore. Ndaj lexuesit të zakonshëm mund t’i duket se nuk ka rritje, por vetëm pak qartësi në polemikë. Dhe duhet rrëfyer se njerëzit e Perëndisë, në përgjithësi, duket se kanë fituar pak nga këta kapituj, përveç disa vargjeve të njohura, shumë të bukura e të cituara shpesh [7].
Këto diskutime mund të ndahen në tri seri: ligjërata e parë e Jobit, më pas merr përgjigje nga një prej miqve të tij; Jobi i përgjigjet atij, duke marrë më pas përgjigjen nga një tjetër; Jobi i mjerë flet për të mbrojtur përsëri veten – por vetëm duke marrë qortime nga miku i tretë!
Tri seritë e diskutimeve mund të shihen si vijon:
Faza e parë:
Jobi: kapitulli 3
Elifazi: kapitujt 4,5
Jobi: kapitujt 6,7
Bildadi: kapitulli 8
Jobi: kapitujt 9,10
Zofari: kapitulli 11
Faza e dytë:
Jobi: kapitujt 12-14
Elifazi: kapitulli 15
Jobi: kapitujt 16,17
Bildadi: kapitulli 18
Jobi: kapitulli 19
Zofari: kapitulli 20
Faza e tretë:
Jobi: kapitulli 21
Elifazi: kapitulli 22
Jobi: kapitujt 23,24
Bildadi: kapitulli 25
Jobi: kapitujt 26-31
(Zofari nuk e merr më fjalën).
Argumentet e tre miqve mund të përmblidhen si vijon:
Elifazi thekson përvojën apo zbatimin e përgjithshëm: “Kam parë unë vetë …” (4:8,15; 5:3; 15:7; 22:19).
Bildadi është zëri i traditës dhe autoriteti i lashtësisë (8:8). “Diskutimet e tij janë të mbushura me fjalë të urta dhe fjalë të perëndishme, të cilat, edhe pse shumë të vërteta, njihen nga të gjithë (9:1-3; 13:2)” [8].
Zofari këshillon legalizmin dhe fetarinë (11:14,15). “Ai hamendëson se njeh çfarë do të bëjë Perëndia në një rast të dhënë, pse do ta bëjë dhe cilat janë mendimet e Tij rreth asaj gjëje” [9]. Idetë e tij janë hamendësime të thjeshta, dogmatizëm i pastër.
Pjesa tjetër e librit vazhdon me një fjalim të gjatë të një të riu që quhej Elih (kapitujt 32-37) dhe më pas nga një bashkëbisedim mes Perëndisë dhe Jobit (kapitujt 38-42). Libri i Jobit mbaron me një epilog në prozë që i ngjan prologut.
A. Faza e parë e ligjëratave (kapitujt 3-14)
1. Vajtimi hyrës i Jobit (kapitulli 3)
3:1-9 Ky kapitull është titulluar me të drejtë “Ditëlindja e palumtur”, sepse në të Jobi mallkon ditën e lindjes së tij, ngre lart bekimet e vdekjes dhe, megjithatë, qahet se nuk mund të vdesë! Ai e quan terr të plotë ditën që u ngjiz një mashkull – ai vetë.
3:10-12 Meqë ai ishte ngjizur dhe lindur, pse të mos kishte vdekur sapo doli nga barku? (Ia vlen të përmendim se, edhe në hidhërimin dhe trishtimin e tij të tmerrshëm, Jobi nuk hedh as idenë e dështimit [abortit], as idenë e foshnjëvrasjes, të cilat ishin gjëra të këqija në botën e lashtë dhe janë njësoj sot në atë perëndimore.)
3:13-19 Jobi ngre lart vdekjen si një gjendje atje poshtë ku çlodhen të lodhurit, ka të vegjël dhe të mëdhenj dhe skllavi është i lirë nga pronari i tij.
3:20-26 Më pas pyet pse u jepet drita e jetës atyre që janë në hidhërim (si në rastin e tij) dhe të cilët presin vdekjen si thesaret e fshehura.
Vargu 25 është shumë i famshëm: Sepse ajo që më tremb më shumë më bie mbi krye, dhe ajo që më tmerron më ndodh.
A mund të tregojë kjo se edhe në ditët e lumtura e të begata Jobi ka pasur frikë se mos humbiste atë që kishte? Kjo është një karakteristikë e të pasurit: frika e madhe e humbjes së pasurisë dhe nxitja për të jetuar një jetë me kursim. Pasuritë nuk japin siguri të vërtetë; vetëm Perëndia mund ta japë një gjë të tillë.
2. Ligjërata e parë e Elifazit (kapitujt 4,5)
Kapitulli katër fillon ciklin e ligjëratave të miqve të Jobit dhe përgjigjet e tij ndaj tyre. Rajdauti (Ridout) e përmbledh thelbin e mesazheve të tyre si vijon:
Në kundërshtimin e tre miqve kemi një unitet mendimi, mbështetur mbi një parim të përbashkët. Ai parim është se çdo vuajtje ka më fort natyrë ndëshkuese, sesa ndërtuese; mbështetet gjithashtu më fort mbi drejtësinë e Perëndisë sesa në dashurinë e Tij – edhe pse këto dy aspekte ndërthuren në tërë rrugët e Tij. Një parim i tillë nuk mund të bëjë domosdo dallimin midis vuajtjeve të të drejtit dhe të të ligut [10].
Në kapitujt 4 e 5 flet Elifazi. Elifazi (emri i tij mund të nënkuptojë Perëndia është forcë ose Perëndia është ar i kulluar) ishte një njeri i perëndishëm dhe i njohur, tradicional në pikëpamjet e tij rreth madhështisë së Perëndisë, por, fatkeqësisht, me pak dhembshuri. Ai bëhet më i ashpër ndërsa rriten fazat e të folurit. Ia vlen të përmendim se, ndërsa tre miqtë bëhen gjithnjë e më të ngathët në të kuptuar (në të dyja kuptimet e fjalës) në tërë librin, Jobi bëhet gjithnjë e më tepër i shkathët në të kuptuarit e rrugës së Perëndisë, derisa, pas ligjëratës së Elihut dhe një takimi të vërtetë me Jehovahun, pranon vullnetin e Perëndisë me përulje të vërtetë.
4:1-11 Elifazi thotë në fakt: “Fjalët e tua kanë mbajtur njerëzit të qëndrojnë më këmbë, por tani nuk mund të ndihmosh më veten” (v. 4, Xhejms Mofati [James Moffatt], këto fjalë na kujtojnë tallësit e Krishtit në çastin e kryqëzimit: “Ai shpëtoi të tjerët, por nuk mund të shpëtojë veten”). Arsyeja që ai jep është vetëdrejtësia e Jobit. “Mëshira jote a nuk është vallë besimi yt dhe ndershmëria e sjelljes sate, shpresa jote?” (v. 6) Meqë njerëzit vuajnë për të ligën, Jobi duhej të kishte mëkatuar (v. 7-9).
4:12-21 Më pas Elifazi flet për një vegim, të cilin e kishte parë në heshtje … natën. Në këtë vegim një frymë i bën pyetjen: “A mund të jetë një i vdekshëm më i drejtë se Perëndia? A mund të jetë një njeri më i pastër se Krijuesi i tij?” (v. 17). Domethënia e kësaj duket sikur është se njeriu nuk ka të drejtë t’i kundërpërgjigjet Perëndisë. Nëse dikush vuan, është faji i tij, jo i Perëndisë. Mbi të gjitha, Perëndia është aq i madh, saqë Ai nuk mund t’u besojë shërbëtorëve të Tij dhe, kur krahasohen me Të, engjëjt e Tij janë fajtorë, duke qenë me të meta. Meqë është kështu, aq më tepër të pabesueshëm dhe të dështueshëm janë vdektarët, që janë të përkohshëm si tenja!
5:1-7 Elifazi e sfidon Jobin të thërrasë njerëzit apo engjëjt (shenjtorët) për të përgënjeshtruar faktin se mëkati vjen para gjykimit. Vetë folësi ka vëzhguar lidhjen e pandryshueshme midis paudhësisë dhe ndëshkimit. Fatkeqësia nuk vjen kot. Njeriu, duke qenë mëkatar, është caktuar për të vuajtur, ashtu si shkëndija për t’u ngjitur lart.
5:8-16 Ajo që duhet bërë është të kërkohet Perëndia dhe t’i besohet çështja Atij, sepse Ai është i gjithëditshëm dhe i gjithëfuqishëm. Kjo shihet në kontrollin e Tij mbi natyrën dhe në marrëveshjet e Tij parashikuese me njerëzimin. Vargu 13 citohet nga Pali te 1 Korintasve 3:19 për të demaskuar diturinë e rreme të kësaj bote.
5:17-27 Duke duruar ndëshkimin e të Plotfuqishmit, thotë Elifazi, njerëzit përjetojnë çlirimin hyjnor nga zia, lufta, shpifja, grindja civile, rreziku, thatësira, bishat dhe dëmtimi i të korrave. Ata gëzojnë paqe, siguri, frytshmëri dhe jetëgjatësi.
3. Përgjigjja e Jobit (kapitujt 6,7)
6:1-13 Jobi pranon se fjalët e tij nuk u përfillën, por për këtë ka një arsye! Dhimbja dhe fatkeqësia e tij janë më të rënda se rëra e detit dhe fryma e tij ka pirë vrerin e shigjetave të të Plotfuqishmit. Pavarësisht nga tërë gjërat negative dhe të frikshme që janë shprehur në këtë libër, sidomos nga Jobi, ato janë përdorur me fjalë të zgjedhura në mënyrë të mrekullueshme, në mënyrë të tillë që lexuesi i ndjeshëm goditet nga fuqia e tyre. Jobi ngre zërin se nuk do të kishte qarë aq me hidhërim pa shkak, ashtu si kafshët nuk pëllasin pa arsye. Vuajtja dhe vajtimi quhen si ushqimi i amësht pa kripë e pa shije. Ai dëshiron të vdesë sepse nuk kishte forcë për të duruar dhe asnjë shpresë për të ardhmen. Zgjatja e jetës ishte e kotë.
6:14-23 Miqtë e Jobit (ai i quan ata vëllezër) e kishin lënë në baltë dhe e zhgënjyen atë kur kishte më tepër nevojë për ta. Ai i krahason ata me rrëketë apo lumenjtë e thatë që zhduken plotësisht kur ke nevojë për ta. Edhe pse nuk kishte kërkuar asgjë nga ata, ata e kishin kritikuar pa qenë të qartë, pa i thënë se si kishte mëkatuar.
6:24-30 Jobi ruan ndershmërinë e tij pavarësisht nga përgjërimet e ligjëratës së Elifazit se ai është një mëkatar i fshehtë. Ai kërkon të dijë në mënyrë të veçantë se ku kishte gabuar dhe dëshiron provën e paudhësisë në gjuhën e tij. Vargu 27 është një kundërpadi ndaj miqve të tij; mbase miku që ata po shkatërronin ishte vetë Jobi!
7:1-10 Tani Jobi i drejtohet Zotit drejtpërdrejt. Për të ishte aq e natyrshme të dëshironte vdekjen, sa për një shërbëtor të dëshironte prehje pas një dite të lodhshme pune. Megjithatë në rastin e Jobit orët e natës nuk i sillnin çlodhje trupit të tij të torturuar, ndërsa përpëlitej deri në agim. Si masuri i një endësi jeta e tij po kalonte me shpejtësi pa shpresë, duke u zhdukur nga sytë si një re.
7:11-21 Ai pyet Zotin se pse duhej t’i kushtonte kaq shumë vëmendje një qenieje njerëzore të papërfillshme, duke e rrethuar, frikësuar me ëndrra të këqija, derisa ta mbysë. A është njeriu aq i madh saqë Perëndia ta bëjë që të vuajë vazhdimisht? Edhe sikur Jobi të kishte mëkatuar, a nuk ka falje, meqë më pas ai do të vdesë patjetër?
4. Ligjërata e parë e Bildadit (kapitulli 8)
Emri Bildad mund të nënkuptojë bir i grindjes, që mund të jetë një domethënie e duhur, meqë ky mik i Jobit duket se pëlqen kundërshtimin. Rajdauti (Ridout) bën krahasimin mes Bildadit dhe Elifazit në stil e njohje si më poshtë:
Ka mbase më pak mirësjellje dhe dinjitet, të cilat e dallonin të folurën e Elifazit, bashkë me pak egërsi ndaj Jobit, shkaktuar, në pamje të parë, nga padia e hidhur e këtij të fundit kundër Perëndisë. Me tërë paditurinë e tij mbi parimet hyjnore, Bildadi është xheloz për nderin e Perëndisë dhe nuk mund ta lejojë Atë të paditet. Për këtë ka shumë të drejtë, por nuk arrin ta bindë Jobin, për shkak të rrënjës së gabimit në mendimet e tyre: Perëndia duhet të ndëshkojë mëkatin dhe Jobi duhej të ishte një mëkatar për faktin që po ndëshkohej [11].
8:1-7 Duke paditur Jobin për të folurën e papërgjegjshme dhe të furishme, Bildadi mbron drejtësinë e Perëndisë, që ndëshkon të paudhin dhe shpërblen të drejtin. Ai nuk flet mirë kur thotë se bijtë e Jobit u shfarosën për shkak të prapësisë së tyre. Nuk na thuhet asgjë për këtë dhe, edhe sikur të kishte qenë kështu, ishte diçka mizore t’ia thoje këtë një njeriu në një çast brenge e dhimbjeje të madhe. Por në rast se Jobi do të kthehej te Perëndia, thotë Bildadi, kishte ende shpresë për favorin hyjnor.
8:8-22 Më pas përmend historinë për të vërtetuar lidhjen midis së keqes dhe shpagimit. Ashtu si xunkthi thahet kur mungon uji, po kështu vjen rrënimi nga mosbesimi dhe hipokrizia [paudhësia] (vargu 16a mund të jetë një hamendësim i përthithjes së klorofilit nga drita e diellit). Perëndia gëzohet të zëvendësojë të paudhët me të drejtët, të cilët më vonë i bekon.
5. Përgjigjja e Jobit (kapitujt 9,10)
9:1-13 Kur Jobi pyet: “Si mund të jetë i drejtë njeriu përpara Perëndisë?”, ai nuk po pyet për rrugën e shpëtimit, por po shpreh gjendjen e pashpresë të kujtdo që provon pafajshmërinë e tij para Atij që është aq i madh. Është marrëzi që dikush të diskutojë me Perëndinë, meqë nuk mund t’i përgjigjet veçse një herë mbi një mijë. Ai është sovran, i gjithëditshëm dhe i gjithëfuqishëm, ashtu siç shihet në kontrollin e Tij të maleve, tokës, diellit, yjeve, detit, po, mrekulli të panumërta.
9:14-31 Çfarë mundësie ka Jobi për të mbrojtur veten? A mund të ishte i sigurt ai se Perëndia po e dëgjonte? Zoti është i pamëshirshëm, arbitrar dhe i padrejtë, thotë Jobi, dhe për këtë nuk është i mundur një gjyq i drejtë. Në dëshpërimin e tij Jobi padit Perëndinë për shkatërrimin e paanshëm të njeriut të ndershëm dhe të keq, për qeshjen me vuajtjen e të pafajmëve dhe për shtyrjen e gjyqtarëve të tokës që të vepronin padrejtësisht. Ai thotë: “Unë jam i pafajshëm, por nuk më intereson shumë tani. Nuk dua të jetoj më. Asgjë nuk ka rëndësi; i pafajshëm apo fajtor, Perëndia do të na shfarosë (v. 21, 22, versioni TE)
9:32-35 Jobi kërkon me ngulm një arbitër midis Perëndisë dhe vetes së tij, por nuk gjen asnjë. Ne e dimë se Ndërmjetësi që mund të plotësonte nevojën e tij (dhe tonën) më të thellë është Zoti Jezus Krisht (1 Tim. 2:5). Methju Henri (Matthew Henry) komenton:
Jobi me kënaqësi do t’ia kalonte çështjen, por asnjë krijesë nuk ishte në gjendje të ishte një arbitër dhe, për këtë arsye, ai duhej t’ia kalonte vetë Perëndisë dhe të zgjidhte ta pranonte në gjykimin e tij. Zoti ynë Jezus është njeriu i bekuar i asaj kohe, që ka ndërmjetësuar midis qiellit dhe tokës, ka vënë duart e tij mbi ne të gjithë; atij Ati i ka dorëzuar tërë gjykimin, dhe ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë. Por kjo çështje nuk ishte atëherë kaq e qartë e në dritë sa ç’është tani me anë të ungjillit, i cili nuk lë vend për një ankim të tillë [12].
10:1-7 Në dëshpërim e sipër Jobi ankohet me hidhërim, duke i kërkuar Perëndisë të shpjegojë sjelljen e Tij të paarsyeshme ndaj njeriut që kishte krijuar. A vepron Ai si një njeri i thjeshtë, duke gjykuar pa mëshirë, edhe kur e di se Jobi nuk ishte fajtor?
10:8-12 Herëld Xhoni (Harold S. John) komenton mbi këtë paragraf si vijon:
Ne nuk duhet ta humbasim këtë pjesë të mrekullueshme, në të cilën balta i ankohet Poçarit dhe i kujton Perëndisë se në krijimin e njeriut Ai ka marrë përgjegjësitë, të cilat nuk mund t’i lërë pas dore. 10:8, duart e tua më kanë bërë dhe më kanë dhënë trajtë. 10:10, formimi i embrionit fizik. 10:11, rritja e lëkurës, mishit dhe zhvillimi i kockave e nervave. 10:12 a, dhurata e “shpirtit” me vetitë e tij të shumanshme dhe, b, vizita e Perëndisë me anë të së cilës pjesa më e lartë e njeriut, “fryma”, bëhet dhe ruhet [13].
10:13-22 Pse Zoti sjell fatkeqësi të ashpra mbi Jobin? Në pamje të parë nuk ka ndryshim nëse është i drejtë apo i paudhë; jeta e tij është e mbushur me zemërimin hyjnor. Pse kishte lejuar Perëndia që të lindte ai? Por tani, pse të mos e lejonte ta mblidhte pak veten para se të harrohej atje ku madje edhe drita është si errësira?
6. Ligjërata e parë e Zofarit (kapitulli 11)
11:1-12 Zofari nga Naamathi ngul këmbë se një e folur e tillë boshe dhe arrogante nuk duhej të merrte përgjigje. Rreth domethënies së emrit të mikut të tretë të Jobit, Rajdauti (Ridout) shkruan:
Nga Tsofar, “harabel” nga folja rrënjë “cicëroj”, vjen forma mashkullore Tsipofah, që ishte gruaja e Moisiut dhe, si ajo, ai ishte një kundërshtar i pavetëdijshëm i gjykimit të Perëndisë ndaj mishit, edhe pse ishte shumë i zellshëm në dënimin e veprave të pandehura të mishit të Jobit. Paditë e tij të vrullshme, duke qenë pa vend, ishin po aq të dëmshme sa edhe “cicërimat” e zogut, nga i cili merrte emrin [14].
Nëse Jobi mund t’i shikonte gjërat ashtu siç i shikon Perëndia, thotë Zofari, do të kuptonte se nuk po vuante aq shumë sa e meritonte! Padituria e tij rreth madhështisë së Perëndisë e bënte atë të paaftë të kërkonte drejtësinë e Tij. Vargu 12 është një goditje e pamenduar, që i drejtohet, pa dyshim, Jobit: “Njeriu i pamend do të bëhet i urtë, kur kërriçi i gomares së egër të bëhet njeri”.
11:13-20 Gjëja më e mirë që mund të bënte Jobi ishte të largonte mëkatet e tij; atëherë Perëndia do t’i jepte atij siguri, prehje dhe rehati. Nëse jo, nuk do të shpëtonte nga shkatërrimi.
7. Përgjigjja e Jobit (kapitujt 12-14)
12:1-6 Me sarkasëm të goditur (dhe tani të famshme) Jobi padit miqtë e tij për mendjemadhësinë intelektuale: Pa dyshim ju jeni njerëz të urtë dhe dituria do të marrë fund me ju!
Të gjithë e dinë se Perëndia është i mençur dhe i fuqishëm, por si mund të shpjegojnë ata vuajtjet torturuese të një njeriu që më parë merrte përgjigje për lutjet e tij dhe begatinë kontradiktore të të pabesit? “Ju nuk keni probleme, e megjithatë talleni me mua; ju goditni një njeri që është gati të bjerë” (v. 5, versioni TE).
12:7-12 Edhe bota e natyrës – bishat, zogjtë dhe peshqit – tregojnë anshmërinë e Perëndisë në shkatërrimin e disave dhe në mbrojtjen e të tjerëve. Nëse kritikët e Jobit i vërtetojnë fjalët aq me kujdes sikur të shijonin ushqim, ata do të ishin dakort me të lashtët, që binin dakort njëzëri me atë që tha Jobi.
12:13-25 Tani Jobi parashtron një recital madhështor të sovranitetit, diturisë dhe forcës së Zotit dhe se si ato sjellin zakonisht rezultate të pashpjegueshme dhe paradoksale.
13:1-19 Jobi qorton ashpër kritikët e tij. Ata nuk thanë ndonjë gjë të re. Ai dëshiron që ta lërë çështjen në duart e Perëndisë, jo te këta falsifikues gënjeshtrash dhe doktorë pa vlerë. Nëse ata do të rrinë të heshtur, njerëzit do të mendojnë se janë të mençur. Shpjegimi i tyre i veprimit të Perëndisë nuk ishte i vërtetë; ata do t’i japin Perëndisë llogari për këtë. Argumentet e tyre ishin të dobëta dhe të padobishme. Nëse do të heshtnin, ai do të shtronte çështjen e tij para Perëndisë dhe do t’ia dorëzonte jetën e tij Atij. Ai ka besim se do të dalë i drejtësuar, por edhe sikur Perëndia ta vriste, ai ende do të besonte Zotin.
13:20-28 Nga 13:20 deri te 14:22 Jobi i drejtohet Perëndisë drejtpërdrejt. Ai lutet për çlodhje nga vuajtja dhe kërkon një shpjegim pse Perëndia po sillet me të aq ashpër. Ai venitet si një gjë e kalbur, si një rrobë që e ka grirë mola –e pavlerë të vihet re nga Perëndia.
Frensis Endërseni (Francis Andersen) i vlerëson fjalët e Jobit si vijon:
Këtu Jobi e tregon veten se është një vëzhgues më i ndershëm, një mendimtar më i gjerë sesa miqtë e tij. Mendja tronditet para madhështisë së konceptit të tij për Perëndinë. Hyjnia e vogël në teologjinë e Elifazit, Bildadit dhe Zofarit mendohet dhe besohet nga të gjithë. Por një besim si ai i Jobit e shtyn frymën njerëzore në një punë të lodhshme [15].
14:1-6 Jobi vazhdon të pyesë pse Perëndia është aq i pamëshirshëm me atë që është aq kalimtar, i brishtë dhe i gabueshëm. Vargu 1 citohet së tepërmi, mbase sepse duket se përshtatet me shumë raste: Njeriu i lindur nga një grua jeton pak ditë dhe është plot shqetësime.
Pse të mos e linte të jetonte pjesën e jetës që i kishte ngelur në një farë paqeje?
14:7-12 Të paktën për drurin që është prerë ka më tepër shpresë sesa për të. Ka një përfundim të tmerrshëm rreth vdekjes njerëzore; një i vdekur është si një lumë i tharë.
14:13-17 Jobi dëshiron që Perëndia ta fshihte në Sheol … derisa zemërimi i Tij të qetësohej. Atëherë, nëse Shumë i Larti do ta thërrasë, ai do të dalë i shfajësuar. Ndërkohë, Perëndia mban mend mëkatin e tij.
Jobi bën katër gjëra në këtë pjesë: 1. Ai kërkon një zbulesë të mëkateve të tij; 2. Ai përshkruan përkohshmërinë e jetës njerëzore; 3. Ai dëshpërohet mbi përfundimin e vdekjes (dëshiron me zjarr një ndërmjetës dhe shpreson në jetën e përjetshme); 4. Ai qahet për kushtet e tij të tashme.
Vargu 14a bën një pyetje më të rëndësishme: Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë? Zoti ynë Jezus i përgjigjet kësaj pyetjeje te Gjoni 11:25,26: Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë. Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë.
Herëld Xhoni (Harold S. John) komenton kështu vargjet 14 e 15:
Te 14:14,15 drita bie mbi një det të qetë, drita depërton dhe në një pjesë me një guxim tepër të pabesueshëm Jobi shpall se njeriu vlen më tepër se gjëra fizike, se, edhe pse qiejt do të kalojnë e do të zvetënohen, kodrat e përjetshme do të thërrmohen, ai vetë do të mund të prehet në kthetrat e varrit disamijëvjeçar, një ditë do të vijë kur Perëndia do të ndiejë një uri në zemrën e Tij për mikun e Tij dhe do të ketë një dëshirë për punën e duarve të Tij. Atëherë, nga thellësitë e botës nëntokësore, Jobi do të përgjigjet dhe, më i qëndrueshëm se kodrat, më i përhershëm se qiejt, do të ribashkohet me Perëndinë që ishte bërë i përmalluar për shërbëtorin e Tij [16].
14:18-22 Ashtu siç është e pashmangshme gërryerja në natyrë, po ashtu është prishja e njeriut kur është në prova. Trupi i tij kthehet në pluhur dhe shpirti i tij shkon në një vend trishtimi.
Kjo pjesë mbyll fazën e parë të ligjëratave. Logjika e miqve të Jobit ishte: Perëndia është i drejtë, Ai ndëshkon të paudhët; nëse Jobi po ndëshkohet, kjo tregon se ai ishte treguar i keq. Por Jobi kishte mbështetur me vendosmëri se nuk kishte qenë aspak i keq.
B. Faza e dytë e ligjëratave (kapitujt 15-21)
Në fazën e dytë të ligjëratave “ngushëlluesit” e Jobit, duke mos bërë thirrje me pendim, u bënë dënues edhe më të vrullshëm. Jobi, ndërkohë, bëhet më kryeneç.
1. Ligjërata e dytë e Elifazit (kapitulli 15)
15:1-6 Tani është radha e Elifazit nga Temani të qortojë përsëri Jobin për kotësinë e tij dhe ligjëratën e tij boshe e të pabesë. Me një seri pyetjesh të shpejta e të zjarrta, njeriu nga Temani tall njohurinë e hamendësuar të Jobit, duke e quajtur atë boshe. Ndërsa fjalët e guximshme të Jobit që sfidojnë Perëndinë e nxjerrin para padisë së “heqjes së frikës”, nuk ishte e drejtë ta padisje atë për zgjedhje të gjuhës së dinakëve. Jo për gjë, por Jobi ishte shumë i hapur dhe zbulues i vetes. Ai nuk ishte një hipokrit! Ishte e kotë për të apo për ndonjë tjetër t’i rrëfeje drejtësinë.
15:7-13 Më pas Elifazi sfidon atë që ai e quan arroganca e Jobit në vlerësimin aq të lartë për mendimet e tij: “Vetëm ti zotëroke diturinë?” – e pyet ai. Elifazi, duke i quajtur fjalët e tri ngushëlluesve “përdëllimet e Perëndisë” dhe “fjalët e ëmbla”, tregon se i mungonte plotësisht një zemër me një dhembshuri të vërtetë ngushëllimi.
15:14-16 Elifazi përsërit fjalët e tij te 4:17-19 rreth shenjtërisë së Perëndisë dhe natyrën mëkatare të njeriut. Por si është më mëkatar Jobi në krahasim me Elifazin? Rajdauti (Ridout) pyet:
Atëherë, pse të vlejë për Jobin, sikur të ishte mëkatar më i madh se të tjerët? Me siguri, kjo është një e folur si e dinakëve, më tepër sesa tërë fjalimet e nxehta të Jobit. Elifazi le të zërë vendin e tij pas Jobit dhe le të rrëfejë se edhe ai është “i neveritshëm dhe i pisët”. Kështu vuajtësi i mjerë do të ishte më i hapur që të dëgjonte këshillën e Elifazit [17].
15:17-26 Duke iu kthyer diturisë së lashtë prej etërve, Elifazi përshkruan dhimbjen që një i keq përjeton në jetë.
15:27-35 Një katalog i tmerrshëm problemesh e pushton të pabesin dhe këto fatkeqësi i shkojnë përshtat fajtorit.
2. Përgjigjja e Jobit (kapitujt 16,17)
16:1-5 Jobi e kundërshton analizën e Elifazit të situatës dhe i kundërvihet duke i quajtur ata “ngushëllues të mërzitshëm“. Në rast se ata do të kishin qenë në vend të tij, ai të paktën do të ishte përpjekur t’i ngushëllonte!
16:6-14 Por tani Perëndia është kthyer kundër tij dhe po e torturon duke e lënë në duart e të pabesëve dhe duke e përndjekur përtej çdo durimi, duke e bërë copë-copë, e tërë kjo pavarësisht nga fakti se nuk është fajtor për padrejtësi.
16:15-22 Fakti që Jobi kishte qepur (jo thjesht veshur) një grathore në lëkurën e tij tregon se është në zi të vazhdueshme. Pa miq për ta ngushëlluar, apo dikë që t’i qajë hallin, do të shkojë … në një rrugë pa kthim.
Një pjesë e gjuhës në vargjet 9-19 përdoret në psalme si referim për Mesian. Prandaj përligjemi nëse ia zbatojmë ato vuajtjeve të Krishtit, edhe pse kjo nuk është domethënia e tyre parësore.
17:1-12 Ndërsa Jobi, i copëtuar në frymë, i merren këmbët në buzë të varrit, miqtë e tij tallen me të. Ai do vetëm Perëndinë që të merret me çështjen e tij, sepse kritikët e tij e shfaqën veten të padobishëm. Zoti e ka bërë atë një objekt përbuzjeje. Njerëzit e drejtë që e shohin gjendjen e tij do të ngrihen kundër kritikëve të tij ndërsa vazhdon të ngrejë zërin për ndershmërinë e tij. Ai nuk mund të gjejë asnjë njeri të urtë midis tre kundërshtarëve.
17:13-16 Nuk ka mbetur asgjë për Jobin përveç vendvarrit dhe territ, prishjes dhe krimbave të tij.
3. Ligjërata e dytë e Bildadit (kapitulli 18)
18:1-4 Bildadi nga Shuahu e padit Jobin për talljen shumë të fortë ndaj fjalëve të diturisë të folura nga miqtë e tij dhe vetë ai. Një gjë e mirë që mund të thuhet për Bildadin: ai është më i shkurtër në qortimet e tij sesa dy ngushëlluesit e tjerë. Mbase vetëdija e këtij virtyti të saktësisë i jepte guxim të hidhte idenë se Jobi duhej t’i jepte fund fjalëve.
18:5-21 Ai po përsërit refrenin tashmë të njohur se njeriu i keq kapet në rrjetën e mëkateve të tij. Më pas jep një listë të frikshme të fatkeqësive që bien mbi shtëpinë e një mëkatari. Bildadi kishte të drejtë kur thoshte se njerëzit vuajnë për mëkatet e tyre, por e kishte gabim kur e quante këtë si një shpjegim të vuajtjeve të Jobit. Jo të gjitha vuajtjet janë një pasojë e drejtpërdrejtë e mëkatit në jetën e dikujt.
4. Përgjigjja e Jobit (kapitulli 19)
19:1-22 Jobi u thotë miqve të tij se ata duhej të kishin turp për mënyrën se si e fyenin. Ai ishte keqtrajtuar nga Perëndia dhe nga të njohurit, miqtë dhe shërbëtorët e tij. Trupi i tij është prishur dhe ai gati-gati i ka shpëtuar vdekjes. Megjithatë miqtë e tij bashkohen me Perëndinë për ta sulmuar atë pa mëshirë.
19:23,24 Ai do që fjalët e tij të mbrojtjes të kishin zënë vend në një libër dhe të ishin të gdhendura përjetë mbi një shkëmb me një stil prej hekuri dhe me plumb, që më pas, në të ardhmen, të mund të siguronte drejtësi.
19:25-27 Në një shpërthim të rrallë drite, ai beson se ekziston një Shpëtimtar që një ditë do të vërtetojë fjalët e tij dhe do ta ripërtërijë, edhe sikur të ndërhynin vdekja e kalbja.
Predikuesi i madh anglez, Spërxhëni (Spurgeon), stili i të cilit i ngjan Librit të Jobit, bën një zbatim të këndshëm të vargut 25:
Thelbi i ngushëllimit të Jobit qëndron në atë fjalë të vogël “im” – “Shpëtimtari im” dhe në faktin se ky Shpëtimtar jeton ende. Oh! Sikur të ishe në Krishtin e gjallë! Ne duhet ta bëjmë tonin para se të shijojmë prej Tij … Kështu një Shpëtimtar që nuk më shpengon, një shpagues që nuk do të paguajë kurrë për gjakun tim, çfarë vlere mund të ketë? Mos rri i qetë derisa me anë të besimit mund të thuash: “Po, unë po e lë veten në duart e Zotit; dhe Ai është i imi”. Mundet që ti ta mbash me një dorë shumë të dobët; gati-gati mendon se është hamendje të thuash: “Ai jeton si Shpëtimtari im“. E megjithatë kujto se, nëse do të kesh besim sa një kokërr sinapi, ky besim do të të japë të drejtën për ta thënë. Por është edhe një fjalë tjetër këtu që shpreh në një mënyrë edhe më të thellë besimin e madh të Jobit: “Unë e di“. Të thuash “besoj” apo “shpresoj” mund të jetë ngushëlluese; dhe ka shumë dele nga vatha e Jezusit që nuk shkojnë asnjëherë më larg se kjo pikë. Por, për të arritur thelbin e ngushëllimit, duhet të themi: “Unë e di” [18].
Fakti që Jobi ka besim se do ta shohë Perëndinë … në mishin e tij mbas shkatërrimit të lëkurës së tij, hedh idenë e fortë të ringjalljes pas vdekjes, një doktrinë jo e mësuar gjerësisht në DhV, por pranohet në kohën e Zotit tonë si një standard nga judenjtë që besonin në DhV.
Përsëri Spërxhëni komenton vargun 26 në një mënyrë të mrekullueshme:
Vëzhgo subjektin e shpresës së përkushtuar të Jobit: “Do të shoh Perëndinë”. Ai nuk thotë: “Do të shoh shenjtorët” – edhe pse kjo do të ishte një lumturi e madhe, por: “Do të shoh Perëndinë“. Jo “dyert prej perle, muret prej diaspri, kurorat e arta”, por thotë: “Do të shoh Perëndinë”. Kjo është përmbledhja dhe thelbi i qiellit, shpresa e gëzueshme e të gjithë besimtarëve [19].
19:28,29 Duke pasur parasysh shpagimin e tij të ardhshëm, miqtë e tij nuk duhej ta persekutonin, përndryshe do të ndëshkoheshin.
5. Ligjërata e dytë e Zofarit (kapitulli 20)
20:1-19 Në pamje të parë rrëfimi i besimit të Jobit bie në vesh të shurdhët. Zofari nuk po dëgjonte. Ai thotë se historia njerëzore tregon se njeriu krenar do të vdesë përgjithmonë. Bijtë e tij do të lypin nga të varfrit dhe do të kthejnë atë që ka marrë padrejtësisht. Edhe pse plot forcë rinore, ai nuk do të jetë më. Pavarësisht se sa në luks ka jetuar, ai do të humbasë menjëherë çdo gjë që kishte fituar përmes shtypjes së të varfrit.
20:20-29 Gati çdo fatkeqësi e imagjinueshme do të bjerë mbi të, përfshirë urinë, mundimin, mjerimin, sulmin e armatosur, zjarrin dhe humbjen e qetësisë. Qielli dhe toka do të komplotojnë kundër tij dhe pasuritë e tij do të zhduken. Ky është fati që Perëndia i cakton njeriut të keq.
Kembëll Morgani (G. Campbell Morgan) komenton për këtë në këtë mënyrë:
Në një pjesë rrëqethëse me pasion, Zofari përshkruan paqëndrueshmërinë e fitimeve të liga. Ka një triumf, por është i shkurtër. Ka një ngjitje, por kjo pasohet nga një rënie e menjëhershme. Ka një ndjeshmëri rinie, por bie përtokë. Ka një ëmbëlsi, por bëhet brejtje; një gëlltitje që shkakton vjellje; një marrje pa gëzim. Nemesisi [perëndi greke e drejtësisë dhe e hakmarrjes, ajo që zbaton hakmarrjen kundër fajtorit] përfundimtar i të ligut është se Perëndia kthehet nga ai dhe e ndjek me mjetet e gjykimit. Errësira e mbulon atë. Mëkati i tij nxirret në dritën e qiejve dhe toka kthehet kundër tij. Le të merret parasysh historia e paudhësisë dhe do të shihet se sa e vërtetë është [20].
6. Përgjigjja e Jobit (kapitulli 21)
21:1-22 Tashmë Jobi kërkon vëmendje të madhe. Ankesa e tij nuk është për një njeri, edhe pse gjendja e tij patetike duhet të zgjojë simpatinë njerëzore. Ai numëron argumentet e tyre me vëzhgim të vërtetë se të pabesët zakonisht begatohen në çdo fushë të jetës dhe vdesin pa vuajtur, edhe pse nuk i kanë lënë vend Perëndisë në jetën e tyre. Sa herë, pyet ai, të pabesët korrin shpërblimin e mëkateve të tyre në jetën e vet? Sa herë shtyhen si byku që e merr me vete stuhia?
Ju shpallni se Perëndia ndëshkon një fëmijë për mëkatet e atit të tij. Jo! Perëndia ndëshkoftë vetë mëkatarët; le ta tregojë se e bën këtë për shkak të mëkateve të tyre. Mëkatarët le të mbajnë ndëshkimin e tyre; le ta ndiejnë zemërimin e Perëndisë Shumë të Lartë. Kur jeta e një njeriu mbaron, a kujdeset ai nëse fëmijët e tij janë të lumtur? A mund ta mësojë një njeri Perëndinë që gjykon edhe ata që janë në vendet e larta? (v. 19-22, versioni TE).
21:23-34 Një njeri vdes në paqe kur ka plot fuqi e i begatë. Një tjetër … vdes me shpirt të hidhëruar dhe në varfëri. Në vdekje të gjithë janë njësoj. Nëse miqtë e Jobit ngulin këmbë se të pabesët ndëshkohen gjithmonë në këtë jetë, ai do t’u kërkojë atyre që udhëtojnë shumë që të dëshmojnë se megjithëse i pabesi ndëshkohet në jetën pas vdekjes, ai zakonisht jeton qetësisht i lumtur këtu. Askush nuk e ndëshkon apo e dënon atë dhe ai vdes ashtu si të tjerët. Si një goditje ndarjeje Jobi thotë: “Po ju? Ju përpiqeni të më ngushëlloni pa kuptim. Çdo përgjigje që jepni është gënjeshtër!” (v34, versioni TE).
Me këto fjalë Jobi përfundon fazën e dytë të ligjëratave midis tij dhe miqve. Këta “ngushëllues” gati kanë arritur në fund të përpjekjeve të tyre për ta “bindur” Jobin për mëkat; ata do të përpiqen edhe me një fazë tjetër – duke mos përfshirë Zofarin.
Problemi i Librit të Jobit është ende i pazgjidhur. Pse vuan i drejti? Megjithatë, Jobi ka pësuar rritje dhe pak hije drite ka filluar të ndriçojë, pavarësisht nga enigma e errët e vuajtjes së tij.
C. Faza e tretë e ligjëratave (kapitujt 22-31)
1. Ligjërata e tretë e Elifazit (kapitulli 22)
Në fazën e tretë Elifazi dhe Bildadi përfundojnë argumentet e tyre duke përdorur mjaft përsëritje. Zofari qëndron në heshtje. Jobi u përgjigjet dhe në pamje të parë nuk preket nga argumentet e tyre, meqë ai e di se nuk është një mëkatar i fshehur, as një hipokrit, por, ashtu siç e thotë kapitulli një, një njeri i patëmetë (por jo i pamëkat apo i përulur). Ligjërata e fundit e Elifazit është plot me dinjitet dhe bukuri letrare; ai është pak më i sjellshëm ndaj vuajtësit të mjerë, por megjithatë i padrejtë.
22:1-11 Pyetjet e Elifazit tregojnë se Perëndia nuk ka nevojë për Jobin apo për ndonjë gjë që ai ka apo nuk ka, përfshirë sjelljen e tij të ndershme. Më pas lëshon një padi të gjatë, duke e akuzuar Jobin për ligësinë e madhe – për marrjen gabimisht të pengjeve nga të varfrit, për refuzimin e ujit për të lodhurit dhe bukën për të uriturit, për marrjen e tokës me forcë dhe shtypjen e vejushave dhe jetimëve. Kjo, sipas Elifazit, përbën dilemën e tashme të Jobit. Megjithatë, faktet ishin të tjera; Jobi kishte treguar vetëdije të madhe shoqërore dhe kishte qenë bujar në të dhënë.
22:12-20 Jobi nuk duhet të mendojë se Perëndia lart në qiejt nuk shikon se çfarë po ndodh. Nëse ai vazhdon në mëkat, ai do të pësojë fatin e njerëzve të ditës së Noeut, kur themelin e tokës e mori një lum që vërshonte – njerëz të cilët Perëndia më parë i kishte bërë të begatoheshin. Të drejtët gëzohen sa herë që ndëshkohen të pabesët.
22:21-30 Me të vërtetë Elifazi ka disa fjalë të këndshme për Jobin në thirrjen e tij të fundit: “Pajtohu, pra, me Perëndinë dhe do të kesh siguri” (v. 21a); “Atëherë i Plotfuqishmi do të jetë ari yt, thesari yt prej argjendi” (v. 25); dhe “dhe mbi udhën tënde do të shkëlqejë drita” (v. 28b). Këto fjalë nuk janë vetëm të mrekullueshme, por gjithashtu të vërteta – për një mëkatar të penduar “që kthehet te i Plotfuqishmi” dhe “largon paudhësinë nga çadrat e tij” (v. 23)! Problemi i vetëm ka të bëjë me zbatimin: Jobi nuk kishte jetuar në mëkat! Barnsi (Barnes) e përmbledh thirrjen përfundimtare të Elifazit drejtuar Jobit në këtë mënyrë:
I Plotfuqishmi do të ishte mbrojtja e tij; ai do të gjente lumturi në Perëndinë; lutja e tij do të dëgjohej; drita do të shkëlqente në rrugën e tij dhe kur të tjerët të përuleshin, ai do të ngrihej [21].
2. Përgjigjja e Jobit (kapitujt 23,24)
Kapitujt 23 e 24 janë një fjalim i vetëm, të ndarë thjesht për të qenë praktikë nga studiuesit e lashtë biblikë. Jobi shtjellon tri tema kryesore në kapitullin 23: dëshira e tij e madhe për të paraqitur çështjen e tij para fronit të Perëndisë (v. 1-9); mbrojtja e stilit të vet të jetës (v. 10-12); dhe frika e tij ndaj Perëndisë sikur Ai të ishte kundërshtari i tij (v. 13-17).
23:1-9 Vajtimi i Jobit është i hidhur. Sa mirë do të ishte nëse Jobi mund të arrinte te froni i Perëndisë dhe ta gjente! Spërxhëni komenton:
Lutja e tij e parë nuk është: “Ah, sikur të shërohesha nga sëmundja që më ka prekur gjithë trupin!” dhe as nuk është: “Ah, sikur të ktheja bijtë e mi nga kthetrat e varrit dhe pasurinë time të humbur ta merrja nga plaçkitësi!”, por thirrja e tij e parë dhe e fundit është: “Ah, sikur të dija ku ta gjeja (Atë që është Perëndia im), që të mund të arrija deri në fronin e Tij!”. Bijtë e Perëndisë vrapojnë për në shtëpi kur vjen furtuna. Instinkti qiellor i një shpirti të mirë është të kërkojë një strehë nga të gjitha sëmundjet nën krahët e Jehovahut [22].
Jobi ka besim se, nëse do të mund t’i afrohet Zotit, Ai do të duhet të pranojë se Jobi ishte i drejtë dhe kështu gjyqtari i Tij do ta shpallte të pafajshëm përjetë.
23:10-12 Vargu 10 citohet shpesh për të provuar pasojat shenjtëruese të provave, por në kontekst është në të vërtetë besimi i Jobit dhe një vendim “pafajësie”. Ndërkohë Perëndia vepron në një mënyrë arbitrare dhe gjykimet e Tij të frikshme e lënë Jobin të tmerruar. Pavarësisht nga kjo, Jobi beson se, nëse çështja e tij do të paraqitej para fronit të gjykimit të Perëndisë, do të shpallej i kulluar si ari dhe i bindur ndaj fjalëve të Perëndisë, prej të cilave ai kishte përfituar … më tepër se nga racioni i tij i ushqimit. Fjalët e dashura të vargut 10 ia vlen t’i mësojmë përmendësh për vetë jetët tona: Por ai e njeh rrugën që unë kam marrë; sikur të më provonte, do të dilja si ari.
23:13-17 Ndërkohë Perëndia, të cilit nuk i gjendet shoku dhe në dukje arbitrar, bën plotësisht atë që ka dekretuar dhe Jobi ia ka frikën, e madje e ndien veten të tmerruar, sepse Perëndia ia ka ligështuar zemrën.
24:1-12 Meqë asgjë nuk është e fshehur para të Plotfuqishmit, Jobi nuk mund të kuptojë pse nuk i jep Ai zgjidhje problemit të begatisë së të ligut në kurriz të atyre që e njohin Atë. Ai rendit me hollësi padrejtësinë e tmerrshme në këtë botë – krimet e shtypësve dhe vuajtjet e të shtypurit.
Rajdauti (Ridout) komenton:
Është një figurë e tmerrshme e fakteve mjaft të njohura prej tyre e prej nesh. Si mund t’i përshtasë Elifazi fakte të tilla me teorinë e tij se e keqja ndëshkohet gjithmonë në këtë jetë? Por, oh, si mund të mbyllë sytë e Tij Perëndia para këtyre gjërave dhe të pikëllojë një njeri besnik në vend të këtyre keqbërësve? Ky është problemi i madh i Jobit dhe për këtë ai nuk ka gjetur zgjidhje [23].
Jobi ankohet për dështimin e dukshëm të qeverisjes së Perëndisë ndaj botës (v. 12): Vajtimi i atyre që po vdesin ngrihet nga qyteti, shpirti i të plagosurve kërkon ndihmë, por Perëndia nuk i vë mend së keqes që u ka bërë.
24:13-17 Më pas Jobi përshkruan vrasësin, shkelësin e kurorës dhe vjedhësin rebel. Që të tre këta presin natën për veprimtarinë e tyre; mëngjesi është për ta si hija e vdekjes.
24:18-25 Pavarësisht nga fakti se këta mëkatarë të ligj janë të mallkuar mbi tokë dhe nuk do ta kujtojnë më, Perëndia në pamje të parë u jep siguri. Jobi mbështet faktin se i pabesi nuk vdes më dhunshëm se të tjerët. Ai sfidon gjithsecilin për ta hedhur poshtë këtë.
Meqë e folura e Bildadit është shumë e shkurtër, Zofari nuk flet fare dhe përgjigjja e Jobit është shumë e gjatë, disa studiues biblikë kanë hedhur idenë se vargjet 18-25 nuk janë fare të Jobit. Disa versione moderne e rirregullojnë tekstin këtu (dhe gjetiu) në një mënyrë shumë hamendësuese. Endërseni (Andersen), që nuk është “i bindur se Jobi i ka shpallur këto fjalë” [24], përshkruan atë që kanë bërë disa me to:
Ne nuk duhet të nxitohemi t’i heqim këto fjalë nga buzët e Jobit, vetëm ngaqë ato nuk tingëllojnë si fjalët që ne mendojmë se thotë. Kjo është bërë në tri mënyra: t’i heqësh së bashku si një koment i perëndishëm, që e bën Jobin të duket më i perëndishëm nga sa është; t’i bësh fjalët si të njërit prej miqve, të Bildadit (NAB), apo të Zofarit (Papa); t’i marrësh si citim nga Jobi të asaj që thonë miqtë e tij (versioni RS, që shton Ju thoni dhe t’i njëjtësosh vargjet 21-24 si kundërpërgjigje të Jobit; apo Gordis që i quan tërë vargjet 18-24 si citim) [25].
3. Ligjërata e tretë e Bildadit (kapitulli 25)
Fjalimi i fundit i ngushëlluesve të Jobit nuk është bërë prej Zofarit, por prej Bildadit nga Shuahu. Në pamje të parë Zofari e ka sosur fondin e tij retorik. Edhe ligjërata e Bildadit është shumë e shkurtër – më e shkurtra në Librin e Jobit:
Duke gjykuar nga shkurtësia e ligjëratës së Bildadit dhe nga fakti se nuk përmban asgjë të re, duket sikur miqtë i kanë shterur tërë argumentet që i lejonte të paraqiste pozita e tyre. Dhe kjo ishte e tepërt, sepse ata ishin njerëz me mendime të kthjellëta, me aftësi shprehjeje tepër të rralla. Gjuha e tyre është e fisme dhe e lartë, metaforat e tyre me një bukuri të rrallë e të fortë, por pozita dhe përçmimi i tyre ishin të gabuara, të ngushta dhe pa bazë [26].
Meqë Bildadi në pamje të parë arrin të kuptojë më në fund se një shumicë fjalësh nuk shërbejnë për gjë, përpiqet vetëm të kumtojë dy tema: madhështinë e Perëndisë (v. 1-3) dhe çikërrimën e njeriut (v. 4-6).
25:1-3 Perëndisë i përket sundimi dhe terrori dhe ushtritë e tij nuk mund të llogariten.
25:4-6 Kur madje edhe hëna …, dhe yjet nuk janë të pastër në sytë e Perëndisë, çfarë shprese mbetet për njeriun, një vemje dhe një krimb i thjeshtë? Fjalët e Bildadit janë të mrekullueshme dhe të pohuara ashtu siç duhet, por janë paraqitur pa dashuri e ngushëllim dhe kështu nuk vlejtën për nevojat e Jobit.
4. Përgjigjja e Jobit (kapitulli 26)
26:1-4 Para së gjithash Jobi përballet me argumentin e Bildadit. Edhe duke pranuar se Jobi ishte i dobët dhe pa forcë, si e kishte ndihmuar Bildadi? Fjalët e tij kishin qenë të kota, të pandjeshme dhe një dështim i plotë si përgjigje ndaj argumenteve të Jobit.
26:5-13 Pjesa tjetër e kapitullit jep një përshkrim të mrekullueshëm të fuqisë së Perëndisë në gjithësi: cikli i avullimit dhe i precipitimit, kondensimi i reve, cikli i dritës dhe i territ, stuhitë në det dhe yjet e yjësitë, me të cilët me Frymën e tij ka zbukuruar qiejt.
Ndërsa Bildadi theksoi lavdinë e Perëndisë në qiej, Jobi përqendrohet në fuqinë e Tij në thellësi: nën ujërat, Sheolin dhe shkatërrimin.
Jobi përshkruan – shekuj më parë se shkenca ta mësonte një gjë të tillë – se Perëndia e mban tokën pezull mbi hiçin (që është një përshkrim poetik i pozicionit të tokës dhe lëvizjes së saj në sistemin diellor).
Sa lart mbi kozmogonitë e filozofëve paganë janë këto pak fjalë të mëdha! Në to kemi si në embrion zbulimet e Njutonit dhe Keplerit. Është një gabim i madh të mendojmë se Shkrimi nuk mëson të vërtetën shkencore. Ai mëson tërë të vërtetën e nevojshme, edhe pse jo në një gjuhë shkencore, megjithatë me përpikmëri shkencore [27].
26:14 Nëse këto mrekulli janë vetëm thekët e veprave të Tij dhe murmurima e lehtë e Tij, pyet Jobi, çfarë duhet të jetë gjëmimi i plotë i fuqisë së Tij, veçse të jetë i pakuptueshëm?
5. Monologu mbyllës i Jobit (kapitujt 27-31)
“Ngushëlluesit” e Jobit nuk kanë vërtetuar çështjet e tyre – por as Jobi nuk e ka zgjidhur problemin e tij! Megjithatë, ai është në rrugën e duhur dhe duket se po rritet në besim.
Monologu i Jobit ka tri tema kryesore: Jobi vë në krahasim ndershmërinë e tij me rrënimin e të pabesit (kapitulli 27); ai ngre lart cilësinë e pashoqe të diturisë (kapitulli 28); dhe, së fundi, ai mbështetet në vetveten (kapitujt 29-31).
27:1-5 Fjalët hyrëse të këtij kapitulli “Jobi e mori fjalën përsëri dhe tha” lënë përshtypjen e një ndërprerjeje të madhe. Ai tashmë nuk po i përgjigjet më Bildadit (26:1); ai po u drejtohet të gjithëve dhe po nxjerr shumë gjëra “nga brenda”, siç themi ne. Jobi vazhdon të ngulë këmbë në paanësinë, ndershmërinë dhe drejtësinë e tij. Ai kundërshton të pranojë se kritikët e tij mund të kenë të drejtë duke e paditur për vuajtjen për shkak të ndonjë mëkati të fshehur.
27:6-23 Jobi nuk e mbron njeriun e keq, njeriun e padrejtë dhe të pabesin; ata e meritojnë fatkeqësinë e tyre. Ai do t’u japë mësime tre miqve të tij rreth marrëveshjeve të Perëndisë me njeriun e padrejtë – të vërteta që edhe ata vetë i kanë vënë re. Shkatërrimi godet (por jo gjithmonë) familjen, zotërimet, shtëpinë e tij dhe atë vetë. Ai do të humbë, ndërsa të drejtët do të gëzohen.
28:1-11 Ky kapitull i dashur ndërtohet rreth pyetjes së përmendur në vargjet 12 e 20: Po ku mund ta gjesh diturinë dhe ku është vendi i zgjuarsisë?
Njeriu tregon aftësi dhe këmbëngulje të madhe në gërmimin për metale dhe gurë të çmuar. Këtu, në pjesën e parë të kapitullit, zgjuarsia njerëzore (e parë në nxjerrjen e mineraleve) nuk ka qenë e aftë të gjejë diturinë. Te vargjet 13-19 pasuritë njerëzore nuk mund të blejnë diturinë dhe te vargjet 21-28 vetëm Perëndia shihet si dhënësi i diturisë.
Përshkrimi i nxjerrjes së mineraleve në kohët e lashta është shumë mahnitës, por shfaq disa vështirësi në përkthim. Vargu 4 është disi i vështirë: afërsisht çdo version anglez këtu ka një nënkuptim të ndryshëm të tekstit. Endërseni (Andersen) komenton se “është e vështirë të besosh se të gjithë ata kishin të njëjtin tekst hebraik para tyre” [28].
Ndryshe nga Bildadi, që e quan njeriun “krimb”, Jobi pranon zgjuarsinë e njeriut në nxjerrjen e mineraleve:
Suksesi i spikatshëm i njeriut si një minator tregon se sa i zgjuar e i mençur është; por, pavarësisht nga kjo, ka dështuar plotësisht për të nxjerrë në dritë diturinë [29].
28:12-19 Shtegu i diturisë nuk gjendet shumë thjesht. Ajo nuk mund të zbulohet mbi tokë apo në det, nuk mund të blihet, as nuk mund t’i vihet një çmim i përshtatshëm, sepse çmimi i saj është mbi margaritarët e topazin dhe dhe nuk mund të vlerësohet me ar të kulluar.
28:20-28 Dituria dhe zgjuarsia u fshihet syve të çdo të gjalli. Abadoni dhe vdekja vetëm sa kanë dëgjuar për to. I njëjti Perëndi që caktoi ligjësitë e natyrës është burimi i diturisë, sepse Ai … e tregoi dhe e vendosi. Të kesh frikë nga Ai është dituri dhe t’i largohesh së keqes është zgjuarsi.
Ky kapitull duket se nënkupton faktin se duhet t’i nënshtrohemi marrëveshjeve parashikuese të Perëndisë edhe sikur të mos i kuptojmë ato gjithmonë.
29:1-17 Jobi tashmë jep një rrëfim të fuqishëm dhe nostalgjik të ditëve të lashta të begatshme e plot nder dhe dëshiron që ato të kthehen. Ai kishte shijuar favorin dhe drejtimin e Perëndisë. Bijtë e tij ishin me të. Ai jetonte në bollëk dhe respektohej në qytet nga të rinjtë e pleqtë, nga princat dhe krerët, për shkak të veprave të tij të mëshirës, drejtësisë dhe paanësisë së tij.
29:18-25 Ai kishte menduar jetë të gjatë dhe një vdekje të qetë “në folenë e tij”, ndërsa gëzonte begatinë, fortësinë dhe qëndrueshmërinë, të simbolizuara nga vesa që qëndronte tërë natën në degën e tij. Lavdia e tij do të ishte gjithnjë e re tek ai dhe harku i tij do të fitonte forcë të re. Të tjerët mirëprisnin këshillën e tij ashtu si bujku që pret shiun e fundit. Buzëqeshja e tij ripërtërinte besimin e tyre. Udhëheqja e tij e bënte si kryetar apo si mbret midis trupave, si një që ngushëllon të dëshpëruarit. Është e vështirë të kuptosh pse Perëndia po ndëshkonte një njeri të tillë!
30:1-8 Tashmë, edhe pse është e trishtueshme të thuhet, Jobi tallet nga të rinjtë, etërit e të cilëve ishin të përçmuar, duke mos mundur madje edhe të rrinin me qentë e Jobit që të ruanin delet; të dërrmuar, të dobët dhe të mjerë, tepër të uritur, ushqeheshin në kaçubet e shkretëtirës; të dëbuar nga vendi i tyre, nomadë pa shtëpi.
30:9-15 Këta fundërrina të njerëzimit sillen tani me Jobin me përçmim të madh. Vini re shprehjet përshkruese të talljes së tyre – “kënga e talljes“, “jam bërë gazi i tyre“, “kanë tmerr nga unë“, “nuk ngurrojnë të më pështyjnë në fytyrë“, “i shtyjnë larg këmbët e mia” (e pengonin), “prishin (bllokojnë) rrugën time” etj. Nderi dhe begatia e Jobit janë zhdukur plotësisht.
30:16-23 Ai është i mbushur me dhimbje, i shpërfytyruar me agoni, është bërë si pluhuri dhe hiri dhe është gati të vdesë. Perëndia nuk i përgjigjet lutjeve të tij, duke e kundërshtuar mizorisht, duke e përpëlitur dhe është gati ta vrasë.
30:24-31 Me siguri Perëndia nuk do të pikëllojë dikë në varr që i është lutur Atij kur po vdiste. Jobi kishte treguar mëshirë për të tjerët, por atij nuk po i tregohej mëshirë. Vuajtja e tij e madhe përbëhet nga vetmia dhe refuzimi. Gjendja e tij fizike dhe emocionale ishte e tmerrshme. Pse, një njeri i drejtë si Jobi, duhej të bëhej vëlla me çakallin dhe shok me strucin?
31:1-12 Jobi ngulte këmbë se nuk ishte fajtor për vështrime të epshme ndaj një virgjëreshe. Ai e di se Perëndia shikon dhe e ndëshkon një mëkat të tillë. Ai nuk kishte vepruar me mashtrim; një shqyrtim me ndershmëri do ta bindte Perëndinë për një gjë të tillë. Ai nuk ishte larguar nga rruga e drejtësisë; përndryshe ai do të meritonte të humbte të mbjellat e tij. Ai nuk e kishte joshur gruan e të afërmit; përndryshe gruaja e tij do të ishte bërë e dikujt tjetër dhe pasuritë dhe jeta e tij do të ishin shkatërruar.
31:13-37 Jobi ishte treguar i mëshirshëm ndaj shërbëtorëve të tij; ishte treguar bujar ndaj të varfrit, vejushës dhe jetimit. Ai nuk kishte pasur lakmi për arin; ai nuk ishte mashtruar tinëz nga idhujtaria (duke puthur dorën e tij drejt diellit dhe hënës); ai ishte pa të liga ndaj armiqve të tij; ishte mikpritës me të gjithë; nuk kishte mëkate të fshehta dhe ishte i ndershëm në marrëveshjet e tij rreth pasurive të paluajtshme. Nëse paditë kundër tij do të ishin shkruar në një dokument, ai do të ishte krenar t’i mbante dhe t’i paraqiste si një princ!
31:38-40 Në fund të kapitullit 31 mbarojnë fjalët e Jobit. Semuel Rajdauti (Samuel Ridout), të paktën, nuk është i kënaqur me fjalët e fundit të Jobit:
Fjalët e Jobit do të mbaronin me të drejtë kur të ishte gati të lavdëronte Atë që e meriton me të vërtetë. Ne jemi të kënaqur të mbarojmë punë me fjalët e Jobit, ashtu siç janë të shqiptuara këtu [30].